“La loi du marché”: Një film mbi degradimin i njeriut nën hyqmin e neoliberalizmit (II)

31 korrik 2018 11:14

Në këtë film, siç e ceka më parë, me regji të Stéphane Brizé, bëhet fjalë për Thierry Taugourdeau, rolin e të cilit mrekullisht e luan Vincent Lindon, një nga aktorët jo vetëm më të mirë francezë, por do të thoja dhe mbarëbotërorë. [i] Në një plan më të gjerë, filmi sigurisht bën fjalë për tmerret e hyqmit neoliberal, i cili përveçqë punëtorët i ka lënë të papunë, i ka bërë njëherazi të papunësueshëm. Më keq akoma, i ka zhveshur nga dinjiteti njerëzor. [ii]

Sidoqoftë, meqë qëllimi im nuk është të ofroj ndonjë analizë të mirëfilltë – pjesërisht për shkak të mungesës së kompetencës (sepse, sipas protokolleve që mundësojnë riprodhimin e formave hierarkike të dominimit, duhet të jesh kompetent për të folur për diçka, apo jo?), dhe pjesërisht për shkak të mungesës së kohës – këtu do të përqëndrohem vetem në historinë e Thierry-t, e cila, siç e përmenda dhe më sipër, është në qendër të filmit.  

Me pak fjalë, kjo është historia: Thierry, sikundër qindra punëtorë të tjerë, largohet nga puna, meqenëse fabrika ku punonte si operator makinash ishte vendosur të mbyllej [iii]. Lumturisht, ndryshe prej shumë të tjerëve, Thierry kishte ca kursime në bankë, zotëronte një shtëpizë mobile, gëzonte një përkrahje financiare solide nga shteti dhe ishte afër shlyerjes së borxhit që i detyrohej bankës për blerjen e apartamentit ku banonte bashkë me gruan e tij, Katherine-n (Karine de Mirbeck), si dhe djalin e tyre me aftësi të “kufizuara,” Mathieu (Matthieu Schaller) – i cili, në mes tjerash, shquhet për një sens të mrekullueshëm të humorit.

Mirëpo, duke qenë se shkon kohë e gjatë pa gjetur punë, dhe duke qenë se të ardhurat që merrte nga shteti kishin zbritur në vetëm 500 euro në muaj, plus shpenzimet e të birit, situata financiare e tyre kish filluar të bëhej gjithnjë e më e vështirë. Për ta evituar një situatë të tillë, Thierry, ç’është e vërteta, bën gjithçka. Për shembull, kryen badihava një kurs disamujor (me insistimin e zyrtarëve të punësimit) për operimin e kraneve në fushën e ndërtimit. Ndjek “sesione komike” (Deleuze) “se si ta gjejë veten në tregun e punës” (siç mund të shihet dhe nga klipi më poshtë). Dhe pranon të bëjë lloj-lloj pune, veç të punësohet diku (siç është rasti kur një punëdhënës idiot e pyet nëse është i gatshëm të pranojë një pozitë më të ulët se ajo që mbante në fabrikën e tij të dikurshme).

Meqë të gjitha këto përpjekje rezultojnë të kota, sidoqoftë, Thierry dhe gruaja e tij vendosin ta qesin shtëpizën e tyre mobile në shitje. (Paraprakisht, ata madje kishin menduar të shisnin apartamentin e tyre. Mirëpo, duke qenë se kishin edhe pesë vjet për të shlyer borxhin ndaj bankës, si dhe duke qenë se gjithë jetën e tyre kishin punuar për të, kishin vendosur të mos e shisnin në fund). Për fat të mirë, ata gjejnë një blerës më serioz. Megjithatë, duke e parë që ai donte të eksploatonte gjendjen e mjerueshme socio-ekonomike në të cilën ndodheshin, Thierry dhe Katherine vendosin të mos ia shesin.

