Mos krijoni ide të mëdha, nuk do të ndodhin

17 janar 2019 14:09

Shoqëritë dhe shtetet krijojnë mite, disa nga këto mite lidhen me ekonominë dhe si të tilla  ndikojnë në mendimin ekonomik dhe politikat ekonomike të vendit. Resurset natyrale të Kosovës përveç që nuk kanë shërbyer për zhvillim ekonomik të vendit, ato kanë ndikuar në krijimin e miteve mbi zhvillimin ekonomik, duke orientuar vëmendjen e publikut gabimisht në fusha joprioritare dhe duke orientuar qeveritë në zhvillim të politikave joefikase.

Në librat e shkollave dhe fakulteteve tona lexojmë se si Kosova është e mbushur me minerale e pasuri natyrore dhe se si këto pasuri do t’i sjellin Kosovës zhvillim ekonomik të nivelit botëror. Gjatë kohës së paraluftës, mendohej që pushtimi i Kosovës nga Serbia po e pengonte zhvillimin e saj, sepse përndryshe Kosova posedonte potencial që të bëhej ndër shtetet më të pasura në botë. Pas periudhës së çlirimit, u bindem që kjo nuk do të ndodhë, pra nuk do të bëhemi shtet i pasur falë resurseve natyrale. Por prapëseprapë në mendjen e njerëzve, bizneseve dhe politikëbërësve  ende mbizotëron bindja se kjo është e vetmja rrugë drejt zhvillimit ekonomik. Pra, mendja dhe logjika e zhvillimit të Kosovës ende bazohet në shfrytëzimin e resurseve natyrale ose në gjetjen e një formule magjike e cila do të bëjë mrekulli dhe do ta realizojë ëndrrën e pasurive megalomane.

Resursi më strategjik, i përmendur për Kosovën është pozita e saj strategjike. Ky faktor strategjik është pjesë e secilit prezantim për Kosovën, pra Kosova është “një shtet i vogël në Ballkan me një pozitë strategjike në Evropë dhe botë që shërben si urë lidhëse në mes lindjes dhe perëndimit.” Ky lloj shpjegimi se Kosova është në qendër të Ballkanit dhe në qendër të lidhjeve në mes perëndimit dhe lindjes domosdo kuptohet si diçka që e bënë Kosovën shumë të rëndësishme ndërkombëtarisht dhe diçka që i siguron Kosovës përparësi të pamohueshme për zhvillim. Me këtë pozitë gjeografike Kosova mendohet se është atraktive për investimet e huaja. Fatkeqësisht, secili shtet i Ballkanit mburret me të njëjtën parullë që përshkruan pozitën gjeografike, pra secili shtet i rajonit e sheh veten në pozicion strategjik në nivelin global, të gjithë janë në qendër, të gjithë janë pika lidhëse, dhe të gjithë janë në kufi në mes perëndimit dhe lindjes. Ndoshta është koha që Kosova të fillojë ta konsiderojë më me modesti faktin që ka pozitë të mirë strategjike.

Në minierat e Trepçës kishte aq xehe të pasura saqë e tërë Jugosllavia ishte zhvilluar nga Trepça. Nuk mjaftuan si informata vetëm ato që shkruheshin nëpër libra për rezervat nëntokësore, por imagjinata shkoi edhe më lart, pas luftës u përhap edhe informata se në Kosovë kishte uranium dhe se kjo ishte edhe arsyeja kryesore e ardhjes dhe pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë (Ushtria e SHBA). Projekt tjetër megaloman ishte edhe projekti i njohur i Gjeneralit Wesley Clark, që kishte për qëllim që nga rezervat e linjitit të krijohet nafta, pra me një proces teknologjik kjo ndërmarrje do të investonte në Kosovë dhe do të krijonte naftë nga linjiti. Kështu, Kosova do të bëhej vend i nxjerrjes së naftës tamam si vendet arabe dhe do të gëzonte pasuri marramendëse!  

