Referendumet si kërcënim për sistemet multilaterale

31 tetor 2018 16:47

Ndër zhvillimet më të rëndësishme në gjysmën e dytë të shek. XX është shtrirja e shpejtë globale e dy institucioneve të rëndësishme: demokracisë dhe multilateralizmit. Të dyjat bashkë e kanë bërë botën më të pasur dhe më të sigurt. Multilateralizmi, në terma të gjerë, përkufizohet si bashkëpunim ndërkombëtar mes tri ose më shumë shteteve. Ky bashkëpunim është i ndërtuar mbi bazën e disa parimeve të cilat përcaktojnë sjellje të caktuara për shtetet pa marrë parasysh interesat e veçantë të palëve apo nevojat strategjike që mund të krijohen në rrethana të caktuara. Funksionimi mundësohet përmes dialogut, kompromisit dhe reciprocitetit në mes të shteteve anëtare. Kombet e Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, NATO, Bashkimi Evropian dhe shumë bashkëpunime tjera në mbështetje të ndryshimeve klimatike, refugjatëve dhe menaxhimit të rrezikut bërthamor janë vetëm disa nga organizatat multilaterale që kanë garantuar stabilitet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në anën tjetër, demokracia ka sjellur poashtu të mira të shumta kolektive. Tani është universalisht e konsideruar si forma e vetme e qeverisjes dhe si e tillë lavdohet si meritore për rritjen e mirëqenies dhe për uljen e prirjeve për dhunë brenda dhe mes shteteve. Studiuesi i demokracisë Larry Diamond lindjen dhe shpërndarjen e demokracisë e kategorizon në tri valë. “Vala e parë” fillon me revolucionin amerikan dhe francez dhe mbyllet me demokratizimin e 29 vendeve deri në vitin 1922. Ai numër u tkurr në 12 me rritjen e komunizmit, fashizmit dhe nazizmit. “Vala e dytë” arriti në fundin e Luftës së Dytë Botërore, kur dekolonizimi solli demokracinë në vendet si India dhe Shri Lanka dhe u dobësua nga ngjarjet si grushteti ushtarak në Bolici dhe Brazil më 1964 dhe Argjentinë më 1966. “Vala e tretë” filloi në vitin 1974 me revolucionin portugez që rrëzoi diktaturën gati gjysmë shekulli të vjetër. Në 30 vitet në vazhdim demokracia u shpërnda nëpër botë si kurrë më parë.

Multilateralizmi dhe demokracia u shpërndanë gati në një periudhë të njëjtë dhe të dyjat bashkë e kanë bërë botën vend më të sigurt dhe më të pasur. Derisa deri më tani demokracia dhe multilateralizmi kanë qenë një tandem progresiv dhe kanë pasur raport komplementar, një formë tjetër e demokracisë, ajo e drejtpërdrejtë, po e lëkund rendin multilateral botëror.

Relacioni mes referendumit dhe multilateralizmit çalon nga disa tensione. Burimi kryesor i tensioneve është se koordinimi i veprimit në mes të një numri të madh të shteteve pashmangshmërisht nënkupton se vendimmarrja ndërkombëtare e bazuar në konsensus përfshinë nivele më të ulëta të pjesëmarrjes popullore sesa vendimmarrja në nivel nacional. Kjo përfshirje e ulët ngadalë ka akumuluar pakënaqësi tek qytetarët që janë ndier të anashkaluar nga proceset e vendimmarjes. Si pasojë, kërkesa për referendum është rritur ndjeshëm dhe kjo mund të paraqet rrezik për sistemet multilaterale.

Kjo për shkak që duket se njerëzit, kur u jepet rasti, po votojnë gjithnjë e më shumë kundër bashkëpunimit multilateral i cili është etabluar nga elitat dhe nga qeveritë në emër të popullit. Përvojat e fundit në Bashkimin Evropian tregojnë se referendumi si mekanizëm për politikë të brendshme dhe të jashtme do të shpeshtohet në të ardhmen dhe kjo mund të përbëjë rrezik për multilateralizmin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Në politika nacionale referendumi edhe mund të jetë i dobishëm në rrethana të caktuara, por më shumë në rol komplementar për demokracinë përfaqësuese sesa si zëvendësues i plotë i saj. Megjithatë kur referendumi përdoret si mjet për politikë të jashtme, qoftë për të përmbysur vullnetin e institucioneve përfaqësuese, qoftë kur përdoret nga qeveritë për të betonuar pozitën e tyre negociuese ndërkombëtare, ai paraqet një kërcënim për multilateralizmin.

