Leksione nga Demopolisi

29 shtator 2018 13:16

Mësime nga Greqia e vjetër: demokracia dhe liberalizmi janë më mirë nëse e kuptojnë dallimin mes tyre

*Josiah Ober

Para një çerekshekulli, shkencëtari politik amerikan Francis Fukuyama deklaroi se historia kishte marrë fund. Kërkimit të gjatë për rendin më të mirë të mundshëm politik i kishte ardhur fundi. Demokracia liberale – e përkufizuar si sovranitet popullor plus autonomi individuale dhe të drejta të njeriut – ishte përgjigjja e duhur.

Sot, në epokën e terrorizmit, luftërave të vazhdueshme dhe autokracive të rigjallëruara, historia është rikthyer me furi. Megjithatë, Fukuyama së voni ka përsëritur në detaje mbresëlënëse argumentin e tij qendror se demokracia liberale është forma më e lartë e zhvillimit politik, një pikëpamje me përkrahje të gjërë. Shkencëtari kognitiv Steven Pinker krahason demokracitë liberale me regjimet që mbështeten në ideologji utopike e demonizuese, duke ardhur në përfundim (https://stevenpinker.com/pages/frequently-asked-questions-about-better-angels-our-nature-why-violence-has-declined) se: ‘demokracitë janë jashtazakonisht më pak vrasëse se format alternative të qeverisjes’. Si  edhe shkrimtarët e tjerë modern, Pinker përdor ‘demokracinë’ si stenografi për ‘demokracinë liberale’, duke nënkuptuar një grumbull kushtesh të parapëlqyera: sovranitetin popullor, sundimin e ligjit, të drejtën e votës, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, mundësitë e barabarta, ndarjen e kishës nga shteti, drejtësinë shpërndarëse dhe ekonominë e tregut. Për shpikësit e këtij termi në Greqinë e lashtë, demokracia nënkuptonte thjesht vetqeverisjen kolektive të qytetarëve.

Paketa e demokracisë liberale është aq shumë e admiruar sot, e aq pak e shqyrtuar, sa që njerëzit priren të harrojnë që ajo është, në fakt, paketë. Madje edhe skeptikët fusin demokracinë e liberalizmin në një thes: në fillim të vitit 2008, presidenti i atëhershëm i Pakistanit Pervez Musharraf i bëri thirrje qeverive perëndimore që të mos fiksohen pas demokracisë, me çka deshi të thotë: mjaft u përqendruat tek të drejtat e njeriut. Kur Fukuyama, Pinker apo Musharraf përdorin ‘demokracinë’ për t’iu referuar përkushtimit ndaj të drejtave universale apo ndarjes së fesë nga shteti, pak njerëzve iu shkon ndërmend që të shtrojnë pyetje. Le ta bëjmë pikërisht këtë. Edhe demokracia edhe liberalizmi përmbajnë vlera, por ato nuk janë e njejta gjë. Ato mund të bashkëlidhen në një rend të suksesshëm politik, por martesa e tyre nuk është e pashmangshme.

Historia e vetëqeverisjes qytetare në qytet-shtetet greke qartëson se çfarë është demokracia – si dhe çfarë ofron (e nuk ofron) ajo. Athina e Lashtë, ashtu dhe disa qytet-shtete tjera greke, qe demokraci, jo demokraci liberale. Athinasit e Lashtë as nuk përqafuan të drejtat e njeriut as nuk ndanë fenë nga autoriteti shtrëngues i shtetit. Liberalizmi është ideal moral i lindur prej Iluminizmit të shekullit të 18-të dhe përqendrohet te vlera e autonomisë individuale. Liberalizmi jep arsyet pse të drejtat duhet të konsiderohen univerzale, si të brendaqenësishme në secilën qenie individuale njerëzore dhe pse shteti shtrëngues duhet të jetë neutral për sa i përket fesë. Një regjim politik mund të jetë liberal por jo demokratik – si për shembull, perandoria Austrohungareze e shekullit të 19-të.

