Shtëpia e pasigurt europiane

Refugjatët vazhdojnë të vijnë – dhe ksenofobia vazhdon të intensifikohet. A mund të fitojë multikulturalizmi në Europë?

03 janar 2018 11:34

Dimrin e kaluar, marshi i ksenofobisë publike dhe politike dukej i paepur, i udhëhequr nga liderë të cilët shfryheshin ndaj imigrantëve duke u thënë kriminelë, përdhënues apo pushtues, dhe vende të tëra që zgjedhnin lloje ogurzeza të nacionalizmit me nuanca nostalgjike. Por gjithë kësaj dukej se po i vinte fundi me zgjedhjet franceze. Në maj, votuesit francezë mposhtën me vendosmëri të djathtën esktreme, duke zgjedhur në vend të saj, një model të freskët centrist të kallëpit të Tony Blairit.

Atëkohë unë po raportoja nga Parisi. Qyteti mbante frymën ndërsa spikerët shihnin orën dhe prisnin që të shpallnin rezultatet. Kur më në fund ekranët nëpër dhoma ndeje dhe bare treguan lajmin për fitoren bindëse të Emmanuel Macronit, një brohorimë e madhe përshkoi rrugët si të ishte bubullimë.

Pastaj erdhën zgjedhjet gjermane dhe austriake. Partia haptazi ksenofobe Alternativa për Gjermaninë [Alternative fur Deutschland] (AfD) krijoi spote zgjedhore të stolisura me islamofobi zhurmëmadhe dhe nuk e mbajti të fshehur lundrimin mbi valët e zemërimit kundrejt politikave krahëhapura të imigracionit të kancelares Angela Merkel. AfDja u fut në Bundestagun gjerman për herë të parë – si partia e tretë më e madhe në Gjermani.

Dhe në mesin e tetorit, austriakët zgjodhën për kancelar 31 vjeçarin Sebastian Kurz. Kurz u bë fytyra e re e Partisë së Popullit dhe ai adoptoi e ristrukturoi skepticizmin për imigracionin e të djathtës ekstreme Parti të Lirisë – e djathta ekstreme madje u ankua se ai u kishte vjedhur idetë – dhe predikoi për zvogëlimin e shtetit të mirëqenies.

Ato qenë zgjedhje brengosëse: Dy vende sapo kishin rrëshqitur në mënyrë të qartë larg prej kulturës së tyre politike centriste e liberale drejt së djathtës. Këto rezultate zgjedhore nuk do të ishin befasuese për Sasha Polakow-Suranskyn, i cili ekzaminon reagimin e ashpër ndaj imigracionit në librin e tij të ri Kthehu Andej nga Ke Ardhur [Go Back to Where You Came From.] “Kërcënimi më i madh ndaj demokracive liberale nuk vjen nga imigracioni dhe refugjatët,” shkruan ai, “por nga reagimi i ashpër kundër tyre prej asosh që janë përbrenda, të cilët shfrytëzojnë frikën e të huajve për të cifluar vlerat dhe institucionet që i bëjnë liberale shoqëritë tona.”

Polakow-Suransky përshkoi globin për të shkruar këtë libër mbresëlënës që është shkruar para se francezët të shkonin në zgjedhje, duke ndjekur pishtarët e ksenofobisë dhe sentimentit kundër imigracionit në një përpjekje për të grafikuar ngritjen e të djathtës esktreme dhe të politikave e filozofive joliberale, të frymëzuara prej së djathtës ekstreme në Danimarkë, Francë, Afrikë të Jugut, Australi dhe Gjermani. Ajo që ai ofron me këtë vepër është një tablo e hulumtuar në thellësinë e një lëvizjeje dhe zhvendosjeje të masave njerëzore – dhe një kundërplasje politike e shoqërore ndaj ndryshimeve demografike po aq historike.

