Si bashkohen kombet

Kombet përbëhen nga një formacion i gjerë popujsh, gjuhësh e historish, por më të fortat prej tyre kanë të përbashkëta tre gjëra të thjeshta.

12 korrik 2018 09:38

Pse disa vende shthuren, shpesh sipas vijave etnike, kurse të tjerat kanë mbetur të bashkuara gjatë dekadave e shekujve, përkundër se qeverisin poashtu popullata të ndryshme? Me fjalë të tjera, pse ndodh që kombndërtimi pati sukses në disa vende e dështoi në të tjerat? Tragjedia e tashme e Sirisë ilustron pasoja e mundësi vrastare të kombndërtimit të dështuar. Jashtë vëmendjes së mediave, Sudani i Jugut dhe Republika Qendrore Afrikane kaluan përvoja të ngjashme në vitet e fundit. Në disa vende të pasura e demokratike të Europës Perëndimore, si Spanja, Belgjika dhe Mbretëria e Bashkuar, lëvizjet e kahershme secesioniste kanë marrë sërish vrull. Përgjatë jetës sonë, mund t’ia dalin që të shkëputën nga ato shtete. Në anën tjetër, nuk ka lëvizje secesioniste mes folësve kantonezë të Kinës Jugore ose mes tamilëve të Indisë. Pse nuk ka ndonjë politikan serioz që ka vënë në pikëpyetje unitetin kombëtar në vende aq të ndryshme si Zvicra apo Burkina Faso?

Para se t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve, është me rëndësi që të përkufizojmë më saktë kombndërtimin. Ai shkon përtej thjesht ekzistencës së një vendi të pavarur me flamur, himn dhe ushtri. Disa vende të vjetra (si Belgjika) nuk janë bashkuar si një komb, ndërkohë që vende të tjera, të themeluara në një kohë më të vonë (si India) e kanë bërë këtë. Janë dy anë të medaljes së kombndërtimit: zgjerimi i aleancave politike përgjatë terrenit të një vendi dhe identifikimi me institucionet dhe besnikëria ndaj institucioneve të shtetit, pavarësisht se kush qeveris në atë kohë të caktuar. I pari është aspekti i integrimit politik, i dyti është aspekti i identitetit politik të kombndërtimit. Që të ushqejnë të dyjat, lidhjet politike ndërmjet qytetarëve dhe shtetit duhet të shkojnë matanë ndarjeve etnike.

Lidhje të tilla të aleancës i bashkojnë qeveritë kombëtare me qytetarët, nganjëherë përmes organizatave politike ndërmjetëse sikurse shoqatat vullnetare, partitë, grupet profesionale, etj. Në rastin më të mirë, këto ndërlidhin të gjithë qytetarët në rrjete aleancash të përqendruar te shteti. Në vende të tilla, të gjithë qytetarët e shohin veten të përfaqësuar në qendrën e pushtetit, edhe nëse partia e tyre e parapëlqyer ose patoni i tyre politik aktualisht nuk zë njërën prej ulëseve në qeveri. Intelektualët, elitat politike, si dhe individët e rëndomtë me kohë do të shohin të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh prapavijën e tyre etnike a raciale, si anëtarë të barabartë të komunitetit kombëtar.

Kombndërtimi i frytshëm sjell pasoja të rëndësishme dhe pozitive. Aleancat që përshkojnë të gjithë territorin e një vendi depolitizojnë ndarjet etnike. Politika nuk perceptohet si një lojë pa fitues ku grupet etnike përpiqen të marrin kontrollin e shtetit. Në vend të kësaj, çështje më të rëndësishme të politikave që kanë të bëjnë me atë se çfarë në fakt duhet të bëjë shteti, vihen në plan të parë të debatit. Koalicionet politike përfshirëse nxisin gjithashtu një ndjesi të pronësisë së shtetit dhe promovojnë idealin e një qëllimi kolektiv përtej familjes, fshatit, klanit a profesionit të dikujt. Konform kësaj, qytetarët që e identifikojnë veten me kombin e tyre janë më pak rezistentë për të paguar taksat, priren më shumë që të përkrahin politika të mirëqenies dhe qeverisen prej shtetesh më të efektshme. E dimë gjithashtu se koalicionet përfshirëse që përbëhen si nga pakicat dhe shumicat etnike e zvogëlojnë në masë të madhe rrezikun e luftës civile dhe promovojnë rritjen ekonomike.

Në Shtetet e Bashkuara, shumica e politikbërësve të politikave të jashtme barazojnë kombndërtimin me demokratizimin. Ata besojnë se demokracia është mjeti më i mirë për të arritur kohezion politik në Jugun global. Argumenti shkon kështu: zgjedhjet demokratike tërheqin zgjedhës të ndryshëm etnikë drejt qendrës politike dhe inkurajojnë politikanët që të ndërtojnë koalicione të gjera përtej shtesës së votuesve me prapavijë etnike si të vetën. Është e vërtetë që shumica e shteteve që dështuan në kombndërtim dhe që qeverisen prej elitave të një pakice të vogël, sikurse Alawi e presidentit sirian Bashar al-Assad, janë autokratike. Anasjelltas, vendet demokratike janë mesatarisht më të prira që të përfshijnë përfaqësues të pakicave në koalicionet e tyre qeverisëse.

