Vetëkritika në “shekullin e shqiptarëve” - Pjesa II

24 shtator 2018 11:12

Ilustrimi: Big Eye   

Paniku si pasiguri në vete

Kemi bërë panik se me decentralizimin dhe krijim të komunave serbe ka me u copëtu shteti e diqysh ka me u lidhë me Serbinë. Nuk u copëtu. Përkundrazi, serbët deri diku u integruan. (Mos të harrojmë se integrimi është proces.) Natyrisht, kjo nuk do me thënë se decentralizimi etnik dhe të drejtat speciale për grupet etnike nuk mund të shihen me sy kritik. Këto kanë pasë edhe të meta, por kjo është një gjë tjetër. Këtu dua t’i theksoj përparësitë. Me gjithë të drejtat speciale e diskriminimin pozitiv të serbëve dhe pakicave, shqiptarët po dominojnë. Dhe po dominojnë jo medoemos si rezultat i ndonjë projekti të qëllimshëm politik a të çfarëdoshëm, por si rrjedhë e proceseve të vetvetishme sociologjike. Ta zëmë, janë shqiptarët ata që po blejnë patundshmëri nga serbët, që po shtrihen e vendosen afër e në territore të komunave me shumicë serbe. Për shembull, Prishtina po zgjerohet në drejtim të Graçanicës ku tashmë në territorin e saj shqiptarët kanë blerë toka e kanë ndërtu shtëpi e lagje. Tregues i kësaj është edhe propozimi i panikshëm i Komunës së Graçanicës për t’u liruar nga një pjesë e territorit të saj të banuar me shqiptarë.

Atëherë, pse tutemi nga serbët, të drejtat, privilegjet, komunat, gjuha e kultura e tyre? Nga vjen kjo frikë? Tutemi se nuk jemi të sigurt në vetvete. Mungon vetëbesimi. Nuk besojmë se jemi shtet, se jemi dominantë, se jemi forcë politike e demografike dominante, se jemi faktor kyç. Me një fjalë se ngrejmë kandar. E këtë duam me kompensu me krekosje knues për t’u parë i fryrë nga armiku, e mbase për ta frikësu atë. E me çka me e frikësu armikun? Me ushtri të huaj mandati i së cilës buron pikërisht nga një marrëveshje me shtetin serb, apo me kallasha e çiftelia!

Në vend të kësaj sjelljeje që zbulon pasigurinë tonë, na duhet me u sjellë e me vepru si qytetarë të shtetit. Ne edhe shtetin e kena ndërtu, kaq sa e kena ndërtu, në sajë të këmbënguljes për të bërë siç bëjnë shtetet, për të praktiku ato që praktikojnë shtetet. Kanë thënë se nuk jemi shtet. Ne kemi bërë institucionet e shtetit prej së pari, ngadalë e me vështirësi dhe jemi sjellë siç sillen shtetet. Dhe kështu u kemi dëshmu të tjerëve se jemi shtet. Kanë thënë se jemi shtet i rrezikshëm e destabilizues, e çkamos. Ne kemi nisë me i qitë hapat e parë drejt demokracisë, kemi kriju marrëdhënie me shtetet fqinje dhe ambasada të largta. Kështu, ua kemi dëshmu të kundërtën. Kanë thënë se kena me i vra e përzënë serbët. Por, ne kemi ndërtu shtet që nuk vret as përzë joshqiptarët. Përkundrazi, u kena kriju do kushte (sado modeste) për me qëndru me u kthy. Do janë kthy. Të tjerët, jo. Akoma nuk na njohin shumë shtete. Por, edhe me ta ne vazhdojmë të sillemi si shteti me shtet dhe të ndërtojmë marrëdhënie shtetërore për aq sa mundemi: së paku, qytetarët e tyre hyjnë në territorin tonë me pasaporta dhe mallrat e tyre ndalohen nga dogana jonë, por edhe ata na pranojnë dokumentet dhe simbolet e shtetit. Kështu, ua kena dëshmu se jemi shtet.

