E djathta e Europës merr në shënjestër BE-në

14 janar 2019 10:39

Artikulli origjinal në Der Spiegel

Partitë populliste të krahut të djathtë në Europë po forcohen prej vitesh. Tash, shpresojnë të përdorin zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj si platformë për të fituar edhe më shumë ndikim në BE. Studimet tregojnë se mund të kenë sukses.

Duartrokitje spontane shpërthyen kur ajo hyri në dhomë. Ishte mesi i nëntorit dhe Marine Le Pen sapo ishte futur në Parlamentint Bullgar si njëra prej mysafirëve më të spikatura në një takim të popullistëve të djathtë europianë. Përfaqësues nga Flandëri në Belgjikë ishin aty, sikur se edhe delegatë nga Italia dhe radikalë nga Bullgaria e Republika Çeke.

Kryetarja e partisë së djathtë franceze Rassemblement National [Grupimi Kombëtar], e njohur si Fronti Nacional deri qershorin e kaluar, zuri një ulëse në rendin e parë të tavolinave. Pas saj dukej një afishe që shkruante: “Lëvizja për një Europë të Kombeve dhe Lirisë,” “Model i ri për qytetarët europianë!”

Prandaj kishte udhëtuar për në Bullgari – të tregonte se ajo dhe aleatët e saj janë forcë për t’u marrë parasysh dhe se 2019 do të jetë viti i popullistëve të djathtë në skenën europiane. Ata shpresojnsë se zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj do të çojë kontinentin në një drejtim të ri politik.

Sondazhet tregojnë se e djathta mund të dalë edhe më e fortë se kurrë më parë. Thënë të drejtën, ka dallime domethënëse mes disa prej partive të së djathtës ekstreme dhe ato nuk janë as afër aq mirë të organizuara që të jenë në gjendje të shtyjnë përpara një platformë të përbashkët politike. Sido që të jetë, ato gjithsesi mund t’i shkelin frenat integrimit europian.

Popullistët e djathtë janë bërë aktorë në skenën politike të gati secilit anëtar të Bashkimit Europian, ndërkohë që në Itali, Austri, Poloni, Hungari, Sllovaki, Danimarkë dhe Finlandë, janë ose pjesë e qeverisë ose përkrahin qeverinë. Ata nuk janë më thjesht fenomen anësor, apo anomali kalimtare. Përkundrazi, janë një lëvizje që mund të vazhdojë e të rritet – ndërkohë që po bëjnë më të mirën e tyre që të pozicionohen si të tillë.

Përkundër dallimeve mes tyre, caku i inatit të tyre është i njejti: elita kozmopolitane, udhëheqësit liberalë të opinionit në media dhe burokratët e BE-së në Bruksel. Armiqtë më të mëdhenj? Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, ky i fundit i dëshmuar si promovues i palodhshëm i integrimit më të gjërë europian.

Nga perspektiva e së djathtës, planet e shtyra nga Macron-i dhe përkrahësit e tij kanë vetëm një domethënie: imponime shtesë mbi “njerëzit normalë”, mbi të cilët tashmë është imponuar mjaft – gjëra si ndalimi i duhanit, martesa e homoseksualëve, refugjatët dhe rregullime të shtrenjta për mbrojtjen e ambientit. Popullistët pretendojnë se janë të vetmit që flasin për shumicën e europianëve. Njëri prej qëllimeve kryesore të tyre është Europa pa imigracion. Koceptin e tyre e quajnë “Europë e Kombeve.”

E djathta shpreson të shndërrojë zgjedhjet europiane në një lloj plebishiti: Çfarë Europe duan njerëzit? Të hapur a të mbyllur? Tradicionale a tolerante? A duhet të bëhet blloku i Europës bashkim politik me më pak pushtete të rezerfuara për shtet-kombet, apo do të duhej që thjesht të jetë zonë e tregut të lirë ku secili vend të përcaktojë drejtimin e tij?

