09 shkurt 2018
11:21

Të lexosh gazetat sot mund t’iu dëshpërojë kur vjen puna te demokracia. Demokracitë e reja premtuese në Poloni, Hungari dhe Turqi kanë rrëshqitur në joliberalizëm [illiberalism] dhe pseudoautoritarizëm, ndërkohë që demokracitë e vjetra në Perëndim po rrezikohen posaçërisht nga partitë popullsite, zotimet liberale e madje demokratike të cilat janë të dyshimta. Disa komentues, posaçërisht Yascha Mounk dhe Robert Foa, brengosen se “shenjat paralajmëruese janë në të kuqe të ndezur” dhe se është e mundur që demokracia në Perëndim po i hyn një periudhë të rënies përfundimtare. Çfarë e ka shkaktuar këtë zhvillim dhe cila është zgjidhja për të?
Një përgjigje provokuese që u parashtrua gati njëzet vjet më parë nga gazetari Fareed Zakaria në një ese mbi “demokracinë joliberale” është se fajin e ka vetë demokracia. Demokraci, në fund të fundit, do të thotë “sundim i popullit” dhe shumë elita e shohin “popullin” me frikë: ata mund të jenë të painformuar, të paarsyeshëm, dhe të prirë të veprojnë sipas interesit të tyre në vend se përkitazi me të mirën “e përbashkët” apo publike. Sundimi i shfrenuar prej popullit mund të çojë shumë lehtë drejt joliberalizmit – apo më keq. Siç thotë Zakaria, “sot dy shtigjet e demokracisë liberale... po ndahen nga njëra tjetra. Demokracia po lulëzon... liberalizmi jo.”
Përgjatë viteve të fundit ka pasur shpërthime të brengave për demokraci “jashtë kontrollit” dhe sundimit të popullit – por brenga të tilla kanë qenë të pranishme që kur ekziston demokracia. Grekët e lashtë shpesh barazonin demokracinë me sundimin e turmave. Aristoteli, për shembull, shqetësohej rreth prirjes së demokracisë për t’u degjeneruar në “sundimin kaotik të masave” dhe në Republikën e Platonit, Sokrati argumenton se me t’u dhënë pushteti dhe liria, masat do të shfrenojnë pasionet e tyre, do të shkatërrojnë traditat dhe institucionet, dhe të bëhen pre e lehtë për tiranët. Ndërkohë, liberalët klasikë ndjenin frikë të madhe ndaj demokracisë, të bindur se me t’u dhënë pushteti ,“populli” do të shkelë mbi liritë dhe do të konfiskojë pronat e elitave. Mendimtarët e mëdhenj liberalë si Tocqueville, John Stuart Mill, dhe Ortega y Gasset shqetësoheshin vazhdimisht se demokracia do të çonte drejt “tiranisë së shumicës” dhe për prirjen e masave për të rënë pre e diktatorëve joliberalë.
Përderisa shqetësimet rreth joliberalizmit, popullizmit dhe mazhoritarizmit kanë bazë të qëndrueshme, e njëjta nuk mund të thuhet rreth fajësimit të fenomeneve të tilla për “tepricë” të demokracisë. Argumente të tilla shtrihen mbi një keqkuptim bazik mbi atë sesi është zhvilluar historikisht demokracia liberale dhe sesi ndërveprojnë në të vërtetë liberalizmi dhe demokracia.
Për sa i përket të parës, shumë analistë pohojnë se problemet me të cilat ballafaqohen shumë demokraci të reja janë pasoja të demokratizimit që i paraprijnë liberalizmit. Në situata të tilla “pasionet e popullit” tërbohen, duke shpërthyer në forca të rrezikshme që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë vendosjen e një demokracia liberale. Zakaria, për shembull, argumenton se “liberalizmi kushtetues ka çuar drejt demokracisë, por demokracia nuk duket se sjell liberalizëm kushtetues.” Ngjashëm, shkencëtarët politikë Jack Snyder dhe Edward Mansfield argumentojnë se nëse demokratizimi ndodh në vende ku traditat liberale nuk janë të përforcuara mirë, aty me gjasë do të marrë krye joliberalizmi dhe konflikti. “Përpjekjet e papjekura dhe jashtë sekuencës për të demokratizuar, mund t’i bëjnë më të vështira dhe më të dhunshme përpjekjet pasuese për të demokratizuar sesa në rastin e kundërt.”