Sido që të jetë, koalicionet qeverisëse nuk bëhen domosdoshmërisht më përfshirëse me kohë pasi që vendi ka bërë tranzicionin për në demokraci. Në shumë vende që janë demokratizuar rishtas, shumicat etnike marrin pushtetin vetëm sa për t’iu hakmarrë elitave dhe komuniteteve etnike deri atëherë dominuese. Iraku pas rënies së Saddam Husseinit e tregoi qartë këtë: shumë prej përkrahjes vendore për Al-Qaeda-n e më vonë për ISIS-it erdhi prej ish elitave Baath-e dhe prej fiseve të pakënaqura Sunni që e vuajtën humbjen e pushtetit. SHBA-të mbajtën skllavërinë gjatë 70 viteve të para të jetës demokratike, ndërsa edhe për një shekull pas emancipimit i mohuan afroamerikanëve çfarëdo forme kuptimplote të përfaqësimit politik. Lidhja mes demokracisë dhe përfshirjes [inclusion] ngjan sepse vendet të cilat tashmë qeverisen prej një koalicioni më gjithëpërfshirës do të demokratizohen më herët dhe më lehtë se regjimet përjashtuese që luftojnë demokracinë me mish e shpirt. Me fjalë të tjera: demokracia nuk ndërton kombe, por kombet që janë tashmë të ndërtuara kanë më shumë gjasë të bëjnë tranzicionin për në demokraci.

Në vend se të flas për zgjedhjet e lira e të drejta, dua të nënvizoj tre faktorë të tjerë që zhvillohen më ngadalë – përgjatë brezash – por që janë më të frytshmit në ndërtimin e lidhjeve politike përgjatë vijave etnike. Faktori i parë ka të bëjë me atë se si organizohen lidhje të tilla. Është më së lehti që ndërtosh aleanca politike përgjatë ndarjeve etnike nëse ato mund të çojnë përpara organizatat vullnetare që tashmë ekzistojnë, sikurse qarqet e lexuesve, sindikatat, klubet politike e kështu me radhë. Organizatat vullnetare shpesh hyjnë në aleanca horizontale me njëra-tjetrën – sikurse koalicioni i shoqatave lokale të infermiereve në Kaliforni. Për dallim, në sistemet hierarkike të patronazhit lidhjet shumëfishohen vertikallisht mes patronëve dhe klientëve të cilët nga ana tjetër bëhen patronë të klientëve të tjerë, që janë edhe më poshtë piramidës së pushtetit dhe ndikimit. Rrjetet e aleancave të ndërtuara mbi organizatat vullnetare mund të shumëfishohen pra përgjatë territorit dhe të tejkalojnë ndarjet etnike më lehtë se sistemet e patronazhit. Për shembull, një organizatë mbarëkombëtare e të gjitha shoqatave të infermierisë është lehtë për t’u themeluar. Kjo organizatë gjithëpërfshirëse mund të kërkojë pastaj aleancë me ministrinë e shëndetësisë apo me një parti politike kombëtare.

Se në çfarë mase janë zhvilluar organizatat e tilla vullnetare ka rëndësi posaçërisht në vitet e hershme të ekzistencës moderne të një vendi, domethënë, pas përmbysjes së monarkisë absolute (gati në të gjithë Europën) ose të një ish kolonie që bëhet e pavarur (shumica tjetër e botës). Nëse një rrjet i dendur i organizatave të tilla tashmë ekziston, mbajtësit e rinj të pushtetit do të mbështeten në këto rrjete për të mobilizuar përkrahësit dhe për të rekrutuar udhëheqës politikë. Në këto rrethana, përjashtimi politik i pakicave e bile edhe i shumicave kombëtare bëhet më pak i mundshëm: organizatat vullnetare tashmë kanë zhvilluar degë në pjesë të ndryshme të vendit të banuar prej komuniteteve të ndryshme etnike. Kur udhëheqësit e rinj mbështeten tek këto organizata për të fituar përkrahje, kjo udhëheqësi ka më shumë gjasë që të rekrutohet prej këtyre komuniteteve etnike poashtu.

Krahasimi mes Zvicrës dhe Belgjikës, dy vende me madhësi të ngjashme, me kompozicion të ngjashëm gjuhësor të popullatës dhe me nivele të krahasueshme të zhvillimit ekonomik, ofron një shembull të mirë. Në Zvicër, organizatat e shoqërisë civile – sikurse klubet e qitjes, qarqet e leximit dhe koret – u zhvilluan në tërë vendin përgjatë fundit të shekullit 18 dhe pjesës së parë të shekullit 19. Ato u përhapën barabar në gjithë vendin ngase industritë moderne u shfaqen nëpër të gjitha rajonet e mëdha dhe ngase qytetshteteve të Zvicrës u mungonte si kapaciteti edhe edhe motivimi për t’i shtypur ato. Përkundrazi në Belgjikë, Napoleoni, si dhe mbreti holandez që i zuri vendin, njohën potencialin revolucionar të shoqatave të tilla vullnetare dhe kështu i shtypën ato. Edhe më rëndësishëm, shoqatat që ekzistonin në Belgjikë qenë të kufizuara prej rajoneve dhe segmenteve më të zhvilluara ekonomikisht dhe më të arsimuara të popullatës frankofone.