Problemi më urgjent

Aktualisht, atmosfera në kontinent i çon ujë në mulli popullistëve të djathtë. Sipas studimit më të fundit të Eurobarometrit, një shumicë prej 62 % beson se anëtarësia në BE është gjë e mirë, por në të njejtën kohë, tamam gjysma e qytetarëve të BE-së besojnë se gjërat “po shkojnë në drejtimin e gabuar,” një rritje prej tetë përqind krahasuar me studimin e para një gjysmë viti. Migrimi vazhdon të shihet si problemi më urgjent me të cilin përballet blloku.

Hulumtuesit e opinionit publik besojnë se popullistët e djathtë mund të fitojnë 20 përqind të votave në të gjithë BE-në. Kjo, natyrisht, është më pak se shumica, por mjaftueshëm për të prishur gjithë punën e Brukselit duke bllokuar nismat e përbshkëta për çështjet financiare, mirëqenien sociale dhe migrimin. Shkurt: ata mund të kthejnë kohën prapa për Integrimin Europian. Shkencëtari politik hungarez Daniel Hegedus i Fondit Marshall Gjerman beson se zgjedhjet në maj do të jenë jetike për zhvillimin e mëtejshëm të Europës.

Kjo është pikërisht ashtu si do Marine Le Pen-i. “Jemi në moment kthese historike,” tha ajo në Sofje. “Globalizimit të egër po i vjen fundi.” Tash, tha ajo, është koha që popujt e Europës të vijnë në qendër të vëmendjes.

Le Pen-i tashmë ka shtypur afishet për fushatën zgjedhore të Europës, që paraqesin atë me ministrin e brendshëm italian Matteo Salvini-n, mik i afërt i saj, me të cilin me raste i pëlqen të shkojë të vallëzojë. Një tjetër afishe është shtypur poashtu, me porosinë: “Idetë tonë po fitojnë anëmbanë Europës!”

Kjo gjithsesi është e vërtetë në Itali. Sipas rezultateve të zgjedhjeve në vend të marsit 2018, Salvini është thjesht partneri i dytë i koalicionit në kabinetin romak. Megjithëkëtë, kryetari i partisë Lega Nord ka kohë që ka marrë rol mbizotërues kur vjen puna të përcaktimi i agjendës së qeverisë. Ai nuk lë dyshime rreth ambicies së tij për t’u bërë fytyra kryesore e së djathtës europiane.

Gjatë vizitës në Moskë në tetor, ai madje tha se mund ta parafytyronte veten si kandidat për ta zëvendësuar Jean-Claude Juncker-in – njëri për të cilin ai s’ndjen tjetër pos përbuzje – si president i Komisionit Europian. Në Romë, gjithashtu, gjatë dhjetorit ai dukej sikur ishte mbushur plot vetëbesim. Ai tha se shpesh lexon që “Europa është në rrezik për shkak të këtyre popullistëve, racistëve, fashistëve, për shkak të Salvini-t, Le Pen-it, e AfD-së,” kjo e fundit i referohet partisë Alternativa për Gjermaninë. Sido që të jetë, vazhdoi ai, problem i BE-së është në fakt “se është qeverisur keq me dekada nga të njejtit njerëz.” Kjo, bëri të ditur ai, është diçka që e ka për qëllim ta ndryshojë.

Lidhje të Ngushta Ndërkombëtare

Sapo kishte mbaruar së foluri për 80000 të pranishëm në Piazza del Popolo në Romë, ku ai premtoi të nisë një epokë të re në Bruksel. “Ka njerëz,” tha ai në atë fjalim, “të cilët kanë tradhtuar ëndërrën europiane. Por ne do të japim gjakun e mishin për një Europë të re.” Praseprapë, qe e dukshme se si nuk tha gjë për ikjen nga eurozona, gjë që kishte premtuar shpesh kur partia e tij ishte në opozitë. Duket sikur Salvini ka rishpikur vetveten edhe njëherë. Tash, ai paraqitet si udhëheqës i mësymjes për të marrë pushtetin në parlamentin e Europës së bashkuar.