E sa i përket argumentit të fundit, ka shumë që pajtohen se problemet me të cilat ballafaqohen demokracitë e konsoliduara perëndimore janë pasoja të një “teprie” të demokracisë dhe një vyshkje e liberalizmit që e shoqëron. Siç e thotë komentuesi Andrew Sullivan, ne po jetojmë në “kohëra hiperdemokratike,” me “pasionet e turmës” që shfryhen tërbueshëm dhe që paraqesin rrezik për vet demokracinë. “Demokracitë marrin fund,” thotë titulli i artikullit të tij në revistën New York, “kur ato janë tepër demokratike.”
Të dy këto argumente janë të gabuara. Historikisht, demokracia joliberale ka qenë një etapë në rrugën drejt demokracisë liberale në vend se një pikë përfundimtare e trajektores politike së një vendi. Ç’është e vërteta, në të kaluarën, përvoja dhe mësimet e nxjerra prej eksperimenteve të gjymtuara apo madje edhe të dështuara demokratike kanë luajtur një rol kyç në të ndihmuarit e shoqërive që të vlerësojnë vlerat dhe institucionet liberale. Dhe shumë prej problemeve që janë shfaqur sot në demokracitë perëndimore nuk janë pasojë e “hiperdemokratizimit” – por tamam e kundërta. Përgjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, institucionet dhe elitat demokratike janë bërë gjithnjë e më të tjetërsuara e të izoluara nga populli, duke i kontribuuar me të madhe zemërimit, frustrimit, dhe inatit që po e gërryen demokracinë liberale sot. Le t’i shqyrtojmë këto pika me rend.
Një histori e demokracisë liberale në Europë
Franca – vendlindja e demokracisë moderne dhe e demokracisë liberale – është një rast kritik dhe ilustrues. Kur francezët u ngritën kundër diktaturës më të fuqishme të botës më 1789, shumë njerëz shpresuan se do të ishte agim i një epoke të re, por tranzicioni shpejt shkoi mbrapsht. Më 1793 u ekzekutua mbreti dhe u shpall një republikë me të drejtë universale mashkullore të votës dhe me zotime ndaj një rendi të gjerë të të drejtave civile e politike. Por demokracia e parë e Europës nuk zgjati shumë, duke u katandisur shpejt në të ashtuquajturin “Sundim të Terrorit” gjatë të cilit u ekzekutuan për aktivitete “kundërrevolucionare” 20,000 deri në 40,000 njerëz. Teoricieni politik Edmund Burke qe kritiku më i njohur konservator i cili argumentonte se përvoja e Francës dëshmonte për rreziqet e demokracisë dhe për nevojën e të përmbajturit të popullit dhe pasioneve të tyre. Por Burke dhe kritikët e tjerë e kishin gabim. Edhe pse eksperimenti i parë demokratik i Francës rrëshqiti shpejt në joliberalizëm e pastaj në diktaturë, eliminimi i ancient regime [regjimi i vjetër] dha një kontribut të çmuar në zhvillimin eventual të demokracisë liberale. Kjo ndodhi përmes zëvendësimit të rendit ekonomik dhe social feudal me një sistem tregu të bazuar mbi pronën private dhe barazinë para ligjit, dhe me të nguliturit në Francë (dhe me të përhapurit përgjatë Europës) të idesë se shoqëria përbëhej prej qytetarëve të barabartë, në vend se prej grupeve trashëgimtare funksionalisht të ndryshme (siç ishin fisnikët dhe fshatarët).
E kështu edhe atëherë kur mbreti i ri burbon erdhi në Francë pas abdikimit të Napoleonit, atij iu desh që të sundonte përmes kushtetutës që kërkonte të drejtë të kufizuar të votës dhe mbrojtje të të drejtave themelore civile. Kur mbretërit provuan t’i tëhuajsonin këto të drejta më 1830 dhe 1848, populli u revoltua. Kryengritja e këtyre të fundit çoi drejt një tranzicioni tjetër për në demokraci, i cili dështoi poashtu, duke rezultuar në ngritjen e një diktatori popullist – Louis-Napoleon Bonaparte (nipi i Napoleonit të mëhershëm). Kur regjimi i Louis-Napoleonit ra pas disfatës së Francës nga Gjermania më 1870, ngjau një kryengritje e përgjakshme (Komuna e Parisit më 1871), që u pasua edhe nga një tjetër tranzicion drejt demokracisë me Republikën e Tretë. Kjo prova e tretë drejt demokracisë prodhoi regjimin më të qëndrueshëm në Francë që prej revolucionit dhe një që i përafrohej më së shumti demokracisë liberale. Eventualisht, Republika e Tretë ra më 1940, e dobësuar së pari nga vitet e vështira mes dy luftërave dhe pastaj e pushtuar nga makineria naziste e luftës, por demokracia u rikthye në Francë pas luftës. E inkurajuar nga një ambient i volitshëm rajonal, mbështetja e Shteteve të Bashkuara, dhe nga benefitet e të mësuarit nga e kaluara, demokracia liberale në Francë erdhi më në fund gjatë periudhës së pasluftës, për të mos u larguar. Duke përfituar nga vështrimi retrospektiv, ne tash mund të shohim se paaftësia e mëhershme e Francës për të ruajtur demokracinë liberale nuk e parandaloi suksesin e mëvonshëm; ç’është e vërteta, përpjekjet paraprake qenë pjesë e një procesi afatgjatë që filloi me Revolucionin Francez, ku institucionet jodemokratike, elitat, dhe kultura me kohë u eliminuan, dhe ku u farkëtuan pasardhësit e tyre demokratë. Tregime të ngjashme mund të thuhen edhe për vende të tjera europiane.