Më 1831, kur Belgjika u pavarësua nga mbretëria e Hollandës, shumica e sunduesve të rinj të vendit kishin qenë për një kohë të gjatë anëtarë të këtyre rrjeteve të shoqatave frankofone. Pa e menduar gjatë, ata e shpallën frëngjishten gjuhë zyrtare të administratës, ushtrisë dhe gjyqësorit. Përkundër që përbënin shumicë të vogël demografike, ata që flisnin vetëm gjuhën flamande nuk qenë pjesë e këtyre rrjetëve dhe prandaj u përjashtuan nga qeveria qendrore. Deri në fundin e shekullit 19, flamandët u sunduan si koloni e brendshme e Belgjikës Frankofone. Kombndërtimi i hershëm dështoi, ndarja gjuhësore u politizua jashtë mase përgjatë shekullit 20, dhe vendi tani është afër shpërbërjes.

Në Zvicër, tranzicioni për në shtet-komb ngjau pas një lufte të shkurtër civile më 1848. Elitat liberale që fituan luftën dhe dominuan vendin për breza me radhë u mbështetën në rrjete ndër-rajonale, shumëetnike të organizatave të shoqërisë civile për të rekrutuar përkrahës e udhëheqës. Struktura e re e pushtetit pra përfshinte si shumicat ashtu edhe pakicat. Që në fillim, secili grup gjuhësor u përfaqësua në nivelet më të larta të qeverisë si dhe në administratën federale, afërsisht sipas madhësisë së popullatës. Përsëri pa e menduar gjatë, frëngjishtja, gjermanishtja e italishtja u bënë gjuhë zyrtare të shtetit. Gjatë shumicës së historisë pasuese politike të Zvicrës, e deri në ditët e sotme, larmia e gjuhëve mbeti një çështje jopolitike.

Faktori i dytë ka të bëjë me resurset që qytetarët i shkëmbejnë me shtetin. Qytetarët janë më të prirë të përkrahin politikisht një qeveri që ofron të mira publike në shkëmbim të taksimit. Nëse taksat shkëmbehen me të mirat publike, natyra e marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve ndryshon. Nuk bazohet më në ekstraktim nën kërcënimin e forcës – siç ishte zakonisht rasti me regjimet më të dhunshme që e paraprinë shtetkombin, sikur mbretëria absolutiste, sunduesi perandorak apo administrata koloniale. Sa më shumë që të jetë e zonja një qeveri që të ofrojë të mira publike nëpër të gjitha rajonet e vendit, aq më tërheqëse do të jetë si një partner shkëmbyes, e më shumë qytetarë do të duan të vënë aleancë me të. Koalicioni qeverisës do të pasqyrojë struktura të tilla aleancash gjithëpërfshirëse dhe kështu edhe larminë etnike të popullatës.

Një krahasim mes Somalisë dhe Botsuanës na dëshmon një ilustrim. Të dyja janë vende të thata me themele të ngjashme ekonomike, të bazuara mbi eksportin e bagëtisë dhe me histori të krahasueshme koloniale. Kur u pavarësua Botsuana më 1966, qeveria e saj krijoi dhe menaxhoi efektshëm mundësitë e eksportit për rritësit e bagëtive, zgjeroi masivisht infrastrukturën e transportit, shkollave e spitaleve dhe krijoi programe emergjente për periudhat e thatësirës që shkatërronin vazhdimisht ekonominë e bagëtisë. Prej këtyre të mirave publike përfituan barabar të gjitha rajonet. Ka shumë pak prova se burokratët favorizuan grupin e tyre etnik kur i ndanë këto resurse fshatrave apo krahinave. Në përputhje me këtë, partia në pushtet fitoi përkrahje në të gjitha rajonet dhe zgjedhësit etnikë, që pastaj u përkthye në një parlament e kabinet në të cilët shumicat e pakicat etnike u përfaqësuan afërsisht sipas madhësisë së popullatës. Ky konfigurim përfshirës i pushtetit me kohë prodhoi një identifikim të fortë me shtetin dhe me shumicën Tsuana. Shumë e më shumë qytetarë të pakicave u asimiluan dhe identifikuan me shumicën Tsuana.

