Të drejtat dhe liritë e njeriut parasëgjithash janë veprim

30 nëntor 2017 17:07

Ideja e John Locke-ut dhe mendimtarëve të tjerë që besonin se njeriu duhet t’i ketë të drejtat themelore, natyrore si: jeta, liria dhe prona, paraqesin kthesën e parë gjenaologjike të të drejtave dhe lirive të njeriut. Kurse roli i shtetit është për t’i ruajtur këto të drejta apo siç thoshte John Locke: “...nëse një qeveri nuk i mbron qytetarëve këto të drejta, atëherë ata duhet ta ndryshojnë atë”. Pra, pas një shtrëngimi autoritarist, ku kisha, grupacione të ndryshme politike, religjioze etj., e kishin konservuar njeriun brenda domenit të pushtetit të tyre, dhe në njëfarë mënyre e kishin futur brenda diskursit të caktuar të të menduarit dhe vepruarit, Locke-u do t’i hapë rrugë një forme të re të të trajtuarit të njeriut karshi çdo pushteti apo forme qeverisëse. Qysh atëherë e tutje këto parime lockeiane mbesin shtyllat themelore të sistemit liberal që për themel të tyre kanë pikërisht të drejtat dhe liritë e individit. Mundësitë që ofrohen në liberalizëm janë të atilla që secilit individ i garantohet hapësira për realizimin e objektivave të tij. Andaj, individualizmi si parimi themelor që pasqyron tërësisht dhe thellësisht rregullimin socio-politik të individit brenda shoqërisë që nga ajo kohë erdhe dhe u bë pika kryesore e bazamentit të tij. Mirëpo, këto të drejta dhe liri u vunë në spikamë varësisht edhe nga zhvillimi socio-politiko-kulturor brenda shoqërive të caktuara.

Shikuar në këtë kontekst Harvey Milk, para së gjithash është një nga ikonat e një njeriu i cili në emër të të drejtave dhe lirive, nuk u ndal së luftuari jo vetëm për të drejtën e tij, por për një të drejtë që i takon gjithsecilit. Me guxim dhe pragmatizmin e tij, Harvey Milk luftoi një botë të shëmtuar të fanatizmit. Bota në të cilën ai jetoi edhe sot e kësaj dite është një botë që ende lëngon nga krenaria e tepruar autoritariste dhe që i mban dyert e mbyllura për njerëz si Harvey Milk, që luftojnë për ta shprehur mendimin e tyre, bindjen e tyre dhe orientimin seksual. Milk ishte nga ata individë i cili luftonte që margjinat e një bote e cila vetëm veçon, që përjashton, jo t’i shtyjë, por t’i zhdukë ato. Ai nuk ishte ndryshe, por ishte/është bindja e njerëzve që moralizojnë, e që individët si Milk i etiketojnë si prishës të rregullit moral dhe si të tillë paraqesin rrezik për kontaminimin e shoqërisë. Pra, shoqëritë konservatore që në mënyrë rigjide insistojnë në mosprishjen e rregullave morale, në fakt shpeshherë kanë tendencë në ruajtjen dhe forcimin e pushtetit që kanë, ku jo rrallëherë shkojnë deri edhe në degjenerim.

I portretizuar nga aktori Sean Penn, në filmin Milk, e që konsiderohet si një nga filmat më të mirë që rrëfen historinë homoseksuale, por që njëkohësisht edhe që shpërfaq egërsinë e shoqërisë së “mirë” moraliste, pothuajse paraqet dy anët e së njëjtës medalje. Pra, filmi Milk e vë në spikamë papajtueshmërinë e Harvey Milk, e të trajtuarit ndryshe nga të tjerët, por edhe që nuk heziton ta shprehë atë se kush është dhe çka përfaqëson në të vërtetë, ku po ashtu shpërfaqet edhe një linjë që shoqëria e kamufluar brenda një rregulli moralizues dogmatik, e si ambalazh ka kinse normalitetin e saj, thjesht shpreh pafuqinë dhe pasigurinë e saj për t’u ballafaquar, jo me individët si Harvey Milk, por me veten e saj.

Milk është në kërkim të diçkaje që nuk kishte për qëllim ta trondiste publikun, por që kishte si synim ta vendoste çështjen e tij dhe të homoseksualëve të tjerë, që ishin të deprivuar nga shumë të drejta, në ballë të prioriteteve publike. Madje edhe vetë futja e tij në jetën publike kishte si synim afirmimin e kërkesës që kishin këto grupe të margjinalizuara. Sepse Milk mendonte se: “Politika është teatër. Nuk ka rëndësi nëse fitoni. Ju bëni një deklaratë. Ju thoni, Unë jam këtu, më kushtoni vëmendje”.

