A po përfundojmë në konflikt të ngrirë?

24 korrik 2018 10:44

Të pritet se Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje brenda muajve të ardhshëm është sa surreale aq edhe naive. Këtë narracion e gjen diku nëpër koluare diplomatike në BE apo rreth saj, të cilat krahas që besojnë në mrekulli – për vet faktin që dy presidentët takohen rregullisht – janë të etur që të arrihet marrëveshja e cila do të sillte një paqe së paku afatshkurtër dhe, mbi të gjitha, do t’i lejonte Serbisë anëtarësim në BE.

E vërteta është që palët kanë aq qëndrime të kundërta sa që nuk ka projeksion që do ta nxjerrte një kompromis. Kjo për faktin se kompromisi në dëm të rregullimit të brendshëm në Kosovë implikon ose jofunksionalitet të brendshëm ose ndarje, e që në Kosovë nuk ka asnjë akter e asnjë forcë që do të guxonte të nënshkruante diçka të tillë. Në anën tjetër, pavarësisht se Vuqiçi është njeri me fuqi politike të madhe në Serbi, nuk ka asnjë indicje se do të lëvizet drejt njohjes por edhe qoftë drejt një kompromisi minimalist që do t’i mundësonte Kosovës anëtarësim në OKB.

Madje në Serbi ka një rritje të guximit tek elitat që gjërat mund të lëvizin në favor të tyre. Kjo rritje e guximit më ngjan njëjtë në besueshmërinë që kanë ndaj miteve sepse vazhdojnë të ushqejnë vetën me gjëra abstrakte. Në Serbi është rritur besimi se lëvizjet ndërkombëtare siç janë ardhja e Trump, BREXIT, dobësimi i Perëndimit, rritja e rolit të Rusisë dhe Kinës me automatizëm do të kthente Serbinë në Kosovë. Për më shumë, opinioni në Serbi përfshirë edhe elitat injorojnë procesin shtet-ndërtues në Kosovë i cili shikuar nga aspekti i gjerë ka ndodhur që 20 vite. Konstatimin e tyre për ndryshimin e konstalacionit ndërkombëtar në favor të tyre e bazojnë edhe në dominimin e tyre nacional e racor në raport me shqiptarët, e që vazhdon të mbizotërojë. Me fjalë të tjera, në Serbi akoma e kanë të vështirë të përbijnë faktin se shqiptarët mund të jenë  organizëm i strukturuar dhe këtë realitet mundohen në çdo formë të minimizojnë dhe injorojnë.

Çfarë nuk guxon të pranohet?

Nëse kthehemi të pozicioni i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, çfarëdo marrëveshje që arrihet në mes palëve është e mirëseardhur. Për një pjesë të diplomacisë evropiane që e sheh Serbinë prej prizmit tipik të stabilitetit dhe peshës ekonomike, marrëveshje e mjaftueshme e palëve do të ishte marrëveshje për gjëra të “prekshme”. Do të thotë, mjafton të merremi vesh për çështje të lëvizjes, ekonomisë, diplomave, të pagjeturve, transportit etj, por mos të merremi vesh për tema të mëdha – apo siç përdoret rëndom termi “elefanti në dhomë” – siç janë njohja e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në OKB. Ky lloj i marrëveshjes i bazuar në formulën tashmë të konsumuar të ambiguitetit konstruktiv, sado më lehtë i arritshëm, është i papranueshëm, sepse do të çonte Serbinë me automatizëm në BE kurse përfitimet e Kosovës do të mateshin me promila.

Opsioni i ndarjes, sado që tashmë është rivendosur në sipërfaqe dhe po promovohet nga qarqe në Beograd, është poashtu i papranueshëm. Madje, tejet i papranueshëm. Krahas efektit direkt në Maqedoni dhe Bosnje, ky opsion do ta mbyste konceptin e Kosovës si shtet; do t’i rrënonte investimet me dekada dhe do të na kthente në pikën zero. Mund të tingëllojë cinike mirëpo kjo marrëveshje, edhe sikur të kishte një pëlqim nominal për të negociuar, nuk do të arrihej kurrë për vet faktin se pozicioni realist i Kosovës në këtë shkëmbim do të ishte i pafavorshëm për Serbinë. Hipotetikisht, shkëmbimi i territoreve do të duhej të bëhej në suaza të popullatës ku psh. Kosova do të shtrihej përtej korridorit të 10-të, do të shpallej shtet mono-etnik shqiptar dhe madje edhe Kisha Ortodokse Serbe do të futej nën Kishën Autoqefale Shqiptare. A do të pranohej diçka e ngjajshme nga Serbia? Sigurisht që jo.

