Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Serbi dhe pafuqia e tyre për të normalizuar raportet

20 nëntor 2018 11:13

Në traditën liberale të marrëdhënieve ndërkombëtare dominon ideja se “tregtia sjell paqe”. Sipas saj shkëmbimet tregtare harmonizojnë interesat ekonomike mes shteteve dhe si rrjedhojë rrit gatishmërinë për bashkëpunim të thellë politik. Në këtë shkollë me ndikim të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet përshkruhen si akterë racionalë që ndjekin maksimalizimin e interesit të tyre ekonomik. Aty ku kanë interes ekonomik, sipas kësaj teorie, shtetet mundohen të shmangin konfliktin dhe të ruajnë paqen, sepse vetëm në ato rrethana mund të ndiqet përfitimi. Sa më shumë shkëmbime tregtare, aq më shumë paqe. Paqja, thuhet, më pas do të përcillet edhe me më shumë prosperitet ekonomik.

Kjo doktrinë politike e marrëdhënieve ndërkombëtare ka qenë bosht i qasjes së Bashkimit Evropian (BE-së) për të zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi. Përmes dialogut ku mund të arrihen marrëveshje që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe rrisin përfitimet ekonomike për agjentët e biznesit, BE-ja është munduar që t’i bindë dy shtetet që të kuptojnë se paqja dhe stabiliteti është në të mirën e të dy popujve. Megjithatë, përpjekjet e BE-së për të zgjidhur problemin Kosovë-Serbi deri tash kanë pasur efekte tejet të kufizuara, për të mos thënë sterile. Në këtë artikull do të japim një kronologji mbi shkëmbimet tregtare Kosovë-Serbi dhe do të mundohemi të shpjegojmë se pse formati i dialogut, i dizajnuar nga BE-ja, nuk ka pasur sukses.

Javën që lamë pas, qeveria miratoi vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që t’u vendoset masa prej 10 për qind dy shteteve, Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Qeveria e Kosovës ka vendosur që tëa sanksionojë Serbinë ekonomikisht si kundërpërgjigje ndaj qasjes së saj politike agresive ndaj Kosovës. Në prag të fillimit të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kjo e fundit ka filluar një fushatë agresive që ka synim të bindë shtetet që e kanë njohur Kosovën të tërheqin njohjen. Kjo fushatë është vazhdimësi e përpjekjeve të pandërprera të Serbisë për të minuar shtetësinë e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Ndërkohë që orvatjet e saj kundër stabilitetit në Kosovë i gjurmojmë që nga përfundimi i luftës.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e interpretojnë vrazhdësinë e fundit të Serbisë si tentativë për të forcuar pozicionin e saj në negociata në mënyrë që të fitojë një marrëveshje sa më të leverdisshme. Mirëpo, përgjigja e Kosovës nuk vonoi shumë dhe Qeveria e Kosovës filloi të aplikojë taksën e 10 për qindëshit për produktet serbe. Ndaj këtij vendimi reagoi menjëherë shteti serb. Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Marko Gjuriq, kërcënoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërpritet, nëse nuk tërhiqen masat e Kosovës. 

Kundër masës reagoi edhe BE-ja, duke kritikuar iniciativën e ekzekutivit të Kosovës. Zëdhënësja e BE-së Maja Koçijançiq deklaroi se kjo masë pengon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në harmoni me principet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes BE-së dhe Kosovës. “Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. BE-ja pret nga Kosova, e cila aktualisht drejton CEFTA-n, për të realizuar tërësisht detyrimet e saj dhe të tërheqë këtë masë”, - tha Koçijançiq. Mirëpo, përkundër trysnisë nga BE-ja, qeveria e Kosovës u deklarua se ky vendim nuk do të anulohet.