Në Somali, kushtet për kombndërtim përmes shpërndarjes së të mirave publike qenë shumë më pak të favorshme. Pas bashkimit të ish kolonive britanike e italiane në Somalinë e pavarur, shteti pati shumë pak kapacitet për t’i ofruar popullatës të mira publike. Ndihma e huaj – në vend se taksat dhe doganat – ushqyen burokracinë që zgjerohej shumë shpejt. Kur vinte puna te shpërndarja e projekteve qeveritare, burokratët favorizuan ata të cilëve ua mbante xhepi ryshfetin më të madh ose thjesht anëtarët e fisit të tyre. Puçi ushtarak i Mohamed Siad Barre-s më 1969 e ndryshoi këtë gjendje vetëm përkohësisht. Duke ditur mungesën e kapacitetit institucional, regjimi i Barre-s provoi të ofronte të mira publike përmes fushatave jetëshkurtra e të stilit ushtarak, sikur se të mësuarit e popullatës nomade shkrim-lexim apo dërgimit të ndihmave viktimave të thatësirës. Nuk ka aleanca të qendrueshme politike, të përqendruara në qeverinë qendrore që do të mund të ndërtoheshin kësisoj. Në vend të kësaj, Barre e mbështeti sundimin e tij gjithnjë e më shumë në përkrahësit besnikë prej koalicionit të tij fisnor si dhe atë të së ëmës së tij. Ata që u përjashtuan prej qarqeve të brendshme të pushtetit shumë shpejt morën armët. Me ndeshjen e aleancave te ndryshueshme të klaneve e kryekomandatëve kundër njëri-tjetrit, dekada të luftës civile e rrëzuan vendin përtokë.

Aspekti i tretë i marrëdhënieve të aleancës mes qytetarëve dhe shtetit ka të bëjë me atë sesi komunikojnë ata me njëri-tjetrin. Vendosja e lidhjeve përgjatë rajoneve dhe ndarjeve etnike është më e lehtë nëse individët mund të flasin një gjuhë të përbashkët. Kjo i zvogëlon ‘kostot e transaksionit’, që të do të thotë përpjekjen për të kuptuar qëllimet e njëri-tjetrit, për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të negociuar kompromiset, ku që të gjitha janë kyçe për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme të besimit. Kështu që, ndarjet gjuhësore e ngadalësojnë shpërndarjen e rrjeteve politike përgjatë territorit të një vendi.

Dy shekujt e fundit të historisë në Kinë dhe Rusi ilustrojnë atë sesi mjetet e përbashkëta të komunikimit ndihmojnë kombndërtimin. Në fillim të shekullit 19, si Kina edhe Rusia kishin pasur breza nën sundimin absolutist nga dinastitë perandorake, përbënin popullsi të mëdha e të larmishme dhe kurrë nuk kishin qenë subjekt i sundimit të huaj. Popullsia e Kinës flet shumë gjuhë të ndryshme, që do të duhej ta bënte kombndërtimin më të vështirë. Megjithatë, shkronjat, letrat, gazetat dhe librat shkruhen në një alfabet uniform. Ky alfabet nuk është i afërt me asnjërin prej gjuhëve të ndryshme të folura dhe kështu mundëson individët prej këndeve të ndryshme të vendit të stërmadh që të kuptojnë pa problem njëri-tjetrin. Homogjeniteti alfabetik gjithashtu i mundësonte shtetit, përgjatë periudhës perandorake, që të rekrutonte burokratë nga të gjitha skajet e vendit, përmes një sistemi të provimit me shkrim. Si pasojë, elita burokratike e Kinës ishte po aq poliglote sa edhe popullata në përgjithësi.

E njëjta vlen edhe për faksionet politike që u formuan mes kësaj elite burokratike, ku burrat që nuk ishin në gjendje të kuptoheshin në të folur mund të korrespondonin me shkrim për të shkëmbyer idetë dhe për të formuar aleanca. E njëjta vlen për shoqatat antiperandorake republikane që u shfaqën në fund të shekullit 19 në Kinë. Atyre iu bashkuan individë që flisnin gjuhë të ndryshme dhe vinin nga të gjitha anët e Kinës. Më 1911, këto grupe u ngritën në pushtet nën Kuomitang-un dhe përmbysën dinastinë perandorake. Udhëheqësia Kuomintang qe gjuhësisht e larmishme sikurse kishin qenë elitat sunduese nën dinastinë Qing. Partia Komuniste që mori pushtetin më 1949 kishte rekrutuar gjithashtu udhëheqës në të gjitha anët e Kinës, të cilët flisnin gjuhë të ndryshme amtare. Marrë parasysh natyrën përfshirëse, shumëgjuhësore të koalicioneve qeverisëse, që prej Qing te regjimi Kuomintang e deri te Kina komuniste bashkëkohore, pakicat gjuhësore jomandarine mes Han kinezëve nuk kishin arsye të shkëputeshin prej Kinës dhe të kërkonin një shtet të vetin. Breza të lidhjeve politike përgjatë ndarjeve gjuhësore i lejuan intelektualëve e politikanëve nacionalistë të parafytyrojnë kombin Han si shumëgjuhësor, por etnikisht homogjen. Qentë e nacionalizmit gjuhësor nuk lehën kurrë mes shumicës Han të Kinës.

