Si mund ta rrëzojnë kryengritjet populliste demokracinë liberale

Autoritarianët janë në ngritje, dhe elektoratet po joshen nga ekstremet. Për ta luftuar këtë, politikanët duhet të kuptojnë shkaqet e pakënaqësisë popullore dhe të rindërtojnë themelet morale të demokracisë

16 prill 2018 10:35

Ka dhjetëvjeçarë të gjatë kur duket sikur historia ngadalësohet deri në zvarritje. Zgjedhjet fitohen e humben, ligjet miratohen e shfuqizohen, yje të reja linden dhe legjendat përcillen drejt varrit. Por me gjithë muhabetin e zakonshëm të kalimit të kohës, modelet e kulturës, shoqërisë dhe politikës mbeten të njëjta.

E pastaj vijnë edhe ato vitet e shkurta ku gjithçka ndryshon përnjëherë. Politikanë të rinj vijnë në skenë. Votuesit kërkojnë me ngulm politika të cilat deri dje ishin të papërfytyrueshme. Tensionet sociale të cilat janë zier për një kohë të gjatë nën sipërfaqe gufojnë në shpërthime të tmerrshme. Një sistem qeverisjeje që është dukur si i pandryshueshëm duket sikur do të mund të bëhet copash.
Ky është njëfarë momenti, në të cilin gjendemi tash.

Deri së fundmi, demokracia liberale ka mbretëruar ngadhënjyeshëm. Përkundër të metave të saj, shumica e qytetarëve dukeshin si të përkushtuar me gjithë zemër ndaj formës së tyre të qeverisjes. Ekonomia po rritej. Partitë radikale ishin të parëndësishme. Shkencëtarët politikë menduan se demokracia në vendet si Franca apo Shtetet e Bashkuara kishte kohë që ishte shkruar në gur, dhe që do të ndryshonte fare pak në vitet që vijnë. Në aspektin politik, dukej sikur e ardhmja nuk do të ishte shumë e ndryshme nga e kaluara.

Pastaj erdhi e ardhmja – dhe kjo doli të ishte vërtet shumë e ndryshme. Ka kohë që qytetarët janë zhgënjyer nga politika; tash, ata janë bërë të padurueshëm, të zemëruar, mospërfillës madje. Sistemet partiake janë dukur të ngrira; tash, autoritarianët popullistë janë në ngritje përreth botës, që nga Amerika e në Europë, që nga Azia në Australi. Ka kohë që votuesit nuk kanë pëlqyer parti të veçanta, politikanë a qeveri; tash, shumicës prej tyre ju ka ardhur në majë të hundës vetë demokracia liberale.

Zgjedhja e Donald Trumpit ka qenë manifestimi më i dalluar i krizës së demokracisë. Vështirë të mbitheksohet rëndësia që paraqet ngritja e tij. Por vështirë se ky është një incident i izoluar. Në Rusi dhe Turqi, të zgjedhurit fuqiplotë ia kanë arritur që t’i kthejnë demokracitë e njoma në diktatura zgjedhore. Në Poloni dhe Hungari, udhëheqësit popullistë po përdorin të njëjtat metoda për të shkatërruar mediat e lira, për të minuar institucionet e pavarura dhe për të shukatur opozitën.

Shumë vende mund ta ndjekin këtë shembull. Në Austri, një kandidat i së djathtës ekstreme gati sa nuk e fitoi presidencën. Në Francë, ndryshimi i shpejtë i skenës politike po ofron mundësi të reja si për të majtën ashtu edhe për të djathtën ekstreme. Në Spanjë dhe Greqi, sistemet partiake po shthuren me shpejtësi marramendëse. Madje edhe në demokracitë e supozuara si të qëndrueshme dhe tolerante të Suedisë, Gjermanisë, dhe Holandës, ekstremistët po festojnë suksese të paprecedentë.

Nuk mund të ketë më asnjë dyshim se jemi duke kaluar nëpër një moment popullist. Pyetja është se a do të kthehet ky moment popullist në një kohë populliste – dhe ta vë në pikëpyetje vetë mbijetesën e demokracisë liberale.

