Rikthimi tek njeriu nëpërmes vdekjes së Zotit

Ekskurs mbi “vdekjen e Zotit” simbas Friedrich Nietzsche-s

24 dhjetor 2017 22:35

Shpallja e “vdekjes së Zotit” në filozofinë e Friedrich Nietszche-s, është një nga vdekjet më estetike në historinë e mendimit perëndimor. Kjo vdekje paraqet lindjen e një mënyre tërësisht të re të interpretimit mbi botën dhe gjithçka që na rrethon. Kjo vdekje paraqet edhe momentin e parë të daljes nga filozofia metafizike, ku njëkohësisht do të shenjojë edhe pikën e kthesës në tërë filozofinë e mëpastajme. Kritika e Nietzsche-s do të koncentrohet në zhbërjen e fundamenteve mbi të cilat qëndron e tërë filozofia metafizike racionaliste. Ai do t’i shfrytëzojë hendikepet që kjo filozofi kishte, sepse Nietzsche tanimë kishte vërejtur se ka një hendek të madh mes rendit kozmik dhe botës së ideve. Ky hendek, sipas Nietzsche-s, intensifikohet pikërisht tek ideja themelore, pra, tek ideja e Zotit, mbi të cilën ishte fundamentuar dhe qëndronte i gjithë rendi moral. Për një rend të tillë moral, Zoti ishte instanca imanente dhe permanente njëkohësisht që e bën të mundur ekzistimin e një rendi të tillë. Pra, Zoti është kuptimsuesi i një rendi të tillë dhe njëherësh edhe mirëmbajtës i një formati emancipues, progresivist mbi botën. Prandaj, për Nietzsche-n, zhbërja e një instance të tillë, paraqet edhe rrënimin e tërë sistemit metafizik për botën. Nietzsche mendonte se vetë ideja e Zotit e ka origjinën në botëkuptimet judeo-kristiane për botën dhe se me rrënimin e idesë së Zotit, rrënohet edhe botëkuptimi moral judeo-kristian. Prandaj, te libri The Gay Science, Nietzsche për herë të parë e shpall “vdekjen e Zotit”. Nëpërmes monologut të të marrit, (për shkak të rëndësisë që ka monologu i të marrit në zhvillimi e mendimit filozofiko-historik, po e paraqesim këtu: Seksioni 125. Njeriu i çmendur. A keni dëgjuar për atë njeri të çmendur që ndezi një fener në dritën e qartë të mëngjesit, pastaj vrapoi në treg dhe filloi të bërtiste pa pushim: “Po kërkoj Zotin! Po kërkoj Zotin”? dhe meqenëse pikërisht atje po rrinin bashkë shumë nga ata që nuk besonin te Zoti, njeriu i çmendur i bëri ata të shkriheshin së qeshuri. “Mos ndoshta ka humbur rrugën?”, tha njëri. “Mos vallë ka humbur si fëmijë?”, ia bëri një tjetër. “Ose mos do të fshihet? A ka frikë nga ne? A ka hipur në varkë? Mos është mërgimtar?”. Njerëzit bërtisnin dhe qeshnin në atë rrëmujë të madhe. Njeriu i çmendur, me një kërcim, u hodh në mes tyre dhe i përshkoi tej e tej ata me vështrimet e tij: “Ku ka ikur Zoti?”, bërtiti, “këtë dua t’ju them? E kemi vrarë – ju dhe unë! Të gjithë në jemi vrasësit e tij! Po si e bëmë këtë gjë? Si mundëm ta zbrazim detin duke ia pirë edhe pikën e fundit? Kush na e dha sfungjerin për të fërkuar me shpejtësi gjithë horizontin? Çfarë bëmë vallë për ta larguar këtë tokë nga mbërthimi i diellit të saj? Ku ndodhet që lëviz tani? Ku është që lëvizim ne? Larg nga të gjithë diejt? A nuk është e jona pjesëmarrja e përjetshme? Por edhe nga prapa, anash, përpara, nga të gjitha anët? A ka ende një lart dhe një poshtë? Mos ndoshta po endemi si përmes një hiçi të pafund? Mos po fërfëllin mbi ne hapësira e zbrazët? A nuk është bërë më ftohtë? Mos vazhdon të vijë nata, gjithmonë e më natë? Mos duhet të ndezim fenerët në mëngjes? Nga zhurma e madhe që bëjnë varrmihësit ndërkohë që varrosin Zotin, mos po ndodh vallë që nuk dëgjojmë ende asgjë? Nuk e nuhasim ende erën e qelbur të kalbëzimit hyjnor? Edhe perënditë kalben! Zoti ka vdekur! Zoti qëndron i vdekur! Dhe e kemi vrarë ne! Si do të ngushëllohemi ne, vrasësit e të gjithë vrasësve? Sa prej më të shenjtës dhe më të fuqishmes që zotëronte bota deri sot i është hequr gjaku nën thikat tona – kush nga ne do ta shpëlajë këtë gjak? Me çfarë uji do të mund të lahemi? Çfarë ritesh shpaguese, çfarë shfaqjesh të shenjta do të duhet të shpikim? A nuk është tepër e madhe madhësia e këtij veprimi për ne? A mos duhet edhe ne të bëhemi perëndi për t’u dukur të paktën të denjë për të? Nuk pati kurrë një veprim më të madh – dhe të gjithë ata që do të vinë pas nesh do t’i përkasin, lidhur me këtë veprim, një historie më të lartë sesa kanë qenë më parë të gjitha historitë deri më sot!”).