Ai vazhdimisht pranon mysafirë nga e gjithë Europa. Njëri prej tyre, zëvendëskancelari austriak Heinz-Christian Strache, erdhi për vizitë në qershor, vizitë që prodhoi një selfie të lezeçme me të fortin e ri italian për profilin e Strache-s në Facebook.

Partia e Lirisë e Austrisë e Strache-s ka kohë që luan rol madhor në lëvizjen djathtiste europiane, me ish liderin e FPÖ-së Jörg Haider-in që para shumë vitesh përvetësoi frazën “Europë e kombeve,” një parullë e shpikur nga presidenti nacionalist francez i pasluftës Charles de Gaulle. Ish dishepulli i Haider-it Strache, i cili udhëheq me partinë që prej vitit 2005, ka vazhduar të ndjekë atë strategji, duke forcuar pozicionin e tij duke vendosur lidhje të ngushta ndërkombëtare.

Strache ka zbutur retorikën antieuropiane qëkur u bë partner qeverie i koalicionit të djathtë të Kancelarit Sebastian Kurz, por ai vazhdon të kultivojë marrëdhënie të ngushta me bashkëpopullistët nëpër Europë. Sekretari i Përgjithshëm i FPÖ-s Herald Vilimsky, i cili në të kaluarën ka qenë në qendër të kryetitujve për shkak të talljes me prirjen e supozuar të Juncker-it për alkool, ka kërkuar papushim solidaritetin e së djathtës. Ai thotë se aleanca e krahut të djathtë duhet të zhvillohet deri në pikën që “ne të shpëtojmë Europën.”

E pastaj janë lidhjet tradicionalisht të ngushta të FPÖ-së me Moskën. Djathtistët e Strache-s kanë marrëveshje bashkëpunimi me partinë Rusia e Bashkuar të presidentit rus Vladimir Putin – marrëveshje që doli në qendër të vëmendjes gushtin e shkuar në martesën e ministres së jashtme të Austrisë Karin Kneissl, e cila falenderoi Putin-in për ardhjen me nderime të mëdha që u panë edhe si fyerje kundër BE-së dhe sanksioneve kundër Rusisë.

FPÖ-ja ka gjithashtu lidhje me partitë e djathta të vendeve fqinje, sikurse partia Fidesz e kryeministrit hungarez Viktor Orban, pozicioni i së cilës ndaj imigracionit është të paktën po aq nacionalist sa edhe ai i qeverisë në Vjenë.

Megjithatë, e djathta europiane ka një thembër të Akilit. Deri më tash, partitë e llojllojshme kanë pasur telashe të bashkëpunojnë, problem që ka qenë posaçërisht i dukshëm në nivelin europian. Janë dy grupe partish të djathta populliste në Parlamentin Europian, Europa e Lirisë dhe Demokracisë së Drejtpërdrejtë (EFDD) dhe Europa e Kombeve dhe Lirisë (ENF), por që të dyja janë aleanca disi të brishta, me votimet e koordinuara që janë më shumë përjashtim se sa rregull. Një anketë e bërë nga Instituti Jacques Delor në Berlin gjeti se anëtarët e grupit ENF mbajnë disiplinën e fraksionit në vetëm 69 përqind të votave. Me grupet tjera parlamentare të Europës, ky numër është gati 90 përqind.

Hua të lira nga Rusia

Mungesa e disiplinës tregon se përkundër të gjitha shfaqjeve të unitetit, në rastin më të mire, baza për bashkëpunim të vërtetë është e ngushtë. Dallimet në interesat e partive vende-vende janë bukur substanciale. Për shembull, Salvini do që t’i shohë refugjatët – në rast se migrimi nuk mund të ndalet dot – të rishpërndarë në mënyrë të drejtë nëpër Europë, përfshirë vendet e Europës Lindore. Kjo është diçka që partia e djahtë Ligj dhe Drejtësi (PiS), që qeveris me vendin në Poloni, e kundërshton fuqishëm, ashtu si edhe Orban-i në Hungari.