Kundërshtimi i Musharaff-it anash, demokracia sot gati sa nuk ka asnjë kundërshtar të drejtpërdrejtë. Madje edhe neonacistët në Gjermani e quajnë partinë e tyre politike Nacional Demokratët (në vend se Nacional Socialistët). Autokratët kinezë përshkruajnë regjimin e tyre autoritar si demokraci (https://www.economist.com/the-economist-explains/2014/11/25/what-china-means-by-democracy). Kushtetutat e shteteve pasrevolucionare, politikat e jashtme të fuqive të mëdha dhe misionet e agjencive ndërkombëtarë që të gjitha aktivisht e paraqesin demokracinë si qëllim për ta. Çfarë atëherë? Ku është problemi nëse demokracia bëhet e padallueshme prej liberalizmit, nëse vetqeverisja kolektive barazohet me të drejtat e njeriut dhe qeveritë shekullare?

Nëse demokracia është aq e rëndësishme, që meriton mobilizim të përpjekjeve e resursve të stërmëdha, atëherë njerëzit do të duhej të kenë ndonjë ide të qartë se çfarë është ajo. Të paktën diçka prej mjerimit njerëzor të çerekshekullit të fundit të përpjekjeve për ndërtimin e demokracisë ka rrjedhë prej faktit se klasa politike nuk ka ide të qarta për komponentet e paketës së demokracisë liberale. Nëse ia vlen të luftohet për demokraci, është me rëndësi që të kemi njohuri bazike për të.

Kur shkollarët përdorin termin demokraci në kuptimin e ngushtë të fjalës, në përgjithësi nënkuptohet ‘sundimi i shumicës, pikë’,  në krahasim me sundimin e ligjit. Për ata që, sikur se James Madison, autori kryesor i Kushtetutës Amerikane, i frikësohen prospektit të sundimit të turmës, demokracia pa liberalizëm rrezikon të bëhet tirani e shumicës. Demokracitë e Greqisë së Lashtë tregojnë se është gabim të imagjinosh demokracinë si asgjë më shumë se sundim të shumicës. Demokracia, madje edhe demokracia para se të jetë demokraci liberale, është në fakt më shumë se sundim i shumicës.

Të reduktosh demokracinë në mazhoritarizëm i jep autoritet sundimit të elitave. Platoni, me planin e tij për ‘mbretërit filozofë’, qe ithtar i hershëm i elitizmit të tillë. Ai besonte se qeveri e mirë do të thotë të mbash shumicën e njerëzve larg prej pjesëmarrjes aktive në politikë. Qëllimi i Platonit me kufizimin e qeverisë vetëm te disa njerëz qe që të promovonte virtytin. Bota moderne gjithashtu ka teoricienë politik me ndikim, si për shembull Ronald Dworkin, të cilët inkurajojnë që njerezit e rëndomtë duhet të mbahen larg në emër të mbrojtjes së vlerave morale liberale të autonomisë, të të drejtave dhe drejtësisë në shpërndarjen e të mirave.

Sado me qëllim të mirë, qasja elitiste ndaj qeverisë është e rrezikshme (si dhe jodemokratike) sepse përkushtimi moral nuk mjafton për të udhëzuar sjelljen e ditëpërditshme të shumicës së njerëzve shumicën e kohës. Moraliteti liberal si i vetëm nuk mund të prodhojë rend social të qëndrueshëm të bazuar në zgjedhje të lira të individëve të vetinterësuar. Në mënyrë që të prodhojë stabilitet social, liberalizmit bashkëkohor i duhet si themel politik o autokracia o demokracia.

Ka dy mënyra për të arritur te kuptimi thelbësor i demokracisë. E para është duke shikuar prapa te shoqëra e lashtë greke që shpiku demokracinë. Për ta, ajo do të thoshte pushtet i një trupi të gjërë të qytetarëve për të bërë gjëra: për të krijuar dhe ekzekutuar politika publike. E pse do të duhej që qytetarët e shekullit të 21-të të brengosen se çfarë mendon për demokracinë një tufë burrash skllavopronarë, të cilët i mohuan grave dhe imigrantëve pjesëmarrjen politike? Përgjigjja është se ne ende aspirojmë konceptin e tyre themelor të demokracisë.