Beteja më e madhe politike e Harvey Milk, ishte lufta e tij e suksesshme kundër një iniciative të shtetit të Kalifornisë që kishte si synim t’ua ndalonte mësuesve homoseksualë të jepnin mësim në shkollat publike. Po ashtu, shumë shpejt ai do të akuzohet për “shkatërrimin e shoqërisë”, dhe do të përballet me lloj-lloj etiketash. Pra, nëpërmjet këtij personazhi, regjisori Gus Van Sant mëton ta tregojë fuqinë që ka liria e shprehjes, liria e mendimit dhe e veprimit në demokracinë liberale. Rëndësia e filmit Milk konsiton edhe në kontradiktën që e vë në pah, sepse duke vendosur një standard të konsideruar si moralisht të papranueshëm, e i cili përmes kësaj mospranie në fakt bëhet pjesë e shoqërisë. Harvey Milk është demonizuar jo vetëm nga morali religjioz, por edhe nga grupe të ndryshme shoqërore amerikane. Ai tanimë kishte prekur pikën më të ndjeshme dhe kishte atakuar kinse shoqërinë e pastër amerikane dhe për këtë ishte bërë shenjestra më e pamëshirshme e saj.

Ai jo vetëm që këmbëngul në ushtrimin e veprimtarisë së tij, pa pasur nevojë për t’u ndjerë i ofenduar, por parasëgjithash ai insiston në lirinë që ia mundëson sistemi në të cilin jeton, sistem i cili formalisht ia njeh ushtrimin e të drejtave dhe liritë njerëzore secilit pa dallim. Milk nuk na kërkon ta pëlqejmë atë apo të bëhemi sikur ai, jo, ai këmbëngul që secili të pranohet ashtu siç është ai. Apo në përpjekjen e tij për t’i afirmuar të drejtat e grupeve të margjinalizuara thoshte se: “Nuk është fitorja ime, është e jotja dhe e jotja dhe e jotja. Nëse një homoseksual mund të fitojë, kjo do të thotë se ka shpresë që sistemi të mund të punojë për të gjitha minoritetet nëse luftojmë. Ne u kemi dhënë atyre shpresë”. Ky është thelbi i asaj që regjisori Gus Van Sant përmes filmit Milk përpiqet ta paraqesë.

Pra, beteja e Harvey Milk nuk duhet parë vetëm si një përpjekje personale, por si një shprehje e cila kërkon të respektohet, për faktin se ai dhe secili individ apo grup shoqëror, kanë të drejtën e patjetërsueshme edhe atëherë kur nuk e pëlqejmë. Për këtë ai thoshte se: “Të drejtat çdo herë fitohen vetëm nga ata që e dëgjojnë zërin e tyre”. Prandaj, me këtë film nëpërmjet figurës imponuese të tij, Milk paraqet fuqinë e lirisë që individi mund ta ketë. Prandaj, liberal-demokracia nuk është thjesht vetëm një sistem politik, por sikundër është patosi mbi të cilin qëndron fuqia e individit dhe e drejta e tij, qoftë edhe atëherë kur të gjithë mund t’i ketë kundër. Andaj, e vërteta e Harvey Milk e sjell në sipërfaqe gabimin e shoqërisë, e cila në emër të mbrojtjes së vlerave synon t’i fusë në karantinë individët që kanë guximin të mendojnë ndryshe. Kështu që, Milk dhe njerëzit sikur ai, që me guximin dhe pandalshmërinë e tyre, janë një nga treguesit më të mirë edhe të mjerimit tonë njerëzor. Pra, nëse do ta kërkonim një shëmbëlltyrë që e paraqet më së miri kërkesën që të drejtat dhe liritë e njeriut duhet të fitohen përmes punës dhe guximit, andaj padyshim se ai është Harvey Milk.

Mbase, ai edhe sot e kësaj dite përfaqëson secilin nga ne, sepse edhe atëherë kur ne hezitojmë ta shprehim/kërkojmë atë që na është mohuar, është veprimtaria e tij e cila insiston të na bëjë vigjilentë për të drejtën tonë dhe të gjithsecilit.      

30 nëntor 2017
17:07

Dritan Dragusha