Morendo! Apo ngulfatja e artit kosovar në pesë kohë - III

Pjesa e tretë

20 nëntor 2017 13:48

Pjesa I & II

Allegro vivace

Burra të vërtetë për të cilët dëshpërimi / Ushqen zjarrin gllabërues të shpresës / Le ta hapim së bashku gonxhen e fundit të së ardhmes.

Me këto fjalë, poeti francez Paul Eluard, përmes vjershës së tij “Fitorja e Guernicës”, përshkruante tranformimin e vullnetarëve të luftës civile në Spanjë: nga nihilizmi mbretërues në një konfidencë të re. Të pasurit konfidencë, e veçanërisht rikthimin e konfidencës brenda një situatë nihiliste dhe të pashpresë, nënkupton të pasurit një Ide, dhe, të qenit besnik ndaj një Ideje. Imperativi botëror sot është, siç do të thoshte Badiou: “Jeto pa asnjë Ide”. Ky imperativ që buron nga qendra e botës, respektivisht «qendrat» e kapitalit (nga New Yorku në Londër, nga Parisi në Tokyo, nga Milano në Berlini, e kështu me rradhë), merret si referencë dogmatike edhe nga «periferia» e qendrave të kapitalit. Ky imperativ botëror i bashkëdyzuar me një ‘moment bosh’ shoqëror ekzistues në Kosovë merr përmasa edhe më të terrshme: “Mos guxo të kesh ndonjë Ide”. Në mes të imperativave “Jeto pa asnjë ide” dhe “Mos guxo të kesh ndonjë ide” ekziston një dallim esencial: përderisa e para nënkupton të jetuarit e subjektit në formën pasivizohu-konsumo, kjo e dyta nënkupton, përveç tjerash, edhe dhunë pasivizohu-mos mendo-mos provo. Anipse dhuna e nënkuptuar mund të ketë formë simbolike, emocionale, psikologjike apo edhe fizike, varësisht nga rrethanat dhe konteksti, megjithatë, ajo prapë mbetet dhunë.

Në kushte të tilla janë kulturbërësit, artistët ata që duhet t'i japin jetë rezistencës ndaj imperativit dominues. Janë ata, parasëgjithash, që duhet të këputen me këtë imperativ. Pikërisht si në rastin e Podrimjes ku ai u këput me fashizmin dhe kolonializmin serb në Kosovë apo në rastin e Eluard ku ai u këput me fashizmin spanjoll. Të dytë, Podrimja dhe Eluard, nuk rezistuan të jetojnë pa Ide, nuk rezistuan të jetojnë me imperativin e atëkohshëm: “Mos guxo të kesh ndonjë Ide”. Të dytë, Podrimja dhe Eluard, përmes artit të tyre—poezisë—i rezistuan shtypjes, çnjerëzimit, vdekjes. Por si mund ta përshkruajmë situatën ekzistuese në Kosovë, sidomos në relacion me artin? A ka rezistencë ndaj ngulfatjes së artit? Për t’ju përgjigjur, pjesërisht, këtyre pyetjeve duhet të rikujtojmë një rrëfim të famshëm në qarqet e disidentëve që përshkuran më së miri kotësinë apo mos-efektivitetin e protestave/revoltave të tyre. Në shekullin e pesëmbëdhjetë, kur Rusia ishte pushtuar nga Mongolët, një fshatar së bashku me gruan po ecnin në rrugët e fshatit të mbuluar me pluhur. Një ushtar mongol që qëntronte mbi kalë, ndaloi afër tyre dhe i tha fshatarit se ai tani do ta dhunonte gruan e tij; pastaj ai vazhdoi duke i thënë: “meqense ka shumë pluhun në tokë, të urdhëroj që t’ë m'i mbash testikujt në duar gjatë dhunimit të gruas tënde, në mënyrë që të mos më pluhnosen!” Menjëherë sapo ushtari mongol e kreu aktin e dhunimit dhe iku me kalin e tij, fshatari filloi të qeshë dhe brohorasë me t’madhe. Gruaja e tij e sapodhunuar, e çuditur, e pyet: “si mund të brohorasësh nga gëzimi gjersa unë sapo u dhunova brutalisht në prezencën tande?” Fshatari i përgjigjet: “Po, ama unë ja ngula atij! Testikujt e tij janë të mbuluara me pluhun!”. Slavoj Žižek e interpreton këtë rrëfim të trishtë duke thënë se e “zbulon predikamentin e disidentëve, të cilët mendonin se po i jepnin goditje serioze nomenklaturës së partisë, por gjithçka që ata kishin bâ ishte një pluhurizim i lehtë i testikujve të nomenklaturës, teksa elita qeverisëse vazhdonte t'i dhunonte njerëzit.”.