Fjala ‘demokraci’ erdhi nga qytet-shteti i Athinas, pas Revolucionit Athinas më 508 p.e.s. Në atë revolucion, populli i Athinës përmbysi udhëheqësin politik me përkrahje të huaj i cili përjashtoi kundërshtarët e tij dhe u përpoq të mbivendoste qeveri shtypëse të plotësuar me personel të afërmish. Si pasojë e revolucionit, athinasit fitimtarë rikthyen prej ekzilit Klaistenin (Cleisthenes), udhëheqësin e tyre të preferuar. Klaisteni e kuptoi se nuk qe e mundur thjesht të ktheheshe pas te sundimi i tiranëve dhe koalicioneve të ngushta të aristokratëve. Populli i Athinës tash do të bëhej autor dhe garantues kolektiv i një rendi të ri kushtetues. Revolucioni kishte sjellë popullin athinas në skenën e historisë.

Sistemi eksperimental i dizajnuar prej Klaistenit në kushte të krizës u dëshmua jashtëzakonisht i suksesshëm. Me qeverinë e tyre të re, athinasit u shquan në të gjithë botën greke. Qytetarët e klasës punëtore që sapo kishin fituar të drejtën e votës i ofruan Athinës një ushtri të madhe dhe shumë të motivuar. Të çliruar prej frikës se tiranët do të rrëmbejnë profitet e nismës së tyre, athinasit investuan në shoqërinë e tyre. Artet dhe zejet lulëzuan. Prodhimtaria e tregtia u ngriten në qiell. Athina iu bashkua rivalit të saj Spartës për të mposhtur pushtimin masiv të Perandorisë së fuqishme Persiane, pastaj ndërtuan një perandori Egjease, mbijetuan luftën katastrofike me Spartën dhe udhëhoqen për dy shekuj zhvillimin ekonomik grek. Ngritja dhe vitaliteti demokracisë klasike athinase ndihmoi që të vëheshin themelet kulturore për qytetërimin perëndimor.

Athinasit e quajtën qeverinë e tyre të re ‘demokraci’, apo demokratia në greqisht, që ndërthur demos (‘popullin’) dhe kratos (‘pushtetin’). Pra demokracia është ‘pushtet i popullit’ – por posaçërisht demos në kuptimin ‘të gjithë qytetarët’, dhe kratos në kuptimin e ‘kapacitetit për të bërë gjëra’. Emri i ri pohonte sa një ideal edhe një fakt praktik. Së pari, fjala shpallte se qytetarët si kolektivitet, e jo një tiran a një bandë e vogël aristokratësh, do të duhej të qeverisnin shtetin e tyre: populli qe autoriteti më legjitim publik. Ideali i demokracisë gjithashtu do të thoshte se populli qe moralisht dhe intelektualisht i zoti për të qeverisur vetveten. Ata ishin të gabueshëm, por kompetentë për të ndjekur interesin publik në mënyrë racionale.

Populli sundoi duke përdorur institucione të reja të qeverisë së tyre demokratike për të krijuar e ekzekutuar politika, pa pasur shef. Qytetarët nga të gjitha sferat e jetës diskutuan për çështje të politikave në mënyrë sa bashkëpunuese aq edhe garuese. Ata mblodhën informacione dhe dije për të dizajnuar zgjedhje inovative të problemeve. Argumenti më i mirë, e jo zëri më i lartë, kishte shansin më të mirë që të korrte fitore. Në lotarinë e përvitshme, athinasit zgjidhnin 500 anëtarët e Këshillit demokratik. Këshilltarët konsultonin ekspertë, debatonin politika dhe vendosnin agjenda për takime të shpeshta të një Asambleje të hapur për të gjithë qytetarët. Një takim tipik i Asamblesë në kohën e Aristotelit tërhiqte diku 6000 – 8000 qytetarë me të drejtë vote.

