Made in Dagenham: Një film mbi të drejtat e grave punëtore (I)

Kjo grevë ka të bëjë me një gjë dhe vetëm një gjë! Drejtësi. Pagë e barabartë ose kurrgjë! - Rita O’Grady, Made in Dagenham

24 dhjetor 2017 22:11

Vitet 1960ta, mund të thuhet pa e tepruar, janë ndër vitet më të bujshme në historinë e kinemasë. Mjaft të kujtojmë vetëm disa nga filmat e mrekullueshëm të realizuar gjatë kësaj kohe, si Andrei Rublev, Persona, Winter Light, Silence, Psycho, The Birds, The Gospel According to St. Mathews, Theorem, Mamma Roma, 8½, La dolce vita, Le mani sulla città, Dr. Strangelove, Gertrud, Red Desert, L'Eclisse, L’Avventura, Blow-up, La Notte, Escape by Night, Salvatore Giuliano, The Battle of Algeria, The Graduate, Cool Hand Luke, The Sound of Music, Alphaville, Contempt, Breathless, Pierrot le Fou, La Chinoise, The Little Soldier, Au hasard Balthazar, Mouchette, 2001: A Space Odyssey, Sanjuro, Yojimbo, Red Beard, An Autumn Afternoon, La Jetée, etj., për t’u bindur se sa produktive dhe e rëndësishme ka qenë në të vërtetë kjo periudhë kohore për kinemanë botërore.

Por vitet 1960ta, mund të thuhet lirisht, kanë qenë ndër vitet më produktive edhe në një sens tjetër: Në sensin e regjistrimit të ngjarjeve që kanë shërbyer si inspirim dhe lëndë për shumë filma të mëvonshëm. Këtu, veçanërisht kam parasysh filmat e mëvonshëm që janë bërë për Luftën e Vietnamit. Pastaj, për kohën e segregacionit racial dhe Lëvizjen për të Drejtat Civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për aparteidin dhe diskriminimin racial në Afrikën e Jugut. Për kolonializmin dhe luftërat çlirimtare të popujve të kolonizuar. Për ngjarjet e Majit në Francë dhe Pranverën e Pragës. Për shkuarjen në hënë dhe përparimet shkencore e teknologjike. Për krizën e famshme kubaneze dhe vrasjen e presidentit amerikan John Kennedy. Për lindjen e bendeve të famshme, The Beatles, The Rolling Stones, Pink Floyd, The Who, The Kinks, The Small Faces, The Animals, The Jimi Hendrix Experience, Traffic…. Përgjithësisht, ajo që njihet si Swinging London. E kështu me radhë.   

Përkundër numrit të madh të filmave që janë bërë për dhe gjatë kësaj periudhe kohore, sidoqoftë, vetëm pak filma janë bërë për revoltat e grave punëtore. Për të mbushur deri diku këtë zbrazëti – krahas disa filmave të tjerë që janë bërë për grevat dhe revoltat e punëtorëve në përgjithësi – Nigel Cole, regjisor i famshëm britanik, ka bërë një film goxha të mirë në vitin 2010, të quajtur Made in Dagenham.

Filmi, siç mund të shihet dhe nga kushdo, dramatizon pikërisht një grevë të famshme të grave makiniste në një fabrikë të kompanisë Ford në Dagenham të Londrës në vitin 1968 – të cilat, edhe pse kryenin një punë mjaft të ndërlikuar, siç ishte qepja e ulëseve dhe pjesëve të tjera të brendshme të makinave të Ford-it – trajtoheshin si punëtore të pakualifikuara dhe, si rrjedhim, paguheshin dukshëm më pak se burrat të cilët bënin thjesht montimin e pjesëve të makinave.

Si rezultat i kësaj, dhe, sigurisht, kushteve të tjera të tmerrshme të punës, gratë makiniste vendosin të hyjnë në grevë dhe, kësisoj, të kërkojnë edhe ato realizimin e të drejtave të tyre bazike.

Sigurisht, kjo gjë do t’ua kallë datën të gjithëve – para së gjithash kompanisë Ford, sindikatave dhe qeverisë së udhëhequr nga Harold Wilson, të cilët duan me çdo kusht të thyejnë grevën e grave makiniste.

Megjithë trysnitë e shumta, sidoqoftë, gratë makiniste ngulin këmbë të mos fillojnë punën deri në realizimin e të drejtave të tyre – edhe pse, siç e shohim gjatë gjithë filmit, ato me të vërtetë ballafaqohen me lloj presionesh familiare, financiare, sindikaliste, korporatiste, politike, dhe mediatike. Madje, paralelisht me këto, ato ballafaqohen me një misogjinizëm të pashoq të burrave, si puna e Monty Taylor (Kenneth Cranham), anëtarit të sindikatës, i cili, në vend që t’u del në ndihmë grave punëtore mundohet të arsyetojë pozitën e pabarabartë të grave nën pretekstin se kërkesat e tyre janë joreale dhe të hershme. Siç shprehet edhe vetë në mënyrë konservative: “Arritjet më të mëdha të qytetërimit janë varur gjithmonë nga përparimi i ngadalshëm – hap pas hapi….” Rrjedhimisht, kërkesat e grave për pagë të barabartë duhet konsideruar “si të tepruara dhe të hershme,” përfundon ai.