Marrëdhëniet ekonomike të Kosovës me Serbinë kanë qenë të tensionuara që nga paslufta e këtej. Për të kuptuar përmbajtjen e këtyre relacioneve duhet të përvijohet një kronologji e shkurtër e tyre. Pas intervenimit të NATO-s më 1999 dhe adoptimit të rezolutës 1244 në Këshill të Sigurimit në OKB, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) formoi Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e përkohshme në Kosovë. Kjo Kornizë parashihte që doganat dhe procedurat në lidhje me to të jenë nën juridiksionin e Institucioneve për Vetëqeverisje të Përkohshme.

Doganat e vjetra ishin shpallur të skaduara dhe një taksë prej 10% ishte vendosur për të gjitha produktet e importuara nga Kosova. Ky vendim nuk ishte aplikuar për produktet që vinin prej Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), që nënkuptonte se tregtia mes këtyre dy territoreve trajtohej si tregti e brendshme. Kjo situatë mbeti deri në 1 qershor 2001, kur TVSH-ja ishte vendosur në të gjitha importet, përfshirë Serbinë dhe Malin e Zi. Serbia më pas vendosi një taksë 5% për të gjitha produktet e importuara nga Kosova në Serbi.

Procesi i riorganizimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) kishte përfunduar më 2006. Si përfaqësues i Kosovës, UNMIK-u e kishte nënshkruar këtë marrëveshje dhe automatikisht të gjitha aranzhimet bilaterale ekzistuese në atë kohë ishin anuluar. Duke e nënshkruar këtë marrëveshje, Serbia praktikisht e njohu Kosovën si territor i ndarë dhe i pavarur doganor. Në periudhën paraprake nuk kishte pasur asnjë marrëveshje tregtare mes këtyre dy entiteteve. Për shkak të paaftësisë së autoriteteve në Kosovë për të ushtruar kontroll efektiv në pikat e kalimit kufitar me Serbinë, veriu i Kosovës ishte shndërruar në një zonë de fakto të lirë tregtare.

Relacionet tregtare ndryshuan drastikisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. U shfaqën probleme, mes tjerash, edhe rreth qarkullimit të lirë të mallrave dhe të njerëzve. Serbia refuzonte të pranonte dokumentet doganore, ku figuronin vula dhe simbolet e Republikës së Kosovës. Pushteti i UNMIK-ut kishte rënë pas deklaratës së Këshillit të Sigurimit më 26 nëntor 2008.

Më pas, BE-ja, duke e shfrytëzuar dëshirën e Serbisë dhe të Kosovës që të anëtarësohen në union, filloi të organizojë dialogun e Brukselit që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Konkretisht, Serbia synonte hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova MSA-në dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Që nga ajo kohë, kushtëzimi vleror dhe normativ i BE-së është bërë një faktor i rëndësishëm në procesin negociator.

Fillimisht palët negociuan për çështje teknike dhe arritën disa marrëveshje. Liria e lëvizjes dhe vulat doganore ishin temat e para në axhendën e dialogut teknik. Pas 5 rretheve të dialogut, palët arritën, veç tjerash, edhe marrëveshjen për liri të lëvizjes. Por çdo marrëveshje në këtë çështje, sikur edhe në tjerat, kishte pasoja për situatën në veri të Kosovës, ku Serbia dominonte. Serbia refuzoi të njihte dokumentet doganore për shkak që nuk ishin neutrale ndaj statusit të Kosovës për arsyen se bartnin simbolet e Republikës së Kosovës. Për Serbinë, pranimi i këtyre dokumenteve ishte i barabartë me pranimin de fakto të pavarësisë së Kosovës.

Pas këtij refuzimi, më 20 korrik të vitit 2011, institucionet e Kosovës vendosën të bllokojnë eksportin serb në Kosovë. Në Kosovë këto masa kuptoheshin si reciprocitet. Për shkak të moskontrollit në pikat e kalimit kufitar me Serbinë 1 dhe 31 në veri të vendit, Kosova dërgoi njësinë speciale policore (ROSU) për të imponuar embargon në importet nga Serbia. Popullsia lokale serbe vendosi bllokada në rrugët që çonin në këto pika. Tensionet rezultuan me dhunë mes ROSU-s dhe popullsisë lokale dhe Enver Zymberi, pjesëtar i ROSU-s, u vra.