E djathta europiane është gjithashtu e ndarë kur vjen puna te marrëdhëniet me Rusinë. Për arsye historike, polakët s’duan të kenë punë me Putin-in, por Orban-i dhe Le Pen-i janë kthyer që të dy kah presidenti rus në të kaluarën për të marrë hua të lira.

Nacionalistët gjermanë të AfD-së shihen me mosbesim gjithashtu, po ashtu si rezultat i historisë së shekullit 20. Kjo e bën pothuajse të pamundshme që popullistët e djathtë nga Polonia që t’iu shkojë mendja të punojnë së bashku me popullistët e djathtë nga Gjermania. Në fund të fundit, Fondacioni i ri Desiderius Erasmus, i nisur më 2017 si ‘think-tank’ i popullistëve të djathtë të AfD-së, udhëhiqet nga Erika Steinbach, një grua që dikur ishte kryetare e Federatës së të Përjashtuarve, që përfaqëson ata gjermanë të përjashtuar nga territori i sotëm polak pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitet 1990, Steinbach madje vuri në pikëpyetje legjitimitetin e kufirit të tashëm gjermano-polak. Ajo është, thënë shkurt, armiku numër 1 i nacionalistëve polakë.

Gjithashtu ka shumë mospajtime kur vjen puna te çështjet buxhetore. Alice Widel, bashkëudhëheqësja e AfD-së në parlamentin gjerman, nxori së voni një deklaratë për shtyp ku kritikoi ashpër buxhetin Italian: “Gjermania s’mund të paguajë gjithçka për Italinë!” shkruante ajo, duke i rikujtuar Salvini-t se pa përkrahjen e BE-së, Italia do të kishte falimentuar qëmoti.” Deklarata përfundonte me një citat nga komiku Asteriks: “Këta Romakët janë të çmendur!”

Për më tepër, ka mospajtime për sa i përket asaj se kush do të duhej të jetë udhëheqës i krahut të djathtë: Salvini apo Orban-i. Ky i fundit është kryeministër i Hungarisë që tetë vite dhe ka qejf të pozojë si pionier i të djahtës së re populliste. Ai ka shumicë parlamentare të qëndrueshme në vend dhe në masë të madhe ka marrë nën kontroll shtetin, median dhe gjyqësorin.

Shpërndarja e Ideve të Orban-it

Orbani qe gjithashtu ai i cili në verë të vitit 2015 ilustroi me shembuj se si korret kapitali politik nga prania e refugjatëve. Në një sulm propagandistik atë vit, ai stigmatizoi refugjatët si terroristë të mundshëm, si garues në tregun e punë e madje edhe si transportues të sëmundjeve ngjitëse. Qeveria e tij atëherë ndërtoi një gardh me gjemba në kufi që është afër katër metra i gjatë. Më pas, Orbani kërkoi nga EU që t’ia kompensonte shpenzimet.

Ekipi i Orban-it shpiku rrenën propagandistike të pabesë e të përhapur, rreth të të supozuarit Plan të Sorosit. Sipas kësaj rrene, miliarderi George Soros, i cili është me origjinë nga Hungaria, po planifikon ta vërshojë Europën e Krishterë me refugjatë myslimanë dhe po trason rrugën për pushtim duke financuar gjithfarë fondacionesh liberale. Elemente të teorisë konspirative citohen shpesh nga nacionalistët në Poloni dhe Bullgari.

Orban-i e ka veçanërisht për qejf që të pozojë si shpëtimtar i Perëndimit të Krishterë. Bile ai ka edhe një plan për këtë: një qendër e re trajnimi e lidhur me partinë e tij do të themelojë degë në kryeqytetet më të rëndësishme të Europës që të shpërndajë idetë e Orban-it rreth e qark kontinentit.