Kur demokracia është e qëndrueshme, kjo është në masë të madhe për shkak të të gjithë aktorëve madhorë politikë që janë të gatshëm shumicën e kohës që t’i mbahen rregullave themelore të lojës demokratike.

Disa nga këto rregulla janë formale. Një president a kryeministër lejon gjyqësorin që të hetojë keqpërdorimet nga anëtarët e qeverisë së tij në vend se të shkarkojë prokurorin. Ai pranon mbulimin kritik në shtyp në vend se të vërë në dry gazetat apo të persekutojë gazetarët. Kur ai humb një palë zgjedhje, ai largohet nga pozita qetësisht në vend se të mbahet pas pushtetit.

Por shumë nga këto rregulla janë joformale, që e bën me pak të qartë se kur ato shkelen. Qeveria nuk i ndryshon rregullat e zgjedhjeve në muajt para zgjedhjeve për të rritur mundësinë e fitores. Kryengritësit politikë nuk madhërojnë sunduesit autoritarë të së kaluarës, nuk kërcënojnë që të burgosin kundërshtarët e tyre a nuk rreken që të shkelin të drejtat e pakicave etnike e fetare.

Humbësit e zgjedhjeve përmbahen që të mos kufizojnë fuqitë e një pozite në të cilën është zgjedhur një kundërshtar në ditët e fundit në punë. Opozita miraton një gjyqtar kompetent me ideologjinë e së cilit nuk pajtohet, në vend se të lë të zbrazët një prej karrigeve të gjykatës më të lartë në vend, dhe bën një kompromis të papërsosur rreth buxhetit në vend se ta lërë qeverinë të mbyllet fare.

Shkurt, politikanët që kanë çfarë të humbin në sistem mund ta mendojnë politikën si një sport kontakti ku të gjithë pjesëmarrësit hahen për të fituar përparësi mbi kundërshtarët e tyre. Por ata janë po ashtu fort të vetëdijshëm se duhet të ketë disa kufij në të ndjekurit e interesave të tyre partiake; se të fituarit e ca zgjedhjeve të rëndësishme apo të kaluarit e një ligji urgjent janë më pak të rëndësishme se sa prezervimi i sistemit; dhe se politika demokratike nuk duhet asnjëherë të degjenerojë në luftë të gjithanshme. “Që demokracitë të funksionojnë”, shkruante para disa vitesh Michael Ignatieff, teoricieni politik dhe ish udhëheqësi i Partisë Liberale në Kanada, “politikanët duhet të respektojnë dallimin mes armikut dhe kundërshtarit. Një kundërshtar është dikush të cilin do që ta mposhtësh. Një armik është dikush të cilin do që ta shkatërrosh.”

Në SHBA, dhe në shumë vende të tjera rreth botës, kjo nuk është më mënyra sesi funksionon demokracia politike. Siç thotë Ignatieff, ne gjithnjë e më shumë “po shohim se çfarë ndodh kur një politikë e armiqve mbizotëron një politikë e kundërshtarëve”. Dhe njëfarë e reje e popullistëve që ka hyrë me furi në skenën politike gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit është për t’u fajësuar për këtë.

Ngritja e sapo të ardhurve politikë ka po aq gjasë që të jetë shenjë e shëndetit demokratik dhe vitalitetit sa edhe sëmundja e saj. Sistemet politike përfitojnë nga një garë tërësore e ideve dhe nga një zëvendësim i rregullt i një elite qeverisëse me tjetrën. Partitë e reja mund të ndihmojnë në të dyja anët. Duke shtyrë në agjendën politike çështje të neglizhuara për një kohë të gjatë, ato rrisin përfaqësueshmërinë e sistemit politik. Dhe duke katapultuar njëfarë të reje politikanësh në detyra zyrtare, ato injektojnë gjak të ri në sistem.

