Si e sulmojnë udhëheqësit joliberalë shoqërinë civile

m

Ajo çfarë po ndodh në Europën Qendrore është pjesë e një kthese më të madhe

29 qershor 2018 15:20

Në prill, kryeministri hungarez Viktor Orban nisi sulmin e tij më të turpshëm deri më tash ndaj shoqërisë civile. Në fjalimin që shënonte 170 vjetorin e revolucionit të Hungarisë më 1848, Orbani mallkoi “mediat e mirëmbajtura nga interesat e huaja dhe oligarkët e vendit, aktivistët profesionistë të marrë me qira, oranizuesit problematikë të protestave, dhe një zinxhir OJQ-shë të financuara nga një spekulues ndërkombëtar, të përmbledhura dhe të trupëzuara nën emrin ‘George Soros’”. Për fat të keq, një retorikë e tillë nuk kufizohet më veç te Orbani i cili, për mrekulli, vetëquhet “demokrat joliberal.” Gjithnjë e më shumë, sulmet ndaj shoqërisë civile dhe mediave të pavarura janë bërë normale përgjatë Europës Qendrore, duke e kërcënuar të ardhmen e demokracisë në rajon.

Përmes projketit Kombet në Tranzicion të Freedom House që ka ndjekur zhvillimet në Europën dhe Euroazinë postkomuniste që prej vitit 1995, kemi parë një shpërthim fushatash joliberale shpifjesh në pesë vitet e fundit, me politikanët e partive në pushtet apo presidentët që sulmojnë shoqërinë civile apo mediat në 25 prej 29 vendeve që përfshihen në studimin tonë. Politikanët shpesh i kombinojnë këto fushata shpifjesh me retorikë ksenofobike, antihomoseksuale dhe antisemitike që i vendos grupet e shoqërisë civile dhe gazetarët jashtë kombit.

Në këtë mënyrë, këta udhëheqës joliberalë ripërkufizojnë atë se çfarë do të thotë të jesh qytetar dhe çfarë do të thotë të jetosh në demokraci. Duke sulmuar në këto terma shoqërinë civile dhe mediat, ata po sulmojnë vetë konceptin se pluralizmi i identiteteve dhe i opinioneve përbrenda shoqërisë është normal dhe madje i dobishëm. Pa institucione të tilla, udhëheqësit apo partitë demagoge politike mund të kalojnë ligje që iu shërbejnë vetë atyre në mënyrë që të përftojnë edhe më shumë pushtet për vetveten. Kjo është pjesë e një trendi të frikshëm global. Po të bëhet joliberalizmi normal në vendet që kanë traditë të demokracisë liberale, atëherë me gjasë do të shohim joliberalizmin duke lulëzuar përreth botës. Pika e lakimit për fushatat bashkëkohore të shpifjeve në Europën Qendrore dhe në Euroazi qe fushata e Rusisë kundër organizatave joqeveritare, e cila mori hov pas protestave popullore që u nisën si pasojë e zgjedhjeve të manipuluara në dhjetor të vitit 2011. Fushata ruse përfshinte një ligj të ri që etiketonte OJQ-të si “agjentë të huaj” në rast të pranimit të çfarëdo fondi, sado të vogël, nga burime të huaja dhe në rast të angazhimit në aktivetete “politike” të përkufizuara në mënyrë ekspanisoniste.  

Rusia nuk qe vendi i parë në Euorazi që mori masa të ashpra kundër OJQ-ve – një reagim i ashpër po kurdisej që prej Revolucionit Rozë në Gjeorgji, në 2003, të cilin shumica në atë rajon ia mveshën përkrahjes së jashtme për grupet e shoqërisë civile, dhe Uzbekistani dhe Turkmenistani tashmë i kishin çrrënjosur sektorët e tyre civilë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të këtij shekulli – por rëndësia e vendit, dhe përpjekjet e Rusisë për të promovuar shtypjen jashtë vendit, e përshpejtuan ndryshimin. Partitë qeverisëse në disa prej vendeve fqinje të Rusisë propozuan ligje të ngjashme, e madje edhe atje ku masat u sprapsen (si në Kirgiztan), ata e ndryshuan kornizën për diskutim, duke i quajtur të dyshimta, e madje subversive, të gjitha OJQ-të që janë kritike ndaj qeverisë.