Më konkretisht rreziku nga transferimi i vendimmarrjes nga demokracia përfaqësuese tek demokracia e drejtpërdrejtë është i dyfishtë. E para, nuk është e qartë nëse publiku i gjerë e ka dëshmuar veten të përgjegjshëm në vendimmarrje për politikë të jashtme. E dyta, sistemi i multilateralizmit është më i brishtë se që mendohet. Ai varet nga një rrjetë komplekse e obligimeve të ndërvarësisë mes shteteve anëtare. Sistemi funksionon mbi besimin se sakrificat afat-shkurte të shteteve në sektore të caktuara do të kompensohen nga përfitimet afat-gjate në ato, apo tjera sektore. Është shumë më e lehtë që ky besim në reciprocitetin dhe forcën e rregullave që mbajnë sistemin të thehet sesa të ndërtohet.

Përvojat e BE-së me referendumet janë të përziera. Në lidhje me BE-në dhe me Komunitetin Evropian më herët janë mbajtur 48 referendume. Ata janë mbajtur kryesisht për integrim apo ndryshime në traktate. Në mënyrë dominante, verdiktet kanë qenë pozitive, por traktatet e Maastricht-it më 1992, Nice-s më 2002, Lisbonës më 2007 dhe Kushtetutës Evropiane më 2004 ishin kundërshtuar që të gjitha nga referendumet në një ose më shumë shtete. Në shumicën e rasteve vendet që votuan kundër, më pas i miratuan ndryshimet përmes referendumeve tjera. Megjithatë, përkundër faktit se referendumet e dyta morën shumicën e nevojshme, vetë përsëritja e referendumit nuk e ka forcuar legjitimitetin e BE-së. Për më tepër, në referendum qytetarët evropianë gjithnjë e më pak po i pranojnë ndryshimet e propozuara nga BE-a. Duke mos i përfshirë referendumet e shteteve që votojnë për anëtarësim në BE, në vendet e BE-së janë mbajtur 27 referendume mbi politikat e BE-së. Nga to, 15 kanë aprovuar propozimet e BE-së, ndërkohë që 12 i kanë refuzuar ato. Që nga viti 2000 vetëm 6 referendume kanë pranuar politikën e BE-së, ndërkohë që 11 i kanë refuzuar ato.

Referendumet nga 2014 deri më 2016 ishtin testet e para serioze të opinionit publik që nga kriza financiare e vitit 2008. Gjatë kësaj kohe ka rënë besimi në elita dhe është rritur ndikimi i partive populiste. Nacionalizmi dhe ksenofobia janë forcuar. Humbësit më të mëdhenj kanë qenë partitë e qendrës, ndërkohë që një trend i partive me prirje ekstreme është imponuar. Në rrethana të tilla atituda kundrejt multilateralizmit dhe organizatave ndërkombëtare është përkeqësuar. Gjatë viteve të fundit ka pasur dy lloje të referendumeve: (i) të organizuar për të kundërshtuar politikat e qeverive dhe (ii) të organizuar nga qeveritë për të forcuar pozicionin e tyre në negociata ndërkombëtare.

Por gati të gjithë këta referendume janë shoqëruar me një pasivitet qytetar në procesin e informimit të drejtë dhe solid. Kritika dhe vlerësimi racional ka munguar. E gati të gjitha shkollat e marrëdhënieve ndërkombëtare llogarisin se një doze bazike e racionalitetit qëndron në themelin e sjelljes së shtetit në arenën ndërkombëtare. Kjo do të thotë se nga vendimmarrësit pritet që së paku të marrin vendime përmes deduktimit racional në bazë të fakteve të dhëna dhe që të jenë të vetëdijshëm për pasojat e (mos)veprimeve të tyre. Kjo nënkupton një nevojë dhe dëshirë për të kërkuar informacion; për vlerësim të vërtetësisë së burimeve të ndryshme dhe të të kuptohet konteksti ku interpretohen faktet.

Në njërën anë, referendumi në parim është formati më inkluziv i pjesëmarrjes aktive të njerëzve në politikë. Në këtë nivel, referendumi afirmon vullnetin qytetar. Në anën tjetër, rreziku vjen nga fakti që nëse vendimmarrësit nuk janë individualisht të përgjegjshëm për veprimet e tyre, ata mund të mos shohin arsye të veprojnë pragmatikisht e as të pajisen me dije mjaftueshëm të detajizuar të pasojave të vendimeve të tyre.