Zhvillimi i turizmit në Kosovë po ashtu është parë si potencial i madh për zhvillim ekonomik. Duke qenë se poashtu jemi rritur me informacionin që Brezovica ka një pozitë dhe terren të jashtëzakonshëm, ideja që kjo zonë do të tërheqë me lehtësi turistët nga e gjithë bota shihej si aq e lehtë saqë qeveria krijoi plane të mëdha për këtë zonë duke e projektuar projektin me mbi 410 milionë investime që do të siguronte mbi 3500 vende të punës. Pas disa vitesh përpjekjeje dhe milionash të shpenzuar për konsulencë dhe shërbime të tjera, edhe ky projekt dështoi dhe investitorët e huaj dështuan të binden për investime në këtë zonë. Përderisa qeveria ishte e zënë me plane  madhore milionëshe; ndërkohë asnjë investim minor nuk është bërë dhe gjendja e Brezovicës në terren ngelet e mjerueshme.

Në vitin 2001 kishin filluar të bëheshin plane për ndërtimin e termocentraleve, ku  në vitin 2005 ishte vendosur të bëhej ndërtimi i Termocentralit C prej 2100 megavatesh, e që ishte llogaritur si projekti më i madh kapital në Kosovë, ky projekt pastaj u ndryshua në “Kosova e Re”, ku edhe kapaciteti i tij prodhues ndryshoi nga 2,000 në 1,000 megavat. Qeveria gati çdo vit ka shpallur tenderët për këtë projekt dhe ka premtuar që përmes këtij projekti Kosovën ta shndërrojë në fuqi rajonale të prodhimit të energjisë. Tash e disa vite qeveria e Republikës së Kosovës është duke negociuar me investitorin Coutour Global për ta bindur që të investojë në ndërtimin e termocentralit, dhe me të gjitha favorizimet dhe lehtësimet e ofruara nga qeveria, ku shteti i Kosovës merr përsipër t’ia paguajë Contour Global-it të gjitha shpenzimet, këstet e kredisë, kamatën, fitimin, tatimin në fitim, ndërsa në anën tjetër investitori p.sh. të shpenzojë vetëm 10 euro për blerje të tokës së nevojshme për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, kjo marrëveshje ende nuk është finalizuar. Nëse nënshkruhet kjo marrëveshje atëherë për periudhën prej 20 vitesh, qytetarët e Kosovës do të paguajë 5-7 miliardë euro dhe sipas mendimeve të ekspertëve kjo marrëveshje do të jetë shumë e dëmshme për vendin dhe ekonominë.

Në shtator 2017 ka hyrë në fuqi ligji për investitor strategjik të Kosovës. Ky ligj është krijuar pikërisht për të tërhequr investitorët në fushën e minierave dhe energjisë, pra duke u nisur nga fakti që Kosova ka resurse në këtë sektor dhe se me një ligj i cili siguron disa lehtësime, investitorët do të renditeshin për t’i shfrytëzuar resurset tona të shtrenjta natyrale. Nga shkurti i vitit  2017 e deri më tani, pas dy viteve ende nuk kemi asnjë investitor strategjik të gatshëm për të investuar në këta sektor sipas këtij ligjit. Fakti që edhe me ftesa e ligje të veçanta nuk kemi arritur të tërheqim investitorë strategjikë, duhet së paku të na shërbejë si mësim mbi trajtimin që i bëjmë resurseve natyrale. Rrjedhimisht të ndryshojmë botëkuptimin që resurset tona natyrale janë aq të rëndësishme për botën dhe investitorët e huaj, saqë ata do te bëjnë çmos për t’i shfrytëzuar këto resurse.

Edhe po të jenë të vërteta të gjitha ato që u përmendën më lart mbi resurset natyrale, pra edhe nëse Kosova është super fuqi globale, kjo së paku deri më tani nuk na ka sjellë asnjë të mirë madhore në zhvillimin ekonomik, dhe nuk do të ishte e drejtë që të fokusojmë të gjithë energjitë duke shpresuar që resurset natyrale do të bëjnë ndryshim esencial në ekonominë e Kosovës.