Në Perandorinë Ruse, dallimet gjuhësore luajtën rol të ndryshëm. Perandoria u rrëzua dy herë përgjatë vijave etnolinguistike: pas revolucionit Bolshevik në tetor 1917 dhe përsëri në paqësim të reformave të udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbachev rreth vitit 1989. Kombndërtuesit rusë e sovjetikë u përballen me një sfidë edhe më të madhe ngase gjuhët e ndryshme – që prej finlandishtes te gjermanishtja, prej rusishtes te turqishtja, prej gjuhës koreane te rumanishtja – nuk ishin vetëm prej një lloji tërësisht të ndryshëm gjuhësor, por për më tepër shkruheshin në alfabete të ndryshme, përfshirë atë cirilik, latin, arab e mongol. Kur erdh koha e politikës së masave në Rusinë e fundshekullit 19, rrjetet e aleancave u ngërthyen rreth ndarjeve gjuhësore. Atëherë si tash, të arrish publikun përmes propagandës dhe gazetave kërkon alfabet e gjuhë të përbashkët. Partitë popullore që u shfaqën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit 19 dhe dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit 20 i flisnin pra veçanërisht komuniteteve të posaçme gjuhësore (armenëve, gjeorgjianëve, finalandezëve, polakëve, etj). Ose i shëmbëllenin një karikosje të rrjeteve aleancash gjuhësisht të kufizuara, siç bënë Menshevikët. Vetëdija kombëtare mori formë në dhjetëra kallëpe të ndara e gjuhësisht të përkufizuara – e jo në një identitet gjithëpërfshirës të krahasueshëm me atë të kinezëve Han.

Politika e kombësive sovjetike pas revolucionit të 1917 betonoi këtë gjendje duke i mësuar pakicat shkrim-lexim dhe duke i arsimuar ato, deri në vitet 1950, në gjuhën e tyre. Nën mbikëqyrjen e rreptë të Moskës, elitat minoritare nuk lejoheshin që të qeverisnin provincat e krahinat e reja e gjuhësisht të përkufizuara të Bashkimit Sovjetik. Për pasojë, rrjetet e saposhfaqura e aleancave u formësuan përbrenda kompartmenteve të ndara etnike. Pakicat joruse ishin tepër të nënpërfaqësuara në udhëheqësinë e partisë, në radhët e larta të burokracisë, në ushtri, ku që të gjitha dominoheshin nga rusët. Nuk është befasuese, pra, që udhëheqësit e BRSS-së nuk qenë në gjendje të farkëtonin një ‘popull sovjetik’ të integruar kur, nën Nikita Khrushchevin dikur 40 vjet pas revolucionit, ata provuan të lëvizin drejt një politike më asimiluese. Politikisht, Bashkimi Sovjetik vazhdoi t’i shëmbëllente një karikosje të rrejteve të aleancave etnike. Kur akulli i regjimit totalitar filloi të shkrihej nën Gorbachevin, vendi u shpërbë në linja të këtyre vijave etnike në shtetet e pavarura të Letonisë, Gjeorgjisë, Kazakistanit, e kështu me radhë.

Duke parë edhe më larg në histori, mund të shtrohet pyetja pse disa vende zhvilluan gjuhë ose alfabete uniforme kurse të tjerat jo dhe pse disa qeveri qenë në gjendje të ofronin të mira publike përgjatë të gjithë territorit e të tjerat jo. Si larmia gjuhësore edhe kapaciteti për të ofrouar të mira publike janë të formësuara thellë prej trashëgimive të shteteve centralizuese që kanë qenë të ndërtuara para se të fillonte koha e politikës së masave në fund të shekullit 19. Në Jugun global, kjo i referohet periudhës para se këto vende të kolonizoheshin prej pernadorive Perëndimore (dhe japoneze) gjatë çerekut të fundit të shekullit 19. Aty ku ishin zhvilluar sisteme politike centralizuese në shekujt e kaluar, u shfaqën administrate burokratike që mësuan sesi të integrojnë organizativisht dhe të kontrollojnë politikisht rajone të ndryshme të shtetit.

Si qeveritë e shteteve koloniale edhe ato të shtet-kombëve të sapoformuara që pasuan mund të mbështeteshin në këtë dije dhe në infrastrukturën burokratike për të ofruar të mira publike barabar përgjatë të gjithë rajoneve. Në afat të gjatë, shtete të tilla aq të centralizuara inkurajuan gjithashtu elitat periferike dhe përkrahësit e tyre që të adoptojnë gjuhën (ose në rastin kinez: alfabetin) e elitave qendrore. Të mësosh gjuhën e qarqeve qeverisëse në kryeqytet ishte një mënyrë e efektshme për të promovuar karrierat dhe interesat e tyre, dhe – për qytetarin e rëndomtë – u dëshmua gjithashtu e dobshme të flasësh gjuhën e burokratëve që përzihen në jetën e përditshme.