A nuk është në një pozicion të tillë sot edhe gjendja e artistëve në Kosovë? Me fjalë tjera, e gjithë rezistenca e treguar ndaj ngulfatjes së artit nuk është gjë tjetër veçse pak pluhun në testikujt e ideologjisë hegjemonike në Kosovë. Kështu mund ta marrim si shembull (pseudo)rezistencën ndaj Projektligjit mjerues për Sponsorizime dhe Donacione në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e miratuar në 2015, dhe si rezistencë ndaj së cilës u themelua Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës. Ky Rrjet, që në t’vërtetë mund të kishte potencial për organizimin e një rezistence autentike, u kthye në shambllonin tipik të rezistencës-pa-rezistencë, të udhëhequr nga një grup i borgjezisë së vogël avangarde të Prishtinës. Për të përdorë termat e Žižekut, njëlloj sikurse kafja pa kafeinë apo birra pa alkool, krejt çka Rrjeti bëri ishte pak rezistencë-pa-rezistencë duke i pluhunosë kështu vetëm testikujt e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes kundër-informacioneve në formë të statuseve në Facebook, apo kumtesave për media, të pasuara nga konferenca për media.  

Në anën tjetër, nëse kemi ndonjë thyerje artistike me ideologjinë dominante, me normat shoqnore, dhe nëse ekziston një jetësim artistik që ‘shqetëson’ shoqërinë, mediat, normat dhe ideologjinë dominante sa herë që performon, këtë më së miri e bân kolektivi artistik Haveit. Ndryshe nga Rrjeti, të izoluar nga kontaminimi me ideologjinë dominante, jo-konformist, performues në hapësira publike dhe në bashkëbisedim/kontakt me masat – Haveit përfaqësojnë atë që Antonio Gramshi mund ta quante “luftë të pozicioneve” në miniaturë. Është pikërisht “lufta e pozicioneve” që mund të shërbejë si strategji për të dalë nga ky predikament dhe për të hartuar një rezistencë demokratike dhe koherente ndaj ideologjisë dominante. Sigurisht që një strategji e tillë nuk lejon kalkulime oportuniste dhe kontaminim me ideolgjinë dominante ekzistuese; këto dy të fundit kurthe të përdorura nga ideologjia hegjemonike ekzistuese për të asimiluar dhe ç’montuar çdo rezistencë duke i absorbuar këto të fundit kadal-kadal në terrenin e vet.

5. Finito

Si mund ta lexojmë tentativën e pasukses të Léonit me Ninotchkën n’filmin e Ernst Lubitsch? A nuk ka ndodhur e njëjta gjë me parullat “liri dhe pamvarësi”? Me fjalë tjera: a nuk ishin kërkesat e popullit “liri, pamvarësi dhe demokraci” gjatë gjithë periudhës së represionit serb të para luftës, dhe çfarë në të vertëtë populli mori pas luftës ishte liri, pamvarësia dhe demokraci por pa drejtësi, pa barazi, pa solidaritet dhe me shumë korrupsion. Në të njëjtën linjë mund të themi edhe për artin: sot kemi art pa art, apo art të komodifikuar për treg dhe konsum.

Skena e filmit “Ninotchka” mbyllet kështu: Léon i zemëruar që Ninotchka nuk po qesh me barcoletën e tij, edhe pse myshteritë tjerë në kafe po qeshnin me të madhe, fillon t’ja ripërsërisë Ninotchkës barcoletën me kamarier dhe kafe. Por, në ripërsëritje e sipër, Léoni ja huq barcoletës duke e bâ situatën edhe më perplekse. I zemëruar deri në fund, Léoni e tërhjek karrigën më mbrapa për t'u larguar nga Ninotchka, dhe në qortim e sipër që vetëm ajo nuk po qesh me barcoletën e tij, ai rrëzohet nga karrika dhe kështu gjithë kafeneja qesh me të.

Krejt çka arti në Kosovë ka nevojë sot është rrëzimi nga karriga e ideologjisë dominante neoliberale, e maskuar me «zhvillim» dhe «progres» të ngjyrës së verdhë, në mënyrë që të gjithë ne të qeshim, njëherë e përgjithmonë, me rilindjen e artit të ri kosovar.

20 nëntor 2017
13:48

Ron Salaj