Vetëkritika në “shekullin e shqiptarëve” - Pjesa I

19 shtator 2018 15:48

                                                                                      Ilustrimi: Big Eye              

Koha e sotme nuk na thret më për në luftëra për çlirim politik. Na thret në luftë për një çlirim mendor.

Puna e nacionalismës është një punë mendore - Branko Merxhani

Le ta kuptojmë nacionalizmin si një parim i cili, sipas E. Gellnerit, kërkon që njësia kombëtare dhe politike të jenë të përputhshme. Domethënë që shteti të shtrihet në tërë territorin ku banojnë pjesëtarët e kombit me qëllim për të krijuar shtetin e kombit. Ky parim nënkupton një lëvizje politike mbarëkombëtare që udhëhiqet nga ai dhe që punon në drejtim të realizimit të tij. Le ta quajmë këtë formë të nacionalizmit “nacionalizëm politik”, për ta dalluar nga një formë tjetër e nacionalizmit që shprehet duke u kufizuar në identifikimin etnik, kulturor, gjuhësor e me historinë kombëtare dhe që përdoret me qëllim të afirmimit e zhvillimt të kulturës kombëtare. Këtë formë, le ta quajmë “nacionalizëm simbolik”. Pra, mundemi me qenë nacionalistë në dy forma. Një, në kuptimin politik, domethënë të aspirojmë dhe të punojnë në një program politik të kombëtarizimit të shtetit dhe drejt bashkimit të territoreve ku banojnë pjesëtarët e kombit. Dy, në kuptimin simbolik që ka të bëjë me veprimin kombëtar në rrafshin, identitar, kulturor, ekonomik dhe atë politik, duke u identifikuar me kombin, zhvilluar kulturën kombëtare, forcuar bashkëpunimin ekonomik e politik ndërmjet shoqërive shqiptare.

Nacionalizmi politik

Nacionalizëm politik, sipas kuptimit që e sqarova në fillim, sot shqiptarët nuk kanë. Nuk kemi pa’ ndonjë projekt nacionalist e as kemi dëgju gatishmëri për të artikuluar një platformë politike nacionaliste nga udhëheqës politikë shqiptarë në asnjërin shtet me shqiptarë në rajon. Është e kuptueshme dhe lehtë e shpjegueshme përse shqiptarët jashtë shtetit shqiptar kanë sentimente më të forta nacionaliste. Mirëpo, politikanët shqiptarë nuk janë përpjekur t’i kanalizojnë këto sentimente drejt një projekti serioz nacionalist. Me përjashtim të Vetëvendosjes, asnjë forcë me peshë politike, nuk e merr për referencë parimin nacionalist në orientimet e tyre politike. Në të vërtetë, elitat politike u referohen nacionalizmit vetëm kur duan ta përdorin si retorikë boshe për të ndezë sentimentet e masave e për të fshehur paaftësinë, krimet, e budallallëqet e veta. Kemi pa’ fare pak ose aspak angazhim serioz të liderëve politikë shqiptarë për të promovuar, shtrirë, zgjeruar e forcuar politika mbarëkombëtare në rajon. Vetëm sllogane e valvitje flamujsh kombëtarë, që e karakterizojnë një lloj nacionalizmi që le ta quajmë “nacionalizëm folklorik”, për ta dalluar nga “nacionalizmi politik” dhe ai “simbolik” sipas kuptimeve që i propozoj.

Atëherë, pse duhet që zjarri nacionalist të ndizet tek masat?! Dhe cilat masa? Zakonisht ndër më të pashkolluarit e tyre në mesin e shtresave të paprivilegjuara dhe të margjinalizuara, nacionalizmi i të cilëve më tepër është shprehje e pakënaqësive sociale dhe të cilët nacionalizmin shqiptar e përfytyrojnë me agrona e teuta, skenderbega e alipasha të periudhave paranacionaliste. Por, veç tyre, edhe një numër i kufizuar nga mosha më të reja për të cilët bateritë nacionaliste i mbushin prej tregimeve që i dëgjojnë mbi heroizmat e hershëm dhe të vonshëm në kauzën kombëtare. Çka dinë ata për nacionalizmin si koncept i përgjithshëm? Po për nacionalizmin shqiptar? Po për nacionalizmat e fqinjëve? Të tillët lehtë manipulohen me sllogane për “bashkim kombëtar” e “korrigjim kufijsh” kishe si politika të ndreqjes së padrejtësive që historia u ka bërë shqiptarëve. A mund t’i imagjinojnë ata pasojat e “bashkimeve kombëtare”, “korrigjimet e kufijve” a ndreqjen “gabimeve historike” të tërë nacionalizmave në rajon apo politikat për “Shqipëri etnike”, “Serbi etnike”, “Mal të Zi etnik”, “Greqi etnike”, “Bullgari etnike”, e me radhë?!