Italia, për shembull, u demokratizua pak para Luftës së Parë Botërore dhe u pllakos që në fillim nga kaosi dhe konflikti. Lufta e Parë Botërore dhe pasojat që pati, përshpejtuan trazirat në vend: mes vitit 1918 dhe 1922, rajonet urbane dhe rurale u pllakosen nga kryengritjet dhe dhuna. Në tetor 1922 mbreti Italian, i nxitur nga konservatorët, i kërkoi Mussolinit që të formonte qeverinë. Kalimi në fashizëm u duartrokit nga shumë përbrenda dhe jashtë Italisë të cilët besonin se diktatura do të ishte më e afta që të vendoste rregullin dhe zhvillimin, i cili duhej aq dëshpërueshëm vendit. Pikëpamje të tilla qenë, natyrisht, të gabuara. Jo vetëm që regjimi fashist ishte më i dhunshëm dhe shkatërrimtar sesa demokracia e brishtë që i parapriu, por problemet që e ndihmuan të hipte në pushtet nuk ishin rezultat as i demokracisë as i pasioneve të popullit italian.
Në vend të kësaj, çrregullimi që e kaploi Italinë përgjatë fillimshekullit të njëzetë qe në masë të madhe pasojë e mënyrës së qeverisjes së regjimit jodemokratik që qeveriste me Italinë para tranzicionit – duke përçarë dhe manipuluar qytetarët italianë dhe duke mos ofruar kanale të duhura për të shprehur kërkesat e tyre legjitime dhe pakënaqësinë në rritje. Elitat kryesisht liberale që qeverisnin Italinë pas bashkimit injoruan interesat e popullit, në vend se të punonin për t’i integruar ata në sistemin politik. Ata poashtu qeverisnin përmes një sistemi të korrupsionit të institucionalizuar që delegjitimonte institucionet politike dhe krijonte pakënaqësi dhe frustrim, meqë grupeve të caktuara u mohohej qasja në pushtetin politik dhe në benefitet që e shoqëronin. E për shkak se sistemi politik nuk i përgjigjej shqetësimeve e kërkesave të popullit, përçarjet brenda shoqërisë italiane – mes shekullarëve e fetarëve; mes veriut të përparuar e industrial dhe jugut të prapambetur, e madje feudal; dhe mes grupeve politikisht “të brendshme” e “të jashtme” – nuk u adresuan asnjëherë në mënyrë të efektshme. Prandaj, atëherë kur ngjau tranzicioni për në demokraci, këto përçarje dolën në sipërfaqe dhe regjimi i ri u ngarkua me një shumësi të pamasë problemesh. Të thuash, me fjalë të tjera, se kaosi dhe konflikti që e pllakosi Italinë përgjatë viteve mes dy luftërave u shkaktua prej “keqfunksionimit” të demokracisë apo prej “papjekurisë” dhe “paarsyeshmërisë” së masave italiane është një keqlexim dramatik i historisë.
E njëjta është e vërtetë për Gjermaninë, e cila u demokratizua pas Luftës së Parë Botërore. Republika e re e Vajmarit u pllakos menjëherë nga konflikti dhe ekstremizmi, ku që të gjitha u ushqyen nga Inflacioni i Madh i fillimviteve 1920 dhe nga Depresioni i Madh i fillimviteve 1930. Si përgjigje ndaj të parës, aktorët kryesorë politikë patën drojë, duke i lejuar ekstremistët që të fitonin terren; në janar 1933, Hitlerit iu ofrua kancelaria dhe kështu i erdhi fundi eksperimentit demokratik të Gjermanisë. Kritikët pohuan se Vajmari dhe eksperimentet e tjera të dështuara demokratike të mes dy luftërave tregonin se demokracia dhe sundimi nga populli ishin katastrofa që pritej të ndodhnin. Vetëm sistemet politike autoritare të qeverisura nga një lider i fortë, pohonin ata, do të mund të siguronin rendin dhe të parandalonin konfliktet sociale, jostabilitetin politik, dhe tolerancën morale. Edhe njëherë, megjithatë, kritikët e kishin gabim. Fati i Vajmarit kishte më pak të bëjë me deficitet e brendshme në demokraci se sa me problemet e krijuara nga regjimi jodemokratik që e parapriu.