Polakow-Suransky argumenton se nuk është e mjaftueshme që thjesht të refuzohen aty për aty pikëpamjet populliste si raciste, ksenofobike, apo islamofobike. Ata prej nesh që duam të mbrojmë liberalizmin e pasluftës dhe shtetin modern të mirëqenies, për të mos përmendur idenë e vet demokracisë, duhet që së pari të mirëkuptojmë se prej nga vijnë këto ide, kush i përkrah ato, dhe pse. Gjithashtu, ngulmon ai, ne duhet të gatitemi për ato parti të cilat shfrytëzojnë sistemet tona liberale demokratike për të avancuar ide joliberale, përpara se të zgjohemi e mos të njohim vetveten.

Shko Andej nga Ke Ardhur fillon në 2015 dhe raporton kryesisht përgjatë vitit 2016 (dhe plotësohet për të reflektuar mbi rezultatet zgjedhore në Francë; kësaj do t’i kthehem pas pak). Libri nis me sulmet e tmerrshme terroriste të nëntorit 2015, të cilat vranë më shumë se 100 njerëz në klubin e natës Bataclan dhe në kafetë përqark në Paris; dhe vazhdimisht kthehet pas te brengat rreth terrorit si një mënyrë për të shqyrtuar reagimet ndaj të huajve në komunitete të tronditura si nga një rritje e paqartësisë për shkak të shqetësimeve në siguri, ashtu edhe nga ankthi në rritje rreth një sensi të identitetit të brishtë europian.

Është kjo pyetja e fundit – identiteti i brishtë i vendësve europianë, amerikanë, dhe perëndimorëve të tjerë – të cilën ky libër e heton më së thelli. Por mbi të gjitha, ç’do të thotë të jesh europian? Ose australian, a amerikan, meqë ra fjala? A bëhet i mundur identiteti përmes përjashtimit? Me fjalë të tjera, a përkufizohemi përmes asaj çfarë nuk jemi? A krijon lojalitet të qenit i lindur në një vend të caktuar? Ose a ka ndonjë tërheqje themeltare prapa, drejt një “vendlindjeje” mitike, madje edhe për fëmijë të gjeneratës së dytë e të tretë, të cilët nuk i kanë vizituar ndonjëherë ato brigje? Kjo është një pyetje si për ato vende që kanë qenë për një kohë të gjatë atdhe për imigrantët (Shtetet e Bashkuara, Australia) ashtu edhe për vendet europiane që sapo kanë filluar të përshtaten me të tashmen e re shumëkulturore.

Polakow-Suransky mendon se rregullat e lojës kanë ndryshuar për t’iu përshtatur shoqërisë së bardhë judeokristiane të bazuar mbi ankthin rreth imingracionit, në përgjithësi, dhe Islamit më në veçanti. Ai, për shembull, gjen hipokrizi tek argumenti rreth shenjtërisë së laïcité  francez – ai shekullaritet militant vështirë i përkthyer, që është shenjë dalluese njëshekullore e politikës dhe identitetit francez, por e cila duket se, shkruan ai, e veçon islamin si posaçërisht të dëmshëm për kulturën franceze. Ai tërheq vëmendjen ndaj debateve rreth “burkinit,” rroba modeste për larje që vishen nga disa gra myslimane të cilat, verën e kaluar, u bënë jashtëzakonisht kundërthënëse në Francë.