Edhe ashtu, ka arsye të fortë për të menduar se tretja e sistemit partiak është larg të qenit e parrezikshme. Sepse shumë nga partitë e reja nuk ofrojnë thjesht alternativa ideologjike brenda sistemit demokratik – ato sfidojnë rregullat dhe normat kryesore të vetë sistemit.

Një prej popullistëve me ngritjen më të hershme në skenën politike është Jorg Haider i Austrisë, një politikan i shkathët e karizmatik nga Karintia. Por masa në të cilën ai qe në gjendje që të minojë normat themelore të demokracisë liberale, u bë e dukshme kurdo që ai u përfshi në rivlerësimin dinak të së kaluarës naziste të Austrisë. Duke i folur një audience që përfshinte ish oficerë të SS-së, Haider pohonte se “ushtarët tanë nuk ishin kriminelë; së shumti, ata ishin viktima”.

Shkelja e normave politike është po ashtu specialitet i Geert Wilders, udhëheqësit të Partisë së Lirisë Holandeze (PVV). Islami, ka thënë ai, është “një ideologji e rrezikshme totalitare”. Përderisa popullistët e tjerë kanë provuar që të nxjerrin jashtë ligjit minaret dhe burkinit, Wilders, i vendosur që të mos ia kalojnë në këtë drejtim, ka shkuar aq larg sa të kërkojë ndalimin e Kuranit.

Për krahasim me Haiderin dhe Wildersin, një figurë si Beppe Grillo duket shumë më dashamirës në pamje të parë, duke premtuar që të marrë pushtetin nga një “kastë politikë” të vjetruar e që i shërben vetvetes, dhe të luftojë për një Itali më moderne e tolerante. Por me të filluar popullaritet Lëvizja Pesë Yje, ajo shpejt mori një kahe kundër sistemit. Sulmet e saj ndaj korrupsionit të politikanëve të posaçëm gradualisht u shndërruan në refuzime radikale të aspekteve kyçe të sistemit politik, duke përfshirë edhe vetë parlamentin. Zemërimi kundër establishmentit politik u mbështet nga një gatishmëri në rritje për t’u përfshirë në teori konspirative apo në shpërndarjen e rrenave të pastra lidhur me kundërshtarët politikë.

Arsyeja pse popullistët dhe të sapoardhurit politikë janë aq të gatshëm që të sfidojnë normat themelore demokratike është pjesërisht taktike: kurdo që popullistët shkelin norma të tilla, ata ngashënjejnë dënime të njëzëshme të establishmentit politik. Dhe kjo natyrisht që dëshmon se, siç reklamohet, popullistët vërtet përfaqësojnë një shkëputje të pastër prej statuskuosë. Këtu ka pra diçka performative për sa i përket prirjes së popullistëve për të shkelur normat demokratike: përderisa deklaratët e tyre më provokative shpesh konsiderohen prej vëzhguesve politikë si gafa, vetë gatishmëria e tyre për të shkaktuar gafa të tilla është arsye e fortë pse ata janë aq tërheqës.

Por moskokëçarja e tyre nuk është më pak e rrezikshme për shkak të kësaj. Sapo disa prej anëtarëve të sistemit politik të jenë të gatshëm të shkelin rregullat, të tjerët do kenë incentiva të mëdha për të ndjekur shembull. Dhe kjo, gjithnjë e më shumë, është ajo që ata bëjnë. Ndërkohë që disa prej sulmeve më spektakolare mbi normat themelore demokratike kanë ardhur nga të sapoardhurit politikë, përfaqësuesit e partive të vjetra e të njohura janë shfaqur gjithnjë e më shumë të gatshme për të minuar rregullat themelore të lojës.

