Ndikimi negativ i remitancave në zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës

04 mars 2019 10:37

Ilustrimi: Big Eye

Ekonomia dhe mirëqenia e Kosovës në masë të madhe është e varur nga remitancat. Por, remitancat nuk kanë gjithmonë karakter zhvillimor, në shumë raste remitancat mbjellin papunësi, ngecje ekonomike, pa përgjegjësi dhe korrupsion. Në rastin më të keq, remitancat funksionojnë sikur lëmosha që u jepet lypsave në rrugë, dhe kjo ndikon në rritjen e numrit të lypsave, krijohet një arsyje që të mos kërkohet zgjidhje afatgjate, dhe krijohet mundësi për aktivitete kriminale.  Remitancat po ashtu pengojnë zhvillimin e qytetarisë aktive dhe zhvillimin e llogaridhënies dhe të përgjegjësisë politike.

Sipas bankës Qendrore të Kosovës, në Kosovë gjatë vitit 2017 remitancat kanë shënuar vlerën  prej 759.2 milionë, kurse trendi ndër vite është në rritje, këto remitanca në Kosovë kryesisht përdoren për konsum, një fakt që është kritikuar çdo herë nga ekonomistët  duke cekur se këto remitanca do duheshin përdorur për investime. Sipas statistikave diku rreth 20 përqind e familjeve pranojnë remitanca, dhe të ardhurat mesatare mujore të tyre lidhen drejtpërdrejt me kontributin e remitancave. Kjo bën që remitancat në Kosovë të kenë karakter kryesisht humanitar dhe rritja e remitancave më shumë është tregues i krizës ekonomike, pasi që sa më shumë të ketë krizë ekonomike në vend, ndihma nga jashtë bëhet më e domosdoshme.

Se si remitancat por edhe ndihmat e tjera ndërkombëtare nuk i ndihmojnë shtetet sot është temë diskutimi edhe në nivelin global. Shumë ekonomistë kanë gjetur ndërlidhje negative në mes ndihmave që pranojnë shtetet dhe zhvillimit ekonomik respektivisht rritjes së GDP-së. Kjo është vërejtur sidomos në vendet afrikane që kanë qenë përfituese të ndihmave ndërkombëtare dhe që përkundër ndihmave prapë nuk kanë shënuar rritje ekonomike të pritshme. Ka shumë raste të shteteve që nuk kanë pranuar ndihma ndërkombëtare financiare por kanë shënuar progres në të gjitha fushat dhe kanë siguruar zhvillim ekonomik për vendin e tyre. Në këtë kontekst shteti i Kosovës besoj është shembull tipik ku ndihmat financiare nga jashtë, qofshin ndihma financiare shtetërore ose ndihma përmes remitancave, nuk kanë treguar rezultat në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.

Remitancat në Kosovë, në aspektin ekonomik përveç ndikimit pozitiv, kanë krijuar edhe efekte negative si p.sh. krijimi i një ekonomie të varur nga emigracioni, ulja e participimit të fuqisë punëtore në tregun e punës, rritja e çmimeve të produkteve etj., dhe e kanë bërë Kosovën më pak konkurruese me tregjet e huaja.

Një familje mesatare në Kosovë e cila nuk mund të krijojë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar mirëqenien pranon remitanca, por kjo familje pavarësisht kësaj do të refuzojë p.sh. të punojë për paga të vogla, duke qenë se e ka të garantuar një minimum të mirëqenies nga remitancat, ose në rastin tjetër një bujk i cili pranon remitanca  të rregullta, ndoshta do të refuzojë të punojë tokën nëse fitimi i pritur nuk është mbi nivelin e remitancave të pranuara.

Problemi rritet sidomos kur dallimi ekonomik në mes të Kosovës dhe shteteve nga vijnë  remitancat është shumë i lartë. Një familjar i cili punon në Europë merr të ardhura mujore deri në 10 herë më të larta sesa ç’janë të ardhurat mesatare në Kosovë. Nëse familjari A punon në Zvicër me një pagë mesatare, dhe nëse ai i dërgon 10 përqind të pagës së vet mujore familjarit B, familjari B nuk do të jetë i shtyrë të gjejë punë që paguhet nën mesatare ose sa mesatarja pasi që do të frikësohet se mos humb përkrahjen nga remitancat.   