“Një markë në dukje neutrale e shekullarizimit,” vëren ai, “po i imponohet me agresivitet një grupi dhe po trumbetohet nga zyrtarë publikë të cilët dënojnë njëzëri gratë fetare që veshin rroba modeste për larje ndërkohë që, në anën tjetër, festojnë festat katolike.” Ai iu flet atyre që shqetësohen se refuzimi i përjetuar nga myslimanët e rinj në veçanti – të lindur e të rritur në Europë – e ka bërë radikalizmin edhe më joshës. Ai përfshin një fjali të shkurtër, në fillim, për aferën e famshme rreth shamisë më 1989 e cila ndezi një debat rreth vajzave me hixhab në shkollat publike. U gjeta duke pasur dëshirë që ai të ndalonte aty dhe të merrte më shumë kohë rreth asaj sesi manifestimi publik i identitetit fetar, i parë si në konflikt të drejtpërdrejtë me laïcité, është rishfaqur gjithnjë e më tepër përgjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit. Do të kishte qenë interesante për të që të gjente, për shembull, njërën nga vajzat që kishin marshuar në rrugë në vitin 2004, kur shamia u ndalua në shkollat publike, dhe të shihte sesi kishte ndikuar në jetën e saj në vazhdim. Burkini është një storie e mirë për mediat, por është ndalesa e hixhabit ajo që ka qenë një barrë e rëndë mbi gratë të cilat donin t’u përmbaheshin si parimeve fetare, gjithashtu edhe identitetit të tyre francez. Në këtë mënyrë, autori do të kishte mundur të shtrihej edhe më përpara në kohë, e jo veç në këto vitet e fundit, dhe kështu të na jepte një rrjetë më të fortë mbi të cilën do të bazonte gjetjet e tij, duke marrë parasysh momentin në të cilin gjendemi.

Natyrisht, ksenofobia i paraprin për një kohë të gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015, por Polakow-Suransky vëren se një imigracion aq i shpejtë rëndon frikën ndaj të sapoardhurve dhe të huajve, duke e përshpejtuar rritjen në propozime të politikave jodemokratike. Problemi global, shpjegon ai, është komplikuar meqë sulmet terroriste kanë dhënë frytin e dëshiruar: rritjen e ankthit rreth terrorit. Ajo frikë është bërë lëmsh me shqetësimet e thella rreth prurjeve të mëdha të njerëzve (edhe pse refugjatët dhe emigrantët nuk janë kërcënimi i vërtet për sigurinë). Ky kombimin ka tërhequr të menduarit dikur të margjinalizuar të së djathtës ekstreme në rrjedhat publike, duke ndryshuar debatin politik, dhe duke lejuar parti dikur të shmangura që të kenë shansin për të marrë frenat në dorë.

Demokracitë liberale, posaçërisht ato në Europë, po përballen me pyetje të stërmëdha rreth asaj sesi të mbesin shoqëri humane, si të adresojnë nevojat e milionave që po i ikin luftës e persekutimit, ndërkohë që gjithashtu të integrojnë me sukses kultura dhe popuj nga prapavija ekonomike e kulturore shumë të ndryshme.

Kjo është po ashtu çështje numrash: Sa refugjatë, azilkërkues, apo emigrantë mund të thithë realisht një vend? A është ky numër që përcaktohet nga resurset? Apo nga një sens i mjegullt i parehatisë kolektive? Çfarë e bën më humane një politikë imigracioni? Ç’është ajo që e rëndon sistemin dhe provokon kështu ngritjen jo vetëm të partive politike të së djathtës ekstreme, por edhe grupeve vullnetare të së djathtës ekstreme, sikurse djathtistët ekstremë që vetëquhen “identitarianë”? Ishte këtë verë, që ky grup drejtoi anijen e tyre drejt Mesdheut në përpjekje për të ndaluar OJQ-të që shpëtonin anijet me emigrantë që po mbyteshin në det, dhe të pengonin sjelljen e tyre në brigjet europiane.

Vet numri i azilkërkuesve zhurmues në dy vitet e fundit ka sfiduar me ashpërsi identitetin e Europës së pasluftës. Gjermania pranoi 890,000 azilkërkues më 2015, Austria mori rreth 90,000. Këtë qershor, Italia u përmbyt më refugjatë, kur vetëm atë muaj mbërritën rreth 20,000 sosh; në një moment, Roma madje u përpoq që të mbyllte portet e saj jugore.