Për shembull, në Botsuanën parakoloniale, ishin shfaqur që prej shekullit 17 e tutje një seri e mbretërive të centralizuar e të integruara ngushtë. Të gjitha sundohesin prej fisnikëve tsuanafolës. Qeveria e pavarur paskoloniale i integroi këto mbretëri në sistemin e saj administrative duke zvogëluar pushtetin e mbretërve, e ndërkohë duke i bërë ata dhe burokracitë e tyre të vogla pjesë të strukturës qeverisëse. Në këtë mënyrë, mbretëritë i dhanë qeverisë legjitimetin për të qeverisur (presidenti i ri i vendit qe vetë mbretëror) dhe inkurajoi qytetarët që t’i përmbaheshin qeverisjes së shtetit modern. Që të dyja i ndihmuan në masë të madhe shpërndarjes së të mirave publike prej qeverive paskoloniale. Mbreteritë promovuan gjithashtu, që prej periudhës paskoloniale e deri në ditët e sotme, asimilimin e popullatave jotsuana, të cilat ende formonin shumicën demografike në shumë prej mbretërive në shekullin 19, në kulturën dhe gjuhën dominante tsuana, e cila tash përfaqëson një shumicë solide.

Në historinë e Somalisë, nuk u shfaq asnjëherë një shtet i aftë për të qeverisur me shumicën nomade të vendit. Kjo paraqiti një pengesë të dukshme në shpërndarjen paskoloniale të të mirave publike. Qeverisë së pavaruar somaleze iu desh të qeveriste një popullsi që nuk ish e mësuar me shtetësinë dhe ajo nuk mund të mbështetej mbi një klasë të adminstratorëve të cilët ishin mësuar t’i shërbenin të mirës publike, e jo vetë familjeve të tyre.

Në Kinë, një nivel i jashtëzakonshëm i centralizimit politike përgjatë mijëvjeçarëve ofroi prapavijën për shfaqjen e një adoptimi gjithëperandorak të një alfabeti të unifikuar. Ai gjithashtu inkurajoi gama të gjera të elitave politike, rreth e përqark Kinës, që të përvetësonin kanonet neokonfuciane të perandorisë. Shekuj të administratës shumë të centralizuar e burokratike lanë gjithashtu një trashëgimi të infrastrukturës organizative, të cilën qeveria komuniste mund ta përdorte për t’i ofruar popullatës të mirat publike pas Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e centralizuara indigjene, mbi të cilat vendosej shpesh sundimi kolonial, kështu ndihmojnë kombndërtimin në periudhën bashkëkohore. Trashëgimia e dyfishtë e një infrastrukture të mirëvendosur burokratiko-politike dhe një gjuhë a alfabet uniform, në garanton në vetvete integrimin politik përgjatë vijave etnike, por ato e bëjnë shumë të lehtë detyrën e kombndërtuesve modernë.

Shembujt që i kam përzgjedhur nuk dëshmojnë për atë sesi shoqatat vullnetare, shpërndarja e të mirave publike, e komunikimi ndërveprojnë me njëra-tjerën apo zëvendësojnë njëra-tjetrën. Somalezët, për shembull, të gjithë flasin të njëjtën gjuhë, përderisa zvicerianët janë gjuhësisht më të larmishëm – e prapëseprapë dy historitë e kombndërtimit shkojnë në drejtime të kundërta. Ka gjithashtu faktorë shtesë që mund të pengojnë ose të përparojnë kombndërtimin. Shumë historianë do të argumentonin se përvoja koloniale bën ndryshimin. Të dyja Somalia dhe Botsuana kanë vuajtur nga politikat ‘përçaj e sundo’ të fuqive koloniale, të cilat do të duhej ta bënin detyrën e integretimit politik kombëtar më të vështirë me t’u larguar fuqitë koloniale. As Rusia as Zvicra nuk janë sunduar nga të huajt në shekujt e fundit.

Ekonomistët do të thoshin se kombndërtimi është kryesisht çështje e zhvillimit ekonomik. A do të dukej Zvicra më shumë si Somalia po të mos kishte qenë aq e suksesshme industria e saj e eksportit, ose po të mos bëhej një qendër globale shumë profitabile për bankat dhe sigurimet? Gjithashtu mund të jetë më e lehtë të ndërtosh kombe në vende si Zvicra, ku dallimet fetare dhe kufijtë gjuhësorë nuk dyzojnë dhe ngërthejnë njëra-tjetrën. Në Rusinë e Romanovit, për dallim, shumica e pakicave gjuhësore aderuan gjithashtu në një fe të ndryshme me shumicën rusofolëse dhe ruso-ortodokse.

Më në fund, mund të marrim një perspektivë më të esëllt dhe të marrim parasysh se kombndërtimi ka sukses në vendet që kanë bërë shumë luftëra me vendet e tjera, duke i lidhur popullatat e tyre ngushtë përmes sakrificës së përbashkët. Poashtu, mund të jetë që qeveritë europiane mund të ndërtojnë më lehtë kombet e tyre ngase shekuj të ndryshimeve kufitare dhe spastrimeve etnike sollën popullata më homogjene, më lehtë të integrueshme në një shtet kombëtar.

