Viktimologjia në drejtësinë tranzicionale

07 qershor 2019 11:31

Megjithëse trajtimi i nevojave të viktimave gjithnjë e më shumë paraqitet si çështje me rëndësi në drejtësinë tranzicionale, diskutimi serioz kritik mbi ndërtimin politik dhe shoqëror të viktimizimit është duke u zhvilluar vetëm në terren. Në praktikë, viktimat (e çfarëdo lloj krimi) si kategori shpesh përceptohen si pasqyrë e kundërt e shkelësve të ligjit, dhe këto dy kategori, shihen si të ndara në mënyrë mjaft rigjide. Kjo qasje shkakton mjaft tension mes drejtësisë retributive dhe asaj restorative. Përderisa e para kërkon dënim për një shkelës që thyen ligjin, dhe që ai të vuajë dënimin, akt ky që rjedhimisht do të bënte viktimën/të mbijetuarin të ndihej i kënaqur me verdiktin dhe të gjente prehje, e dyta - drejtësia restorative do te merrej kryekëput me riparimin e dinjitetit të viktimës apo të mbijetuarit, dhe rehabilitimin e të njëjtit në shoqëri. Drejtësia retributive na sugjeron një perspektivë të tillë që na e ngushton nocionin e të drejtave dhe nevojave të viktimave në mënyrë që ato të adresohen e të lidhen me dënimin e shkelësve që thyejnë ligjin; por ajo restorative shikon përtej gjetjes së fakteve dhe dënimeve të atyre që thyejnë ligjin. Ajo tenton shërimin dhe riparimin e dinjitetit të viktimës, dhe vazhdon të fokusohet në riparimin e marrëdhënieve të dëmtuara si shkak i krimit, gjithmonë duke kërkuar nga shkelësit e ligjit përgjegjësi dhe llogaridhënie.

Nisemi nga fakti që statusi 'i vërtetë' i viktimës kërkon pafajësi. Në veçanti në pikëpyetje vihet nocioni i 'pafajësisë' si parakusht për njohjen e viktimave, si dhe shqyrton mënyrat në të cilat viktimat dhe autorët nuk janë gjithmonë të identifikuar lehtë si kategori të ndryshme në shoqëritë postkonfliktuoze ose në ato në tranzicion.

Nga literatura e viktimizmit, dimë se, megjithëse është e nevojshme një njohje më e nuancuar shkencore rreth nevojave të viktimave, megjithatë, kjo njohuri në mënyrë të pashmangshme është ndërtuar si koncept social dhe politik, shih për këtë krijon një platformë për interpretime të ndryshme. Gjithashtu supozohet se në të shumtën e rasteve format e pretendimeve politike që lidhen me nevojat dhe të drejtat e viktimave të krimit, mund të jenë të lidhura në mënyrë të kundërt me respektin për nevojat dhe të drejtat e shkelësve të ligjit.[1]

Meqenëse shumica e përfaqësimeve të viktimave duket se nxjerrin në pah disa vlera dhe përvoja mbi të tjerët, ato në mënyrë të pashmangshme përfshijnë pasoja paradoksale. Nga njëra anë, ndërtimi i viktimizimit përfshin një akt humanizimi: Kur tregohen historitë e viktimave, viktimat bëhen diçka më shumë se një numër. Përmes përfshirjes së tyre në një kolektiv, përvojat e tyre jepen me vlerë dhe kuptim. Nga ana tjetër, përfshirja e disave nënkupton përjashtimin e të tjerëve, të cilëve u mohohet vlera dhe kuptimi i imputuar. Sociologu John Mack e ka quajtur këtë proces të përjashtimit "egoizëm të viktimizimit:" "paaftësia e një grupi etno-kombëtar, është rezultat i drejtpërdrejt i traumave të veta historike, për t’u bashkëndjerë me vuajtjet e një grupi tjetër " (1990: 125). [2] Kjo lloj ‘paaftësie’ nuk na është shfaqë shpesh në terren gjatë punës me viktimat dhe të mbijetuarit e luftës në Kosovë. Përkundrazi ka qenë kjo kategori e prekur nga lufta, e cila ka shprehë një dozë të madhe të empatisë dhe solidarizimit me vuajtjet dhe sakrificën e viktimave të etnive tjera, me fjalë tjera e njëjta vazhdon të bashkëndjejë vuajtjet e të mbijetuarve të etnive tjera. Janë të paprekurit nga lufta, ata që vazhdojnë të manipulojnë lirshëm dhe pa respekt me këtë kategori dhe në emër të kësaj kategorie, si dhe kërkojnë llogaridhënie nga shkelësit e ligjit. Vija e cila përcakton limitet e vuajtjeve dhe tronditjen që ka pësuar viktima apo i mbijetuari është vështirë të përcaktohet, ngase viktimizimi si proces mund të jetë fluid.