Lidhjet e Orban-it me establishmentin politik i ofrojnë atij përparësi strategjike mes të djathtës europiane. Partia e tij Fidesz i përket Partisë së Popullit Europian (EPP), grupit parlamentar në Parlamentin Europian, që është gjithashtu shtëpi e konservatorëve gjermanë Kristiandemokratëve.

“Orban-i mund të përcjellë porosinë e tij prej qendrës,” thotë shkencëtari politik Hegedus, që e forcon pozicionin e tij dhe mund të joshë grupe të reja votuesish.

Sido që të jetë, hungarezët janë të varur në masë të madhe nga subvencionet e BE-së. Që prej hyrjes në BE më 2004 e deri në fund të 2017, vendi pranoi 40 miliardë euro nga Brukseli. E njejta vlen për Poloninë. Ky vend, me popullësi prej 38 milionë dhe e udhëhequr nga partia kritike ndaj BE-së PiS, është shndërruar nga një vend i prapambetur bujqësor, në qendër të rritjes ekonomike – pjesërisht duke iu falenderuar subvencioneve europiane.

Ngatërrestaret në Bruksel

Prapëseprapë, përkundër benefiteve që mbledhin nga anëtarësia në BE, Polonia dhe Hungaria priren të jenë ngatërrestare në Bruksel. Po pse?

Kjo është në pyetje të cilën e ka menduar mirë profesori Krzysztof Szczerski, i emëruar shef kabineti nga presidenti polak Andrzej Duda. “BE-ja ka humbur përkrahjen e shoqërisë,” vëren Szczerski. “Nuk është më garantuesja e sigurisë që ishte dikur.”

Europa dështoi gjatë krizës së Euros, thotë ai, por mbi të gjitha në mbrojtjen e kufive. Sociologu pretendon se migrimi në masë i myslimanëve po sjell terrorizmin në Europë. “Pa këtë politikë të BE-së, njerëzit nuk do të ndiheshin të kërcënuar.”

Ai gjithashtu thotë se BE-ja po merr pushtete edhe më të mëdha. “Kushdo që ndërton një shtëpi apo hap një kompani e di këtë.” Szczerski pretendon se Brukseli është bërë kërcënim ndaj lirisë. “Kjo është arsyeja pse elita politike i frikësohet zgjedhjeve – ata i tremben pakënaqësisë së popullit.”

Sido që të jetë, thotë ai, demokracia është e mundshme vetëm në nivel kombëtar, e prandaj beson se shteteve anëtare të BE-së duhet t’iu jepen më shumë pushtete. Ai dëshiron të shohë BE-në të rikthehet te parimi i unanimitetit në të gjitha vendim-marrjet. “Asgjë s’mund të vendoset për ne, pa ne.” Profesori zemërohet kur mendon për atë që supozon të jetë ton paternalist që vjen me raste nga Brukseli. “Toni,” thotë ai, “është i njejtë me atë mes gjermanëve lindorë e perëndimorë. Ne nuk duam të jemi gjermanolindorët e BE-së.”

Duke bërë këtë krahasim mes gjermanëve lindorë e perëndimorë në vendin e ribashkuar, ai prek një plagë të hapur me të cilën gjermanët janë të njoftuar fort mirë. Rreth tre dhjetëvjetësha pas rënies së Murit të Berlinit, një mëri e konsiderueshme ende ngul këmbë përgjatë ish Perdes së Hekurt.

Si e tillë, nuk është rastësi që Alternativa për Gjermaninë ka përkrahje veçanërisht të fortë në lindje. Në Saksoni, ajo është vetëm katër përqind pas CDU-së, me gati 25 përqind të votave.