Ndonjëherë, parti të caktuara nga e majta u janë nënshtruar tundimit për të dhunuar normat demokratike. Në SHBA, demokratët ka kohë që janë përfshirë në forma të papranueshme të ndryshimit të kufijve zgjedhorë që rezultojnë në përfitime zgjedhore [gerrymandering]. Dhe përgjatë presidencës së Obamas, qeveria vazhdoi zgjerimin e rolit të saj në mënyra brengosëse, duke ndjekur penalisht një numër rekord të gazetarëve për shkak të trajtimit të informatave të klasifikuara dhe duke përdorur urdhra ekzekutivë për të anashkaluar Kongresin në aspekte të politikëbërjes që nga ambienti e te imigracioni. Edhe ashtu, shumica e shkencëtarëve politikë pajtohen se Republikanët tash janë shembulli më i qartë ndonjëherë i sulmit të organizuar ndaj normave demokratike të kryera nga një parti nominale e establishmentit. Shihni për shembull se çfarë ndodhi menjëherë pas zgjedhjeve për guvernator në Kaliforninë e Veriut më 2016. Kandidati demokrat Roy Cooper fitoi zgjedhjet mjaft të kontestuara me një margjinë jashtëzakonisht të ngushtë. Por në vend se të pranojnë se kjo i jepte atij mandatin për të qeverisur për katër vitet e ardhshme, Republikanët vendosën që të rishkruajnë përshkrimin e tij të punës. Guvernatori i Karolinës së Veriut kishte pasur për detyrë që të emëronte 1500 punëtorë të stafit të tij; sipas ligjit që u miratua nga legjislatura republikane në ikje, ai që këtej do të lejohej që të emëronte vetëm 425. Deri atëherë, guvernatori ishte i thirrur që të emëronte deri në 66 anëtarë në bordet e shkollave të Universitet të Karolinës së Veriut; tash, atij i lejoheshin që të emëronte zero.

Partishmëria e hapur e këtyre veprimeve është e pamohueshme. Po aq është edhe importi i tyre: Republikanët në Karolinën e Veriut kanë refuzuar në mënyrë të efektshme nocionin se ne duhet të zgjidhim dallimet politike përmes zgjedhjeve të lira e të drejta dhe se jemi të gatshëm që të pranojmë qeverisjen e rivalëve tonë politikë atëherë kur humbim.

Qytetarët janë më pak të përkushtuar ndaj demokracisë sesa ç’ishin dikur; përderisa më shumë se dy të tretat e amerikanëve të moshuar thonë se për ta është thelbësore të jetojnë në demokraci, për shembull, më pak se një e treta e amerikanëve të rinj besojnë ashtu. Ata janë po ashtu më të hapur ndaj alternativave autoritare; para dy dekadave, për shembull, 25% e britanikëve thoshin se u pëlqente ideja e “një sunduesi të hekurt të cilit nuk i bëhet vonë për parlament a për zgjedhje”; sot janë 50% prej tyre. Dhe këto qëndrime po reflektohen gjithnjë e më shumë në politikën tonë: që nga Britania e Madhe në SHBA, dhe nga Gjermania në Hungari, respekti për rregullat dhe normat demokratike ka rënë rrufeshëm. Duke mos qenë më e vetmja lojë, demokracia tash po dekonsolidohet. 

Ky konkluzion, e di, është vështirë për t’u përbirë. Ne na pëlqen të mendojmë se bota përmirësohet me kohë, dhe se demokracia liberale po i shtrin rrënjët çdo vit. Kjo është mbase arsyeja se pse, nga të gjitha pohimet e mia, ajo që ka nxitur më së shumti dyshime është ideja se të rinjtë kanë qenë posaçërisht kritikë ndaj demokracisë.

Për arsye të qarta, amerikanët dhe britanikët e kanë veçanërisht të vështirë të besojnë se të rinjtë janë më të pakënaqurit. Në fund të fundit, të rinjtë anuan bindshëm kah Hillary Clinton, kandidatja e vazhdimësisë, në zgjedhjet e fundit amerikane: mes votuesve nën moshën 30 vjeç, 55% përkrahën Clintonin ndërsa vetëm 37% përkrahën Trumpin. Storia e Brexitit ishte po aq e ngjashme. Përderisa dy të tretat e pensionistëve britanikë votuan për t’u larguar nga Bashkimi Europian, dy të tretat e njëzetvjeçarëve votuan për statuskuonë.