Pra siç edhe e vërejmë, Nietzsche e ndërton edhe aktin e ‘vrasjes së Zotit’, një akt që më pastaj do të prodhojë konsekuenca mjaft thelbësore në interpretimin e fiozofisë në përgjithësi. Nietzsche do ta ndjejë me tërë afshin e tij “vdekjen e Zotit” dhe siç shprehet edhe George Steiner-i kur thotë se: “Vetëm një psikolog gjenial i torturuar nga tejndjeshmëria e vet, siç ishte Nietzsche, do të mund ta përjetonte thellë ‘vrasjen e Zotit’, deri në kockë, duke fërgëlluar nga ajo gjëmë çliruese” (F. Nietzsche, Shndërrimi i të gjitha vlerave, f. 33). Vetë kjo ndjenjë, ky përjetim nënkupton se Nietzsche tanimë e kishte kuptuar se referenca kryesore apo kryereferenca e metafizikës filozofike, mbi të cilën qëndronte e gjithë ngrehina morale dhe emancipuese është pika nevralgjike e që duhet eleminuar. Me shpalljen e “vdekjes së Zotit”, Nietzsche shpall edhe prishjen e një rendi moral ekzistues dhe po ashtu njëkohësisht i hap rrugë një mënyre të re të të interpretuarit të botës.

Për shumë filozofë dhe teoretë të ndryshëm, me shpalljen e “vdekjes së Zotit” nga Nietzsche, shpallet edhe një mënyrë e re e interpretimit të filozofisë. Tani bota rikthehet në shndërrimin e të gjitha vlerave, që do të thotë se tanimë kemi një interpretim nihilist për botën. Mbase edhe vetë Nietzsche në librin Shkenca e gëzuar dhe idilet e Mesinës, do të tregojë sesi “vdekja e Zotit” do të prodhojë konsekuenca filozofike dhe jo vetëm, aq të mëdha, më të mëdha sesa kanë qenë më parë të gjitha historitë deri më sot. Pra, nëpërmes shtrimit të dilemave tanimë në një botë pa Zot, në një boshllëk ku dominon hiçi, pasojat janë të një pamundësie orientuese në botë. Këtu shtrihemi në një sipërfaqe ku nuk ekziston tellosi, nuk ekzistojnë trajtat e fundme të shpjegimit të botës, sepse e ardhmja është e dekompozuar nga horizonti – atëherë lirisht mund të themi se gjendemi në pozitat nihiliste vetorientuese, ku fakteve dhe qëllimeve do t’ua zërë vendin shumësia interpretuese mbi filozofinë dhe mbi botën në përgjithësi. Individi është ai i cili do ta krijojë dhe konkretizojë përfytyrimin për botën. Për këtë me dekompozimin e krijesave universale dhe me paraqitjen e dezorientimeve totale, individi është ai për të cilin Nietzsche mendon se: “(...) është një gjë krejtësisht e re dhe krijues gjërash të reja, diçka absolute, të gjitha veprimet janë krejtësisht të tijat”. (Në fakt, këtu kemi edhe pikënisjen, origjinën e një rryme filozofike që më vonë do të njihet si ekzistencializëm). Nëpërmes shprehjes së individualiteteve Nietzsche do të vërë në spikamë edhe trendet nga të cilat tani do të zhvillohet filozofia. Me “vdekjen e Zotit” lind një dimension tërësisht i ri për interpretimin e botës.