Këto janë pyetje empirike. Për t’iu përgjigjur, mund të analizojmë të dhënat me informata nga vende të ndryshme përreth botës. Kjo ndihmon të përcaktohet se a mund të jetë kyç ndonjëri prej këtyre katër faktorëve alternativë për të kuptuar ku pat sukses kombndërtimi e ku dështoi – ose nëse organizatat vullnetare, shpërndarja e të mirave publike dhe homogjeniteti gjuhësor nxitën koalicione përfshirëse qeverisëse në vendet përtej Zvicrës, Belgjikës, Somalisë, Botsuanës, Kinës dhe Rusisë. Për të bërë një analizë të tillë kuantitative, na duhet një figurë që tregon sa ka pasur sukses kombndërtimi në secilin vend. Për atë qëllim, unë mas pjesën e popullatës së komuniteteve etnike që nuk është e përfaqësuar në nivelin më të lartë të qeverisë. Këto të dhëna janë në dispozicion prej 1946 deri më 2005 dhe për 155 vende.

Përjashtimi entopolitik, i matur kësisoj, është më pak i shqiptuar kur shumëfishohen shoqatat vullnetare, kur shteti ofron efektshëm të mirat publike dhe kur peizazhi gjuhësor është më uniform. Krahasimi mes tre grupeve të vendeve ndihmon për të ilustruar rezultatet e kësaj analize. Për të matur shpërndarjen e të mirave publike, Unë përdor përqindjet e shkrim-leximit, sepse shkrim-leximi është i ndikuar fuqishëm prej edukimit publik. Mesatarja globale për 155 vendet është 65 për qind dinë shkrim-lexim mes popullatës së rritur; nëse 80 për qind e popullatës së një vendi di shkrim-lexim, atëherë pjesa e populolatës së përjashtuar prej qeverisë kombëtarë do të jetë afërsisht 30 përqind më pak se në një vend, në të cilin vetëm gjysma e popullsisë di shkrim-lexim.

Për të matur larminë gjuhësore, ne mund të kalkulojmë shanset që dy qytetarë të zgjedhur rëndom flasin të njëjtën gjuhë. Nëse është 52 përqind (14 përqind mbi shkallën mesatare prej 38 përqind), pjesa e popullatës së përjashtuar do të jetë përsëri 30 përqind më e ulët se në një vend ku gjasat janë vetëm 25 përqind (14 përqind përfundi mesatares). Pjesa e popullatës së përjashtuar gjithashtu reduktohet me afërsisht 30 përqind nëse i shtojmë një shoqatë vullnetare më shumë për çdo pesë individë.

Nuk ka shumë mbështetje për shpjegimet alternative të kombndërtimit që u përmenden shkurtimisht më lart, sikurse historia e sundimit kolonial, ose pasuria e vendit. Sipas analizave të mëtejme statistikore, vendet nuk kanë më pak gjasa të dështojnë në kombndërtim nëse ata i nënshtrohen sundimit kolonial për një kohë shumë të gjatë ose nëse ai sundim ka marrë një formë specifike (sikurse sundimi jo i drejtpërdrejtë në kolonitë britanike). Nëse ekonomitë e tyre janë të pazhvilluara; nëse kanë luftuar luftëra ndërshtetërore ose konflikte etno-nacionaliste; ose nëse çarjet fetare e gjuhësore dyzohen vlen e njëjta: të dhënat nuk tregojnë ndikim të qenësishëm mbi kombndërtimin.

Përfundimisht, atje ku shtete shumë të centralizuara janë shfaqur para sundimit kolonial dhe para tranizicionit për në shtet-kombin modern, qeveritë bashkëkohore ofrojnë më shumë të mira publike dhe popullata flet më pak gjuhë. Për të treguar këtë, unë përdor dy matje të ndryshme të historisë së mëparshme të shtetformimit. E para është në dispozicion për 74 vende të Azisë dhe Afrikës strukturat parakoloniale politike të së cilave u dokumentuan prej antropologëve socialë. E dhëna e dytë, e mbledhur prej ekonomistëve, mbulon 141 vende dhe mat sa ka kontrolluar një shtet indigjen territorin e një vendi të tanishëm gjatë pjesës së dytë të shekullit 19.

Është mjaft e qartë se e kaluara nuk mund të sajohet retrospektivisht për të krijuar një shtet të centralizuar në shekullin e 19 që do të favorizonte kombndërtimin gjatë shekullit 20. As nuk mund të përmirësohet kapaciteti i një shteti për të ofruar të mira publike brenda disa vjetëve. Një popullate i duhen të paktën dy gjenerata për t’u bërë të rrjedhshëm në një gjuhë të re komunikimi. Organizatat vullnetare rreth të cilave formohen aleancat politike nuk do të lëshojnë rrënjë në një shoqëri për një kohë të shkurtër poashtu. Për këta tre faktorë kyçë që e ndihmojnë kombndërtimin, koma matet me gjenerata, jo me vite. Të sanosh shtete të dështuara apo të ndërtosh  kombe nuk mund të bëhet pra brenda periudhës kohore të një a dy presidencave amerikane.