Gjermania moderne u bashkua nga lart nën patronazhin e shtetit të saj më të fuqishëm, Prusisë militariste dhe konservatore, dhe kishte atë që tash do ta konsideronim si regjim “gjysmë-autoritar.” Diçka që i shëmbëllen sundimit të ligjit ekzistonte, por ekzekutivi u mbrojt nga impakti i plotë i zgjedhjeve në dhomat e ulëta të parlamentit (Rajhstagut), sepse kancelarit nuk i duhej mbështetja e tij për të mbetur në pushtet. Natyra jodemokratike e regjimit krijoi incentiva të forta për qeveritarët që të manipulonin grupe të ndryshme shoqërore në mënyrë që të arrinin atë që donin. Otto von Bismarck, i cili shërbeu si kancelar për dy dhjetëvjeçarë (1871-1890), ishte mjeshtër në përçarjen, shtypjen, dhe demonizimin e kundërshtarëve të tij socialistë e katolikë, duke i thelluar ndarjet mes protestantëve e katolikëve, mes gjermanëve religjiozë e shekullarë, mes punëtorëve e elitave. Politika e “armiqve të shtetit” e Bismarckut poashtu ushtronte një ndikim të dëmshëm mbi nacionalizmin gjerman, duke ndihmuar që të betonohej ideja se Gjermania përballej me armiq të brendshëm e të jashtëm. Kjo rezultoi në një Gjermani të bashkuar politikisht por gjithnjë e më të ndarë kundrejt vetvetes, me një sens të shtrembëruar të nacionalizmit, një paranojë rreth armiqve të brendshëm e të jashtëm, dhe nivele në rritje të frustrimit dhe ekstremizmit meqë qeveritë jodemokratike u dëshmuan të paafta dhe jo të gatshme për t’iu përgjigjur kërkesave publike. Prandaj, kur më në fund ngjau demokratizimi më 1918, demokracia e re pranoi një trashëgimi të gjymtuar, që përfshinte një shoqëri të përçarë, lëvizje nacionaliste radikale, ekonomi të shkatërruar, dhe faj qëllimisht të falsifikuar për humbjen e luftës dhe të gjitha pasojat politike, ekonomike, e psikologjike që rrodhën aga ajo. Mundimet e Republikës së Vajmarit, thënë shkurt, kishin më pak të bënin me demokracinë apo me pasionet e popullit të Gjermanisë sesa ç’kishin të bëjnë me politikat helmuese të regjimit paraprak jodemokratik.
Si në Francë, në Gjermani dhe Itali, poashtu edhe në Austri, Spanjë, dhe shumë vende të tjera europiane, edhe pse përpjekjet fillestare drejt demokracisë u kalbën në joliberalizëm dhe/ose me kohë dështuan, ato nuk e parandaluan zhvillimin e demokracisë liberale në rrugën e saj; ç’është e vërteta, ato shpesh i kontribuuan asaj në mënyra të rëndësishme duke u shkëputur nga trashëgimitë antidemokratike të regjimeve të vjetra dhe duke ndërtuar infrastrukturën për demokracitë e reja. Vërtet, kur Europës Perëndimore iu dha rasti për rindërtim demokratik pas 1945, qytetarët dhe elitat shikuan pas drejt gabimeve të së kaluarës dhe ndërtuan demokraci të reja, të krijuara shprehimisht për t’i shmangur ato, duke përfshirë në kushtetutat e pasluftës mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv, mbrojtjen e pakicave, garancitë e të drejtave individuale, dhe provizionet për sigurimin shoqëror. Në shumicën e vendeve europiane, thënë shkurt, u desh që të ndodhnin eksperimente të dështuara joliberale dhe demokratike për të çmuar vlerat dhe institucionet liberale si dhe për të njohur rëndësinë e kombinimit të tyre me demokracinë.
Edhe rastet që shpesh mbahen prej analistëve të demokracisë joliberale si “tipe ideale” – që do të thotë, raste kur liberalizmi duket se zhvillohej para se të ngjante tranzicioni për në demokraci – shpesh keqkuptohen dhe shpalosin një marrëdhënie shumë të ndryshme mes liberalizmit dhe demokracisë sesa ç’thonë shumë prej kritikëve bashkëkohorë të “teprisë” së demokracisë. Më së shumti, liberalizmi i supozuar që e parapriu demokracinë ishte i tëholluar dhe i kufizuar.
