Brum për medioferr

24 gusht 2018 09:55

                                                                           Ilustrimi: Big Eye

Brum për medioferr. Brumë për një skëterrë mesatare si kjo që jemi duke jetuar. Nuk është skëterrë e jashtëzakonshme. Nuk është skëterrë e paparë më parë në historinë e njeriut. Jo, jo. Është skëterrë e zakonshme. Një skëterrë që përsëritet. S'ka asgjë të veçantë në të. E njohim tepër mirë. Kemi kohë që jetojmë në të.

‘Brum për medioferr’ quhet albumi i ri i grupit legjendar Blla Blla Blla... . Pyetja që më lindi sa e dëgjova emrin e albumit: çfarë është ky brumë? Përse duhet ky brumë në një ferr mesatar? Nuk mundet mos ta shikoj dot brumin këtu si metaforë të shpresës. Muzika e grupit Blla Blla Blla... këtu paraqitet si pakëz shpresë për këtë ferrin ku jetojmë. Por, pyetja që duhet të shtrohet si pasojë është: çfarë është kjo shpresë që po na dhuron Blla Blla Blla...? Si mundet muzika e një grupi të japi shpresë? Shpresë për çfarë? Dhe për më tepër, çfarë trajte ka kjo shpresë?

Shpresa që ofron grupi Blla Blla Blla... me muzikën e tyre ka trajtën e vetëdijësimit. Ne të gjithë e njohim mjaft mirë Ferrin ku po jetojmë, por askush nuk po e shqipton plotësisht sa thellë në Ferr jemi zhytur. E dimë ku jemi, por mundohemi ta harrojmë, mundohemi ta anashkalojmë. Mediat përherë dhurojnë shpresa të rreme: gjërat po ndryshojnë, pas katër vjetësh ka zgjedhje të reja dhe realiteti do përmirësohet, ky politikani i ri po ngjall shpresë tek të rinjtë dhe premtime të tjera boshe si këto. Dhe përherë vetëm Vdekje. Ballafaqohemi me Vdekjen e Ferrit përditë. Media veç ofron shpresa të zgavërta që mundohen të mbulojnë përkohësisht Vdekjen e madhe që na rrethon.

Në këngën “Komandant Skita” të albumit ‘Brum për Medioferr’ shohim pikërisht këtë shpresë nëpërmjetë vetëdijësimit. Vetëdijësimi në këtë rast është vetëdijsimi për marrëzinë politike. Pa dashur të përsëris veteveten, po i referohem këtu një analize të mëparshme që i kam bërë kësaj kënge:

“Një shembull tjetër të marrëzisë që shohim tek këngët e Blla Blla Blla… është marrëzia politike, që merr një trajtë të qartë në këngën “Komandant Skita”. Një pjesë e madhe e këngës, në rrafshin gjuhësor, është përsëritje e këtyre tre fjalëve: “Ali, Sali, Bruce Lee.” Fjalët lihen të fshehta sikur nuk po merret vesh se për kë po flitet, - ndërkohë që për një njeri që e njeh realitetin shqiptar e kupton shumë mirë se për kë po flitet. Dhe kjo është bërë me qëllim sepse më vonë kënga vazhdon “Unë e di kush je ti,” pra megjithëse emrat e plotë nuk po shfaqen, gjithkush e kupton se cilat janë referancat. Udhëheqësit fshihen mbrapa mediave, e kujton se njerëzit nuk e kuptojnë se kush janë ata me njëmend. Por e kundërta qëndron: është pikërisht udhëheqësi që nuk e di se kush janë njerëzit e thjeshtë. Prandaj dhe kënga vazhdon: “Unë e di kush je ti… ti s’e din se kush jam unë.”