Përgjatë së paku dy dekadave a më shumë, institucionet globale si Banka Botërore janë përqendruar në përforcimin e kapaciteteve të vendeve në zhvillim për të ofruar të mira publike. Theksi i vazhdueshëm mbi zhvillimin institucional dhe qeverisjen e mirë përfaqëson një korrigjim të mirëseardhur të politikave më të gabuara të jashtme, që shpesh ndiqen prej qeverive të zgjedhura të vendeve Perëndimore. Një përkushtim i vazhdueshëm e afatgjatë në forcimin e institucioneve qeveritare dhe në bërjen e tye më të efektshëm në shpërndarjen e të mirave publike përfaqëson politikën më premtuese ndërkombëtare për të ndihmuar kombndërtimin rreth e përreth botës.

Të mirat publike ofrohen më së miri prej qeverive kombëtare e lokale. Kompanitë private, OJQ-të e huaja apo ushtritë intervenuese ndonjëherë mund të jenë ekonomikisht më të efektshme. Por shpërndarja e të mirave publike prej forcave të jashtme bën shumë pak për të zgjeruar legjitimitetin e qeverisë kombëtare. Kjo tregohet prej Hulumtimit të Popullit Afgan [Survey of the Afghan People], i bërë për çdo vit prej Asia Foundation prej 2006 deri më 2015. Projektet e të mirave publike të ndërmarra prej të huajve i bëri afganët më pak të kënaqur me qeverinë e tyre kombëtare, krahasuar me projektet e zbatuara prej agjencive qeveritare. Projektet e huaja qenë gjithashtu shumë më pak të efektshme në motivimin e qytetarëve që t’iu kthehen institucioneve qeveritare, në vend se autoriteteve tradicionale, për të zgjidhur mosmarrëveshjet lokale. Edhe më zhgënjyes se kaq, hulumtimi tregonte që afganët kanë më shumë gjasë të justifikojnë dhunën e shkatuar nga Talibanët nëse jetojnë në krahina ku të huajt kanë sponsorizuar projekte të të mirave publike. Me fjalë të tjera, projektet e huaja për të mirat publike mund të kenë humbur ‘mendjet dhe zemrat’ e afganëve, më se shumë sesa t’i fitojnë ato.

Sistemi kombëtar shkollor, i unifikuar, është një tjetër strategji afatgjate për kombndërtim të efektshëm. Përreth botës, vendet janë munduar shumë për të shkolluar popullatat e tyre dhe për t’i mësuar që të flasin një gjuhë të përbashkët. Përkrahja e vazhdueshme për sistemet shkollore kombëtare përballë presioneve buxhetore ka ndikim të madh jo vetëm në arritjen e zhvillimit ekonomik dhe barazisë gjinore, por gjithashtu në të ndihmuarit e vendosjes së lidhjeve politike përgjatë vijave etnike.

Përkrahja e oranizatave të shoqërisë civile mund të çojë drejt reagimit të ashpër kundër ndikimit të huaj dhe ndërhyrjes politike. Masat e ashpra kundër OJQ-ve të financuara nga jashtë në shumë vende të Europës Lindore është vetëm një shembull i rreziqeve që vijnë nga strategjia e kultivimit të organizatave të shoqërisë civile nga jashtë. Në afat të gjatë, sidoqoftë, organizata të tilla do të ndihmojnë në ofrimin e infrastrukturës politike për të formuar lidhje përgjatë ndarjeve etnike dhe për të lëvizur drejt integrimit politik kombëtar. Një strategji e qendrueshme dhe afatgjate, si ajo e ndjekur prej fondacioneve politike të Gjermanisë ose prej fondacionit Soros, ende mund të jetë mënyra më e mirë për të ndihmuar qytetarët që të lidhen me njëri-tjetrin duke u kapur pas një kauze të përbashkët, e jo vetëm prej enticitetit të përbashkët.

Pak vëzhgues sot do të ushqenin iluzionin se të ndihmosh kombndërtimin në vende të largëta është një detyrë e lehtë. Vështirësitë e detyrimit të faksioneve politike në konflikt në qeverisje të përbashkët ilustrohen shumë mirë me rastin e Irakut dhe mbase edhe më dramatikisht në rastin e Bosnjës, e cila do të shpërbëhej moti po t’i lihej vetvetes. Politikbërësit duhet pra që të hedhin poshtë idenë se është legjitime dhe e realizueshme ‘të mësosh popujt e tjerë të qeverisin vetveten’, siç e ka thënë Francis Fukuyama në një artikull në The Atlantic në janar 2004, në kulmin e entuziasmit kombndërtues të kohës së George Bush-it. Të ndërtosh kombe prej së jashtmi është gati e pamundur nëse kushtet lokale nuk janë të favorshme për të vendosur pakicat dhe shumicat në një plan të barabartë politik dhe vendosjen e koalicioneve përfshirëse qeverisëse. Kombndërtimi kërkon që të arrihet prej qytetarëve dhe politikanëve të secilit vend të posaçëm.

___________________

Andreas Wimmer është profesor i sociologjisë dhe i filozofisë politike në Columbia University. Libri i tij i fundit është Kombndërtimi: Pse disa vende bashkohen ndërkohë që të tjerat shpërbëhen [Nation Building: Why Some Countries Come Together While Others Fall Apart] (2018) 

Artikulli origjinal

Përkthyer nga: Bardhi Bakija

 

12 korrik 2018
09:38

Andreas Wimmer