Prishtinë: A jeni për...truAktiv?

01 qershor 2018 10:33

Çka është truAktiv?

Sbunker rikthehet me organizimin e vitit të dytë të programit truAktiv në shtatë qendrat rajonale të Kosovës.  Programi truAktiv është program i ligjëratave/diskutimeve tematike dhe punëtorive që synojnë të nxisin mendimin kritik të rinisë aktive rreth temave politike dhe sociale.

Kush mund të aplikojë?

Të gjithë të rinjtë e moshave 17-22 vjet me vendbanim në rajonin e Prishtinës (përfshi komunat e Prishtinës, Fushë Kosovës, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Obiliqit dhe Novobërdës).

Ku dhe kur?

Programi truAktiv zbarkon për të dytën herë këtë vit në Prishtinë në datat 19-22 qeshor. Në ditën e parë (19 qeshor) në orët e vona të pasdites mbahet vetëm një organizim social, ndërsa në datat 20-22 qeshor ligjeratat / disuktimet mbahen prej orës 13:00 deri në ora 18:00.

Bashkëbiseduesit dhe temat:

Bashkëbiseduesit e programit janë njohës të fushës, studiues dhe njerëz aktiv në jetën shoqërore dhe politike në Kosovë. Diskutimet dhe punëtoritë do të udhëhiqen nga Gëzim Selaci, Erëblir Kadriu, Krenar Gashi, Dita Dobranja, Donikë Qerimi, Rron Gjinovci, Agon Maliqi, Dea Dedi, Kadri Gashi dhe të tjerë.

Diskutimet do të ndahen në tre ditë tematike:

Dita 1: Shoqëria e organizuar, ku do të flitet për identitetet sociale, psikologjinë sociale dhe për shoqërinë politike.

Dita 2: Shoqëria e sfiduar, ku do të diskutohet për sfidat konkrete të pabarazisë dhe mungesës së drejtësisë në shoqërinë tonë tranzicionale.

Dita 3: Shoqëria në lëvizje, ku do të flitet për mobilitetin social dhe format e ndryshme të aktivizmit.

Në fund të thirrjes mund t'i gjeni biografitë e ligjëruesve dhe bashkëbiseduesve.

Çka përfitoni nga programi?

- Mundësi për të bërë punë praktike në sbunker ose në njërën nga organizatat bashkëpunuese.

- Mundësi për të marrë pjesë në nivele të tjera të programit truAktiv, përfshirë:

- “TruAktiv Summit” që do të mbahet në fund të vitit në Prishtinë me pjesëmarrës të programit truAktiv nga e gjithë Kosova.

- Programin e thelluar tre-mujor “Shoqëria dhe Politika”

- Mundësi për të përfituar mbështetje financiare dhe mentorim për nisma të vogla në komunitetet tuaja.
- Mundësi për t’u shoqëruar dhe për t’u bërë pjesë e komunitetit të gjerë të qindra pjesëmarrësve truAktiv.
 

Aplikoni duke u përgjigjur në pyetjet e parashtruara këtu, më së largu deri më 15 qeshor në ora 16:00. Vetëm 40 pjesëmarrësit e pranuar do të njoftohen deri më 17 qeshor.

Inkurajohen të aplikojnë të rinjtë nga zonat rurale, vajzat dhe gratë e reja, personat me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarët e komuniteteve etnike pakicë.

-------

Ky grant është financuar nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 

Kush janë folësit në truAktiv:

Image

Krenar Gashi është hulumtues dhe aktivist i shoqërisë civile, aktualisht doktorant në shkencë politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë. Krenari ka qenë gazetar, themelues i Prishtina Insight dhe INDEP, dhe drejtues në instituitn KIPRED. Fushat e punës së tij hulumtuese janë demokratizimi, politikat publike, tranzicioni shoqëror, si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian. Krenari poashtu është bashkethemelues i blogut Sbunker. Politika dhe shoqëria do të jetë tema e diskutimit me Krenarin në TruAktiv.

 

Image

Dita Dobranja është kandidate për Master në Ekonomi Ndërkombëtare në American University në Washington DC. Dobranja është një ndër themelueset e Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), ku është fokusuar në analiza të politikave ekonomike. Në vitin 2013 Dobranja fitoi bursën e qeverisë japoneze dhe përfundoi studimet hulumtuese të politikave tregtare në Waseda University në Japoni. Tani Dita është duke u fokusuar në tregti ndërkombëtare dhe ekonomi feministe.

