Hapet aplikimi: Truaktiv - Aktivizmi në Komunitet

22 janar 2019 11:29

Ky është konkurs.

Për studentë e aktivistë të përkushtuar në komunitet.

Po kërkojmë të rinj të moshave 17-22 vjeç (nuk e kqyrim për pak) që besojnë në ndryshim dhe dëshirojnë të ndikojnë në krjimin e lëvizjeve, në formësimin e shoqërisë. Po kërkojmë tru aktivë.

Për çka po bëhet fjalë?

TruAktiv është program alternativ i edukimit që synon avansimin e mendimit kritik dhe qasjeve kritike në të kuptuarit e shoqërisë dhe angazhimit qytetar në komunitet e shoqëri. Këtë e bëjmë përmes seancave që udhëhiqen nga studiues e ekspertë, ku njohuritë shkëmbehen përmes diskutimeve interaktive mes pjesëmarrësve. Mjeti primar i ligjëruesve në TruAktiv është diskutimi, i cili shoqërohet me prezantime të shkurta, punë në grupe, video-materiale apo prezantimeve përmes telekonferencave.

Në modulin e radhës, Angazhimi Civil, pjesëmarrësit do të nisen nga eksplorimi i praktikave të mira të lidershipit në komunitet, duke vazhduar tek menaxhimi strategjik i nismave qytetarethemelimi dhe funksionimi i organizatave jo-qeveritare si dhe zhvillimin e formave të komunikimit publik (PR & Avokim) për ta përçuar mesazhin e tyre. Për më tepër, duke punuar me trajnerë me përvojë, pjesëmarrësit do të trajnohen edhe në metodat e hulumtimit - metodologji.

Kur dhe ku?

Sesionet do të mbahen përgjatë muajit shkurt, në datat 11-23, në Prishtinë.

Kush janë trajnerët?

Trajnerët tanë kanë përvojë në organizata civile, të dalluar në aktivizmin e tyre në shoqërinë civile në fusha të edukimit, qeverisjes së mirë e kulturës, të cilët kanë qenë liderë fushatash e krijues ndryshimesh ndër vite. Disa nga ta janë: Agon Maliqi, Arben Hajrullahu, Jehona Gjurgjeala, Samir Shahini, Rina Zhubi, Nora Latifi Jashari dhe shumë të tjerë.

Si të aplikoni?

Plotësojeni pyetësorin e përgatitur këtu, më së largu deri më 06 shkurt, në ora 22:00.

                                                                      

Inkurajohen të aplikojnë sidomos të rinjtë nga zonat rurale, vajzat dhe gratë e reja, personat me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë.

Ilustrimi: Big Eye 

-------

TruAktiv mbështetet nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

22 janar 2019
11:29

Redaksia