Merreni Britaninë, për shembull, vendi që prej shumëve, përfshirë Zakarian, mbahet si shembull ilustrues i sekuencës politike të preferuar. Institucionalizimi i liberalizmit në Britani më së shpeshti daton që prej Revolucionit të Lavdishëm të 1688, i cili i dha Britanisë një kushtetutë që mbretit i kufizonte pushtetet, e i rriste ato të parlamentit, dhe përforconte të drejtat e rëndësishme civile. Por deri përgjatë shekullit të njëzetë, Britania ishte një oligopoli aristokratike ku pushteti ishte i përqendruar në duart e një elitë anglikane pronarësh tokash. Kjo elitë ishte më e fuqishmja politikisht në Europë: ajo dominonte të gjitha pozicionet e larta në shërbimin civil britanik, në ushtri, gjyqësor, dhe në Kishë, qeveri si dhe në Dhomë e Lordëve dhe në Dhomën e Deputetëve. Ajo poashtu kontrollonte funksionet politike, administrative dhe juridike në fshatra sikurse edhe një pasuri të pamasë. Ç’është e vërteta, elita e pronarëve të tokave në Britani ishte më e pasur dhe kontrollonte më shumë resurse ekonomike të vendit (tokë) sesa cilado elitë tjetër në Europë. Thënë shkurt, deri përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, “liberalizmi” që ekzistonte në Britani nuk e parandalonte elitën britanike të pronarëve të tokave që të kënaqej me një kombiminim të pasurisë, statusit shoqëror, dhe pushtetit politik që do t’i bënte plutokratët e sotëm të skuqeshin.
Natyra e tëholluar dhe e kufizuar e liberalizmit britanik qe e lidhur drejtpërdrejt me natyrën jodemokratike të sistemit politik: prona dhe kufizimet fetare mbi të drejtën e votës dhe manipulimet zgjedhore që favorizonin distriktet rurale, mundësuan dominimin e elitave mbi ekonominë, shoqërinë dhe qeverinë, dhe garantonte që shumica dërrmuese e qytetarëve britanikë të përjashtoheshin nga pasuria, statusi dhe pushteti, që pjesëmarrja e plotë ndryshe do të sillte me siguri. Veç kësaj, mungesa e demokracisë i lehtësoi rrugën korrupsionit gjithëpërfshirës. Rajonet e shpopulluara rurale shpesh quheshin “zona të kalbura zgjedhore” meqë ato kontrolloheshin nga elitat e pronarëve të tokave, të cilët i përdornin ato për të dërguar në parlament përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre me kujdes. Në zona të tjera zgjedhore, pronarët e mëdhenj të tokave thjesht përdornin pasurinë dhe ndikimin e tyre për të kontrolluar rezultatet zgjedhore. Me fjalë të tjera, përkundër liberalizmit të supozuar, mungesa e demokracisë në Britani mundësonte vazhdimësinë e oligarkisë; ajo gjithashtu sigurohej që as pakicat e as të drejtat individuale të mos mbroheshin plotësisht. Katolikët anglezë ishin ligjërisht të shtypur dhe politikisht të përjashtuar, e irlandezët, natyrisht, e kaluan edhe më keq. Punëtorëve e të varfërve, ndërkohë, jo vetëm që iu ndalua pjesëmarrja e plotë politike, por shumë prej lirive të tyre civile (për shembull, për të organizuar protestë) iu kufizuan poashtu. Vetëm atëherë kur përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë u rrit presioni për përfshirjen e grupeve deri atëherë të përjashtuara – pra, demokratizimi – që “benefitet” e plota të liberalizmit u zgjeruan gradualisht drejt popullatës së tërë.