Në dhjetëvjeçarët pas Holokaustit, Europa ka pasur problem të kuptonte identitetin e saj, dhe marrëdhënien e saj me të huajt. Në teori, ajo është bërë më mikpritëse. Por Polakow-Suransky – pasardhës refugjatësh hebrenj, të cilët u arratisën nga kërcënimi nazist, sikurse edhe unë – argumenton se ai qilim mikpritës nuk është shtruar asnjëherë për emigrantët myslimanë, të parët prej të cilëve erdhën në Europë në masë në mes të shekullit të kaluar ose si punëtorë (në Gjermani, Francë, dhe Danimarkë, mes vendesh tjera) ose për t’i ikur implozionit postkolonial të shoqërive të tyre (si algjerianët, marokenët, dhe tunizianët që lëvizën drejt Francës). Dhe në asnjërin rast ata nuk u integruan me sukses, e as u panë si tërësisht gjermanë, danezë a francezë. Por ai argumenton se ishte fluksi në masë i vitit 2015 i cili, vërtet dhe me forcë, e sfidoi Europën që të merrte parasysh sesi do të dukej e ardhmja. Për Gjermaninë, vëren ai, kjo filloi me një cicërimë të vetme nga qeveria në gusht të vitit 2015 që pranonte se Gjermania nuk do të zbatonte më rregullin e “Dublinit” për refugjatët sirianë. Ajo referencë e mjegullt, në fakt ndryshoi gjithçka, shkruan ai. Rregulla e Dublinit është një rresht i vetëm në amendamentin kushtetues gjerman të vitit 1993 që krijoi me kujdes një zbrazëti për të mbrojtur Gjermaninë nga emigrimi në masë: nëse një azilkërkues do të kalonte së pari përmes një vendi të tretë (të sigurt), atij ose asaj do t’i duhej të kërkonte azil aty. Kjo nënkuptonte që aplikimet për azil i refuzoheshin automatikisht secilit që nuk arrinte së pari në Gjermani. Që nënkuptonte se për të marrë azilin duhet të vije aty me aeroplan.

Siç mund të imagjinohet, kjo do të thoshte se rrallëkush kualifikohej. Suspendimi i asaj ndalese hoqi një tapë. Një milion refugjatë përfundimisht erdhën në Gjermani nën rregullat e reja; ndërkohë, ambienti politik gjerman ndërroi si reaksion ndaj atij fluksi. Përderisa imazhet e të sapoardhurve dominuan mediat, prapa skenave, seç kishte një kundër-reaksion – veçanërisht pas një serie sulmesh seksuale përgjatë natës së vitit të ri 2015-16, dhe një sulmi terrorist në një treg krishtlindjesh gjatë dhjetorit të ardhshëm.

Polakow-Suransky, një ish redaktor i The New York Times, ka bërë një hulumtim mbresëlënës në terren. Shko Andej nga Ke Ardhur është më i miri atëherë kur dëgjojmë nga vetë emigrantët, sikur ato të cilët e gjejnë vetën në mëshirën e politikave drakoniane kundër emigracionit në Australi. Këta refugjatë përjetuan kampe të tmerrshme të përqendrimit në Ishullin Nauru, një ishull i vockël malarik, të cilit i mungonin gati të gjitha shërbimet themeltare.

