Fragment nga kopshti

07 qershor 2018 16:27

***
Ka disa muaj që përpiqem të shkruaj diçka të re e disa muaj që nuk ia dal. Në rrethana normale nën identitetin e një shkrimtari relativisht të ri patjetër se do të duhej të shqetësohesha. Njëjtë sikurse nën po këto rrethana, pra në rrethanat normale, do të duhej të mos më kërciste për asgjë. Por është e pamundur të rrimë e të sodisim botën nën po këto rrethana. Ne kemi një prirje të jashtëzakonshme për të shkuar më shumë se që mundemi. Pra në këtë rast. Të dërdëllis për arsye se nuk po mundem të dërdëllis më.  

Më ka humbur sensi. Më ka humbur ritmi apo dreqi më ka përjashtuar. I gjendur nën një funksion totalisht të ri, në rolin e babait sikur kam ndjenjën se jam përjashtuar nga letërsia. Aq më shumë kur asnjëherë më parë nuk më ka ndodhur që librat që i lexoj, të rrinë të gjysmëhapura duke vuajtur për kapakun e fundit. Çdo gjë që është e hapur kërkon kapakun. Është e natyrshme. Nuk kemi nevojë ta themi. Megjithëse e thamë. I gjendur në këtë rol të ri, duke u marrë me lodrat e djalit kam nisur përsëri të bëhem fëmijë. Kam bllokuar derën për te realiteti barbar dhe sall e ushqej djalin tim me vjershat e mia që nuk dalin në dritë. Duke kaluar kohën me të ndjej shtresëzimet e mia. Dhe identitetet e shumta që më kanë karakterizuar gjithmonë. Duke kaluar kohën me të njoh veten dhe e qëlloj me shkop kokën e kafshës që quhet letërsi. Dhe e vështroj. Pres reagime dhe përsëri bëhem qull duke ndërruar pelenat apo duke e shtypur bananen dhe avokadon.

Instinkti ma thotë se duhet të jem në krye të detyrës. Dhe në këtë pikë shkatërrohem. Cilat janë detyrat e mia? Të përpiqem të ndryshoj një realitet çfarëdoqoftë ai politik, kulturor, social në mënyrë që për pasardhësit tanë të ketë dicka njerëzore apo të përhumbem në realitetin e lodrave, arushit dhe biberonëve. Pra rrjedhimisht të pranoj disfatën dhe të migroj pikërisht në atë vend ku dhëmbët e parë të djalit tim kafshojnë. 

Në cepin e batanijes, në etiketën e një xhemperi apo në qoshen e një shisheje. Novelistja franceze Marguerite Yourcenar në Aleksis ose Traktati i luftës së kotë më ngushëllon kur thotë se asgjë nuk vihet baraz me ëmbëlsinë e një disfate që e di se është përfundimtare. Pra përfundimisht jam i paaftë t'ja ofroj një realitet ndryshe. Dhe jam i paaftë ta stërvisë në arenën e bërrylave të përgjakur. Pra gjasat janë që unë të mësohem më parë me rregullat e tij. Derisa do ta marrim një kthesë dhe do të shohim pakëz më të pjekur. Si dy ushtarë të bukur. Që mbrojnë diellin nga kafshimet e të rriturve. Duke e rrënuar edhe konceptin e gruas së parë të akademisë franceze.

07 qershor 2018
16:27

Shpëtim Selmani