Druaj se, për fat të keq, për historinë e zhvillimit të nacionalizmit nuk dinë mjaft e drejtë as një pjesë e konsiderueshme e studiuesve dhe mësimdhënësve shqiptarë. Fare pak, e mbase edhe gabimisht e njohim historinë dhe zhvillimin e nacionalizmave ballkanikë e në veçanti atij shqiptar, pikërisht ngaqë nuk ka studime në sociologjinë historike të zhvillimit të nacionalizmave në Ballkan. Edhe studimin më serioz deri më tani (anise larg nga një studim i plotë) të historisë së nacionalizmit shqiptar në gjuhën shqipe e kemi nga një studiuese e huaj! Çka dimë ne për Rilindjen Kombëtare Shqiptare?! Çka dimë për Lidhjen e Prizrenit?! Po për veprimtarët e lëvizjes nacionaliste shqiptare, përveç atyre që i kena këndu në tela të çiftelisë a tekste shkollore?! Çka dimë për rrethanat politike në kohën e tyre? Ose për programin e tyre politik? Çka dimë për të tjerët veprimtarë të nacionalizmit shqiptar që shairat, shkurtefejzat e librat shkollorë i kanë fshi nga repertoari ose faqet e tyre?!

Është e kuptueshme se shikimi shpresëplotë nga nacionalizmi vjen pas gati dy dekadash frustrimi me projektin shtetndërtues ndërkombëtar dhe projektin europian të demokratizimit, fuqizimit të sundimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, por edhe lëkundjen nga zotimi për zgjidhje të qytetëruar  të bazuar në idenë europiane të multikulturalizmit. Afat kemi pasë jo pak, ne dhe “miqtë ndërkombëtarë”, për zgjidhje të qytetëruar. Tash, kemi hedhur shikimin nga “zgjidhjet” e Trumpit dhe të Putinit që bazohen në politika territoriale dhe etnike sipas modeleve të shekullit të kaluar kur s'ka pasë as Bashkim Europian. Si alternativë ofrohen zgjidhjet kombëtare, “bashkimi kombëtar” dhe ndarja e territorit të shtetit apo shkëmbimit të territoreve për ta kombëtarizuar shtetin dhe çliruar nga pjesa e popullatës që sfidon zgjidhjen tonë kombëtare.

Më së shumti që më habitë janë të shkolluarit, e ndër ta edhe intelektualë, domethënë njerëz që profesion e kanë leximin e shkrimin, studimin e kritikën, kur glorifikojnë nacionalizmin tonë dhe e shohin atë si alternativë. Prej këtyre kishte me qenë e pritur që së paku të kërkojnë një angazhim serioz të shoqërisë politike dhe civile në njohjen, studimin kritik të nacionalizmit dhe nacionalizmave në nivel teorik e pastaj, nëse veç duan ta bëjnë platformë për një lëvizje intelektuale, shoqërore a politike nacionaliste, të artikulojnë e ofrojnë një vizion nacionalist bashkëkohor për nevojat, kërkesa e rrethanat aktuale, në vend se të marrin në mënyrë dogmatike fragmente nga lëvizja nacionaliste shqiptare e shekujve të kaluar si modele normative për të sotmen e kombit. Projekti nacionalist i rilindasëve ishte i menduar e serioz, i dalë nga një elitë intelektuale dhe i duhur në një kohë e kontekst të krijimit të shteteve kombëtare në periudhën postperandorake në Ballkan, që fitoi përkrahjen edhe të fuqive europiane. Pranimi i tij si një model se si t’i bëjmë politikat kombëtare në kushtet e gjeopolitikës së sotme është anakronizëm. Nga ajo histori e ndritshme e kombit, duhet të mësojmë se për protagonistët e saj, me qenë nacionalist nuk ishte leje për prapambetje, anakronizëm, e provincializëm, por përgjegjësi për të qenë pionier i përparimit, i iluminizmit dhe i patriotizmit.