Një hierarki e viktimizimit, e bazuar në dallimet ndërmjet asaj që Madlingozi (2007) i ka quajtur viktima "të mira" dhe viktima "të këqija", shpeshherë flet mbi pikëpamjet subjektive mbi 'justifikueshmërinë' e vuajtjeve që analizohen tek viktimat dhe te mbijetuarit e luftës, si dhe taktikat dhe qëndrimet e këtyre kategorive për t'u marrë me të kaluarën.

Ky kryqëzim midis pafajësisë dhe fajit paraqet vështirësi të mëdha për drejtësinë tranzicionale, veçanërisht aty ku viktimat mund të kenë kryer edhe vetë abuzime të të drejtave të njeriut. Siç vë në dukje Claire Moon (2009: 101), Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit të Afrikës së Jugut kërkoi që afrikano-jugorët të caktoheshin si "viktima" ose "autorë", dhe të ekzistonte një prerje kategorike mes këtyre dy grupacioneve. Kjo përjashtonte ‘disa të tjerë’ që nuk mund të strehoheshin lehtë brenda këtyre dy kategorive (shih gjithashtu Borer, 2003). Ne argumentojmë se dihotomia mes viktimës dhe shkelësve të ligjit si në rastin me fëmijët ushtarë duhet të rishqyrtohet, dhe se kjo mund të bëhet me sukses vetem përmes një qasjeje vërtet interdisiplinare, dhe assesi te shihet nga një kënd njëdimensional.

Një figurë e diskutueshme si Robert McBride, të cilit iu dha amnisti për veprimet e tij gjatë luftës çlirimtare ne Afrikën e Jugut (i cili ishte përfshirë në hedhjen e një bombe në një pub, që shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosi 69 civilë të tjerë), kishte deklaruar se edhe ai kishte qenë  viktimë e regjimit të apartheidit dhe se ishte vendosmëria e tij për të luftuar kundër atij sistemi që çoi në përfshirjen e tij në vrasjen e civilëve dhe luftën e armatosur (Du Bois-Pendain, 2007: 213).

Divergjenca e këtyre pikëpamjeve flet direkt për një problem qendror. Qeniet njerëzore mund të lëvizin mes mirëdashjes dhe ligësisë në një ditë të vetme, dhe kurrë nuk e mendojnë gjatë gjithë jetës se kanë jetuar në një shoqëri që përjetoi dhunë politike ose etnike. Pikërisht për këtë, rritet potenciali për ndjeshmëri njerëzore si për viktimat ashtu edhe për shkelësit e ligjit. Dhe ndërsa të parët nuk janë të paqortueshëm, këta të dytët kanë kryer veprime të tmerrshme.[3] 

Nuk duhet të harrojmë se shkelësit e ligjit, viktimat por dhe dëshmitarët hezitues formojnë së bashku një marëdhënie komplekse dhe shumë emocionale, të lidhur me sekretet dhe heshtjen që mbajnë. Këto kategori e njohin shumë mirë njëra tjetrën dhe luajnë rol qendror në jetën e njëri tjetrit. Shkëputja e marëdhënieve të tyre që bëhet përmes dëmit të shkaktuar, është po aq e dhimbshme sa vetë dëmi që u është bërë, dhe do të jetë shumë e vështirë për t’u riparuar. Hedhja dritë mbi këtë marëdhënie të ndërlikuar dhe të ngarkuar është detyrë dhe përgjegjësi e studiuesve që në të ardhmen këtë marëdhënie komplekse mes këtyre kategorive ta zbërthejnë më tutje.

----

[1] Victimology in transitional justice: Victimhood, innocence and hierarchy, Kieran McEvoy Queens University Belfast, UK; Kirsten McConnachie, University of Edinburgh, UK, European Journal of Criminology 9(5) 527-538, 2012.

[2]  Victimhood, Identity, and Agency in the Early Phase of the Troubles in the Northern Ireland, Sissel Rosland, Identities, 16:3, 294-320,

[3]  Victimology in transitional justice: Victimhood, innocence and hierarchy, Kieran McEvoy Queens University Belfast, UK; Kirsten McConnachie, University of Edinburgh, UK, European Journal of Criminology 9(5) 527-538, 2012.

 

 

 

 

 

07 qershor 2019
11:31

Nora Ahmetaj