Manifesti i mbijetesës

24 janar 2018 14:32

*
Unë;

- jam dëbuar nga shtëpia duke parë frikën në sytë e gjyshit,

- kam thënë vjersha përmendësh për atdheun, jam penduar,

- kam qenë refugjat dhe kam puthur tankun e amerikanëve, gjermanëve, francezëve, italianëve, anglezëve, tankeve ruse nuk ju kam hedhur lule,

- kam shpëtuar dhe gjithë çfarë dua është të shpëtoj përsëri nga çlirimtarët që janë kudo, çdo çlirimtar është pushtues,

- i traumatizuar nga liria, çdo liri është gjakpirëse,

- si fëmijë jam rrahur me shokët për shkak të ca bindjeve, të jemi të saktë, arsyeja – ca liderë politik në vend,

- 31 vjeçar, poet, fëmijë, burrë, baba, europian, ballkanas, kosovar – kjo e fundit kërkon imagjinatë,

- aksidental, alkoolist dhe kurreshtar, kohëve të fundit jo edhe aq,

- apolitik i mjerë, i dhënë pas letërsisë,

- i dashuruar marrëzisht në

a). kohën e lirë dhe

b). secilën rrugë.

*
Si fillim. Braktiseni dëshirën tuaj të egër për të qenë kundër mjerimit. Lëreni të rrjedhë brenda jush. Dhe mos synoni të jeni të lumtur. Hiqeni qafe këtë kafshë të lashtë. Mos e harroni forcën, gjakun në gjunjë dhe diellin që zhduket e shfaqet, zhduket e shfaqet, zhduket e shfaqet… nevojën e tij të madhe për të ngrohur fytyrat tona të përjetshme.

*
Despotët le të marrin çdo gjë. Për ne është i mjaftueshëm bishti i cigares, uji i turbullt, dega e tharë, hiri i secilit flamur, dhoma e mykur, vetëm njëra çorape, fjala e fundit, për këtë vdesim në çdo kohë, armët e varrosura, dashuria e therrur dhe shpirti i djegur. Despotët le të marrin çdo gjë. Që janë kudo që hedhim vështrimin. Oh, shpirti i djegur është gjithçka që kërkojmë. Dhe ajo që na bën të qeshemi. Duke prekur kurrizin e shakave të mira.

*
Historia është e neveritshme, ajo është;

- një fishkëllimë e padurueshme,

- një fabrikë e mëndafshit të vuajtjes,

- një varr,

- një rrugë e kriminelëve drejt diellit,

- një dorë e munguar,

- një gojë, e uritur për emra,

- një odë e shëmtisë,

- një shkencë e skaduar,

- një ëmbëlsirë në tavolinën e sunduesve,

- një argument fshehur diku në secilin pidh të secilës nënë… Historia është një habi. Një iluzion. Një skutë. Një ok. Një rulet rus. Një incest. Një anomali. Jeni fund e krye krenar me mëkatet e juaja. Historia është një mut. Që drejton fatet. Dhe faji ngjitet kudo. Si ketri.

*
E kaluara është një fabrikë e madhe viktimash. Shtëpitë janë therrtore. Prandaj rrini në rrugë dhe dashuroni njeriun e parë që kalon pranë jush. Dhe mos humbni kohë. Menjëherë çoni dashuri dhe shkruani një poezi. Këndoni diçka që ju kujtohet në atë çast. Dhe betohuni mbi shenjat në trup, që ja keni lënë njëri-tjetrit. Askush nuk i shpëton vingëllimës së shpatës në duart e kohës, që nuk e prish terezinë e saj, që nuk ngutet përderisa ne çdo ditë e vrasim një copë durimi. Dhe e hedhim nga goja si pështymë. Pa asnjë ndjenjë.

*
Dhuna. Gjaku. Vdekja. Zoti. Sëmundjet. Lufta. Uria. Ne nuk dimë asgjë mbi to. Ne nuk dimë asgjë dhe jemi të shenjtë. Ne jemi ata që lëpijmë plagët e territ. Dhe plagët e absurdit. Dhe plagët e qenve. Dhe më pas pimë birra të lira duke adhuruar zjarrin, detin gjithnjë duke i përqeshur ëndrrat, ambiciet, të ardhmen dhe liderët e popujve të frikësuar.