Një liberalizëm po aq i tëholluar dhe i kufizuar e karakterizoi rastin tjetër madhor, që shpesh mbahet si shëmbëllyes i benefiteve që vijnë nga të pasurit liberalizëm para demokracisë – Shtetet e Bashkuara. Siç kanë vërejtur Zakaria dhe të tjerët, baballarët e kombit [founding fathers] ishin shumë skeptikë ndaj sundimit të pambikëqyrur të popullit dhe kështu krijuan një shumësi mënyrash për ta kufizuar atë. Por, natyrisht, nuk ishte vetëm demokracia që u kufizua nga rendi zanafillor politik amerikan – u kufizua liberalizmi gjithashtu. Të drejtat liberale u shërbyen vetëm amerikanëve të bardhë, meshkuj; gratë, skllevërit dhe amerikanët autoktonë u përjashtuan tërësisht nga sundimi i ligjit dhe liritë e tjera themelore. Dhe posaçërisht para Luftës Civile, një pjesë e tërë e Shteteve të Bashkuara – Jugu – përkundër rendit politik të ashtuquajtur liberal, ishte një oligarki tiranike. U desh që të fillonte konflikti më i përgjakshëm në historinë e Amerikës – Lufta Civile – për ta ndryshuar këtë, e madje edhe paskëtaj u desh edhe një shekull tjetër, që qeveria të jetë në gjendje, apo mbase e gatshme, që të mbrojë pakicat, të sigurojë sundimin e ligjit, të zbatojë të drejtat individuale, dhe të garantojë që liritë themelore civile në fakt vlenin për të gjithë qytetarët e saj.
Tepër demokraci, apo shumë pak?
Çfarë të thuhet për argumentin se “hiperdemokratizimi” është në zemër të problemeve me të cilat ballafaqohen sot demokracitë liberale në Perëndim? Ky argument ka po aq pak meritë sa edhe ai i kaluari. Në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, pakënaqësia me demokracinë liberale dhe gatishmëria që të votohet për parti populliste është jo aq një pasojë e demokracisë së tepërt sa e demokracisë së mangët – e qytetarëve që shohin elitat dhe institucionet demokratike si jashtë rrjedhave dhe mosdëgjuese ndaj kërkesave të tyre. Një sondazh i vitit 2017 gjeti se vetëm 28 për qind e amerikanëve mendonin se e ardhmja e gjeneratës së ardhshme do të jetë më e mirë. Një sondazh tjetër i vitit 2015 gjente se vetëm 19 për qind besonin se qeveria po punonte për “të mirën e të gjithëve,” dhe një studim i vitit 2016 tregonte se si Demokratët edhe Republikanët e shihnin partinë tjetër si “të pamoralshme” ose “kërcënuese.” (Rënie të ngjashme karakterizojnë elektoratet europiane – studimet kanë treguar se ka një korrelacion të qartë mes mungesës së besimit në institucionet politike dhe votimit popullist.)
Në Europë, përgjatë gjeneratës së fundit, partitë tradicionale politike kanë humbur anëtarë (dhe votues, në shumë raste), duke prishur lidhjen e fortë mes popullit dhe sferës politike dhe, siç është argumentuar nga disa, politikanët po nxirren gjithnjë e më shumë nga mjedise elitare arsimore dhe socioekonomike, duke krijuar distancë (e mbase edhe interesa divergjente) nga ata që supozohet se i përfaqësojnë. Poashtu dëmtues ishte edhe sensi i përhapur se krizat financiare u shkaktuan nga qeveritë që ishin më të përgjegjshme ndaj globalizimit dhe forcave të tregut se ndaj popujve të tyre, dhe nga elitat politike që ishin shumë rehat me banikerët dhe të pasurit. Pakënaqësia është nxitur poashtu nga një Bashkim Europian jodemokratik dhe teknokrat. Në veçanti, përgjatë krizës së fundit financiare, çështje me pasoja të jashtëzakonshme shpërndarëse [distribucionale] u morën nga duart e qeverive të zgjedhura kombëtare dhe u vendosën në sferën e teknokratëve të pazgjedhur të BE-së dhe institucioneve jodemokratike të BE-së. Në Europën Jugore kjo prirje u çua në ekstrem: në Itali, një qeveri e teknokrate e zgjedhur jodemokratikisht e favorizuar nga Brukseli zuri vendin e të asaj të zgjedhur demokratikisht, përderisa në Greqi një qeveri e zgjedhur demokratikisht u detyrua që të tradhtojë premtimet e bëra ndaj popullit të saj për shkak të kërcënimeve për një Armagedon financiar nga BE-ja. Ia vlen të përmendet se minimi i demokracive kombëtare nga BE-ja nuk solli ndonjë kundërbenefit (ekonomik). Ç’është e vërteta, ekonomistët politikë Matthias Matthijs dhe Mark Blyth kanë argumentuar se natyra jodemokratike dhe teknokratike e BE-së me gjasë e bëri politikëbërjen edhe më keq gjatë krizës duke izoluar “ekspertët” nga presioni popullor, dhe kështu, nevojën për të rikonsideruar politikat e pafrytshme dhe jopopullore.