Tash është koha me ia dëshmu edhe vetit se jemi shtet. Nuk kemi nevojë të grupohemi e krekosemi si komunitetet a fiset parashtetërore për t’u mbrojtë nga keqdashësit, por të gjykojmë me drejtësi, barazi, e të zbatojmë ligje e forcë legjitime. E di se mund të tingëllojnë si klishe. Por, s’ka fjalë tjera që mund ta shprehin idenë themeltare të shtetit modern demokratik të cilin e ëndërrojmë. Kemi institucionet e shtetit. Po, ato janë të dobëta. Pjesët më vitale të tyre janë të kapura nga klane politike. Me këtë nuk pajtohemi dhe angazhohemi politikisht për t’i çliruar e zhvilluar ato. Por, nuk mund ta mohojmë shtetin për këto arsye, ngase dimë të bëjmë dallim të qartë ndërmjet besimit në dhe legjitimimit të shtetit, në njërën anë, dhe besimit në dhe legjitimimit të autoritetet shtetërore, politikanëve e institucioneve të shtetit, në anën tjetër. Ne jemi në pozitë më të mirë në këtë shtet. Ky është pak shteti që e kemi dashur, pak shteti që na e kanë dizajnuar të huajt, ashtu si kanë ditë e mendu se është më mirë. Por, përkundër të gjithave, iu kemi gëzu dhe e kemi pranu. Angazhimi politik për demokraci, sundim të ligjit e institucione në shërbim të publikut mund të bëhet brenda kornizave të shtetit ekzistues, e jo duke i hyrë një aventure nacionaliste të pasigurt që zor se përkrahet në gjendjen ekzistuese nga faktorët ndërkombëtarë, për të vënë në rrezik edhe këtë që e kemi.

Më tutje, tutemi, se themi: jemi komb i vogël i rrethuem me nacionalizma, andaj si mundemi me qenë oazë kozmopolitësh në mes gjithçkahnajës shoviniste. Strategjinë mbrojtëse nga nacionalizmat e kombeve fqinje shihet se e gjejmë tek politika nacionaliste e jonë. E para, nuk jemi komb i vogël, por jemi forcë dominuese demografike, ekonomike e politike në shtetin tonë. Gjithashtu, jemi forcë politike edhe në shtetet fqinje, sidomos në Maqedoni, ku, me dashtë elitat tona politike, asgjë nuk mund të bëjë ai shtet pa përkrahjen e forcës politike shqiptare. Natyrisht, jo me aventura të llojit të sulmeve militante, si ai në vitin 2015 në Kumanovë rezultatet e të cilave nuk mund të jenë të mira as të dëshiruara. Veç kësaj, edhe ne kemi aleatë një numër shtetesh të fuqishme të globit; nëse ata kanë Rusinë, ne kemi SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë… E fundit, paniku nuk na lë të shohim e çmojmë se në rajon përveç forcave e lëvizjeve nacionaliste, ka edhe forca të tjera progresive të cilat janë konkurrente në vendet e tyre dhe me të cilat duhet të lidhen kontakte e bashkëpunime.

Tutemi se nuk u besojmë udhëheqësve tanë politikë. A janë plehra? Janë! Por është plehu jonë. Pas dekadash jete në sistemin totalitar jugosllav, të përcjellë nga një dekadë jete në kushte aparteidi millosheviqian, të pasuar me një luftë guerile të grupeve të armatosura, të pasuar me një hegjemoni ndërkombëtare që ka diktuar rrjedhat politike në vend, nuk ka qenë e mundshme me jashtëqitë mjaltë. Plehun tonë duhet me e shpërla vetë nga shteti ku jetojmë, në vend se të kërkojmë zgjidhje duke eksperimentuar me ide të pasigurta nacionaliste, që kushedi se çfarë plehu do të prodhojë…