Disa iu druajtën pushtetit të popullit. Aristokratë të pezmatuar, të tërbuar ngase kishin humbur monopolin e tyre politik, përçmuan qeverinë e re si mbizotërim të një shumice të vetëinteresuar mbi pakicën e ngeshme e të edukuar. Si mundet, pyesnin ata, që njerëzit e rëndomtë – bujqit, poçarët, tregtarët, e këpucatarët – të dinë gjë rreth çështjeve të rëndësishme të shtetit? Si dallonin ata prej skllevërve punëtorë? Për aristokratët e zemëruar, demos-i u bë term pezhorativ, që i shkonte për shtat atyre qytetarëve që duhej të punonin për të nxjerrë bukën e gojës. Për refuzuesit, klasa punëtore shumicë mbante pushtetin jashtëligjshëm mbi ‘pakicën e shkëlqyeshme’, burrat që besonin se duhej të sundonin për shkak të fuqisë së pasurisë, arsimimit e emrit superior.

Me të hedhur poshtë demokracinë, aristokratët grekë shpikën fiksionin se ajo në të vërtetë nënkuptonte ‘tirani e shumicës së papërmbajtur’. Një krahasim me fjalët tjera greke që kanë të bëjnë me qeverisjen (aristokracia, oligarkia, monarkia, etj) shpalosë qartë se në fakt ‘demokracia’ së pari u shfaq si term pozitiv, fillimisht i përdorur prej atyre që përqafuan shtetin si pronësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.

Për demokratët e Athinës, demos-i përfshintë secilin që mund të mendohej se qe i aftë që të ushtronte aktivisht autoritetin politik përbrenda një territory të kufizuar shtetëror. Imagjinata kulturore e grekëve të lashtë rreth asaj se ‘kush mund të jetë qytetar’ i shtetit privilegjonte ‘meshkujt e lirë e të rritur (mbi 18 vjeç), të cilët o ishin vendas o kishin dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj shtetit’. Në perspektivë historike, imagjinata e tyre qe e gjërë sepse pëfshinte të gjithë vendasit meshkuj, pa kualifikim pronësor e arsimor. Niveli i qytetarisë përfshirëse të athinasve të lashtë mbeti i pashoq të paktën deri në Epokën e Revolucionit të shekullit të 18-të.

Sigurisht se në shekullin e 21-të, imagjinata kulturore e grekëve të lashtë për atë se kush mund të jetë qytetar pjesëmarrës duket aq e kufizuar sa për të qenë jolegjitime. Ajo përjashtonte gratë, skllevërit dhe shumicën e rezidentëve të huaj në territorin athinas. Disa studentë të historisë greke prandaj, pohojnë se Athina nuk qe demokratike. Por ajo që në fakt duan të thonë është se Athina nuk qe demokraci liberale, në kuptimin që athinasit nuk njihnin të drejtat njerëzore të skllevërve, grave dhe qytetarëve të huaj. Ç’është e vërteta, Athina nuk qe demokraci liberale, por demokraci – që do të thotë, qeverisej prej qytetarëve të saj.

Fundi i shekullit të pestë p.e.s. pa ndryshimin më të rëndësishëm kushtetues në historinë e demokracisë athinase. Rregulla të reja, të adoptuara prej qytetarëve të Athinës pas periudhës sfilitëse të luftërave të jashtme, mortajës dhe luftës civile, qartësoi marrëdhënien mes urdhëresave politike dhe parimeve themelore të ligjit kushtetues. Rregullat e reja hapën ligjet e kaluara në Asamblenë e qytetarëve ndaj sfidave ligjore. Rishikimi ligjor mund të zhvleftësonte çfarëdo urdhërese. Ky kontroll mbi pushtetin e demokracisë së drejtpërdrejtë stabilizoi shoqërinë athinase pas luftës civile, duke siguruar që si të pasurit ashtu edhe të varfërit të ripërkushtoheshin drejt bashkëjetesës në komunitetin e tyre. Rregullat e reja qenë përmirësim i demokracisë, e jo kthesë 180 shkallëshe prej tiranisë së shumicës te sundimi kushtetues i ligjit. Athinasit në fakt kishin vendosur kufij mbi pushtetin e Parlamentit në ngjizje të epokës demokratike.