Po kush janë Aliu, Saliu dhe Bruce Liu? Dhe kjo përgjigje nuk është aq e thjesht saç duket. Në kuptimin parësor, një shqiptar do të mendonte se ata janë Ali Ahmeti, Sali Berisha dhe aktori luftarak i mirënjohur botërisht Bruce Lee. Nuk ka edhe aq shumë rëndësi se kush janë Aliu dhe Saliu, në këtë këngë sepse ata bëhen simbole të udhëheqjes me dhunë. Fjala Ali këtu i drejtohet edhe mijëra Alijve që nuk quhen Ali. Fjala Sali i drejtohet edhe mijëra Salive të tjerë që nuk quhen Sali. Megjithëse, në fillim ngjan si një lidhje qesharake e tre emrave që qëndrojnë vetem sepse rimojnë (Ali, Sali, Bruce Lee), dua t’ju bind se e kundërta është e njëmendtë: Aliu, Saliu dhe Bruce Liu kanë një lidhje të ngushtë metafizike. Për ta treguar këtë, dua të shtroj më parë herë pyetjen: çfarë lidhje kanë dy ushëheqës politikë shqiptarë, njëri në Maqedoni e tjetri në Shqipëri, me një aktor që zbaviste njerëzit duke luftuar dhe vrarë të tjerët? Përgjigja është: që të tre janë mishërim i një etje të rrokakrejtshme për fuqi. Qëllimi i udhëheqjes, për rastin në fjalë, është zotërimi me dhunë. Udhëheqja, e çfarëdolloj që të jetë ajo, politike, fetare, apo kulturore, nuk është asgjë më shumë përveçse një shprehje e dëshirës për pushtet mbi të tjerët. Që të tre, Aliu, Saliu dhe Bruce Liu kënaqin vetveten dhe zbavisin ndjekësit e tyre vetëm kur mundin të tjerët dhe sundojnë me dhunë mbi ta. Siç fiton Bruce Lee sfidat duke i rrahur të tjerët me grushta dhe shqelma, ashtu i fitojnë edhe disa udhëheqës politikë apo fetarë pushtetin e tyre: duke i zhdëpur njerëzit në heshtje, në mos në vdekje.  Dhe Blla Blla Blla… në tekstin e tyre nënvizojn që njerëzit e thjeshtë e dinë se kush janë udhëheqësit; njerëzit e thjeshtë e njohin fytyrën e tyre të njëmendtë. Në një pjesë të këngës, këngëtari fillon të fjalëzojë parimin që drejton këta udhëheqës: “A e ke parë sa i fortë që jam? Shife pak sa i fortë që jam!” Aliu, Saliu dhe Bruce Liu, e si rrjedhojë edhe gjithë udhëheqësit e tjerë politikë e fetarë, nuk janë më as vetvetja: ata janë robër të etjes për pushtet. Aliu, Saliu dhe Bruce Liu nuk janë asgjë më shumë se sa dëshira për pushtet”.

Ne e dimë që jemi keq. Por nuk e dimë sa keq që jemi. Në Skëterrën tonë ballafaqohemi me dy lloj shpresash. Nga një anë kemi shpresën e rreme të premtimeve partiake, shpresën boshe të ëndërrave shpërndarë nga mediat. Ndërkohë në anën tjetër kemi, shpresën e mundimshme e të shikuarit, shpresën e vuajtshme të vetëdijsimit. Një lloj vetëdijësimi të tillë kemi edhe tek kënga 7 000 000 000, ku ripërsëriten vazhdimisht fjalët: “jemi shtatë miliard budallenj, pak a shumë gjithandej”.   

Më bëri shumë përshtypje diçka në një intervistë të Idriz Ametit, vokalistit të Blla Blla Blla, dhënë në 2016. Televizioni dhe gazetarja tha se videoklipi i këngës Komandant Skita nuk mund të paraqitej në televizor. Është vulgare. Është jo e pranueshme për të gjithë. Është e dëmshme për fëmijët. Përgjigje së cilës Idriz iu kundërvu haptazi duke i thënë se ata shfaqin lloj-lloj shëmtirash dhe politikanësh në televizor që janë shumë herë më të dëmshëm. Nuk e përmend këtë incident kot. Mendoj se thelbi i këtij albumi shfaqet në këtë kundërshti midis Idrizit dhe gazetares: Blla Blla Blla... ka gjithë këto vite që pasqyron shëmtirën të cilën ne nuk kemi guximin ta pranojmë. Edhe kur Blla Blla Blla... janë të mërzitshëm, të padurueshëm, të çuditshëm, të marrosur, ata përherë janë të tillë në mënyrë të domosdoshme.   

 

                                                                             

24 gusht 2018
09:55

Erlind Sulko