Dialogu teknik u rihap prapë në shtator të 2011. Pas 58 ditëve, bllokada e dyanshme tregtare u tërhoq më 16 shtator 2011. Marrëveshja për liri tregtare dhe vulat doganore u arrit më 2 shtator 2011. Me këtë marrëveshje Serbia pranoi dokumentet që vuloseshin me “Dogana e Kosovës”, por jo me shenjën e Republikës së Kosovës. Marrëveshja nuk e kënaqi tërësisht asnjërën palë dhe kjo prodhoi probleme të implementimit në terren. Pjesërisht këto probleme janë zgjidhur përmes marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (IBM). Në linjë me praktikat evropiane, palët do të vendoseshin në pika të përbashkëta kufitare së bashku me zyrtarët e EULEX-it. Palët u pajtuan që taksat e mbledhura në pikat 1 dhe 31 do të alokoheshin në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sa u përket numrave zyrtarë të shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Serbisë ka një diskrepancë të madhe. Për periudha të njëjta kohore, numrat zyrtarë të paraqitur nga institucionet serbe janë më të ulët sesa ata të institucioneve të Kosovës. Ky dallim fluktuon prej 10% në 2008 tek 38% më 2007. Kjo për shkak se janë përdorur kanale ilegale për qarkullim të mallrave, korrupsionit në shërbimin civil dhe për shkak se Serbia nuk ka pasur zyrtarë në zyret e doganave në pikat kufitare me Kosovën deri në vitin 2008.

Megjithatë, përkundër këtyre shpërputhjeve, disa trende dominante të fluksit të kapitalit mes dy vendeve mund të identifikohen. Në vitin 2001 vlera e përgjithshme e tregtisë mes dy vendeve mbërriti shifrën e 30 milionë eurove. Kjo shumë u dyfishua në vitin 2004, ndërkohë eksporti i Kosovës në Serbi preku vlerën e 6 milionë eurove. Megjithatë, kjo rritje nuk i parandaloi trazirat e marsit të vitit 2004 ku u vranë afër 20 persona. Shkëmbimet tregtare erdhën duke u rritur, sidomos pas marrëveshjes së CEFTA-s. Eksportet e Kosovës në CEFTA u rritën, por me një ratë më të ulët në krahasim me importet nga vendet e CEFTA-s.

Kjo rritje ka vazhduar deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nga ai moment eksportet e Kosovës kishin rënë dukshëm, për 65%, ndërkohë që importi nga Serbia ishte rritur me kalimin e kohës. Më vonë, pas marrëveshjeve për liri të lëvizjes mes dy shteteve, eksportet e Kosovës në Serbi janë rritur për 107% më 2012 dhe 88.7% më 2014. Marrëveshja e fundit që ka lidhje me lirinë e lëvizjes është arritur më 24 qershor më 2015. Kjo ishte marrëveshja për siguri ku palët u pajtuan për njohjen e sigurimit të makinave dhe për kompletimin e pagesave. Siç shihet në figurën e mëposhtme, nga ajo kohë ka pasur rritje të mëtutjeshme të eksporteve nga Kosova në Serbi për çdo vit, por importet nga Serbia vazhdojnë të mbesin shumë më të mëdha se eksportet. Kosova dhe Serbia janë të ndërlidhura në një raport asimetrik ekonomik.

Megjithatë, përkundër rritjes së totalit të shkëmbimeve tregtare, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mbesin të ngulitura në kontest. Përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike në periudhat 2001-2004, 2005-2008 dhe 2012-2018 nuk është përcjellë me rezultate efektive në zgjidhjen e kontestit mbi shtetësinë e Kosovës. Serbia ende vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territor të vetin dhe refuzon që ta njohë Kosovën brenda formatit të dëritanishëm të bisedimeve. Përderisa shkëmbimet tregtare mund të mos kenë lejuar përshkallëzimin e situatës në konflikt, ato të vetme nuk kanë arritur të hapin shtigje reale për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjate.

