Në vend të një urimi të natyrshëm

(Për të gjithë veçanërisht për presidentin dhe kryeministrin)

24 dhjetor 2017 22:01

***

Gjithmonë kam menduar se një qenie intelektuale (ta themi për koqeluajtje) siç jam unë, do të duhej të kishte një aktivitet me të spikatur politik. Sepse e do rendi. E do kuvendi. E do dreqi dhe i biri. Sepse nuk mund të akuzosh e të ankohesh si një fëmijë qaraman ndaj një sistemi të çfarëdoshëm politik nëse nuk je pjesë e po atij sistemi. Sepse nuk mund të ngrihesh kundër diçkaje që nuk je pjesë e saj. Pra është një luftë e kotë. Një luftë pa krisma. Një ndeshje boksi pa grushta. Gjithmonë kam menduar se një qenie poetike (ta themi përsëri me koqeluajtje meqenëse kjo lojë është e përditshmja jonë), do të duhej të ngriste zërin nga ara e plleshme politike, në të mirën e njeriut të qytetëruar. Sepse e do vendi. E do koha. E do rrethana dhe rregulli. Por ama kurrë më shumë se në këtë kohë, nuk kam pasur e nuk do të kem pyetje rreth atdheut makabër. Që në duart e politikanëve, të padenjë për asnjë emërtim, po shnëdrrohet në diçka të ngjashme me ferrin. Me pamundësinë. Në diçka të ngjashme me tunelet e pakalueshme. Është pabesueshmërisht tragjik, triumfi politik mbi dëlirësinë që i takon njeriut. Sado që mundohem të gjej rehatinë në letërsi, teatër, muzikë dhe në dashuri, e kam të pamundshme të mos diktohem emocionalisht nga partitë politike si koorporata biznesi dhe nga politikanët që hedhin të ardhmen tonë të përbashkët, në tregun e interesave të tyre thellësisht mizore. Të paskupullta dhe të budallallepsura. Prandaj në heshtje e pyes veten, a është e mundur që ne i meritojmë të tillët? A është e mundur të jemi kaq të mjerë përballë armatës së tyre, me shpatën e injorancës në brez? A është e mundur që këta, pa asnjë përjashtim, janë çmimi që duhet ta paguajmë? A është e mundur që janë kaq të pangopur? A është e mundur që lakmia është kaq e pafundme? A është e mundur që revolucioni jonë i heshtur shpirtëror të jetë kaq i mangët? Që dashuria jonë për vendin të jetë kaq e dyshimtë? Përgjigje nuk marr. Thjesht më vjen të qaj. E nuk e bëj. Më vjen të bërtas nga dritarja. E nuk e bëj. Shtrihem në shtrat si qenie e padobishme letrare dhe shoh në tavan. Mbretëria e turpit është e pathyshme. Trupi im prej vjershash të ndjeshme, e braktis realitetin dhe harroj çdo përgjigje. Ngase secila prej tyre do të ishte sikurse pyetjet e mësipërme. Të ashpra si shekujt.

***

E vetmja sfidë e njëmendtë e njeriut të zymtë kosovar është heroizmi për të mbetur normal. Heroizmi për të qenë rehat me veten. Heroizmi për mbetur i ndershëm. Dhe për të jetuar qetë.

I vetmi preokupim i njeriut të zbehur kosovar është angazhimi i tij i pashoq për të mbetur me mendtë e kresë. Ngase moti kohë i shkreti e ka kuptuar se udhëkryqet e çmendurisë janë para shtëpisë së secilit. Dhe kompromiset e pista, janë ushqimi jonë i përditshëm.

Në të vërtet tragjedia e njeriut të mjerë kosovar është humbja e busullës. Ai nuk e ka idenë se kah duhet të drejtohet lutja e tij. Nëse ende e ka një lutje. Sepse as shpresa nuk është më në modë. Njeriu hyjnor kosovar e ka të pamundshme të mos ushqehet nga kokërrzat e orizit të njelmët politik. Ngase Zoti i këtij vendi është politik. Engjujt janë politik. Qielli është politik. Lumenjtë janë politik. Emri i atit është politik. Emri i birit politik. Emri i shpirtit të shenjtë është politik. Pidhi i nënës është politik. E gjitha jeta një politikë e shpirtit të ngushtë. Njeriu kosovar është asgjësuar. Ka humbur identitetet e tij. Është bastarduar dhe është hedhur si pluhur po nga maja e malit politik. Dhe si i tillë ka humbur funksionet e çfarëdoshme. Është i padenjë për të protestuar. Është i padenjë për të kundërshtuar. Është mashtruar. Është manipuluar dhe ka humbur sensin e gjithçkajes që ka të bëjë me të mirën. Në të kanë vepruar ideologji të ndryshme. Forca të ndryshme. Kushte të çuditshme. Presione të llojllojshme. Ai është një vigan i mjerë, në fushën e kalbur të ekzistencës morale. Ai është një kafshë politike, pa asnjë qëllim në fushën e ekzistencës fizike. I tradhëtuar. I detyruar të duartrokasë. I detyruar të thotë po. I detyruar të thotë jo. I ndëshkuar përgjithmonë nga zotërat e tij politik, që kanë pjellur nga liria. Nga liria e cila e ka ndëshkuar. E ka përdhosur. E ka përdhunuar. E ka shpërfytyruar. Dhe e ka hedhur në pellgun e madh të një robërie tjetër. Robërisë katasrofale politike. Ku vritet ngadalë poema madhështore që i takon njeriut.

***

Pra, a e kemi të mundur të rrimë drejtë kur të të mundin? Kur zgjedhën e kemi në qafë? Kur këmbanën në fyt ta varin? Kur të heqin në vargoj qeni? Kur thonjtë t’i çkulin me darë? Kur të pjekin e të prejnë? Kur varrin ta gërmojnë*? A e kemi të mundur të rrimë drejtë, o Jevrem Berkoviq. O perëndi? O Zeus? A e kemi të mundur të rrimë drejtë, z.President? A e kemi të mundur të rrimë drejtë z.Kryeministër? A e kemi të mundur të rrimë drejtë qoftë vetëm me rastin e ndërrimit të motmoteve? A e kemi të mundur të rrimë drejtë kur shohim veten në pasqyrë? O mendje të ndrituar të kësaj toke të errët? A kemi të mundur të rrimë drejtë, dreqin. A e kemi të mundur? A e kemi? Këtë të drejtë.

 

_____

*sipas Jevrem Berkoviq, poet malazez.

 

24 dhjetor 2017
22:01

Shpëtim Selmani