Për më tepër, frustrimi me drejtësinë e vonuar po na shtynë të kërkojmë kërkimfalje nga Serbia dhe serbët e Kosovës si parakusht për pajtim. Pa diskutim, kërkimfalja ndihmon pajtimin, por nuk është i domosdoshëm. Prej historisë botërore të pajtimeve pas luftërave e konflikteve, mundemi me përmendë shembuj të kërkimfaljes, siç mundemi me përmendë raste të pajtimit para kërkimfaljes ose pa kërkimfalje hiç. Por, kjo ka pak rëndësi. Historia nuk është libër recetash ku kërkojmë modele sesi të sillemi e veprojmë dhe si të bëjmë politikat ne të gjallët e sotit sipas modelit të të vdekurve të kohërave të shkuara. Historia është libër nga i cili mësojmë si e përse kanë vepruar të tjerët, ndërkohë që veprojmë e administrojmë çështjet tona siç dimë se është më së miri vetë. E rëndësishme është të dihet se parakusht për pajtim është drejtësia. Pavarësimi i Kosovës nga Serbia është akt kyç drejt realizimit të drejtësisë në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Në vend se të qesim kushte joreale në këtë fazë, ajo për të cilën duhet dhe kemi mundësi të punojmë është funsionalizimi i mekanizmave të drejtësisë tranzicionale.

Po thonë se “kosovarizmi” është një lloj “jugosllavizmi”, se paraqet kërcënim për kombin dhe rrezik që na ndan nga trungu i shqiptarisë, duke nënkuptuar se uniteti politik i grupeve etnike në Kosovë është i dëmshëm për identitetin dhe aspiratat e shqiptarëve në Kosovë. Mirëpo, për shqiptarët e Kosovës, shteti kosovar dhe kombi shqiptar nuk përjetohen si përjashtues të njëri-tjetrit, por janë të pajtueshëm, pasi që nuk ka një tension ndërmjet ndjenjës së përkatësisë kombëtare shqiptare dhe identitetit shtetëror e politik kosovar. Qenia shqiptare ose qeniesimi si shqiptar nuk është i njëtrajtshëm, por shpaloset në nuanca nënidentitesh të identitetit ombrellë mbarëshqiptar. Është evidente se ekzistojnë mënyra të ndryshme të të qenit shqiptar. Ne kosovarët e kemi kuptu këtë sidomos kur jena hapë me Shqipërinë dhe kemi parë, e mbase habitë, se shqiptarët atje janë pak ma ndryshe se ne dhe se nuk janë të gjithë të njëjtë në identitetin e tyre shqiptar dhe në mënyrën sesi e përjetojnë dhe e shprehin shqiptarinë. E megjithatë, janë shqiptarë, siç jemi edhe ne, secili në mënyrën e vet.

Nacionalizmi simbolik

Në të shkuarën e afërt, e sidomos pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, “nacionalizmi simbolik” është mundësuar ndoshta më tepër se kurdoherë në historinë e Kosovës. Me çlirimin e Kosovës dhe me pavarësimin e saj, këtë nuk po na e ndalon dhe nuk mund të na e ndalojë askush: as Serbia, as serbët e Kosovës, e as faktorët ndërkombëtarë. Por, kjo mundësi nuk kufizohet vetëm te shqiptarët e Kosovës, por edhe në shtetet e tjera ku shqiptarët jetojnë, sidomos në Maqedoni. Ne po e mësojmë historinë, gjeografinë, kulturën e letërsinë kombëtare shumë më të lirë sesa në sistemet e shkuara në të cilat kemi jetuar. Për më tepër, shqiptarët janë të bashkuar në një hapësirë kulturore, mediatike, artistike, shtyp e botime dhe mund të bashkohen edhe më fort e më gjerë duke përfshi edhe fushat akademike dhe thelluar integrimin kulturor, artistik e sportiv. Po kështu ka mundësi të paprecedent bashkëpunimi ekonomik e politik mbarëkomëbtar, si asnjëherë më parë.

