14 shkurt 2019
11:13

Foto: A Win Win World
Nudging (shq. shtytja, nxitja)
Nudging si koncept i ri, është një term i rëndësishëm i bazuar në parimet nga ekonomia e sjelljes si dhe një mjet i dobishëm në vendimmarrje.
Nudge, ose shtytje në shqip, pasqyron kuptimin e termit. Sidoqoftë, shtytja në vetvete nuk përfaqëson një aktivitet fizik, por aftësinë për të nxitur sjelljen njerëzore në një drejtim të dëshiruar. D.m.th. një lloj udhëzimi kur një individ përballet me situata të ndryshme zgjedhjesh.
Koncepti i nudges dhe përdorimi i tij u zhvillua nga laureati i çmimit Nobel për ekonomi në vitin 2017, Richard Thaler. Thaler dhe Sunstein (2008) shkruan së bashku librin: Nudge: Improving Decisions about Health, Wealth, and Happiness. Nga atëherë nudging është bërë një term i pranuar gjithnjë e më shumë, ku mënyra automatike e të menduarit përdoret si një qasje ndaj ndryshimit të sjelljes njerëzore.
“Një nudge (shtytje), siç do ta përdorim termin, është çdo aspekt i arkitekturës së zgjedhur që ndryshon sjelljen e njerëzve në një mënyrë të parashikueshme pa ndaluar asnjë mundësi ose duke ndryshuar ndjeshëm stimujt e tyre ekonomikë. Për ta llogaritur si një shtytje e thjeshtë, ndërhyrja duhet të jetë e lehtë dhe e lirë për t'u shmangur. Nudges nuk janë mandate. Vënia e frutave në vende të ekspozuara ku shihen lehtë, numërohet si një shtytje” (Thaler & Sunstein 2008)
Një avantazh i madh i nudging është mungesa e kufizimeve ose e ndalimeve, duke shmangur kështu detyrimin. Masat shtytëse duhet të jenë gjithnjë transparente, me qëllim që të shmangen dyshimet për manipulime të mundshme. Në ditët e sotme, ekzistojnë lloje të ndryshme të nudges që janë në përdorim të përditshëm, për shembull sistemet e navigacionit GPS, kalendari i vizitave mjekësore ose alarmi për t’u zgjuar çdo mëngjes.
Nudging në transport të qëndrueshëm dhe në planifikimin urban
Nudging si koncept mund të përdoret në të gjitha fushat. Kohëve të fundit këto masa shtytëse kanë gjetur zbatim edhe në planifikim fizik, duke përfshirë transportin dhe planifikimin urban. Shumë qytete të botës, masat shtytëse të konceptit nudging po i aplikojnë për ndryshimin e sjelljes së qytetarëve. Në Suedi, çdo komunë apo qytet ka plan të mobilitetit i cili përtrihet në çdo mandat qeverisës. Së fundi koncepti nudging po aplikohet si masë ndihmëse për planet e komunave dhe qyteteve.
Shembull i mirë, është qyteti i Gëteburgut i cili shtrihet në pjesën përendimore të bregdetit suedez. Qyteti, përveç planit të mobilitetit dhe planeve tjera, aplikon edhe nudging për ndryshimin e sjelljes së banorëve dhe vizitorëve. Për shembull nxitjen e banorëve që në vend të makinave të përdoret trafiku urban, shtigjet e biçikletave dhe këmbësorëve. Një tjetër masë shtytëse është edhe fleksibiliteti i blerjes së biletave për trafik urban. Biletat mund të blehen nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme nga telefonat e mençur, apo nëpërmjet internetit. Biletat mund të transferohen nga një person në personin tjetër nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme. Shpeshherë, qyteti dhe kompanitë e trafikut urban ofrojnë bileta falas për qytetarë, në mënyrë që t’i nxisin qytetarët që në vend të makinës t’i përdorin linjat urbane. Gjatë organizimeve sportive, kulturore, aranzhuesit në kuadër të biletave, ofrojnë edhe udhëtimin nëpërmjet linjave urbane.
Një masë tjetër nxitëse është edhe ndërtimi i shtigjeve të biçikletave jashtë konturave të rrugëve që shërbejnë për makinat si dhe ngjyrosja e tyre me ngjyra të ndryshme atraktive. Njëkohësisht, në vendet ku ka kryqëzime të trotuareve dhe biçiklistave me rrugët e makinave, semaforët janë të sinkronizuar në të mirë të këmbësorëve dhe biçiklistave në mënyrë që ata mos të presin shumë gjatë.
Diçiturë e fotos: Ju lutem hidhni filtrat e cigares në këtë shportë. Pëllumbat po provojnë ta lënë duhanin!
Një ndër masat nxitëse, e cila edhe është fituese e një çmimi ndërkombëtar për qytetet e pastërta, është edhe nudging për vendosjen e shportave dhe shenjave informuese për hedhjen e filtrave të cigareve. Si rezultat, për një kohë shumë të shkurtër, sasia e filtrave të cigareve të hedhura në tokë është zvogëluar në mbi 70%.
----
- Thaler, R. H., och Sunstein, C. R. (2008). Nudge: Improving decisions about health, wealth, and happiness. London: Penguin Books Ltd.
14 shkurt 2019
11:13