Kështu që, “vdekja e Zotit” në horizont shfaq nihilizmin. Nihilizmi për Nietzsche-n nuk paraqet vetëm një frazë, por ajo tani është gjendje. Që në fillim të librit The Will to Power, në kapitullin për nihilizmin, Nietzsche shprehet kështu: “Çka do të thotë nihilizmi? Do të thotë që vlerat më të larta zhvleftësojnë vetveten. Qëllimi është duke munguar; ‘pse’ nuk gjen ndonjë përgjigje. (...) Nihilizmi radikal është bindje e pathemelueshmërisë/pafuqisë absolute të ekzistencës, kur vjen puna te vlerat më të larta të njohura: plus të kuptuarit që ne nuk kemi as të drejtën më të vogël të mbështesim një përtej ose një në-vetvete të gjërave që mund të jetë ‘hynjore’ apo moralitet i inkarnuar. Ky kuptim është rrjedhojë e kultivimit të ‘vërtetëshmërisë’, kësisoj vetë një rrjedhojë e besimit në moralitet”. Pra, këtu vetë Nietzsche tregon sesa i rëndë do të jetë realiteti në mungesë të instancave rregullative të botës. Sesi njeriu do të përjetojë deri në palcë vuajtjen e të qenit i vetmuar në këtë botë. Ky moment për Vattimo-n konsiderohet si një interpretim që rithemelon hermeneutikën. Ai mendon se “Hermeneutika është mendimi i nihilizmit të përkryer, mendimi që synon një rindërtim të racionalizmit pas “vdekjes së Zotit”, kundër çdo shmangieje të nihilizmit mohues, pra kundër dëshpërimit të atij që vijon ende të vajtojë ngase nuk ka më fe” (G. Vattimo, Nihilizmi dhe emancipimi, f. 10). Prandaj, kjo që shpreh Vattimo, është më se e qartë tek njeriu modern i cili është kalitur nga nënshtrimi që i bëhej zotave dhe kalimi në një botë ku zotat kanë vdekur dhe se besimi në ta, në këtë rast, do të ishte besimi në iluzionin e iluzionit.

Nihilizmi vjen nëpërmes një procesi të gjatë dhe të mundimshëm të rimendimit të historisë dhe bëhet realitet me shembjen e metanarrativave. Të gjitha teoritë metafizike, transcendente që kishin karakter universalizues humbin kuptimin. Me çkuptimësimin e qenies humb edhe vlera e qëllimeve të mëdha. Për Vattimo-n, “Nihilizmi shënon atë që Nietzsche e thotë në fillim të edicionit të parë të Vullnetit për fuqi: situata në të cilën njeriu lëviz nga qendra drejt X. Por, nihilizmi në këtë kuptim është ngjashëm me një lloj nihilizmi të përkufizuar nga Heidegger-i që i referohet procesit në të cilin në fund ‘nuk mbetet asgjë’ nga Qenia si e tillë”( G. Vattimo, The End of Modernity: Nihilism and Hermeneutics in Postmodern Culture, f. 19). Këtë boshësi që do ta përjetojë qenia, këtë humbje të kuptimit të saj, Vattimo do ta konsiderojë si gjendje emancipuese. Nihilizmi si emancipim ndodh për shkak të një procesi të gjatë dhe të mundimshëm në zhvlerësimin e kuptimit të njësuar të historisë, objektivitetit dhe “kjo është vërtet ajo çka Nietzsche e quante nihilizëm, vetëdija se ndryshimi nuk ka një kuptim, një pikësynim, apo një formulim logjik çfarëdo”. Pra, ky është nihilizmi, ky është emancipimi që vjen nëpërmes nihilizmit, që “vdekjen e Zotit” e vendos si një konsekuencë që do të prodhojë hiçin. Gjithçka tani shpërndahet në një shumësi diskursive pa një fillim dhe pa një fund. Fundi i Zotit paraqet fillimin e njeriut pa ngarkesa morale, pa një qëllim paraprak, por si një shprehje që vetëkuptimsohet, vetëthemelohet.

24 dhjetor 2017
22:35

Dritan Dragusha