"Trepça" pas masave të KEF-it: Efektet e pamjaftueshme

22 mars 2019 10:51

Artikull origjinal i shkruar nga Ymer Bajra për Rilindjen.

Sado që përmirësohet situata në disa segmente, trajtimi i viganit tonë ekonomik, megjithatë, ngel i deprimuar(!)

Edhe njohësit më të mirë të rrethanave tona ekonomike kanë menduar se masat më të reja të Këshillit Ekzekutiv Federativ, posaçërisht ato që kanë të bëjn me liberalizimin e çmimeve të disa produkteve, kombinatin "Trepça" do të nxjerrnin nga situata e vështirë. Kjo është krejt e natyrshme kur dihet trajtimi i këtij vigani ekonomik deri më tash aq deprimues, posaçërisht kur kemi të bëjmë me çmimet e produkteve të tij në tregun e vendit. Dhe, ç'është e drejta, masat e KEF-it patën efektin e caktuar lidhur me zvogëlimin e disparitetit deri më tash të padurueshëm të çmimeve, por kjo nuk mjaftoi për shërimin e plagëve të mëdha e të rënda që ia sollën problemet e shumta gjatë viteve të kësaj organizate të përbërë të punës së bashkuar.

Efekte më të theksuara të masave të këtilla, ndërkaq, vërehen te metalurgjia me ngjyra. Mirëpo, edhe pas tyre, do theksuar menjëherë, çmimet e ngritura të prodhimeve të kësaj industrie ngelën sërish nën nivelin e produkteve kësodre në bursën botërore. Po ashtu do përmendur se industria e metalurgjisë me ngjyra nuk siguroi trajtim të njejtë me metalurgjinë e zezë. Ekzistojnë për këtë shumë arsye, por më i rëndësishëm është fakti se edhe më tutje rreth 40 për qind të çmimeve të prodhimeve të këtij Kombinati ngelën nën kontrollin shoqëror të çmimeve. Karshi kësaj, thuaja të gjitha materialet riprodhuese që patjetër i nevojiten organizatave të punës së bashkuar të kombinatit "Trepça", formohen lirisht në treg, kurse një pjesë e mirë e tyre, natyrisht, importohet. Së këndejmi, rezulton edhe llogaria, përkatësisht, efektet negative nga raporti në mes të çmimeve të liberalizuara të disa prodhimeve të tij dhe ato qëmtoi me trajtim të këtillë, sikundër janë disa lloje të lëndës së parë e materialit për riprodhim, mandej, energjia elektrike dhe shërbimet e transportit, që vlerësohet me 80 miliardë e 652 milionë dinarë. Kësaj shume menjëherë duhet shtuar edhe mbi 16 miliardë dinarë si obligime të shtuara ndaj kredive të jashtme pas devalvimit të fundit të valutës tonë nacionale. Leverdi nga zhvleftësimi i dinarit patën vetëm organizatat eksportuese të "Trepçës" që, sipas disa llogarive, arrijnë në 8 miliardë e 143 milionë dinarë.

Kur të mirren parasysh të gjitha anët, që don të thotë të mblidhen të gjithë plusat e minusat, rezultati kumulativ i masave të fundit të Këshillit Ekzekutiv Federativ, për "Trepçën" sërish është- negativ. Minusi që del nga këto raporte vlerësohet me 20 miliardë e 374 milionë dinarë, i cili, kryesisht ka të bëjë me obligimet e shtuara ndaj partnerëve të jashtme (për kredi), pas devalvimit të dinarit.

Nisë nga kjo, "familjes së madhe" të Kombinatit "Trepça" s'i mbetet shtegdalje tjetër pos angazhimit të shtuar për prodhim më të madh, për mobilizim të intensifikuar për sigurimin e faktorëve cilësorë të riprodhimit, që janë parakusht vendimtar për zvogëlimin e vështirësive dhe përmirësimin e situatës së saj në tërësi. Mirëpo, asnjëherë nuk duhet harruar se- zgjidhja e shumë çështjeve e problemeve të rënda me të cilat tani e sa kohë është duke u ballafaquar vigani ynë ekonomik, tejkalon mundësitë e tij. Ndihma sa më e ngutshme e shoqërisë më të gjërë, sërish ngel si alternativë e vetme e daljes së këtij Kombinati nga kriza dhe e stabilizimit të rrjedhave të prodhimit këtu. Kësisoj do të eliminohet mundësia e efekteve negative në rezultatet e gjithmbarshme afariste të ekonomisë së Krahinës dhe më gjërë.

22 mars 2019
10:51

Ri-Rilindja