Plus që, sipas përkufizimit, intelelektuali është ai/ajo që demaskon ideologjitë e çfarëdoshme dhe e ndan shapin e retorikës boshe të instrumentalizimit të diskursit nacionalist për hesape të elitave politike, në njërën anë, nga sheqeri i angazhimit serioz për kombin dhe interesat e tij, në anë tjetër. Idetë nacionaliste, në rastin tonë nacionalizmi shqiptar, të tillë çfarë e njohim sot, nuk e kanë ose e kanë humbë forcën emancipuese që e kanë pasë në shekullin e XIX dhe fillimshekullin XX si edhe gjatë viteteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në Kosovë. Sot, nacionalizmi shqiptar, nga njerëz që pretendojnë kredenciale kombëtariste, është duke u përdorë ose keqpërdorë, si të doni, për qëllime ideologjike konservatore reaksionare; për të qitur në rend të dytë a harruar fare nevojat urgjente dhe kërkesat qytetare, por edhe për të përligjur krimin, keqeverisjen, prapambetjen ideore, shkencore e kulturore, po në emër të kombit. Jo radhë, diskursi nacionalist u mundëson elitave politike të shfajësohen për dështimet e tyre e ta hedhin fajin tek rreziqet e jashtme: flasin për ndikimin a rrezikun rus, serb, turk, radikalizmit islam (real e të imagjinuar) dhe çohen media, kolumnistë e veprimtarë organizatash për t’i dhënë jehonë këtij diskursi duke i ampifikuar këto tema si kryesoret për muaj e vite me radhë në shoqëri. Kjo rezulton në paralizimin ose margjinalizimin e çfarëdo diskursi që do të shohë rrezikun prej politikanëve tanë, a për raportin problematik që kena ndërtu me “miqtë ndërkombëtarë”. Në këtë mënyrë forcohet tendenca për me pa’ rrezikun vetëm prej së jashti, e kurrsesi prej “tanëve” dhe po orienton qëllimshëm publikun. Si mund të jetë indiferent një intelektual ndaj kapitalizimit politik të kësaj forme të përçudnuar të nacionalizmit?!

Sa për ilustrim, të marrim vetëm këtë propozimin e fundit të presidentit për shkëmbim të territoreve me Serbinë ose për ndarje të Kosovës, propozim të cilin dikush e quan “korrigjim i kufijve” duke e përvetësuar kështu në mënyrë jokritike retorikën çorientuese politike. Kjo retorikë mund të jetë boshe, domethënë pa përmbajtje reale a angazhim serioz drejt këtij qëllimi ose të fshehë një synim krejt tjetër që s’ka të bëjë me të, por efektet e saj janë reale, për aq sa debati politik dominohet nga zënka për “korrigjime kufijsh” e “mbrojtje të tokave tona denbabadene” në të cilin spektri politik përkufizohet prej tradhtarëve e patriotëve dhe asgjë tjetër. Përvijimi i agjendës politike në vija të çështjeve kombëtare rrezikon ta shndërrojë politikën në “ultra-politikë” ose “arke-politikë” ku politika nuk është garë ndërmjet kundërshtarëve legjitimë politikë, por luftë ndërmjet “patriotëve” dhe “tradhtarëve”, sepse kauza kombëtare e nacionalizmit nuk pranon kundërshtar legjitim. Ai që është kundër parimit nacionalist është kundër kombit: tradhtar, pra. Kështu rrezikojmë me hy në një rrugë pa krye të gjetjes së “skenderbegëve bashkëkohorë” dhe “hamzakastriotëve bashkëkohorë” në mesin tonë me këso lloj etiketimesh postpolitike që luftën simbolike politike e zhvendosin në fushëbetejë të luftës reale. Në këtë mjedis politik, as që mund të dëgjohen zërat e kërkesave reale dhe të ngutshme të qytetarit, punëtorit e të papunit, bujkut e blegorit, tregtarit e biznismenit, shitësit e blerësit, gruas e burrit, prindit e fëmijës, të sëmurit e plakut, nxënësit e studentit, gazetarit e shkrimtarit, artistit e akademikut, shqiptarit e serbit, romit e turkut… Të gjitha zërat që ngrihen për hallet e të gjitha kategorive të qytetarëve shukaten derisa të kryhet “lufta historike” ndërmjet vizatuesve të hartave dhe rojave të mexhave, deri në betejat “e mëdha” të radhës…