Megjithatë, tërheqja e të rinjve drejt ekstremeve politike është rritur me kohë. Në vendet si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, për shembull, numri i të rinjve që mbajnë anën e të majtës radikale apo të djathtës ekstreme gati sa është dyfishuar përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit; në Suedi, ky numër është rritur gati trefish. Të dhënat e hulumtimit të opinionit e thonë po të njëjtin tregim. Përderisa të rinjtë kishin më pak gjasa për të votuar për Trumpin apo Brexitin, ata janë shumë më shumë të prirë për të votuar partitë që janë kundër sistemit në shumë vendet përreth botës.

Marine Le Pen, për shembull, llogarit të rinjtë si disa prej mbështetësve të saj më të flaktë. Në këtë aspekt, Franca vështirë se përbën një përjashtim. Përkundrazi, sondazhet kanë gjetur rezultate të ngjashme në vendet si Austria, Greqia, Finlanda dhe Hungaria.

Një shpjegim i mundshëm për atë se pse shumë të rinj janë të zhgënjyer me demokracinë është se ata nuk kanë ndonjë koncept të qartë se çfarë do të thotë të jetosh në një sistem të ndryshëm politik. Njerëzit që kanë lindur në vitet 1930 dhe 1940 kanë përjetuar kërcënimet e fashizmit qëkur ishin fëmijë ose janë rritur nga njerëz që e kanë luftuar atë aktivisht. Ata i kaluan vitet e tyre të rritjes përgjatë luftës së ftohtë, kur frika nga ekspansionizmi sovjetik e solli realitetin e komunizmit te ta në mënyrë shumë të ndryshme. Kur ata pyeten se a është e rëndësishme për ta që të jetojnë në demokraci, ata e kanë një sens se cila do të ishte alternativa.

Për dallim, njëzetvjeçarët në vendet si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, mezi e përjetuan luftën e ftohtë dhe madje mund edhe mos të njohin dikë që ka luftuar fashizmin. Për ta, pyetja se a është e rëndësishme të jetosh në demokraci është larg të qenit abstrakte. A nuk nënkupton kjo se po të përballeshin me një kërcënim ndaj sistemit të tyre, ata do të siguroheshin që t’i dilnin në mbrojtje?

Nuk jam edhe aq i sigurt. Vetë fakti se të rinjtë nuk e kanë ndonjë ide se çfarë do të thotë të jetosh në një sistem të ndryshëm prej të tyrit mund t’i bëjë ata që të duan të përfshihen në eksperimentime politike. Të mësuar me të përjetuarit dhe të kritikuarit e padrejtësive dhe hipokrizive të sistemit në të cilin u rritën, shumë prej tyre filluan t’i merrnin si të mirëqena aspektet e tij pozitive.

Qëkur filozofët filluan të mendojnë për konceptin e vetëqeverisjes, ata vendosën një theks të veçantë mbi edukimin qytetar. Që prej Platonit te Ciceroni, prej Machiavellit te Rousseau, që të gjithë ishin të fiksuar pas pyetjes sesi të rrënjoset virtyti politik te rinia.

Vështirë se është befasuese, pra, që një grup i vogël patriotësh të cilit guxuan të themelojnë një republikë të re në Amerikë në një kohë kur vetëqeverisja gati sa nuk ishte zhdukur nga kjo tokë, po ashtu u përpoqën shumë që t’u transmetojnë vlerat e tyre gjeneratave të ardhshme. Çfarë, pyeste George Washington në Fjalimin e Tetë Vjetorit, mund të jetë më me rëndësi sesa transmetimi i vlerave qytetare “gardianëve të ardhshëm të lirive të vendit”?