“Nacionalizmi simbolik” vihet në veprim në disa rrafshe: identitar, kulturor, ekonomik dhe politik. Në rrafshin identitar, ai nënkupton identifikimin me kulturën kombëtare, forcimin e ndjenjës së përkatësisë kombëtare, zhvillimin e një vetëdijeje kulturore kombëtare, përvetësimin e një narrative historike të kombit. Në rrafshin ekonomik, ai nënkupton bashkëpunim ekonomik ndërmjet shteteve e shoqërive shqiptare mbi bazë të ndjenjës së përbashkësisë kombëtare dhe integruar përparësitë, asetet e resurset e shoqërive tona. Po kështu në fushën politike, nënkupton marrëdhënie speciale politike dhe bashkëpunim politik ndërmjet shoqërive shqiptare dhe shteteve përkatëse mbi bazën e përbashkësisë kombëtare.

Një efekt i këtyre politikave kishte me qenë edhe zbutja e nacionalizmit politik dhe ndërtim e forcim i një vetëdijeje kombëtare të përshtatshme me rrethanat dhe nevojat e kohës. Në këto rrethana, shqiptarët nuk kishin me pasë nevojë për të kërku ma tepër nacionalizëm se kaq, e as nuk kishte me pasë incentiva a përkrahje për lëvizje e parti politike me orientime dhe platforma nacionaliste.

Për fund

A e kam gabim? Sa jam i sigurt në këtë që e thashë? S’di a jam plotësisht i sigurt. Por, edhe ti që thua të kundërtën e këtyre që i thashë unë, shtroja vetes të njëjtën pyetje: sa je i sigurt në ato që i thua ti? Së paku, e imja dhe e bashkëmendimtarëve të mi, bazohet në një interpretim të situatës më tepër konkrete, duke dashtë me i pa anët e ndritshme të situatës dhe të identifikojë përparësitë e shanset që mund të shfrytëzohen për përmirësim dhe që synon të zgjojë optimizëm se ky shtet e kjo shoqëri, me gjithë mangësitë, e vështirësitë, e vonesat, mund të bëhet. Është proces emancipimi kulturor, pjekjeje shoqërore, kulturimi politik, dhe forcimi të shtetit ligjor. Në këto rrethana politike e konstelacion forcash politike nuk ka alternativë më reale.

E juaja bazohet më tepër në projeksione hipotetike që sheh vetëm anët e errëta dhe të këqija të rrugëtimit tonë si shoqëri e shtet, me qëllim për të ndjellë panik dhe për të ushqyer pesimizëm e defetizëm. Pastaj, t’u këpusësh shpresat shqiptarëve dhe t’mos u lësh gjë tjetër veçse të lypin zgjidhje në utopinë e “bashkimi kombëtar” në të cilën do të ketë vetëm lule e drita. A thua se kjo zgjidhje nacionaliste ka për të zgjidhë problemet më fundamentale të kombit dhe shoqërive tona. Por, a dhe si i adreson “zgjidhja kombëtare” problemet shoqërore dhe nevojat e kategorive të shoqërisë që nuk kanë të bëjnë me dhe nuk përkufizohen sipas përkatësisë kombëtare të individit a grupit. A mendon “zgjidhja kombëtare” për punëtorët, studentët, prindërit, fëmijët, artistët shkrimtarët, shkencëtarët, të moshuarit, të skamurit, të sëmurët, a veç për shqiptarë?! Më parë, politika serbe na mohonte shumë aspekte të qenies dhe shtresime të identitetit duke na mohuar kombësinë. Sot, nacionalistët tanë që mendojnë për “zgjidhje kombëtare” po na i mohojnë këto aspekte dhe identite duke na përkufizuar vetëm për nga kombësia.

 

24 shtator 2018
11:12

Gëzim Selaci