Urdhëri që rregullonte praktikën e ostracizmit [dëbimit] ofron një shembull ilustrues për kufijtë e autoriteti legjislativ të Asamblesë – kufi që ishte demokratik por jo liberal. Çdo vit, gjatë një mbledhjeje të Asamblesë, athinasit votonin se a të dëbonin dikë a jo. Zakonisht votonin ‘jo’. Në 15 rastet e njohura, ata votuan ‘po’. Pastaj mbanin mbledhjen e dytë në shesh, ku secili qytetar sillte një fragment poçerie (ostrakon) mbi të cilën kishin shënuar emrin e njeriut që mendonte se e meritonte azilin më së shumti prej Athinës për 10 vjet. Kështu ‘fituesi’ i kësaj gare përjashtohej. S’kishte gjyq, e as të drejtë apeli.

Ostracizmi diskreditonte të drejtat individuale që më vonë do të konsiderohen thelbi i liberalizmit. Megjithatë, kjo ishte vërtet demokratike dhe athinasit e përkufizuan fije për pe fushën e saj të veprimit. Rregullat kufizonin opsionin e dëbimit në njëherë në vit. Votimi se kush dëbohej mbahej vetëm në mbledhjen e dytë. Me ligjin e ostracizmit, athinasit kufizuan me kushtetutë autoritetin e tyre legjislativ mënjeherë pas revolucionit të tyre demokratik. Reformat e mëvonshme ligjore formalizuan dhe zgjeruan parimin e kufizimit legjislativ që kishin ekzistuar që prej fillimit.

Kjo është me rëndësi, sepse shumë njerëz sot supozojnë se kufizimi i pushtetit të qeverisë është shpikje moderne dhe liberale. Nuk është ashtu. Demokracia që nuk është liberale mund t’i vendosë kufij vetvetes. Qytetarët demokratikë mund të zgjedhin sundimin e ligjit si parim kushtetues dhe ata mund të bëjnë ashtu pa u thirrur në nocionin mistik se janë ligjet ato që qeverisin. Demokracia s’ka nevojë të jetë rrënim mazhoritarian.

Demokracia e pjekur e lashtë greke, përbëhej nga vetqeverisja e kufizuar dhe kolektive e qytetarëve. A është ky ende thelbi i demokracisë sot? Pyetjes mund t’iu përgjigjet filozofikisht. Paramendoni një popullatë të madhe e moderne, që banon në një territor të caktuar; quajeni Demopolis. Popullata e llojllojshme e Demopolisit përmban të pasur e të varfër. Qytetarët e Demopolisit vijnë prej prapavijave të ndryshme etnike. Disa janë liberalë, të tjerë libertarianë, republikanë dhe besimtarë religjiozë të feve të ndryshme.

Populli i Demopolisit është i vetë-interesuar në mënyra në të cilët janë zakonisht njerëzit, dhe jo më shumë bashkëpunues se sa popujt tjerë. Megjithatë, ata pajtohen për tri gjëra: duan të krijojnë një shtet që është 1) i qendrueshëm e i sigurt, 2) mjaftueshëm prosperues që të garojë me shtetet rivale, dhe 3) jotiranik – nuk sundohet prej një individi a koalicioni të fuqishëm. Populli i Demopolisit mund të krijojë rregulla të reja kushtetuese për shtetin e tyre, por, që rendi i ri të ketë sukses, ata duhet t’i kufizojnë ato rregulla në ato që popullata e shumëllojshme e tij t’i mbështesë aktivisht.

Autorët e Kushtetutës së Demopolisit nuk supozojnë se po vënë system që do të jetë më i mirë për të gjithë popujt, kudo. Ata përpiqen për një qeveri që do t’i mundësojë të gjithë popullit të Demopolisit të përfitojë tri qëllimet e sigurisë, prosperitetit dhe jotiranisë. Ata do të paguajnë çmimin në fomën e kohës dhe taksave për të jetuar pa shef, por nuk kanë për qëllim t’i kushtojnë të gjithë jetën qeverisjes. Autorët hipotetikë të kushtetutës së Demopolisit janë kolektivisht përgjegjës për të bërë rregulla të arsyeshme e të qëndrueshme për veten dhe brezat e ardhshëm. Rregullat duhet t’iu mundësojnë qytetarëve dhe pasardhësve të tyre që t’i zbatojnë dhe kur të jetë nevoja, edhe t’i ndryshojnë po ato rregulla. Prandaj, qytetarët duhet të kenë vullnetin dhe të jenë të gatshëm të angazhohen në vepra të përbashkëta, si agjent kolektiv.