“Një popull që do që të qeverisë vetveten,” do të thoshte James Madison disa vjet më pas, “duhet të armatoset me pushtetin që të jep dija.” Frika që ai ndjente për atë se çfarë do t’i ndodhte Amerikës po të mos merrte parasysh këtë detyrë vendimtare tingëllon çuditshmërisht tepër e përshtatshme sot: “Një qeveri popullore, pa informacion popullor, apo pa mjetet për ta marrë atë, s’është veçse një prolog i një Farse ose një Tragjedie; apo, mbase të dyjave.”

Për dy shekujt e parë të ekzistencës së republikës, ky theks mbi edukimin qytetar formësoi vendin. Prindërit u përpoqën të rrisin qytetarë të së nesërmes, duke garuar me njëri tjetrin se cili katërvjeçar mund të emërojë më shumë presidentë. Shkollat përreth SHBA-ve i përkushtuan kohë të konsiderueshme që t’u mësojnë nxënësve “si bëhet ligj një projektligj”.

Edukimi qytetar në të gjitha format e tij qëndronte në thelb të projektit amerikan – ashtu siç qëndronte gjithashtu në Britani, Gjermani dhe Skandinavi. Pastaj, në një kohë të një paqeje dhe prosperiteti të paprecedent, ideja se përkrahja për vetëqeverisjen do të rifitohej gjeneratë pas gjeneratë filloi të venitej. Sot, gati sa nuk është zhdukur tërësisht.

Shumë mendimtarë konservatorë kanë sugjeruar një ilaç të thjeshtë ndaj këtyre sëmundjeve të ndërlikuara. Siç e ka thënë David Brooks së voni në një kolumnë për New York Times, historia e qytetërimit perëndimor duhet të mësohet në një mënyrë “bindshëm progresive”: “Ka pasur figura të caktuara si Sokrati, Erazmi, Montesquieu dhe Rousseau, të cilët ndihmuan kombet që të ngritën në lartësi të idealit humanist.” Brooks ka të drejtë që ta vërë theksin te rëndësia e edukimit qytetar. Por ai e ka gabim në sugjerimin se e ardhmja e qytetarisë duhet të përbëhet nga një llogari aq hagjiografike e së kaluarës. Për të gjitha të metat e saj, në fund të fundit, seç ka një thelb të rëndësishëm të së vërtetës te kritikat që i bëhen demokracisë liberale nga disa qarqe të së majtës akademike. Edhe pse ata aspiruan drejt universalitetit, shumë mendimtarë të Iluminizmit përfunduan së përjashtuari grupe të mëdha nga trajtimet e tyre morale. Edhe pse emrat e tyre përmbajnë arritje të mëdha, shumë prej këtyre “njerëzve të mëdhenj” të historisë shkaktuan krime të tmerrshme. Edhe pse ideali i demokracisë liberale vlen të mbrohet me ngulm, praktikat e tanishme të saj vazhdojnë që të tolerojnë disa padrejtësi të turpshme.

Si historia e Iluminizmit ashtu edhe realiteti i demokracisë liberale janë të ndërlikuara. Çdo orvatje për t’i paraqitur ato në terma jokritike është e prirë që të bjerë ndesh me vlerën themelore iluministe të vërtetësisë, dhe të minojë parimin themelor demokratik të përpjekjes për barazi politike. Është njohja e këtyre fakteve – si dhe zemërimi i kuptueshëm ndaj mohimit të tyre nga qarqe të mëdha të së djathtës – që e bën aq tërheqës faktin që shumë prej gazetarëve dhe akademikëve të sotëm të ndjehen rehat në pozën e një kritikë të pastër dhe këmbëngulëse.

Por një fokus i veçantë mbi padrejtësitë e të sotmes nuk është më i ndershëm intelektualisht sesa një paralajmërim i pamenduar për madhështinë e qytetërimit perëndimor. Për t’iu përmbajtur idealeve të tij, edukimi qytetar duhet pra që të përfshijë si padrejtësitë e vërteta ashtu edhe arritjet e mëdha të demokracisë liberale – dhe të përpiqet t’i bëjë studentët po aq të vendosur për të korrigjuar të parat sa edhe për të mbrojtur këto të fundit.

