Shqipnia...kryepicingul

01 korrik 2019 15:35

Më datë 30 qershor, kryeministri i Shqipnisë, Edi Rama “qëndroi në anën e duhun të historisë”. Për me ia mbushë mendjen vetes edhe ma shumë zgjodhi sërish pasarelën e zakonshme të veshjeve alla Rama, për me futë letrën në kutinë e votimit. Me çka u raportue përqindja e votuesve ishte tejet e paktë. Në Shkodër për shembull kishin votue ma pak njerëz seç e kanë ndjekë Vllazninë në kategorinë e dytë. Përballë pasarelave të kryeministrit qëndron natyrisht zani i marrun (apo i ngjirun) i PD-së – lideri i saj aktual, siç shihet ende asht solist në kërkim të zanit të vet. Qysh prej djegieve të mandateve e deri sot ai e ka ndërzye popullatën nëpër skenarë të paqartë. U deshtën 9 protesta masive për me përmbushë thanien e tij “deri në rrëzimin e Ramës”. Por “deri” rezulton me qenë nji ndajfolje që në retorikën politike nuk e përcakton sinorin e saj. Kësisoj, Rama mundet edhe me u rrëzue dikur ose edhe me e lanë vetë detyrën, kushedi se deri kur. 

Replikat e dy liderëve të dy partive, pjella të regjimit komunist shqiptar, i ngjajnë Tom-it e Jerry-it. Herë tue ndjekë njeni-tjetrin, herë tue e lendue njeni-tjetrin por edhe herë tue u ba palë. Më 17 majin e paradyvitshëm, ata u pajtuen dhe ngritën nji qeveri tranzitore. Basha, tue mos qenë i rysun në lojna politike (e ndoshta edhe pa konsulencën e duhun), ra në kurthin e Ramës. Kêns që vjen prej nji traditë familjare, që e ka luejtë lojën në enverizëm aq mirë. Prej te dinaknia e deri tek firmat për varje në konop: të gjitha këto të dirigjueme prej atelieve të realsocit shqiptar. Por edhe pse Basha e pësoi, ai vazhdoi me u çjerrë para përkrahësve të vet: e kjo jo për dhandrrin që i ka gjetë i zoti i shtëpisë (pra Berisha), por prej përkahjes stereotipe, të pathellueme, pa analiza të qarta, tifos së trashë që shqiptarët i karakterizon. Në demokraci, partia dhe përkrahja e saj nuk asht si skuadra e zemrës: ky asht gabimi fatal i shqiptarëve. Partinë e ban që me u mbështetë vizioni, programi, intelekti politik, guximi e mjete të tjera që lideri aktual i PD-së nuk i ka e nuk ka me i pasë asnjiherë. E vetmja platformë e Bashës, asht “bashkimi” sa me njenën e me tjetrën parti: si dikur Berisha për me sigurue votat. Porse kjo asht edhe ma keq, sepse Basha asht nji kopje e shëmtueme e Berishës në total. Ai e ka frymëzye, këto kohët e mbramë, popullatën për nji rrugë drejt askundit. E nuk asht çudi që ai me “ia shtrî dorën” kryeministrit prapë, që me shpëtue prej listës së zezë së vetingut. E vetingu, drejt me thanë, asht nji abstraksion që për ‘demokracinë’ e mefshtë shqiptare ka me mbetë veç ashtu: asbraksion. Këta të dy, pra Tomi dhe Jerry, nuk asht çudë se kanë me përpunue nji vistër ligjore që me e amnistue veten dhe personat që kanë luejtë për interesat e tyne. E këtë cicmic politik, ua pat shtî në torbë Berisha qyshse nuk pat dënue seriozisht askênd mbas rrëzimit të komunizmit, por ai u tregue i gjanë me atë që e caktoi në skenën politike ose ma saktë ata: dyshja N. Hoxha dhe R. Alia. Domethanë, regjisorët e këtij animacioni politik, i serive të Tom-i Jerry-t, janë ata që e lëshuen me vullnet pushtetin për t’ua lanë në dorë ‘të vetëve’, natyrisht. Detyrimisht për botën, kjo nuk asht gja e re. Me Shqipninë janë mësue. Ai asht nji vend epruvetë për ndërkombëtarët, dihet. Gati pesë dekada të qeverisjes së Hoxhalisë, kanë dëshmue se kanunet politike në Shqipni janë atipike. Kund forma të përzieme të legjislacionit stalinist me frëngjyzën turke. Mbasnandëdheta e hoqi adjektivin ‘stalinist’ tue e zêvendsue me ‘enverist’ e ndërsa frëngjyzën e la sërish, tue rezultue kështu se ne jemi nji komb që e marrim virusin lehtë dhe madje ndihemi mirë me qenë të ‘smutë’... Befas na pëlqen ‘çehrja jonë’ para syve të zmadhuem të t’huejve. 

Në krahun tjetër, formacioni aktual i parlamentit shqiptar, asht nji pleksje perfekte e mendsisë shqiptare: mjafton me pasë numrin. Dikush dogji mandatin, dikush i xuni vendin ma zi se i burgosuni kur hante të vjellat e tjetrit prej t’unit. Në atë rast madje ka triumfue instinkti i mbijetesës, por në këto raste mbizotnon vetëm instinkti i interesit. E cila asht sot esenca e nji deputetit shqiptar? Cilitdo shqiptar me ia drejtue këtë pyetje, të përgjigjet leverdia. 

Ata që mbeten pa hise në matricën ‘demokratike’ (PD-në) themeluen parti të reja, tue shtue në këtë mënyrë listën e partive të klonueme prej atyne themelore. Në këtë zhvillim, nuk besoj, se asht liria dhe e drejta e çdokujt që e ka paraprî aktin politik, ma shumë se solisti i mbetun pa spektator. Nji gja të tillë ma heret e ka dëshmue, po flasim mbas 2000-shit, B. Topi, B. Blushi, e sot A. Patozi. Nuk dihet qartë, nëse BD-ja do të ishte krijue nëse PD-ja nuk do t’i kishte djegë mandatet. Oportunizmi politik, besojmë se i ka paraprî kuintesencës së këtij akti. 

Po prapë, në krahun tjetër—sepse e tanë Shqipnia ma e vogël se Roma me banorë, asht plotepërmaje me vektorë—figurat e ekranit bajnë opozitarizmin e votimeve. Këtyne votimeve të turpshme në rang kombtar: prej mbajtjes, prej thyemjes së dekretit të Presidentit, e deri tek verdikti i elektoratit: bojkotimi masiv. Në tanë Shqipninë kanë votue sa gati gjysma e Tiranës. Ky asht kulmi. Figurat e ekranit, opinionistat, pedagogët, kangëtarët, aktorët, vipat e vipet bajnë luftën e tyne virtuale. Edhe këta nji kopje ma e keqe sesa memet e studentëve... Shqip i bjen: don pasha kallabllëk. Ata ish-dhetoristat, ish-deputetët, analistat, të prishndrequnit me pushtetet, tash janë lokomotiva pa shina e intelektualëve shqiptarë. Ndërkohë procedime penale nga Ministri i Brendshëm: me ba heroj në nji situatë antiheroike. Eleokuencë e zhdërvillore të nji shteti të ramë. Po interesante, njeriu i pasarelave tha: ‘sot fitoi shteti’. 

 

01 korrik 2019
15:35

Lisandri Kola