AFD-ja kundër BERSS-së

Kur kryesuesi i partisë Jörg Meuthen doli në skenë gjatë konventës në Magdeburg më 16 nëntor, e dinte saktësisht si ta sillte publikun në disponimin e duhur. “Në zgjedhjet europiane, populli ka zgjedhje mes dy vizioneve politike tërësisht të ndryshme,” i tha ai publikut. Në njerën anë, tha ai, keni “Të gjelbërit socialistë, të cilët copëtuan atdheun qëllimisht, shfuqizuan Gjermaninë dhe riedukuan popullin” sipas dëshirës së tyre për një lloj BERSS-je, version europian i BRSS-së. AfD-ja në anën tjetër, përfaqëson të kundërtën: politikën patriotike konservatore dhe liberale (në planin ekonomik).”

Termi përçmues BERSS [EUSSR] ka kohë që është popullor në qarqet e djathta radikale, por tash është bërë pjesë e retorikës së AfD-së. Meuthen-i gjithashtu i premtoi publikut se ata kanë shumë “aleatë të natyrshëm” në Parlamentin Europian.

Kur u pyet disa javë më vonë në një kafene të Berlinit, Meuthen-i tha se partneritetet e partisë së tij janë ende në fillmet e saj. Meuthen-i thotë se njeh Strache-n mirë por se Salvini-n nuk e ka takuar ndonjëherë personalisht. Ndërkohë, kontakti i tij me Orban-in ka qenë i kufizuar në një shtrëngim duarsh. Kontaktet e AfD-së me partinë Rassemblement National e Marine Le Pen-it gjithashtu janë fashitur, qëkur ish liderja e partisë Frauke Petry dhe bashkëshorti i saj Marcus Pretzell lanë AfD-në në baltë, në shtator të vitit 2017.

Aleancat e brishta dhe joekzistente

Përfundimisht, aleancat e AfD-së me partitë e tjera të djathta europiane janë të brishta ose joekzistente. Jo ngaqë roli i Meuthen-it si anëtar i vetëm i AfD-së në Parlamentin Europian, por gjithashtu për shkak të faktit se vëllezërit e tij ideologjik atje e konsiderojnë si të pafuqishëm.

Meuthen-i thotë se barrierat gjuhësore paraqesin gjithashtu pengesë ndaj partneriteteve të suksesshme. “Vështirë të imagjinohet një fushatë e përbashkët zgjedhore,” thotë ai, para se të sugjeronte se diçka si tubim i përbashkët politik mund të ishtë më e mundshme.

A është e mundshme që nisma të ndihmohet nga Amerika përmes Stephen Bannon-it?

Pa mungesë krenarie Meuthen-i thotë se ish njeriu i besuar i Donald Trump-it po orvatet që të caktojë një takim me të. “Nuk do të isha kundër takimit me z.Bannon,” thotë ai. Por nuk duket se e ka shumë për ngut. “Nuk mendoj se ne europianëve na duhet përkrahja amerikane në fushatën zgjedhore. Mund t’ia dalim shumë mirë edhe vetë.” Ish menaxheri i fushatës së Trump-it ka marrë përsipër rolin e promovimit të së djathtës europiane përmes nismës së tij “Lëvizja.” Për këtë qëllim, ai po udhëton përqark kontinentit, duke takuar Salvini-n, Le Pen-in dhe Orban-in – dhe me sa duket e ka në plan të rrijë: njeriu i besuar i Bannon-it Benjamin Harnwell së fundi mori me qira një manastir 800 vjeçar në dalje të Romës. Trisulti në malet apenine do të zhvillohet në një think-tank të djathtë popullist, “shkollë gladiatorësh për luftëtarët kulturorë,” siç e përshkruan Harnwell-i.

Duke ecur mbi ujë

Këto suksese të pjesërishme nuk mund të fshehin faktin se për momentin Bannon-i nuk po bën shumë progres. Siç ka raportuar The Guardian, ndihma e huaj në fushata zgjedhore është e ndaluar në shumë vende anëtare të BE-së, përfshirë Francën, Spanjën, Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë dhe Finlandën. Është e mundshme vetëm në një masë të vogël në Gjermani dhe Austri. Të vetmet vende që nuk kufizojnë ndihma të tilla janë Danimarka, Suedia, Italia dhe Hollanda, por popullistët e djathtë në Danimarkë dhe Suedi nuk kanë pranuar të punonjë me Bannon-in, duke lënë vetëm Italinë dhe Hollandën për momentin.