Procesi i informimit kërkon kohë dhe mund. Duke e ditur që një votë ka shumë gjasa të vogla që të jetë vendimtare në rezultatin final, pajisja me dije nënkupton një kosto shumë të madhe për shumë pak në kthim. Në një studim të saj për kompetencën e votuesve në referendumet e BE-së, Sara Hobolt shkruan se në përgjithësi qytetarët priren të jenë dobët të informuar mbi politikat e BE-së. Joseph Schumpeter, në anën tjetër, pohon se individët mësohen të jenë vendimmarrës të mirë vetëm kur kanë përgjegjësi mbi supet e tyre, si psh në çështjet profesionale, por kur bëhet fjalë për proceset masovike, ata kanë më shumë gjasa që të demonstrjnë një sens të zbehtë të përgjegjësisë, të shpenzojnë më pak energji në reflektim dhe janë më të ekspozuar ndaj konkluzave jologjike. Sipas Schumpeter, këta faktorë i shtyjnë njerëzit të marrin vendime irracionale, të relaksojnë standardet morale dhe të shijojnë shprehjen e indinjatës, pa reflektuar me kujdes. Ai thotë që këto shpjegojnë injorancën e qytetarëve dhe mungesën e gjykimeve kritike mbi çështjet komplekse të jashtme dhe të brendshme.

Edhe pse argumentet e Schumpeter-it janë pak të sforcuara, ai ka të drejtë kur thotë se proceset masovike priret ta zhveshin individin nga përgjegjësia dhe ia dobësojnë incentivën për t’u informuar thellë. Për shembull, votuesit në Kolorado të ShBA-së në nëntor të vitit 2016 votuan që ta mbajnë skllavërinë në kushtetutën e shtetit për shkak të propozimit të shtruar në mënyrë jo bash të thjeshtë. Studiues të ndryshëm e kishin interpretuar këtë ngjarje si produkt të keqkuptimit nga një pjesë e madhe e votuesve. Poashtu, pyetja në referendumin e SYRIZA-s në Greqi ishte formuluar në mënyrë konfuze. Në vitin 2008, në referendumin irlandez mbi Traktatin e Lisbonës votuesit votuan kundër, përkundër mbështetjes së madhë nga të gjitha partitë politike. Një studim mbi këtë referendum gjeti se nuk ka dyshim që arsyeja për këtë rezultat gjendet tek mungesa e dijes, informacionit dhe të të kuptuarit e situatës. Kjo për shkak që referendumi ishte i bazuar në një dokument voluminoz dhe shumë kompleks që trajton punët e brendshme të BE-së dhe i shkruar me një stil gati të pakapshëm për jospecialistët.

Në Britani të Madhe, në referendumin e BREXIT-it votuesit vazhdimisht i janë ekspozuar keqinformimit për BE-në. Pak nga ta kishin dije solide mbi institucionet e BE-së dhe mënyrën si ato funksionojnë. Votuesit nuk iu besuan as burimeve të brendshme e as të jashtme. Sondazhet tregojnë se sidomos votuesit që mbështetën daljen nga BE-ja nuk i besuan gati askujt. Ekspertët ishin injoruar dhe shumë gënjeshtra ishin marrë për të vërteta. 90% e ekonomistëve, 90% e akademikëve, shumica dërrmuese e politikanëve dhe unioneve e asociacioneve të tregtisë u shpërfillën. Procesi ishte përshkuar nga një prani e madhe e emocionalitetit.

Por derisa Britania e Madhe është vend i fuqishëm dhe mund të mbijetojë një gabim strategjik dhe të qëndrojë jashtë BE-së, vendet më të dobëta ekonomikisht janë më të cenueshme dhe mund të paguajnë çmim më të lartë për gabimet e tyre. Greqia ishte afër një gabimi të tillë. Përkundër disa akademikëve që bënin thirrje për fajle të borxhit, gati të gjithë ekspertët e dinin se nuk ka rrugë tjetër reale pos pranimit të propozimit të BE-së për Greqinë. Qeveria greke organizoi një referendum për të kundërshtuar propozimin e BE-së në mënyrë që të forcojë pozicionin e vet negociues me BE-në. Në fund referendumi nuk e zgjidhi problemin. Qeveria greke vendosi për zgjedhjen e vetme racionale, por referendumi forcoi imazhin e BE-së si organizatë anti-demokratike, duke e dobësuar legjitimitetin e saj edhe më tej.

Në vitin 2016, qeveria hungareze mbajti një referendum kundër vendimit të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve në gjithë Evropën. Qeveria nuk donte që të strehonte refugjatë. Sipas disa matjeve, qeveria shpenzoi 5 herë më shumë sesa në zgjedhje normale. Megjithëse pragu i daljes nuk u kalua për shkak që u bojkotua nga kundërshtarët, referendumi e forcoi pozicionin e Hugnarisë në raport me BE-në. Një praktikë e tillë ia dobëson sjelljen pragmatike qeverive dhe e vështirëson bashkëpunimin mes shteteve sepse pengohet solidariteti në kohë krizash.