Në mënyrë që të arrijnë tre qëllimet e tyre, populli i Demopolisit duhet të vendosë rregulla themelore. Rregulla e parë kërkon pjesëmarrje në bërjen dhe zbatimin e rregullave. Kërkesa e pjesëmarrjes do të thotë që të gjitha ata persona që paramendohen kulturalisht si qytetarë potencialë janë vërtet qyetetarë. Ngase ky është moderniteti, që përfshin të gjitha burrat e gratë dhe të paktën disa të huaj të natyralizuar. Rregulla e pjesëmarrjes do të thotë gjithashtu që të gjithë ndajnë çmimin e qeverisë. Të gjithë qytetarët kanë për detyrë të sanksionojnë këdo që nuk përmbush detyrën e pjesëmarrjes. Rregulla e pjesëmarrjes është e domosdoshme që të reduktohet përfitimi pa pjesëmarrje [free-riding]. Secili qytetar, përderisa më arsye ndjek vetinteresin, mund të zgjedhë që të përfitojë nga të mirat e sigurisë, prosperitetit dhe jotiranisë, pa kontribuar në përpjekjen për t’i mirëmbajtur ato. Por shteti nuk do të mbetet i sigurt e prosperues për shumë gjatë, për sa kohë që mbushet me përfitues.

Rregulla e dytë ka të bëjë me vendimet që do të merren. Jotirania do të thotë që as një fraksion i caktuar i demos-it nuk mund të sundojë ligjërisht, si autokrat kolektiv, mbi pjesën tjetër të demos-it. Pjesëmarrja plus jotirania nënkupton që secili qytetar duhet të ketë votë të barabartë dhe mundësi të barabartë që t’i bashkohet krijimit të ligjeve, si dhe të ndërmarrë çfarëdo role tjera politike që janë krijuar përgjatë vendosjes së këtyre rregullave. Për më tepër, politikat legjislative duhet të synojnë jo vetëm procesin jotiranik, por edhe efikasitetin. Nëse duan të arrijnë qëllimin e sigurisë në një ambient të rrezikshëm e të ndryshuesëhm, vendimet qeveritare të marra nga qytetarët duhet të jenë më të mira se zgjedhjet e rëndomta kokë a pil. Për të marrë vendime më të mira, nga qytetarët pra, kërkohët liria e të menduarit, shpresjes dhe mbledhjes.

Rregulla e tretë i vë kufij autoritetit kolektiv: legjislativi, procesi politikbërës duhet të kufizojë mundësinë kolektive të qytetarëve për të vënë rregulla që kërcënojnë barazinë funksionale ose lirinë e qytetarëve. Mbrojtje të forta duhen, sepse liria politike dhe barazia qytetare janë të domosdoshme për të siguruar qëllimet themelore për të cilat ekziston shteti. Meqë qytetarët pajtohen se duan shtet të sigurt, prosperues dhe jotiranik, qytetarët – si ligjvënës- kuptojnë se nuk duhet të bëjnë rregulla që kanë gjasë të bëjnë shtetin të pasigurt, të varfër e autokratik. Shkurt, rregullat duhet t’i përmbahen një standardi kushtetues: rregulla që ndalon legjislaturën që cënon tri qëllimet e sigurisë, prosperitetit dhe jotiranisë duhet të rrënjosën ligjërisht dhe të zbatohen.