Një pjesë integrale e këtij edukimi do të duhej të ishte një vlerësim rreth arsyeve se pse parimet e demokracisë liberale paraqesin një joshje të posaçme. Mësuesit dhe profesorët do të duhej të shpenzoni më shumë kohë për të nxjerrë në pah arsyet që alternativat ideologjike të demokracisë liberale, që prej fashizmit te komunizmi, dhe që prej autokracisë te teokracia, mbeten po aq të papranueshme sot sa ç’ishin në të kaluarën. Dhe ata do të duhej të ishin gjithashtu më të qartë rreth faktit se përgjigjja e duhur ndaj hipokrizisë nuk është dëbimi i parimeve tërheqëse që shpesh përmenden në mënyrë të pasinqertë por të punuarit edhe më shumë që më në fund ato të vihen në praktikë.

Siç e argumentoj në librin tim të ri Populli kundër Demokracisë, ne do të jemi në gjendje të përmbajmë ngritjen e popullizmit vetëm nëse sigurohemi që sistemi politik të tejkalojë po ato të meta të cilat e kanë ndezur atë. Njerëzit e rëndomtë ka kohë që shohin që politikanët nuk i dëgjojnë ata kur marrin vendime. Ka arsye se pse ata janë skeptikë: të pasurit dhe të pushtetshmit kanë pasur vërtet për një kohë të gjatë një shkallë brengosëse të ndikimit mbi politikbërjen publike. Dera rrotulluese mes lobuesve dhe ligjvënësve, roli i stërmadh i parasë private në financat e fushatave, dhe lidhjet e ngushta mes politikës dhe industrisë vërtet kanë minuar masën në të cilën vullneti popullor shtyn politikat publike.

E gjithë kjo ka pasur ndikim mbi aftësinë e qeverisë për t’iu përgjigjur njerëzve të rëndomtë. Pas rritjes së shpejtë në kohën e pasluftës, në shumë vende amerikonoveriore dhe europianoperendimore, standardi i jetesës për njerëzit e rëndomtë, ka dekada që ka ngecur. Dhe frustrimi në rritje për mungesën e progresit material, në anën tjetër, i ka ndihmuar ndezjes së një kundërplasjeje masive kulturore kundrejt idealeve të një shoqërie të barabartë e shumëetnik.

Këto të meta mund të adresohen vetëm përmes reformës substanciale. Institucionet duhet të kufizojnë ndikimin e parasë mbi politikën dhe të gjejnë mënyra të reja që t’iu mundësojnë qytetarëve të thonë fjalën e tyre. Politikanët duhet të rigjejnë vullnetin dhe imagjinatën që të sigurojnë se frytet e globalizimit dhe tregut të lirë të shpërndahen në mënyrë më të barabartë. Dhe qytetarët – që do të thotë të gjithë prej nesh – duhet të punojnë më shumë për të ndërtuar një patriotizëm përfshirës që mbron pakicat kundër diskriminimit ndërkohë që vëmë theksin mbi atë që na bashkon në vend se mbi atë që na ndan.

Por projekti i shpëtimit të demokracisë liberale kërkon gjithashtu diçka më fisnike sesa një reformë të thjeshtë. Popullistët kanë qenë në gjendje të festojnë suksese aq të jashtëzakonshme vetëm sepse themelet morale të sistemit tonë janë shumë më të brishta sa ç’kishim menduar. Dhe kështu kushdo që përpiqet të japë kontribut në rivitalizimin e demokracisë duhet që së pari të ndihmojë që ta rindërtojë atë në një bazë më të qëndrueshme ideologjike.
 

________

Përkthyer nga Bardhi Bakija

Yascha Mounk është ligjërues mbi qeverinë në Harvard dhe autor i librit të ri Populli kundër  Demokracisë: Pse Liria jonë është në Rrezik dhe Si ta Shpëtojmë atë [The People vs. Democracy: Why Our Freedom is in Danger and How to Save It]

Artikulli origjinal në The Guardian



 

16 prill 2018
10:35

Yascha Mounk