 

Image

Erëblir Kadriu është ligjërues i psikologjisë sociale në Universitetin e Prishtinës. Erëbliri ka përfunduar studimet master në Universitetin e Kembrixhit për Psikologji dhe Edukim. Përveç kësaj, Kadriu është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Këshillimore Amerikane. Erëbliri ka qenë gjithashtu anëtar i bordit të rrjetit ndër-etnik të të rinjve “Post-pesimistët”, një shoqatë që fitoi Çmimin e OKB-së për Paqe dhe Tolerancë në fushën e Aktivizmit Social në nëntor të vitit 1999. Diskutimi interaktiv i tij në truAktiv do të fokusohet në individin dhe turmat.

Image

Donikë Qerimi është juriste, doktorante në Universitetin e Gentit në Belgjikë, si dhe asistente e mësimdhënies në Katedrën Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ajo ka punuar si këshilltare ligjore në Ministrinë e Drejtësisë ku është përqendruar në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, në dialogun Kosovë-Serbi për çështje të drejtësisë, bashkëpunim juridik ndërkombëtar, negocimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe hartimin e ligjeve. Donika ka magjistruar në Universitetin e Pittsburgh në SHBA, me fokus në të drejtën ndërkombëtare private e komerciale.

Image

Kadri Gashi është aktivist i shoqërisë civile, momentalisht i përfshirë në projektin “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, projekt i implementuar nga PEN. Aktualisht vijon specializimin për këshillues profesionistë për burrat e dhunshëm/këshilluesit për çështjet e dhunës nga Qendra AGREDIS, Zvicër. Fushat e punës së tij kanë për qëllim promovimin e barazisë gjinore dhe promovimin e jetesës së shëndetshme tek burrat e rinj dhe gratë e reja duke adresuar disa nga konstruktet sociale të maskulinitetit – maskulinitetit dhe feminitetit.

Image

Dea Dedi ka mbaruar studimet në fakultetin juridik (moduli penal) në Universitetin e Prishtinës, dhe tashmë ka filluar studimet master në Filozofi. Krahas studimeve, punon si menaxhere e Qendrës së Dokumentimit Kosovë në kuadër të Fondit për të drejtën humanitare Kosovë (FDHK). Më herët ka qenë e punësuar në EULEX, por hapat e parë në fushën profesionale i ka marrë në FDHK, duke punuar si asistente për monitorimin e gjykimeve për krime lufte dhe si koordinatore e projektit për Edukimin jo formal për Drejtësi tranzicionale.

 

ImageGëzim Selaci është ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka studiuar Sociologji dhe Teori politike në Prishtinë, Londër dhe Budapest. Specializimi i tij ka të bëjë me legjitimimin e pushtetit dhe ndërtimin e shtetit. Interesimi i tij përqëndrohet tek politika dhe pushteti në shoqëri nga perspektiva ndërdisiplinore dhe shtrihet tek të kuptuarit e pranimit/mospranimit të autoritetit, dinamikës së identiteteve kolektive, si dhe aktivizmit politik.

Image

Agon Maliqi është bashkëthemelues i blogut Sbunker. Ai punon si hulumtues dhe këshilltar i politikave publike në sektorin privat, ndërkohë që është i angazhuar edhe si aktivist i shoqërisë civile dhe komentues në shtypin kosovar. Maliqi ka punuar për një numër programesh zhvillimore në Kosovë, kryesisht të ndërlidhura me qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin gjithëpërfshirës. Maliqi ka përfunduar studimet master për Politikat e Zhvillimit Ndërkombëtar në Duke University në SHBA ndërkohë që më parë, në vitin 2006, ka diplomuar për Shkenca Politike dhe Studime Evropiane në Universitetin Amerikan në Bullgari.

Image

Rron Gjinovci është drejtues i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), student i filozofisë, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës dhe aktivist i shoqerise civile. Rroni angazhohet si vullnetar në Fushë Kosovë përmes organizatës The Ideas Partnership ku punon me një grup prej 20 nxënësish romë, ashkali dhe egjiptas me qëllim të përgatitjes së tyre më të mirë në shkollimin e mesëm si dhe për universitet. Ai poashtu, eshtë marrë me gazetari investigative në kuadër të Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan (BIRN).

01 qershor 2018
10:33

Redaksia