Qëllimi i të emërtuarit “agjent i huaj” nuk kishte të bënte asnjëherë me ligjin; Rusia tashmë kishte plot vegla ligjore e jashtëligjore për të kontrolluar sektorin e saj civil. Në vend të kësaj, qëllimi ishte që, së pari, t’i quante OJQ-të si qenësisht “të huaja” dhe që veprojnë kundër interesave kombëtare dhe së dyti, që punojnë nga përbrenda vendit për të minuar unitetin e tij, posaçërisht përmes të mbrojturit të pakicave të cenueshme.

Rusia u tregua posaçërisht inovative në këtë pikën e fundit, duke sjellë në të njëjtën kohë në parlament të ashtuquajturin e të famshmin ligj të propagandës homoseksuale si dhe ligjin për OJQ. Koha e ligjit, i cili kriminalizonte “promovimin e marrëdhënieve jotradicionale seksuale mes të miturve,” krijoi një lidhje të nënkuptueshme mes shoqërisë civile dhe “seksualitetit jotradicional”. Ky çiftim i lejoi Rusisë që të izolonte OJQ-të si mbrojtëse të një pakice jopopullore, të paraqiste rastin kundër OJQ-ve si përpjekje për të mbrojtur Rusinë prej armiqve që kërkojnë ta fëlliqin dhe që të ndërtonte ura me të djathtën ekstreme në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Që prej atëherë, fushatat kundër OJQ-ve janë pjesë normale e politikës në Rusi dhe në Azinë Qendrore e tash, edhe në Europë e Ballkan. Hungaria e kaloi ligjin e saj të agjentëve të huaj më 2017 dhe politikanët vazhdojnë të propozojnë variacione të ligjit në debate politike, më së fundmi në Republikën Çeke, Rumani, Slovaki dhe Ukrainë.

Kur ish kryeministri sllovak Robert Fico u gjet nën presion për të dhënë dorëheqjen këtë vit, si pasojë e vrasjes së një gazetari hulumtues, njëra prej përgjigjeve të tij qe që të hedhë fjalën se rivali i tij politik – president sllovak Andrej Kiska – kishte marrë urdhra nga George Soros, të cilin Kiska e kishte takuar vitin e kaluar dhe i cili përkrah OJQ të ndryshme në rajon, që të përpiqej ta rrëzonte atë. Në Republikën Çeke, fushatat e shpifjeve që e akuzojnë Sorosin se po luftonte për rizgjedhjen e presidentit Milos Zeman, qarkulluan gjithë vitin. Ndërsa në vitin 2016, ndërsa Rumania po kalonte nëpër një tjetër raund protestash kundër korrupsionit, një televizion pro-qeveritar akuzonte Sorosin se kishte paguar demonstruesit (përfshirë qentë) që të protestonin.

Kudo që të ndodhin këto fushata, ithtarët e tyre përdorin taktikën e ndërlidhjes së OJQ-ve me pakicat e cenueshme. Në Europën Qendrore, kjo ka marrë formën e retorikës antisemitike dhe antimyslimane. Kriza e refugjatëve e vitit 2015 hap një lloj mundësie të re për këtë taktikë, dhe në këtë drejtim Hungaria e Orbanit ka qenë inovatorja kryesore.