*
Triumfi i përket budallenjëve. Paqja është një akullore. Që e hanë të mençurit. Këta dështakët e përzemërt. Këta dështakë seksi që ngatërrohen me mendimet e tyre.

*
Realiteti dhe vampiri, janë e njëjta gjë. Barbarët dhe trëndafilat, nuk janë e njëjta gjë. Edhe parajsa edhe ferri, janë diçka që e shkelim çdo ditë. As shekujt nuk mjaftojnë për të rregulluar bravën e derës nëpër të cilën kemi hyrë, nëpër të cilën kemi dalur.

*
Çdo gjë që ne duam është ajo që mungon. Dhe shiu bie nga sytë e Zotit. Ne duam baballarët tanë të na rrinë gjithmonë mbi kokë dhe të kritikojnë poemat tona të mjera, në drejtim të rafteve ku shkrihen së qeshuri ca bomba makabre.

*
Nuk ka asnjë gjethe peme në buzët e presidentit. I cili është i rrethuar nga kufoma ushtarësh. Intelektualët janë si minjtë. Humanizmi është zonjë e moshuar që dërdëllitë mbi flutura të vetëvrara.

*
Mos besoni në asnjë mbretëri. Në asnjë principatë. Në asnjë demokraci. Në asnjë tirani. Faqet e skuqura të vogëlushes që puth xhamin e veturës suaj. Në ata sy. Po. Aty besoni. Pa asnjë hamendësim.

*
E shenjtë është plaka që bekon netët. I panevojshëm inati që ka zëvëndësuar lëkurën. Të gjithë fëmijët janë përgjegjës për fëmijët e tyre. Dhe plaka është e shenjtë, kur puth një kar të ri. Dhe plaku është i shenjtë kur puth një dorë të re. E pastaj qajnë. Dhe i merr gjumi. Duke qarë. Të gjitha horizontet kudo në botë, le ta dinë, se çfarë do të thotë ky mashtrim. Ky poshtërim.

*
Ka një dije mbi turpin. Ka një dije mbi yjet. Ka një dije mbi fiset. Ka një dije mbi atomet. Ka një dije mbi dimrin. Ka një dije mbi kofshën e pulës. Ka një dije mbi shumëzimin e numrave. Ka një dije mbi frymëmarrjen. Ka një dije mbi Demokritin. Ka një dije. Të pamjaftueshme. Vdekja mbetet e pakapërcyeshme.

*
Ne jemi të detyruar të shpjegojmë. Hiçin që e hamë. Jemi detyruar të shtriqemi nëpër shtretërit e rregulluar nga shërbëtorët me duar të palara. Ne e qimë hiçin përmes të tjerëve. Dhe të tjerët poashtu e bëjnë përmes nesh. E përmes tjerëve ne e qimë veten. Të tjerët veten e tyre përmes nesh. Prandaj nuk ka asgjë më të nevojshme se vizita e xixëllonjave netëve të pranverës dhe ca cakërrima gotash përderisa kombet rënkojnë.

*
Dhe kush thotë të dua, nuk është qenie njerëzore. Dhe kush thotë fjalën atdhe, ai është vrasës.

*
Gjithçka është e atyre që nuk kanë ardhur ende. E gjitha ju përket pasardhësve. E gjitha çfarë na përket dhe është e jona ka të bëjë me të qenit gazmor dhe të sjellshëm me aeroplanët kimik. Kudo në qiell. Dhe me zemrat e tërbuara. Brenda nesh.

*
Në jetën time kam dëgjuar shumë gjëra. Tani dëgjoj që flitet për njëfarë;

- Trump,

- Putin,

- Kim Yong,

- Mbretëresha Elizabeth,

- Merkel,

- Isis,

- Erdogan,

- Macron,

- Edi Rama,

- Aleksandër Vuçiq

- Thaci,

- Haradinaj,

Mua sall më intereson libri i Roberto Bolanos dhe një turmë njerëzish të mirë që qajnë. Në kërkim të poezive të humbura. Të djegura nga zjarret politike të pashuara shekullore.

24 janar 2018
14:32

Shpëtim Selmani