Për muzikën dhe përjetësinë

03 maj 2019 10:25

Në Parimet Kushtuar Zotit dhe Njeriut, Shën Tomas Akuini thotë diçka shumë tërheqëse: Skëterra është e sunduar nga koha, jo nga përjetësia e njëmendtë. Këtu kemi një dallim midis dy përjetimeve të kohës: koha si një durim çastesh të ndara dhe koha si një përjetësi e pandashme.

Muzika është e lidhur ngushtësisht me përjetimin e kohës. Koha është parakushti më themelor i muzikës, pasi muzika nuk mund të përfytyrohet pa lëvizjen, ndryshimin dhe kalimin e tingujve. Muzika është një vallzim tingujsh në kohë.

 Duke u bazuar tek dallimi midis dy përjetimeve të kohës që shpreh Shën Tomas Akuini dhe lidhja e ngushtë midis muzikës dhe kohës, dua të bëj një dallim kyç midis dy lloj muzikash: muzikën si durim dhe muzikën si përjetësi.

Muzika si durim është përdorimi i muzikës si një mundësi për të duruar të padurueshmen, përdorimi i muzikës si një tejkalim i përkohshëm i vuajtjes dhe Skëterrës së përbrendshme. Pikërisht këtë përfaqësim të muzikës shohim në pjesën e Skëterrës te piktura e mirënjohur e Hieronymous Bosch, Kopshti i Kënaqësive Tokësore.

Image

 

Përbindësha që këndojnë muzikën e shkruar në prapanicën e dikujt, fyell i futur në të ndenjurat e dikujt tjetër dhe njerëz të lidhur nëpër instrumentet e të burgosur nga muzika. Nuk duhet harruar asnjëherë që njerëzit po argëtohen nga kjo shfaqje. Ky është një argëtim i domosdoshëm: pa muzikën Skëterra do ishte e padurueshme. Çfarë do bënin e kryenin ata nëse nuk do kishin muzikën për të tejkuluar kohën dhe vuajtjen? Pa muzikë, zgjedhja e tyre e vetme do ishte vetëvrasja.  

Shumica e muzikës sot, e cila është kthyer në një prodhim industrial dhe konsum masiv, nuk është asgjë më shumë sesa ky përcaktim i muzikës si një argëtim që na lejon ta durojmë vuajtjen. Qëllimi i industrisë së muzikës sot është durimi dhe përligjja e tëhuajsimit të gjithanshëm dhe bashkëjetesës së përkohshme ku ndodhemi.

Produkti përmban brenda vetes jo vetëm natyrën e vetvetes, por edhe natyrën dhe qëllimin e industrisë që e ka prodhuar. Produkti muzikor që e shpreh më qartësisht këtë qëllim të industrisë së muzikës është kënga Work e Rihanna-s. Vetë kënga është një përsëritje e vazhdueshme e fjalës punë, punë, punë nën tingujt të këndshëm dhe vallëzime erotike. Nuk ka asgjë të këndshme për punën në botën e këtushme: njerëzit përgatiten pafundësisht për të gjetur një punë dhe shpesh nuk e marrin, njerëzit ç’rrënjosen për të gjetur një punë, njerëzit tëhuajsohen nga tjetri për të ndenjur në punë, njerëzit çmenden nga ankthi i punës, njerëzit keqedukojnë fëmijët e tyre nga puna e tepërt, njerëzit vendosin të mos kenë fëmijë fare për shkak të punës, ndërkohë që disa të tjerë vdesin duke kërkuar punë. Puna nuk ka asgjë zbavitëse. Puna është një ankth i tmerrshëm: po e humbe punën, si do ia paguash këstin mujor bankës për kredinë e shtëpisë? Nëse nuk gjen punë të re, sa më shpejt, si do t’i rrisësh fëmijët? Por jo, kënga nuk merr parasysh asgjë nga realiteti i punës sot, por e lyen atë me ca tinguj të këndshëm dhe vallëzime erotike në mënyrë që ne ta durojmë punën. Kënga të kërkon që ta pëlqesh gjendjen ku je; nëse nuk të pëlqen puna, atëhere faji është i yti. Shohim një zhvendosje nga gabimi strukturor tek gabimi vetjak, - gjë që sot e hasim gati gjithkund. Dhe pavarësisht vlerësimeve hyjnore që njerëzit i bëjnë sot muzikës, ajo nuk është aspak e pafajshme. Muzika sot është kthyer në një ilaç të përkohshëm antidepresiv.

Ndërkohë, në anën tjetër kemi një tjetër lloj muzike: muzika si një çast i pandashëm, një përjetim ku shfaqet koha në tërësinë e saj, një zë i përjetësisë. Kjo lloj muzike nuk e përligj vuajtjen bashkëkohore, por i jep qëllim dhe synim bashkëjetesës së përkohshme. Këtu në këtë lloj muzike, do jepja si shembuj psalmet Gregoriane, simfonitë e Bethovenit apo edhe së fundmi muzikën e përfshehtë të Arvo Pärt.

Muzika e Arvo Pärt është një përballje e pastër me vdekjen, zbrazëtinë dhe gjithësinë. Është pikërisht kjo përballje që na lejon të çlirohemi nga mekanizmi shtetëror dhe ideologjitë: për një çast ti je vetëm dhe lakuriq përballë gjithçkaje që të rrethon, ti je shikuesi dhe pamja, ti je gjithçka dhe asgjë. Në muzikën e Arvo Pärt, koha humb, hapësira përmblidhet dhe shfaqet një tingull i hyjnishëm që përsëritet tërë dritë dhe shpresë. Ky largim nga bashkëjetesa e përkohshme, mekanizmi shtetëror dhe ideologjitë bashkëkohore nëpërmjet muzikës së përjetshme, të jep mundësinë, fuqinë dhe shpresën për të përfytyruar një të ardhme ndryshe.  

 

 

03 maj 2019
10:25

Erlind Sulko