Madje, edhe politikani holandez i ekstremit të djathtë Geert Wilders, i dobësuar pas rezultateve të dobëta në zgjedhje në verë të vitit 2017, ka refuzuar politikanin amerikan. “Bannon është shoku ynë, nuk kemi nevojë për ndihmën amerikanë në këtë formë,” thotë ai.

Përkundër dallimeve të numërta, megjithatë, nacionalistët europianë janë ende të rrezikshëm. Porosia e tyre thelbësore, që është sfidë e drejtpërdrejtë për demokracinë si të tillë, ka marrë rrënjë: Ne jemi populli dhe duhet t’i shporrim elitat. Ka të ngjarë gjithashtu që e djathta do të ristrukturohet në Parlamentin e ardhshëm Europian. Në njërën anë është grupi disi i moderuar i Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë (ECR). Duke qenë se grupi po humb Konservatorët e Britanisë pas Brexit-it, ka të ngjarë që PiS i Polonisë të ushtrojë më shumë ndikim në atë grup.

Partitë e orientuara edhe më djathtas, kanë të ngjarë të jenë pjesë e Europës së Kombeve dhe Lirisë (ENF), grupit parlamentar që është shtëpi e skeptikëve të BE-së. Lega e Italisë, FPÖ-ja e Austrisë dhe AfD-ja e Gjermanisë mund të formojnë një grup së bashku me Rassemblement National të Marine Le Pen-it. Sondazhet e fundit tregojnë se të dy grupet mund të fitojnë deri në 150 prej 750 ulëseve në Parlamentin Europian.

Duke shkelur frenat e Europës

Ndërsa përbrenda Këshillit të Europës, që përfaqëson udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së, lëvizja për politikën ndaj refugjatëve tashmë nuk po shkon tutje për shkak se Salvini po i bllokon përpjekjet e tilla.

Popullistët mund të zvogëlojnë gjithashtu një numër gjërash të tjera në Komisionin Europian, shtyllën ekzekutive të BE-së. Çështja është te shkalla në të cilën disa komisionerë nga vendet me qeveri euroskeptike do të pengojnë efikasitetin e Komisionit Europian. Deri më tash, ka pasur problem vetëm me përfaqësuesin e Orban-it, Tibor Navracsics, i cili është përgjegjës për portofoliot e arsimit, rinisë, kulturës dhe sportit – një post ku nuk ka shumë gjëra për të prishur.

Por nëse disa qeveri kritike ndaj BE-së do të dërgonin komisionerë në të njejtën kohë, nuk do të ishte e lehtë të lihen anash me portofolio të rendit të dytë. Në lojën e pushtetit në Bruksel, Komisioni deri më tash ka qenë autoriteti më i përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta europiane. Megjithatë, një Komision i tillë, me një numër komisionerësh e kritikësh që ngrenë frenat gjatë gjithë kohës, do të dobësonte Bashkimin Europian.

Kjo do të ishte nder për skeptikët e BE-së. Në fund të fundit, një prej porosive të tyre kryesore është që Brukseli është jokompetent. Ata pretendojnë se BE-ja është e paaftë të identifikojë dhe zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit. Po të vinin ata në pozicione ku du të mund të ushtronin më shumë kontroll, BE-ja me gjasë do t’i ngjasonte me ato gjëra çfarë kritikët pretendojnë se e karakterizojnë: burokratike, e ngathët, e parëndësishme.

Në fund të ditës, popullistët e djathtë e Europës janë në pozitë që t’i vërtetojnë parashikimet e tyre, ndërkohë që në të njejtën kohë joshin më shumë votues për zgjedhjet e ardhshme.

----

Përktheu: Bardhi Bakija

 

 

14 janar 2019
10:39

Redaksia e Der Spiegel