Në fushatën e tanishme të partisë së tij, përdorimet e figurshme antisemite dhe antimyslimane ndërthuren dhe bëhen të padallueshme. Sorosi portretizohet si një mjeshtër kukullash që manipulon politikanët e opozitës apo përdor OJQ-të për të importuar miliona imigrantë myslimanë në Hungari për të ndryshuar baraspeshën demografike të vendit. Karikaturat e Sorosit si magjistar keqdashës – bile edhe si njëfarë zvarraniku përbindësh – i përshtaten një prirjeje të njohur të shëmbëlltyrës antisemitike europiane. Siç bëri në fjalimin e tij në mars të këtij viti, Orban priret të shkrijë të gjitha organizatat civile me vetë Sorosin. Në vitin 2017, qeveria hungareze i dërgoi me postë secilit qytetar në vend pyetësorë si pjesë të një “konsultimi kombëtar” mbi “planin e Sorosit” për të akomoduar refugjatët – edhe pse Sorosi nuk është zyrtar i qeverisë dhe idetë e tij mbi imigracionin nuk janë përkrahur as nga Bashkimi Europian e as nga qeveria hungareze. Këto sulme e qëndisin imazhin e OJQ-së dhe gazetarit si të jashtëm duke përdorur figura antisemitike të hebreut në Europë si i huaj permanent, e pastaj duke shtuar edhe spektrin e pushtimit nga imigrantët myslimanë.

Fushatat e shpifjeve kërcënojnë funksionimin e demokracisë sepse ato kërkojnë të deligjitimojnë pjesëmarrjen e zërave joqeveritarë në debatin publik. Logjika prapa këtyre shpifjeve është se vetëm ata që janë zgjedhur nga shumica – pra, qeveria – janë të thirrur për të folur për çështje të interesit publik. Gjithë të tjerët, përfshirë OJQ-të, gazetarët dhe politikanët e opozitës, nuk kanë ndonjë rol legjitim. Parë në ekstrem, ky kuptim mazhoritarian i politikës përgatit terrenin për qeverisje njëpartiake.

Normalja e re joliberale në Europën Qendrore është pjesë e një kthese më të madhe. Këto janë vende që i janë bashkuar BE-së dhe NATO-s, e një dell i ngjashëm i joliberalizmit po bëhet gjithnjë e më tipik në Europën perëndimore, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara. Politikanët perëndimorë që kundërshtojnë këtë joliberalizëm duhet të jenë shumë të qartë për domosdoshmërinë që, përveç dënimit të këtyre akteve, të ndërmarrin veprime konkrete kudo që të jetë e mundur.

Hapja e procedurave të Nenit 7 kundër Polonisë – hapi i parë drejt sanksioneve nën Traktatin e Bashkimit Europian për shkeljen e vlerave të traktatit të BEsë – për dëmin që i kanë shkaktuar pavarësisë së gjyqësorit reformat e fundit gjyqësore në vend është një hap i duhur, por udhëheqësit europianë nuk duhet të ndalen këtu. Hungaria do të duhej të ballafaqohej gjithashtu me hapjen e procedurave të Nenit 7 për dobësimin sistematik të institucioneve për mbikëqyrjen e pushtetit [checks and balances], dhe Partia e Popullit Europiane në Parlamentin Europian, një bllok i përbërë prej partive politike kombëtare, do të duhej të përjashtonte Fidesz-in e Orbanit.

Edhe më jetike është që politikanët ta ngrenë zërin për pluralizmin si fakt dhe vlerë të dëshmuar: diçka që është sa e vërtetë për çdo shoqëri aq sa edhe e mirë për çdo shoqëri. Prapa këtyre fushatave nganjëherë absurde joliberale të shpifjeve, gjendet një sulm serioz ndaj idesë se një shoqëri është më e mirë kur ajo përmban opinione dhe identitete të ndryshme dhe se institucionet demokratike liberale, përfshirë ato joshtetërore, janë mjetet më të mira për të baraspeshuar dëshirat e shumicave dhe të drejtat e pakicave.

Orbani e di se çfarë përkrah dhe ai na tregon këtë çdo ditë. Çfarë na duhet është që udhëheqësit tjerë të bëjnë të njëjtën gjë për parimet themelore të demokracisë liberale.

____________

Artikulli origjinal

Përktheu: Bardhi Bakija

29 qershor 2018
15:20

Michael J. Abramowitz & Nate Schenkkan

m