Tre rregullat themelore – që kërkojnë pjesëmarrje në bërjen dhe zbatimin e rregullave, vendosjen e procedurave për vendimmarrje të përgjithshme dhe të frytshme, dhe ndalimin e legjislacionit që do të cënonte kushtet e domosdoshme për bërjen dhe zbatimin e vendimeve – japin një qeveri themelore për Demopolis-in imagjinar. Ajo qeveri ka tipare thelbësore të njejta me ato të demokracisë së lashtë greke: vetëqeverisjen kolektive dhe të kufizuar nga një trup i gjërë dhe i shumëllojshëm qytetarëve politikisht të lirë dhe të barabartë. Ajo qeveri nuk është liberale, në kuptimin bashkëkohor të garantimit të të drejtave universale të njeriut, por as nuk është tirani mazhoritariane. Ajo është, në fakt, demokraci.

Demopolisi është vetëm një eksperiment mendimi, megjithatë ai ka analogji të përafërta me botën reale. Në çerekshekullin e fundit, shumë njerëz u përpoqën të krijojnë qeveri të reja që do të ishin jotiranike, të sigurta dhe prosperuese – kujtoni Pranverën Arabe dhe ‘revolucionet me ngjyra’ europianolindore. Sikurse athinasit e lashtë dhe qytetarët e Demopolis-it imagjinar, ata synuan demokracinë, si vetëqeverisje kolektive. Por jo të gjithë përqafuan liberalizmin. Për disa liberalë, kjo duhet të shihet si dështim moral. Anarkia dhe autokracia që shpesh kanë rezultuar gjatë periudhës që është menduar të jetë tranzicion demokratik, megjithatë shpërfaqin një dështim edhe më thelbësor politik. Ai dështim mund t’i mveshet pjesërisht faktit se demokracia bazike, pa liberalizëm, nuk ka qenë asnjëherë në menynë e politikbërjes ndërkombëtare.

Ka shumë arsye pse Pranvera Arabe dhe lëvizja të tjera revolucionare të kohës së fundit nuk kanë rezultuar në shtete të qëndrueshme, prosperuese e jotiranike. Megjithkëtë, prirja moderne për të shkrirë demokracinë me liberalizmin e ka bërë më të vështirë zbatimin e regjimeve të sukseshme demokratike joliberale. Regjimi i tillë nuk i plotëson kërkesat e liberal demokratëve: mund të mos i përkrahë të drejtat e njeriut, mund të imponojë konformitetin fetar, mund të shpërndajë të mirat materiale në mënyrë të jobarabartë. Praseprapë, një regjim demokratik joliberal mund të jetë i qëndrueshëm dhe nuk është e thënë që të devalvojë në tirani mazhoritariane. Ai do të duhej të ofronte barazi politike krahas lirive themelore politike për qytetarët. Kur alternativat janë autokraci shtypëse ose anarki, demokracia – vetëqeverisja kolektive – është qëllim që ia vlen. Demokracia mund të ofrojë themele të forta për rendin politik. Mundet edhe të çojë drejt demokracisë liberale.

Si demokracia edhe liberalizmi ofrojnë tipare të lavdërueshme për shoqërinë modern. Megjithatë, nuk duhet të nënvlerësojmë sa e vështirë është të mbahet vetqeverisja kolektive prej qytetarëve ndërkohë që mbrohen dhe përparohen të drejtat liberale. Kjo vështirësi është e dukshme në SHBA-të e shekullit 21, përderisa vendi po përballet me terrorizmin vendor dhe global, polarizimin politik, format e vjetra e të reja të diskriminimit dhe identitetit grupor, dhe rritjen e pabarazisë ekonomike. Si prospektet e demokracisë dhe ato të liberalizmit, në vend dhe jashtë tij, do të përmirësoheshin dukshëm sikur njerëzit të kuptojnë dallimin mes tyre.

-------------

Përkthyer nga: Bardhi Bakija 

Josiah Ober është profesor i shkencave politike dhe klasicizmit në Stanford University. Libri i tij i fundit është Ngritja dhe Rënia e Greqisë Klasike [The Rise and Fall of Classical Greece].

Artikulli origjinal i botuar ne Aeon:  https://aeon.co/essays/the-marriage-of-democracy-and-liberalism-is-not-inevitable

 

29 shtator 2018
13:16

Josiah Ober