“Punëtorët shëndetësorë dhe të burgosurit aty kanë dokumentuar dhe raportuar dhjetëra raste përdhunimi të grave, roje që kërkojnë favore seksuale, mohime të përkujdesjes mjekësore, dhe incidente të panumërta të vetëdëmtimit, përfshirë të burgosur provuan të varen apo të prejnë venat,” shkruan ai për Naurun. “Një azilkërkues derdhi gazolinë mbi vete dhe u dogj deri në vdekje, dhe të tjerët i qepën buzët e tyre së bashku në protestë.” Ai gjithashtu udhëton për në Kalle [Calais], qytetin verior francez buzë detit mes Francës dhe Britanisë, i cili u bë i njohur për “xhunglën,” një botë e njerëzimit të kurthuar përreth një grumbulli të shtrirë të kodrave me ranë të mbytura në bërllok, të mbushur me njerëz në hall për të gjetur një vend në kontinentin europian, të padashur pothuajse nga askush. Kam lexuar plot gjëra për Kallenë në vitet e fundit, por ky përshkrim më drodhi gjoksin: “Në një vizitë gjatë një pasditeje të errët e të stuhishme prilli më 2016,” shkruan ai, “një grup tetëvjeçarësh më çoi në thellësi të kampit. Kur u ofrova sheqerka, ata refuzuan dhe bënë më gisht drejt dhëmbëve të tyre të prishur. Ata s’donin çokollata, më thanë; donin rroba.” Në shkurt të vitit 2016, gjysma e kampit të Kallesë u shemb nga policia, që la në këmbë veç nja dy struktura të bëra me kompensatë, qese plastike dhe letra bitumi” dhe njëfarë shkolle po aq të paqëndrueshme. Ushqimi gatuhej në zjarr e në qiell të hapur.

Autori gjithashtu bën të mundur që disa prej udhëheqësve më të flaktë kundër emigracionit të flasin për veten e tyre. Edhe më interesante është se ai gjen filozofët të cilët ngjeshin besimet e kundërshtarëve të emigracionit se Europa nuk është vetëm plotësisht e mbushur për nga kapaciteti, por është në rrezik të humbjes së vetë thelbit të saj. Ata që flasin për një kontinent nën rrethim, shpesh përdorin një frazë të shpikur nga një filozof shtatëdhjetëvjeçar francez të quajtur Renaud Camus: “Zëvendësimi i Madh.” Kjo i referohet shqetësimit se emigrantët – posaçërisht imigrantët myslimanë – do ta zëvendësojnë tekstualisht shoqërinë europiane me një shoqëri krejt tjetër. Djathtistët e rinj ekstremë europianë në Francë dhe Gjermani dhe Itali dhe Austri të cilët vetëquhen “identitarianë” citojnë Camus-në, në anën tjetër, si heroin e tyre moral. Amerikanët kanë dëgjuar një jehonë të Camus verën që kaloi në Sharlotvil, kur supremacistët e bardhë marshuan aty me pishtarë, duke thirrur “ju nuk do të na zëvendësoni [“You will not replace us”]. Por Camus-ja është gati tërësisht tabu në rrjedhën e kulturës politike franceze. Nuk është gjithnjë tërësisht e qartë nga teksti i Polakow-Suranskyt, se a konsiderohet Camus-ja aq në ekstrem të së djathtës, saqë në thelb të hidhet poshtë nga rrjedha e përgjithshme e mendimit.

Polakow-Suransky shkon edhe më pas, këtë herë duke folur drejtpërdrejt me njërin prej baballarëve francezë të këtyre ideve, një nëntëdhjetëvjeçar i quajtur Jean Raspail i cili shkroi një libër të quajtur  Kampi i Shenjtëve [The Camp of the Saints] në vitet 1970. (Steve Bannon e ka cituar, me admirim madje.) Në të, Raspail brengoset për dobësimin, dhe për fundin e qytetërimit. Momentet me Raspail janë trishtuese, sa për qartësinë e përqendrimit aq për lidhjen e qartë me ata që përcaktojnë politikat sot. “Ne do të bëhemi pakicë, ne europianët e bardhë,” Raspail i ankohet autorit. Kjo jehon reflektimet nga libri 40 vjeçar i Raspail-it: “Ne jemi një vend, një qytetërim, një gjuhë, një mënyrë jetese… . Po e përziemë me diçka që nuk i korrespondon fare asaj se kush jemi, nuk do të funksionojë, dhe ne do të përhumbemi.”