Opsioni më real është formalizimi i asaj që është arritur në Bruksel dhe kornizimi i saj në atë që quhet marrëveshje ligjërisht të obligueshme, me garanca të anëtarësimit të Kosovës në OKB. Deri te arritja e kësaj marrëveshje ka rreziqe të mëdha sepse kjo është një zonë e minuar që gabimet e vogla teknike do të na kushtonin. Psh, e gjithë ideja e Asociacionit sado që paraqitet si një platformë në funksion të serbëve, në brendi ka agjendë që të funksionojë në dëm të shumicës. Madje edhe narracioni politik serb është në këtë drejtim. Nuk është lehtë te konkludohet se pakica serbe nuk ka perspektivë ekonomike në Kosovë (mos të harrojmë se kësisoji mendon një pjesë e madhe edhe e popullatës shumicë shqiptare) dhe e gjithë trajektorja politike e Serbisë do të fokusohej në defunksionalizimin e shtetit të Kosovës. Po e marrim një shembull: nëse do të jetësohej caku ku autoriteti final për planifikim urban e rural t’i kalojë asociacionit dhe jo Ministrisë së Ambientit, atëherë kjo do të kishte pasoja katastrofale për zhvillim. Këtu jo vetëm se do të pengohej zhvillimi normal urban e rural (shembull Prishtina logjikisht po zhvillohet në drejtim të Graçanicës) por edhe kjo ingerencë do të keqpërdorej me shumë lehtësi edhe në aspektin simbolik, ku ky autoritet do të ndërtonte mure simbolike për të krijuar distancën fizike me komunat me shumicë shqiptare. Për këtë sigurisht se serbët kanë krijuar precedente në tre dekadat e fundit. Sigurisht se vija të kuqe janë edhe çështja e aseteve strategjike siç janë: Ujmani, Brezovica e Trepça, e që assesi nuk bënë të lëshohet pe.

Çka nëse nuk arrihet marrëveshja?

Përderisa Kosova nuk ka asnjë hapësirë për të pranuar marrëveshje të dëmshme, askush nuk duhet t’i gëzohet mos-arritjes së një marrëveshje. Kjo është e pafavorshme për Kosovën por edhe për Serbinë. Madje konteksti aktual i cili josh Serbinë për të hyrë në BE është rasti mbase i vetëm ku ne do të llogaritnim në rrumbullaksimin e shtetësisë së Kosovës. Rastet e tjera nuk do të ekzistonin sepse ndjenja e rikthimit në Kosovë dhe e mitit do të mbizotëronte në Serbi dhe vetëm do të pritnim momentin kur ajo do të manifestohej në formë më agresive. Psh, Kisha Ortodokse Serbe e cila vazhdon të ketë rol të madh në shoqërinë serbe, dhe atë rol destruktiv, mendon që ata duhet t’i përshtaten ambientit në Kosovë dhe të marrin edhe dokumente të Kosovës ashtu siç bënë gjatë Perandorisë Osmane duke bërë korrelacione historike dhe duke pretenduar që rrethanat do të kthehen në favor të tyre, kurdo që ato ndodhin, tani, pas disa dekadash apo disa shekujsh!

Kjo nuk do të thotë se përdorimi i forcës nga Serbia do të ishte mjeti i vetëm, aq më parë që projeksioni i tyre i forcës është shumë më i vogël se sa ai i trashëguar nga armata jugosllave në vitet e 90-ta. Problemi do të konsistojë në pengesat që do t’i bëheshin Kosovës dhe qytetarëve të saj në rrafshin politik, ekonomik e diplomatik. Kosova nuk ka fuqi që t’i rezistojë këtyre obstruksioneve nëse vazhdohet me dekada. 

Megjithatë, Kosova në skenarin e keq të konfliktit të ngrirë, do të duhej të vepronte brenda fushëveprimit të kufizuar sepse nuk do të kishte opsione tjera. Ajo do të duhej të bazohej në marrëdhënie bilaterale me shtete të fuqishme dhe marrëdhënie speciale me disa shtete te rajonit, deri në momentin kur eventualisht do të paraqiteshin momente tjera për të arritur marrëveshje. Në raport me BE-në, ajo do ta nxjerrte maksimumin, siç është liberalizimi i vizave, zbatimi i MSA-së dhe thithja e disa fondeve (pa perspektivë integruese) kurse NATO do të vazhdonte prezencën përderisa Rezoluta 1244 është në fuqi. Paralelisht, Kosova do të mund të punonte përtej disa kufizimeve ekzistuese për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. P.sh, përveç përpjekjeve për anëtarësim në INTERPOL dhe UNESCO, Kosova do të duhej të synonte të bëhej pjesë e disa konventave e mbi të gjitha ta shikojë mundësinë e marrjes së statusit të vëzhguesit në OKB. Ky status do të mund të arrihej me një shumicë të thjeshtë të anëtarëve të OKB-së, pa të drejtë vetoje nga pesëshja e Këshillit të Sigurimit. Kjo do të poziciononte Kosovën në një pozicion më të favorshëm. Tani, është më se e qartë që shumë qarqe politike e intelektuale në Kosovë kanë antagonizëm dhe drojë që të krahasohemi me Palestinën (tani për tani, Palestina dhe Vatikani e kanë statusin e vëzhguesit në OKB). Këtë kompleks elitar të krahasimit me Palestinën ende nuk e kam të qartë mirëpo atë çfarë e kam të qartë është që në skenarin e betonimit të një konflikti të ngrirë, në duhet të marrim disa përvoja pse jo edhe nga Palestina: të synojmë me çdo kusht anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e mos të lejojmë assesi që në rregullimin e brendshëm të jemi sikur Palestina. Opsion tjetër përderisa nuk ndodh mrekullia e arritjes së një marrëveshjeje unë nuk shoh.
 

_____________
 

Image

  Ky tekst është realizuar me përkrahjen e Open Society Foundations, përmes Fondacionit  Kosovar për Shoqëri Civile. Shkrimi është pjesë e një serie tekstesh autoriale të realizuara   nga bursistët nga Kosova, të cilët janë përfitues të programeve për studime nga OSF.

24 korrik 2018
10:44

Florian Qehaja