Një urim – I takoj Brezit të Shitur

26 dhjetor 2018 17:03

Gjithmonë ma ka ngacmuar kurreshtjen natyra dhe thelbi i brezit në të cilin përkasë. E kam parë dhe shqyrtuar me sy kritik dhe e kam cilësuar si brez fatkeq. Pastaj si brez i mashtruar. Një brez i turpëruar në mes rrëmujës së lirisë. Një brez i paaftë për të rregulluar dhomën e madhe, ku dikur gjaku ishte himn. Dhe ekzistencë. Një kohë kam besuar se do të ja dalim pastaj gradualisht kam humbur besimin se do ta marrim në duar fatin, i cili na ishte falur nga perënditë e shekujve të ashpër. Kam pështyrë veten në pasqyrë dhe kam grushtuar të gjitha rrugët, ku kemi marrë dritë derisa jemi rritur. Historia e brezit tim është fund e krye një këngë e bukur mbi pjeshkën e kalbur, në mes qenieve të liga lakmitare. Historia e brezit tim është një vezë e krishtlindjes hedhur në pellgun e kujtesës së copëtuar. Kujtesës që mungon. Një kohë kam besuar se duke u rritur marrim pamjen e njeriut pastaj kam humbur besimin dhe e gjithë ajo që më vjen në mend rreth përkufizimit të qenies së sotme bashkëkohore, ka të bëjë me egërsirën. Tragjedia ka të bëjë me pakënaqësinë qe e marrim si të natyrshme. Tragjedia ka të bëjë me epokën ku lavdia është pronë e përhershme e marrëzisë. Brezi im është një brez i këputur në mes. Që ec në gjunjë, drejtë shpresës.

Një kohë më sillej në kokë epiteti Brez i Humbur që kishte të bënte me shkrimtarët amerikan që ju takoi të burrëroheshin pas Luftës së parë Botërore. Ata njerëz të bukur kishin parë se si rrënoheshin idealet e tyre në fushën e betejes. Pastaj ishin orienatuar në realitetin e pasluftës. Përpjekja për të sjellur rregull brenda natyrës njerëzore, ishte gjithmone fatale. Pastaj mendoja se ne do të duhej të ishim një vazhdimësi e pashmangshme e Gjeneratës Beat, ne do të duhej të refuzonim vlerën e narracionit standard, këtu i referohesha realitetit të këtushëm, mendoja se ne do të duhej të i jepnim hapësirë kërkimeve tona shpirtërore drejtë njerëzores dhe lirisë sonë të mendjes, mendoja se estetikisht do të duhej të ngriteshim dhe të ishim pishtarët e refuzimit materialist, mendoja se ne do të duhej ta portretizonim saktë gjendjen tonë shoqërore pa shtrembërime dhe duke e kapur për fyti të vërtetën. Kam synuar një çlirim seksual për të gjithë ne pa asnjë përjashtim. Si dhe një gjendje të delirit psikologjik. Realiteti në të cilin jetonim ishte një kafshë e ashpër. Që kishte kërkesa tjera. Dhe letra tjera në tavolinë. Më pas mendoja se do të duhej të ishim si ca Infrarealistë, që dëshironin ta përmbysnin realitetin barbar. Por kurrë nuk ka qenë ajo që kam menduar dhe brezi të cilit i takoj ishte fund e krye i padenjë për ide të tilla dhe i gatuar për ta marrë asgjësmin si të natyrshëm.

Po pija kafe me Xenin. Dhe po shihja njërin nga burrat e atyshëm të kafes që po më portretizonte. U ndjeva në siklet. Djalin e kisha me temperaturë të lartë. Nuk kisha shumë para në xhep. Blerta do të ma përmendte më vonë ëmbëlsirën e cila kishte lindur në Milano në shekullin XIV. Mbase Xeni do të paguante për të dytë (më vonë do t’i binte për hise Drenit të kruante xhepat). Burri i atyshëm ende po bënte punën e tij duke krijuar portretin tim. U ndjeva prapë në siklet. Isha në prag të premierës së një shfaqjeje në Teatrin Kombëtar. Jashtë qeniet njerëzore ishin ca xixëllonja që fikeshin gradualisht. Qyteti ende nuk ishte i gatshëm për të ndërruar vitin. E mbase ai burri e kishte përfunduar portretin tim kur i thashë Xenit se ne ishim një brez i humbur pa u kënaqur me këtë epitet që po më hante nervat dhe pastaj u dridha kur mora një përgjigje që mbase nuk ishte fund e krye një përgjigje. Më shumë kishte të bënte me një konstatim madhështor. Jo, ne jemi një Brez i Shitur. Dhe ashtu ishte. Ne kishte kohë që ishim shitur. Në mënyra të ndryshme. Madje ishim shitur edhe tek vetja. Dhe kështu të shitur gjallëronim. Duke shërbyer pranë një kamarieri përbindësh. Që quhej realitet. Duke paguar çmimet e asaj që përfaqësonim. Dhe asaj që ishim. Dhe po më në fund me ndihmën e Xenit kisha gjetur emërtimin e brezit që i takoj. Jam në shitje. Në kërkim të dorës së ashpër kapitaliste. Në kërkim të qetësisë mbi prehërin e letërsisë. Zhytur në jehonën e fërshëllimës së thonjëve. Me të vetmin pretendim. Që të mbes normal në fund të secilit vit.

----

*Sipas Shkelzen Maliqit

 

26 dhjetor 2018
17:03

Shpëtim Selmani