Mund të arsyetohet mobilizimi nacionalist i shqiptarëve në vitet e sundimit të Millosheviqit në Kosovë. Si ka mundur me qenë ndryshe! Na është sulmuar qenia kombëtare: gjuha, e drejta për të mësuar në gjuhën tonë dhe ashtu siç duam, e drejta për punë e jetë, veç pse kemi qenë shqiptarë. Natyrshëm, kemi mbrojtë atë që na është kërcënuar nga Serbia. Por, tash rrethanat politike nuk janë të njëjtat. Së paku, dhe kjo s’është pak, kemi shtetin tonë të pranuar nga shumë shtete, prej të cilave shumica shtete të forta dhe serioze. A mjafton? Jo. Por, është diçka, megjithatë. Së dyti, me gjithë karakterin kushtetues të shtetit si multietnik dhe rregullimeve institucionale që e pasqyrojnë këtë karakter, është fakt se si shqiptarë jemi forca më e madhe politike, demografike, kulturore, e ekonomike, me një fjalë dominues, në shtetin tonë. Kjo ishte dashtë me na siguru një vetëbesim dhe komoditet për të afruar edhe kombet ose grupet e tjera etnike pakicë në shoqërinë që dominohet prej nesh. S’do mend se kjo nuk bëhet me sllogane boshe nëpër tubime formale sa për me ua ba qefin ndërkombëtarëve, por me një vullnet të sinqertë për të përfshirë e për t’u dhënë hapësirë grupeve pakicë që të integrohen në shoqëri dhe të ushtrojnë të drejtat e të gëzojnë veçantitë e tyre etnike e kulturore, ashtu siç duam për vete.

“Shekulli i shqiptarëve” si triumfalizëm

Po thonë se ky është “shekulli i shqiptarëve”. Le të supozojmë se është kështu. Edhe? A duhet tash që këtë dhuratë të shekullit ta shfrytëzojmë me i avancu aspiratat tona nacionaliste dhe me e instalu një hegjemoni nacionaliste shqiptare në rajon? Po, sepse nacionalizmi jonë është i mirë, defansiv, i zbutur, pozitiv? Mirëpo, ky qëndrim buron nga një pikëvështrim etnocentrik. Një pikëvështrim i tillë i mundëson çdo kombi ta shohë nacionalizmin e tij si pozitiv. Por, nacionalizmi i njërës anë, asnjëherë nuk është pozitiv për anën tjetër. Pyeti serbët, malazezët, grekët, a është nacionalizmi i tyre i mirë apo i keq. Përgjigjen po mundemi me e marrë me mend. Nëse e përbuzim, e urrejmë a na shqetëson nacionalizmi i të tjerëve, atëherë si mund të arsyetojmë dëshirën për zbehjen e nacionalizmit të fqinjëve dhe për forcimin e nacionalizmin tonë?!

Sado që është një pohim më tepër i dalë nga një ndjenjë triumfaliste sesa i bazuar në një vlerësim të kujdesshëm të situatës, po e marrim se ky shekull është i shqiptarëve. Veçse, avash e të mos harrojmë se ende jemi në fillim të “shekullit tonë”; le të mos bëjmë hop pa kërcy e kërcejmë pa u matë. Nuk po e them këtë për me e ndalë hovin a me e mbytë entuziazmin shqiptar, por para së gjithash, për nevojën që së pari të reflektojmë se çka duhet e mund të bëjmë si shqiptarët në “shekullin tonë”, e vetëm pastaj të hidhemi në veprim. Mendimi e dija le t’i udhëheqë shqiptarët në “shekullin e tyre”.

Në shekullin e kaluar ishin serbët ata që ishin kapluar nga dalldia e një ndjenje triumfaliste. Por shih në çfarë gjendje politike, ekonomike, kulturore e diplomatike kanë përfunduar nga fundi i “shekullit të tyre”, si pasojë e turrit të politikës së tyre për të instaluar një hegjemoni serbe në rajon, të motivuar nga ndjenja e tyre triumfaliste dhe vlerësimi i gabuar i situatës. U deshën tre lufta, shumë shpirtëra të bëheshin kurban, tkurrje të territorit shtetëror, sundim të kriminelëve, kolaps ekononik dhe varfërim kulturor për ta pranuar, vetëm pas dy dekadash, se “kanë bërë gabim” në strategjinë për të realizuar qëllimet e tyre. Andaj, që të mos na gjejë i njëjti fat, le të jetë “shekulli i shqiptarëve” shekull që e përshkon drejtësia, paqja, përparimi, e integrimi.

 

19 shtator 2018
15:48

Gëzim Selaci