Remitancat po ashtu kanë ndikim në rritjen e çmimeve të konsumit,  sepse kur blerjet bëhen nga diaspora, krahasuar me vendet e BE-së çmimet në Kosovë për diasporën duket si të ulëta, dhe kjo krijon mundësi që furnizuesit  të rrisin çmimet. P. sh. nëse një emigrant vendos të blejë një banesë në Kosovë, çmimi për metër katror i kësaj banese është shumë më i ulët krahasuar me vendet e BE-së,  në anën tjetër shitësit duke pasur parasysh që ekziston kërkesa për banesa nga diaspora, rrisin çmimet bazuar në këtë kërkesë dhe këtë çmim do ta paguajë pastaj edhe banori i Kosovës me të ardhura të ulëta, mesatare.

Ne aspektin politik, efekti më negativ nga remitanca është krijimi i qytetarisë pasive që nuk kërkon përgjegjësi nga qeveria.  Qytetarët e një shteti në parim krijojnë qeveri dhe paguajnë taksa me kusht që qeveria do të përkujdeset për mirëqenien e tyre; pra nëse qytetarët janë në krizë atëherë ata së pari duhet të kërkojnë llogari nga qeveritë. Por kur qytetarët varen nga remitancat, atëherë ata automatikisht krijojnë distancë me qeverinë, dhe në vend që të kërkojnë zgjidhje nga qeveria,  kërkojnë ndihmë nga diaspora, ose kërkojnë të largohen edhe vetë nga Kosova duke ndjekur shembullin e familjarëve të tjerë.

Më shumë kemi pjesëtarë të diasporës të cilët janë kritikë në politikat e Kosovës sesa qytetarë banues në Kosovë. Kjo mund të shpjegohet sidomos me faktin që këta emigrantë janë dërgues dhe pagues të vërtetë të taksave përmes remitancave dhe janë paratë e tyre që po keqmenaxhohen nga qeveritarët në Kosovë. Përveç qeverisë që i keqmenaxhon paratë e diasporës, edhe vetë pranuesit e remitancave kanë pjesën e tyre të fajit, nëse jo për diçka tjetër atëherë për orientimin e tyre politik dhe mosreagimin ndaj keqpërdorimeve. Në Rumani, ishte diaspora që organizoi protesta kundër korrupsionit, duke treguar që diaspora  mund të jetë më aktive politikisht sesa vetë qytetarët e vendit.

Është vërtetuar që problemet në Kosovë nuk kanë të bëjnë me mungesë të parave. Pas luftës miliarda kanë hyrë në Kosovë në formë të mbështetjeve ndërkombëtare ose remitancave dhe përveç që kanë blerë paqen sociale, nuk kanë krijuar zhvillim ekonomik të pritshëm. Me gjithë vullnetin e diasporës për të ndihmuar Kosovën, ndihma e tyre nuk është gjithmonë pozitive, por ka krijuar status quo, ka zgjatur jetën e politikanëve të korruptuar në Kosovë, dhe ka krijuar popullatë pasive.  

Zhvillimi ekonomik dhe politik i Kosovës nuk ndodh duke u bazuar në remitanca dhe ndihma; zhvillimi vjen duke i forcuar institucionet, sistemin politik e social dhe përmes bashkëveprimit në mes qeverisë dhe qytetarisë aktive. Kosovës nuk i duhet ministri e diasporës e cila e nxitë diasporën të dërgojë remitanca duke organizuar koncerte, por i duhen politika të brendshme që rrisin mirëqenien e qytetarëve të saj, qeverisje të përgjegjshme, dhe politika efektive që sigurojnë investime dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

 

04 mars 2019
10:37

Bujar Ejupi