Qytetarët në demokraci, duke i dhënë kolektivisht votën një partie të caktuar me ide të caktuara politike, ushtrojnë diçka si një opsion për të shitur asetet e tyre me një çmim të caktuar [put option]. Ata po u japin shansin ideve, por duke e mbajtur opsionin e “shitjes” së ideve përmes votimit të dikujt tjetër, në rast se këto ide nuk funksionojnë. Votuesit gjithnjë mund të flakin tutje politikanët e paefektshëm, po të jenë të kalbura idetë e tyre.
Në një teknokraci, qytetarët nuk kanë një opsion për të shitur me një çmim të caktuar [put option] – ata janë të ngujuar me ide të këqija politike, u pëlqyen a s’u pëlqyen, meqë ata që ndodhen në krye nuk janë të zgjedhur. Prandaj teknokratët kanë një incentivë të fortë për të mbajtur dhe zbatuar ide politike, madje edhe atëherë kur ato janë ide të këqija politike meqë autoriteti dhe legjitimiteti i tyre varet nga të shikuarit e tyre si ekspertë, dhe rregullat u lejojnë që të injorojnë presionin popullor për të dhënë rezultate më të mira. Në këtë rast, ‘put option’ nuk mund të ushtrohet dhe idetë e këqija ngulin këmbë.
Thënë shkurt, është vështirë të pohohet se problemet e tanishme të Europës janë rezultat i një “teprie” të demokracisë - ç’është e vërteta, ka më shumë gjasë që problemi të jetë deficit i demokracisë: qeveritë humbën gjithnjë e më shumë kontaktin me popujt e tyre dhe pushtetet e tyre u minuan nga forcat globale të tregut dhe nga BE-ja. A është për t’u habitur, atëherë, që thirrjet për rivendosjen e sovranitetit kombëtar dhe të “pushtetit të popullit” kanë rezonuar në shumë vende Europiane?
Ngjashëm, duket se ka shumë gjasë që problemet e tanishme në Shtetet e Bashkuara janë shkaktuar nga kufizimet në demokraci më shumë sesa nga tepria e saj. Sistemi politik amerikan ka pasur gjithmonë të ngulitura një llojllojshmëri institucionesh të krijuara për të penguar përkthimin e parapëlqimeve popullore në rezultate politike. Ç’është e vërteta, pa këto institucione, ka gjasë se nuk do të kishim telashet që i kemi sot. Pa haptazi jodemokratikun Kolegj Zgjedhor [Ellectoral College], për shembull, nuk do ta kishim Trumpin president, dhe shqetësimet rreth erozionit të demokracisë amerikane do të ishin më pak të theksuara. Ngjashëm, po të kishim një legjislativ kombëtar që do të përkthente në një mënyrë më të drejtpërdrejtë parapëlqimet popullore në rezultate politike sesa ç’bën Senati, atëherë brigjet më të populluara dhe më liberale do ta dominonin politikën në nivel kombëtar, me pasoja të jashtëzakonshme në politikëbërje. Ndërkohë në nivel shtetëror dhe lokal, kufizimet në votim edhe zgjerimi i manipulimeve demografike elektorale [gerrymandering] kanë vështirësuar pjesëmarrjen e votuesve, shtrembëruar përkthimin e parapëlqimeve popullore në rezultate politike, dhe kanë kthyer një parti që ndryshe do të ishte pakicë – Republikanët – në atë që gjithnjë e më shumë duket si mazhorancë permanente. Dhe e fundit, e mbase edhe më e rrezikshmja, roli i parasë në sistemin politik amerikan e ka bërë objekt talljeje idealin demokratik të të drejtave politike të barabarta duke i mundësuar oligarkisë ekonomike që ta përkthejë pasurinë e saj në pushtet dhe ndikim politik të jashtëzakonshëm. Se shumë amerikanë i shohin institucionet demokratike dhe elitat si fundamentalisht të korruptuara dhe jollogaridhënëse ndaj tyre dhe prandaj janë të gatshëm të votojnë për politikanë dhe parti të cilët premtojnë se do t’i hedhin të gjithë në ajër nuk është, fatkeqësisht, aq e vështirë për t’u kuptuar.
Rruga demokratike drejt liberalizmit
Shqetësimet bashkëkohore rreth demokracisë joliberale janë të kuptueshme: pa mbrojtje themelore liberale, demokracia shumë lehtë mund të rrëshqasë në popullizëm apo mazhoritarizëm. Megjithatë, në ngutin për të dënuar demokracitë joliberale shumë njerëz kanë ardhur në përfundimin se rrugëdalja prej problemeve të tanishme politike qëndron përmes kufizimit të demokracisë. Kjo është gabim. Së pari, sepse historikisht, liberalizmi dhe demokracia janë zhvilluar së bashku – me eksperimentet demokratike joliberale apo të dështuara që shpesh janë pjesë e një procesi afatgjatë përmes së cilit institucionet, marrëdhëniet, dhe normat e regjimit të vjetër eliminohen dhe ndërtohet për së pari infrastruktura e demokracisë liberale.