Megjithatë, për aq sa këta djathtistë themeltarë na ndihmojnë për të kuptuar sesi përfunduam këtu ku jemi sot, unë fillova të ndjej se po përftonim një tablo të shtrembër rreth impaktit të tyre të vërtetë. Të flasësh me formuluesit e ideve më ekstreme mund të jetë kthjelluese, sigurisht – islamofobia e tyre ofron një pengesë të qartë ndaj një drejtimi më liberal e progresiv. Por një francez i rëndomtë di shumë pak, për të mos thënë asgjë, rreth njerëzve si Camus.

Ky shqetësim nuk u shua në hapësirën e madhe që i dedikohet një filozofi tjetër, këtë herë më afër opinionit publik, edhe pse jo në ideologji (ose të paktën, jo më) por në famë: Alain Finkielkraut. Një filozof race të cilit Franca ndonjëherë i ofron botës (kujtoni Bernard Henri-Levyn), Finkelkraut ka qenë i pranishëm në syrin e publikut ndërsa ka devijuar në mënyrë dramatike përgjatë 30 vjetëve të fundit, nga e majta tek qendra drejt së djathtës, dhe madje drejt së djathtës ekstreme, ku tash ai duket se kënaqet me rolin e tij si njëri i bezdisshëm i cili zëshëm vë në pyetje vendin e myslimanëve në Francë. Më 2016, Adam Nossiter i The New York Times e quajti “tipi i intelektualit të cilin e majta franceze dashuron ta urrejë” dhe vuri re se “vetë prania e tij në një studio televizive ngre temperaturat dhe nxit shpërndarjen e akuzave gjithandej.”

Është e jashtëzakonshme sesa thellë ka qenë në gjendje që të gërmojë Polakow-Suransky në përvojat e veçanta të një grushti vendesh – dhe se me sa shumë politikanë, kulturëbërës, dhe të tjerë të lidhur me debatin rreth emigracionit në secilin vend ka qenë në gjendje që të bisedojë, në mënyrë që të krijojë një tablo të kohës sonë të ndryshimeve dhe sfidave globale.

Libri vuan pak (pashmangshëm) nga pamundësia për të ndjekur zhvillimin e shpejtë të ngjarjeve. Për shembull, ai i dedikon vetëm një faqe ngritjes së madhe të Jean-Luc Melenchon në minutave të fundit të zgjedhjeve franceze, një ish trockist i cili filloi të rrëmbente turmat dalldisëse të përkrahësve gjatë fundit të raundit të parë të votimeve në zgjedhjet franceze. Melenchon nuk ishte ndonjë konkurrent i fortë atëherë kur Polako-Suransky filloi të shkruante librin. Ai i jep shumë më tepër hapësirë Marine Le Penit, përfaqësueses së Frontit Nacional (FN), e cila pati ngritje më 2015 dhe 2016, dhe u shfaq, për një kohë, si konkurrentja më e fortë për Pallatin e Eliseut. Në fakt, autori e takoi Le Penin në pranverën e vitit 2016. Në atë kohë, ajo ishte e vendosur të krijonte një imazh të ri për partinë e saj, pjesërisht duke tërhequr homoseksualët dhe hebrenjtë (dhe gratë, edhe pse Polakow-Suransky përqendrohet më pak në këtë fakt), dhe përmes premtimit të saj se do të bëhej mburojë për këto komunitete kundër (po pra) myslimanëve dhe emigrantëve myslimanë. Por për çudi, Polakow-Suransky shpenzon shumë më shumë kohë në të shpjeguarit sesi vetë Le Pen besonte se ishte mike e hebrenjve, e shumë ma pak kohë për të vërejtur se ka shumë pak fakte që do të tregonin se hebrenjtë ishin ndikuar ndonjëherë nga FN; në fakt, komuniteti hebre punoi aktivisht për ta mposhtur atë.