Shteti sigurisht që duhet të shfrytëzojë pasuritë natyrore për zhvillim të tij ekonomik, kjo nuk mohohet, por iluzioni i zhvillimit të shpejtë duke u bazuar në resurse natyrale dhe duke lënë anash zhvillimin e brendshëm ekonomik,  është gabimi më i madh që mund të bëjë një shtet qoftë i pasur apo i varfër me resurse natyrale. Në terminologjinë ekonomike, disponimi me resurse natyrale tek shtetet e pazhvilluara njihet si “mallkim i resurseve” që do të thotë se ato shtete jo vetëm që nuk i shfrytëzojnë resurset e tyre për zhvillim, por këto resurse do të ndikojnë negativisht në nivelin ekonomik dhe demokraci. Shembull të këtij fenomeni janë disa shtete afrikane të cilat janë jashtëzakonisht të pasura me resurse por që kanë një popullatë skajshmërisht të varfër dhe udhëhiqen nga qeveri korruptive.

Resurset natyrale janë të vlefshme vetëm për ato shtete që kanë institucione të përgjegjshme, transparente dhe nivel të ulët të korrupsionit. Resurset natyrale nuk janë mënyrë e shpejtë e zhvillimit ekonomik, dhe mund të shfrytëzohen efektshëm vetëm pasi të krijohen disa parakushte. P. sh. Norvegjia që njihet si shtet që ka shfrytëzuar me sukses resurset natyrale të saj, krahas shfrytëzimit të resurseve natyrale, rëndësi kryesore i ka dhënë zhvillimit të  kapitalit njerëzor, zhvillimit të sektoreve të ndryshme të ekonomisë, zhvillimit të kapaciteteve të kompanive vendore, zhvillimit të teknologjisë dhe Know-How-it.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk duhet bazuar në veprime  të “mëdha” strategjike e as në investitorë strategjikë, resurset më të vlefshme të Kosovës janë njerëzit e kualifikuar dhe bizneset vendore, e që fatkeqësisht që nga ekzistenca si shtet këto të dyja po dëmtohen çdo ditë. Njerëzit e kualifikuar po ikin nga Kosova dhe kualiteti i edukimit në shkollat po vazhdon të bjerë. Bizneset vendore të cilat janë shtylla e ekonomisë po mbyllen, kurse konkurrenca jolojale po rritet, ambienti i të bërit biznes po vështirësohet, kurse korrupsioni po rritet. Në këto kushte të qeverisjes me shtetin, resurset natyrale janë më shumë mallkim sesa bekim, dhe çdo shfrytëzim i resurseve natyrale si nga kompanitë e vendit ashtu edhe nga investitorët e huaj sigurisht do të sjellë vetëm dëme anësore si dëmtim të ambientit, shëndetit, buxhetit etj.

Për ata që presin “boom” ekonomik duke u bazuar në veprime të mëdha të qeverisë, le të pajtohen që kjo nuk do të ndodhë. Politikat qeveritare duke ndjekur zhvillim të shpejtë, investime strategjike, shfrytëzim të resurseve, zona të lira ekonomike amerikane, liberalizim të vizave, etj. vetëm se po e keqorientojnë publikun dhe po fshehin dështimet e vazhdueshme të Kosovës.

 P. S. Burimet natyrore janë me bollëk në Kosovë. Kosova është e pasur me linjit dhe minerale si: qymyr, zink, plumb, argjend dhe krom, por ka gjithashtu dhe tokë bujqësore produktive. Kosova ka pyje, lumenj, male, dhe tokë; është ndër më të pasurat në Evropë në lidhje me burime natyrore, të bazuar në sipërfaqe. Kosova është sidomos e pasur me qymyr, e treta në Evropë me rezerva. Kosova posedon rreth 14.700 miliardë ton linjit në rezerva, që e rendit Kosovën të pestën në botë. 

 

17 janar 2019
14:09

Bujar Ejupi