Rrjedhin si rrjedhin gjërat. Në fund, Thierry arrin të gjejë një vend pune si detektiv në një supermarket të madh – ku, krahas klientëve, ai duhet të mbikëqyrë edhe punonjësit e tjerë në mos vjedhin ndonjë gjë, duke u shndërruar kështu nga një viktimë në një agjent besnik i sistemit (pavarësisht dilemave morale të brendshme qër përjeton). Për mendimin tim, këtu filmi merr një kthesë tjetër problematike, mbas asaj kur ai refuzon të luftojë për ta mbajtur fabrikën hapur. Pse? Sepse në vend që Thierry të rezistojë përballë padrejtësive të sistemit, së bashku me punëtorë të tjerë të larguar nga puna, ai thjesht i çon duart lart dhe dorëzohet. Si duket, këtë aspekt problematik të filmit e ka kuptuar dhe vetë Brize. Meqë tek filmi i tij i fundit, “En Guerre”, Laurent Amédéo (rolin e të cilit e luan sërish Vincent London, veçse këtu aktrimi i tij të lë pa frymë me gjithë mend), bashkë me 1100 punëtorët e tjerë të fabrikës Perrin Industrie nuk i shohim thjesht si viktima të racionalitetit neoliberal (i cili përveçqë u zbret pagat, njëkohësisht synon t’i lë në rrugë), por gjithashtu si një trup subjektiv që reziston përballë padrejtësive atyre. Madje, në një rast, punëtorët e fabrikës arrijnë të pushtojnë edhe zyret qendrore të firmës, duke u konfrontuar në mënyrë të dhunshme me forcat policore. 


Sigurisht, argumenti do të mund të bëhej që, në instancë të fundit, ky ka qenë dhe synimi i regjisorit tek filmi “La loi du marché” – për të ekspozuar degradimin dhe dehumanizimin e njeriut nën hyqmin e sistemit neoliberal. Megjithatë, për mua personalisht mbetet problematik, meqë nuk merr parasysh momentet dhe sekuencat e rezistencës kundër një sistemi të tillë. Gjithsesi, i mbetet lexuesit të nxjerrë konkluzionet e tij apo saj mbi këtë çështje.

(vijon)

___________________

[i] Përveç tek “La loi du marché,” Vincent Lindon luan edhe tek tre filma të tjerë të Brizé-së: “Quelques Heures de Printemps” (2012), “Mademoiselle Chambon” (2009) dhe “En Guerre” (2018).

[ii] Kur them se modeli neoliberal ka lënë punëtorin të papunë dhe të papunësueshëm, nuk kam parasysh assesi mungesën e shfrytëzimit ekonomik. Përkundrazi, shfrytëzimi ekonomik sot është më i pranishëm se kurrë më parë. Thjesht, kam parasysh aktivitetin e munguar produktiv nëpërmjet të cilit anëtarët e një komuniteti tejkalojnë dimensionet kapitalistike të rregullimit të jetës njerëzore (në sensin Hegelian të fjalës). Ironikisht, njerëzit në shoqëritë kapitaliste sot kalojnë gjithë kohën duke punuar, duke mbajtur tre-katër punëra, por pasur një vend pune me të cilën do të mund të identifikoheshin. Mos të flasim pastaj që njeriu i sotëm ndërron me dhjetëra profesione, me dhjetëra punëra, me dhjetëra orare (me orar të plotë, me orar të pjesshëm, sezonal, etj.).

[iii] Në vitin 1989, Michael Moore ka realizuar një film dokumentar pikërisht mbi këtë problematikë, që quhet “Roger & Me,” të cilin do t’ua rekomandoja të gjithë atyre që nuk e kanë parë. Më vonë, siç dihet nga kushdo, Moore ka realizuar edhe një sërë filmash të tjerë lidhur me grykësinë e oligarkëve – si “The Big One” (1997), “The Awful Truth” (1999-2000), “Sicko,” (2007), “Capitalism: A Love Story” (2009), etj. Sidoqoftë, ndryshe nga Brizé, i cili është më afër fiksionit, Moore është tek zhanri dokumentar.   

31 korrik 2018
11:14

Armend Mazreku