Në këtë pikë, sidoqoftë, përjashtim nuk bëjnë as anëtarët e tjerë të sindikatës, të cilët njësoj besojnë se gratë meritojnë të paguhen më pak se burrat. Ngjashmërisht, Harold Wilson, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, shfaqet si seksist, kur në një moment i thotë ministres së punës: “ti je burri më i mirë që kam në kabinetin tim.” Madje edhe vetë burri i Rita O’Grady-n (Sally Hawkins), lideres së grave greviste, shfaqet si seksist, kur në një rast të caktuar e akuzon atë që duke u marrë me grevën e grave makiniste, ajo është duke i neglizhuar punët e shtëpisë. E të mos flasim për burrin e Lisa-s, i cili punon në menaxhmentin e fabrikës së Ford-it, dhe i cili e abuzon hapur Rita-n.

I vetmi përjashtim, s’do mend, është Albert Passingham (Bob Hoskins), i cili me mish e me shpirt mundohet t’i ndihmojë gratë punëtore për të realizuar të drejtat e tyre. Bile, është pikërisht Albert ai që e shtyn Rita-n të udhëheq grevën e grave makiniste, duke e siguruar atë se padrejtësia që është duke iu bërë atyre nuk ka të bëjë asgjë me nivelin e aftësive apo shkathtësive të tyre, por vetëm dhe ngaqë janë gra. Siç i thotë edhe vetë (shih videon më poshtë) Rita-s: “Kjo mosmarrëveshje nuk ka të bëjë fare me nivelin e aftësisë tuaj. Ford ju paguan më pak sepse munden.... Në të gjithë vendin gratë paguhen më pak sepse janë gra....”

Prandaj, siç mund të shihet dhe nga klipi, Albert-i i lutet Rita-s që ajo të udhëheq grevën e grave makniste dhe, së bashku me të e gratë e tjera, t’iu tregojnë vendin “bastardëve shfrytëzues [të Ford-it].”

Dhe kështu ndodh në fakt: falë lidershipit të Rita-s, e cila bëhet forcë lëvizëse e grevisteve; dhe, pa dyshim, solidaritetit që gratë tregojnë në mes vete (ndryshe nga gratë punëtore te filmi 7 minuti i Michele Placido), gratë makiniste fitojnë të drejtën e tyre për pagë të barabartë – një fitore kjo që do të kulmojë më pas në Aktin për Pagë të Barabartë në vitin 1970.

Natyrisht, për shumëkënd, e sidomos për ata që janë të brumosur nga një traditë paksa më marksiste, ky film nuk është pa probleme, për të qenë të sigurtë. Së pari, sepse në vend se gratë makiniste të kritikojnë koordinatat ekonomike dhe politike të sistemit liberal-kapitalist në përgjithësi, ato shfaqen në film duke kritikuar vetëm ato dimensione të kapitalizimit që kanë të bëjnë sall me pabarazitë gjinore (i.e., puna e pagës së barabartë). Por jo duke artikuluar një kritikë shoqërore, ekonomike dhe politike ndaj sistemit kapitalist. Dhe së dyti, sepse filmi, sidomos në fillim të tij, të jep idenë e gabuar se të drejtat e punëtorëve fitohen përmes forcës morale të argumentimit të tyre, e jo përmes konfrontimeve (qoftë edhe të dhunshme) midis grave punëtore nga njëra anë, si dhe pronarëve e të pasurve nga ana tjetër. Thua se interesat e këtyre klasave apo kategorive shoqërore janë të pajtueshme dhe të harmonizueshme me njëra tjetrën, e jo që janë të ndryshme (Weber) dhe në kundërti të plotë me njëra tjetrën (Marksi). Siç shprehet me të drejtë Jimmy (Barry Ward), te filmi i mrekullueshëm Jimmy’s Hall i Ken Loach-it:

Mendoni se interesat...e një minatori apo punëtori të fabrikës janë vërtet të njëjta me ato të pronarëve, bankierëve të tij, avokatëve të tij, investitorëve të tij, dhe gazetarëve prostituta që përhapin gjithë ditën e lume gënjeshtrat e tyre?

Përgjigja e Jimmy-t, natyrisht, është që jo: që punëtorët dhe të varfërit ndajnë interesa jo vetëm të ndryshme, por edhe të kundërta me ato të pronarëve, pasunarëve dhe të pushtetshmëve.

 

(vijon)

 

24 dhjetor 2017
22:11

Armend Mazreku