Përkundër efekteve negative, duket se referendumet tani janë një mjet efikas në minimin e sistemeve multilaterale dhe pritjet janë se ata vetëm do të shpeshtohen. Për shkak të kërkesës së krijuar, referendumet tani janë duke u organizuar dyfish më shumë sesa para 50 viteve dhe katër herë më shumë se në fillim të shekullit XX. Rritja më e madhe është vërejtur në vendet demokratike. Shumë sondazhe në ShBA tregojnë se 86% e njërzve janë në favor të organizimeve nacionale të referendumeve për të vendosur rreth çështjeve të rëndësishme. E njëjta vlen për BE-në. Njerëzit po ndihen se kanë shumë pak pushtet në krahasim me politikanët.

Ata që janë kundër referendumeve po e përdorin argumentin e kostos financiare, por zhvillimi teknologjik po i bën gjithënjë e më të përballueshme shpenzimet e organizimit. Ata politikanë që mendojnë se qytetarët nuk kanë kapacitet që të gjykojnë denjësisht, nuk guxojnë të deklarohen sepse kjo u kushton me vota dhe popullaritet. Në anën tjetër, premtimi për referendume po sjell dividentë të majmë elektorale. Partitë populiste janë duke u rritur gjithnjë e më shumë duke premtuar referendume. Në zgjedhjet e vitit 2017 në Francë të gjithë 5 kanditatët për president në programet e tyre kanë paraparë mbajtjen e referendumeve.

Siç thamë, multilateralizmi kërkon besim në një shpërndarje të balancuar të reciprocitetit në të cilin shtetet pranojnë nganjëherë rezultate jo optimale, por gjithnjë duke e ditur se më vonë do të kompenzohen me përfitime më të mëdha. Nëse publiku i gjerë mendon ndryshe, ose nëse shtetet dështojnë të japin garancion për rezultate pozitive, atëherë multilateralizmi do të ketë ditë jo shumë të mira. Në situata krizash sistemet multilaterale vuajnë nga popullariteti i ulët dhe lehtë njerëzit mund të kthehen kundër tyre. Në rrethana të tilla qytetarët e shteteve të ndryshme tregojnë solidaritet të ulët mes vete dhe priren të jenë më egoistë. Efekti i këtij trendi pritet të ulë mirëbesimin mes shteteve anëtare në sistemet multilaterale dhe të vështirësojë bashkëpunimin mes tyre, e rrjedhimisht performanca e tyre përkeqësohet edhe më shumë. Tutje, qeveritë që kanë tendenca që të paraqiten si demokratike organizojnë referendume të cilat më pas mund t’ia kufizojnë manovrimin në negociata ndërkombëtare dhe ta ulë racionalitetin.

Rreziku i referendumeve për politikën e jashtme është më i madh se për politikën e brendshme. Kjo për shkak që proceset e brendshme mund të ndryshohen më lehtë sesa proceset ndërkombëtare. Për shembull qytetarët britanikë mund të pendohen për vendimin e tyre në BREXIT dhe të kërkojnë referendum të dytë për të njëjtën çështje. Por nëse Britania e Madhe del nga BE-ja, do ta ketë shumë të vështirë të kthehet prapë në BE. Shtetet anëtarë nuk do të donin që t’i hapnin dyert për një shtet që është i paqartë me veten dhe që është i paqëndrueshëm. Ose, nëse do të pranonin, do t’i kërkonin Britanisë koncesione jo të lehta dhe kjo do t’i radikalizonte edhe më shumë qytetarët britanikë kundër BE-së.

Sigurisht, siç tregon shembulli i Donald Trump-it, nuk ka garancion se qeveritë janë racionale në vendimmarrje. Megjithatë, strukturat dhe shtrëngesat e vendimeve në sistemet e demokracive përfaqësuese ofrojnë bazë më solide për pragmatizëm. Qeveritë u japin më shumë hapësirë ekspertëve dhe kanë devotshmëri më të madhe ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Më tej, ndarja e pushteteve ofron më shumë siguri për vendime të matura. Në referendume këto siguresa mungojnë dhe mundësitë për irracionalitet janë më të larta. 

Megjithatë një shkëndijë shprese mund të gjendet tek optimizmi se me kalimin e kohës njerëzit do të mund të informohen më mirë dhe të jenë në gjendje të gjykojnë më mprehtë. Deri atëherë, përvojat në pjesë të ndryshme të botës tregojnë se kampanjat në referendume mbeten të ekspozuara përballë irracionalitetit. E ky nuk është rrezik i vogël.  

 

 

 

 

 

31 tetor 2018
16:47

Shkodran Ramadani