Macroni bëri një punë të mirë duke iu referuar historisë në raundin përfundimtar të fushatës presidenciale, duke vizituar Memorial de la Shoah, për shembull, dhe duke e bërë të qartë se nuk do të ketë rishkrim të historisë në Paris gjatë presidencës së tij. Ai poashtu e denoncoi Le Penin për ksenofobinë e saj, duke e quajtur “kryepriftëreshë” të frikës. Kjo funksionoi, dhe në fund ajo u zvenit. Megjithatë, ka shumë që tremben se, përkundër fitores vendimtare të Macronit, në rast se publiku fillon të ndjejë se ai nuk i ka mbajtur premtimet, Fronti Nacional ose një parti e ngjashme mund të marrë presidencën – edhe pse me siguri nën një udhëheqësi të re – më 2020. Nëse numrat e sondazheve nuk përmirësohen për Macronin, ai shqetësim vetëm sa do të vijë e të rritet.

Mbi të gjitha, refugjatët nuk kanë ndalur së ardhuri në Mesdhe. Tashmë, vendime vazhdimisht e më të ashpra janë marrë nga liderët europianë përgjatë verës së vitit 2017, që ka rezultuar në ndaljen e një pjese të udhës për refugjatët që vijnë drejt Europës. Qe ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz, ai i cili ndihmoi në mbylljen e të ashtuquajturës linjë të Ballkanit. Dhe vendet e BE-së u bashkuan tok këtë verë për të mbështetur libianët dhe për t’i inkurajuar ata që, në rend të parë, të ndalonin refugjatët për të hipur nëpër barka. Përgjatë vjeshtës, refugjatët mbeten të ngujuar në cep të kontinentit afrikan, shumë prej tyre të bllokuar në kampet e Libisë të cilat vëzhguesit e të drejtave të njeriut i kanë quajtur çnjerëzore, në një jehonë të largët të politikave të Australisë në ishullin Nauru.

Ky është pikërisht ai rezultati jodemokratik të cilit i trembet Polakow-Suransky. “Popullistët nuk duhet që thjesht të injorohen,” shkruan ai. “Me ose pa kontrollin e qeverisë, ata kanë dëshmuar se mund të ushtrojnë ndikim dhe të formësojnë debate edhe pa zotëruar ndonjëherë pushtet formal. Ata të cilët e kundërshtojnë popullizmin duhet që së pari ta kuptojnë atë. Të heqësh qafe impulsin popullist si diçka tërësisht të huaj do të thotë të mos kuptosh thelbin dhe të humbësh debatin politik që në fillim.”

Termat e debatit tashmë po ndryshojnë. Trump-i, me ndalesat e tij përgjithësuese dhe me muhabetet e mureve, tashmë e ka zvetënuar imazhin e Amerikës si një vend që pranon refugjatët dhe azilkërkuesit. Angela Merkel është ende në pushtet, por ndikimi i saj është zbutur nga ksenofobët e ri në parlament. Dhe, ndërkohë, popullata të mëdha të sapoardhurish në shtetet Perëndimore po e kanë shumë të vështirë që të gjejnë pikëmbështetje në ambiente politike gjithnjë e më armiqësore. Prandaj është detyrë e atyre prej nesh të cilët besojnë se botët tona përmirësohen atëherë kur zgjerohen, që të punojmë aktivisht në zgjerimin e përkufizimit të identitetit perëndimor në identitet të shkrydhët e elastik, i tillë që nuk do të thyhet po u plotësuar me kultura të tjera, por vetëm sa do të përforcohet.

 

__________________

Sarah Wildman është autore e Dashuri letre: Duke kërkuar Vajzën Të cilën La Pas Gjyshi Im [Paper Love: Searching for the Girl My Grandfather Left Behind]. Ajo shkruan mbi identitetet global për Vox.

Artikulli origjinal

Përktheu: Bardhi Bakija / Sbunker 

03 janar 2018
11:34

Sarah Wildman