Së dyti, përderisa është e vërtetë se, siç ka thënë Zakaria, “demokracia pa… liberalizëm nuk është thjesht joadekuate, por edhe e rrezikshme,” është poashtu e vërtetë se liberalizmi pa demokraci është joadekuat dhe i rrezikshëm. Në të kaluarën, liberalizmi pa demokraci ka çuar shpesh drejt një forme të oligarkisë – si në Britani nga një elitë të pasurish (pronarët e tokave) apo si në Shtetet e Bashkuara nga një grup etnik/fetar dominues (protestantët e bardhë). Elitat janë jo më pak të shtyra nga pasioni dhe vetë interesi sesa nga populli, dhe prandaj, pa përfshirjen e plotë të të gjithë qytetarëve në sistemin politik, ata janë të prirë që t’i mbajnë për vete si benefitet e liberalizmit, si edhe qasjen në resurset ekonomike dhe statusin shoqëror. Sot ka shumë pak që flasin (haptas) për oligarkinë, në vend të kësaj, ajo çfarë avokohet më së shpeshti si përgjigje ndaj frikës së njerëzve është teknokracia – të ndarit e sa më shumë jete politike dhe politikbërjeje që të jetë e mundur nga ndikimi i votuesve të painformuar dhe injorantë dhe vendosjen e saj në duart e ekspertëve. Në një artikull me ndikim të vitit 1997 të titulluar “A është Qeveria shumë Politike?”, Alan Blinder argumentonte se ne i lëmë “më shumë vendime politike se ç’duhet në sferën politike e shumë më pak në sferën e demokracisë” – do të ishte më mirë, sipas tij, te ketë më shumë institucione si Federal Reserve apo Banka Qendrore Europiane ku ekspertët, të izoluar nga presionet popullore, do të mund të bënin vendime të mençura e afatgjate.
Ky argument ka shumë të meta, ku jo më e vogla prej tyre është se është vështirë të japësh argument se ekspertët e izoluar të tipit që lavdërohen nga Blinder dhe të tjerët, kanë bërë një punë të shkëlqyer në trajtimin e krizave të fundit financiare. Por problem më i rëndësishëm është se “zgjidhja” do të përkeqësonte vetë problemin që kërkon ta zgjidhë. Siç e kanë bërë të qartë zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, sa më shumë njerëz të besojnë që elitat politike dhe institucionet janë mosdëgjuese ndaj tyre, aq më shumë ka gjasë që ata t’i mënjanojnë apo madje t’i eliminojnë fare ato. Të vazhdohet me lejimin e individëve të pasur dhe interesave të veçanta që të kenë ndikim jashtëzakonisht të madh në politikë, ose me izolimin e institucioneve politike dhe politikëbërjes larg nga “populli,” ka gjasë të rrisë përkrahjen e popullizmit, e jo ta zvogëlojë atë. Oligarkia ose teknokracia dhe popullizmi nuk janë të kundërta por binjake të liga politike: e para kërkon të kufizojë demokracinë që të shpëtojë liberalizmin, e dyta kërkon të kufizojë liberalizmin që të shpëtojë demokracinë. Asnjëra nuk është e mençur dhe ato ushqehen nga njëra tjetra dhe e intensifikojnë njëra tjetrën.
Së fundmi, këto mendime duhet të na bëjnë t’i rishqyrtojmë problemet që i kemi sot me demokracinë joliberale dhe me zgjidhjet potenciale për to. Në vend se të kufizojmë demokracinë, siç duan shumë analistë bashkëkohorë, ne do të duhej ta rivitalizonim atë. Ne duhet të gjejmë mënyra që t’i bëjmë institucionet demokratike dhe elitat më të dëgjueshme dhe më përfaqësuese ndaj popullit, e jo përkundrazi. Të luftosh rrjedhën populliste do të thotë të inkurajosh më shumë pjesëmarrje në anën e qytetarëve dhe më shumë përgjegjshmëri në anën e elitave dhe qeverive. Po qe se ngjan kjo, sëmundjet e tashme demokratike mund të dëshmohen se janë vetëm një fazë kalimtare. Nëse jo, demokracia liberale Perëndimore vërtet është në rrezik.
______
Sheri Berman është profesoreshë e Shkencës politike në Kolexhin Barnard dhe anëtare e bordit auditorial të Dissent.
Përktheu: Bardhi Bakija / Sbunker
09 shkurt 2018
11:21