Këtë nuk kanë arritur ta bëjnë as BE-ja, as CEFTA e as MSA-ja. Kosova dhe Serbia ende janë në konflikt të ngrirë. Qasja liberale e BE-së nuk ka qenë shumë frytdhënëse. Shkollarët liberalë japin evidencë të kënaqshme për të treguar sesi shtrirja e rrjeteve ekonomike nëpër botë ka kontribuar në stabilitetin global mes shteteve, mirëpo teoria e tyre prek limitet shpjeguese kur vjen puna tek marrëdhëniet mes shteteve të cilat nuk kanë njohje të dyanshme mes vete. Në rrethana të tilla tregtia është impotente në zgjidhjen e kontesteve.

Për shembull, Taiwani, ekonomikisht dhe sociologjikisht është duke rënë gjithnjë e më shumë në orbitën e Kinës, por pajtimi politik nuk është në horizontin e marrëdhënieve të tyre. Madje, me ardhjen e Xi Jinpingut në krye të Kinës, marrëdhëniet mes tyre vetëm janë përkeqësuar. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve në vitin 1999 kanë kapur vlerën totale prej 35 miliardë dollarëve, ndërkohë që më 2017 kanë prekur shifrën e 181 miliardë dollarëve. Edhe pse është partneri më i madh i Taiwanit, Kina e bllokuar atë nga qasja në shumë organizata ndërkombëtare dhe u ka bërë trysni koorporatave transnacionale që Taiwanin ta listojnë si provincë të Kinës. Poashtu, viteve të fundit Kina është duke  kryer manovra ushtarake afër Taiwanit me qëllim që të çojë sinjale të kërcënimit. Përmirësimi i raporteve ekonomike në një anë, është paralelizuar me përkeqësim të raporteve politike.

Poashtu, rasti i Palestinës dhe i Izraelit demaskon pretendimet e teorisë liberale për kapacitetet e saj për paqe. Izraeli është bindshëm partneri më i madh ekonomik i Palestinës. Eksportet e Palestinës në Izrael janë tetëfish më të mëdha sesa eksportet e saj në Jordani, që mban vendin e dytë në listë. Për më tepër, importet e Palestinës nga Izraeli janë dhjetëfish më të larta sesa importet nga Turqia. Megjithatë, marrëdhëniet politike Palestinë-Izrael janë në një pikë tepër të ulët. Deri në fillim të mileniumit të ri Izraeli ka tentuar që të gjejë zgjidhje për konfliktin. Nga mesi i dekadës së kaluar, Izraeli ka filluar ta menaxhojë konfliktin e jo ta zgjidhë atë. Pra nuk ka as përpjekje për dialog efektiv, e aq më pak zgjidhje për kontestin e vjetër mes tyre.

Edhe rasti i Kosovës dhe i Serbisë është i përshkuar me problematika të tilla të kontestimit politik. Marrëdhëniet ekonomike kanë rezultuar si të paafta për të shtendosur tensionet e ngulitura në relacionet politike mes këtyre dy shteteve. Ekonomia dhe politika vazhdojnë të mos e ndihmojnë direkt njëra-tjetrën. Projekti i BE-së për paqe afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të lëngojë nga pafuqia për të krijuar një raport dialektik mes tregtisë dhe stabilitetit. Është pikërisht kjo shterpësi për të prodhuar rezultate të kënaqshme ajo që ka krijuar nevojën për të menduar gjetjen e një zgjidhjeje jashtë matricës së deritanishme të dialogut. Fuqia transformative e BE-së ka mbërritur në kufijtë e saj, ndërkohë që zgjidhja e problemit të Kosovës dhe Serbisë duket të jetë andej kufirit, ku ShBA-ja dhe Rusia duket të kenë në dispozicion platforma më efektive për ta zgjidhur kontestin Kosovë-Serbi.

 

 

 

 

 

 

20 nëntor 2018
11:13

Shkodran Ramadani