“Dilema e të burgosurit” në marrëdhëniet shqiptaro-serbe

20 nëntor 2017 13:31

Në këtë periudhë tensionesh në politikën botërore, përpjekjet për t’i përmirësuar marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve të përballin me një situate të ngjashme me atë që në teorinë e lojës njihet si “dilema e të burgosurit.”

Para se të dalë te analiza e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, është e udhës që ta sqaroj njëherë, për ata që nuk e njohin, se cili është skenari i “dilemës së të burgosurit”.

Në këtë skenar hipotetik dy të arrestuar për një krim intervistohen ndaras nga prokurori duke mos pasur mundësi që të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Prokurori i ka disa dëshmi për rastin, por ka nevojë që ta sigurojë pranimin e fajit të paktën nga njëri prej tyre për ta siguruar dënimin. Nëse njëri e pranon fajin, e siguron për vete dënimin më të vogël. Nëse asnjëri nuk e pranon, të dy marrin denim të vogël ose lirohen.

I burgosuri ndodhet përballë dilemës: të tregohet besnik ndaj bashkëpunëtorit, duke rrezikuar që të hajë më shumë burg nëse tradhëtohet nga tjetri, apo të shohë vetëm interesin e vet dhe ta tradhëtojë tjetrin? Te kjo dilemë, gjithçka varet nga niveli i besimit në mes të burgosurve.

Analogjia me raportet shqiptaro-serbe është metaforike. Aktivistët dhe politikanët të cilët e shohin dobinë e përmirësimit të marrëdhënieve për të ardhmen nuk janë kriminelë. Ata janë të burgosur në kontekstin e armiqësisë historike. Ndërsa rolin e prokurorëve e luajnë opinionet tona publike respektive, të mbushura me “patriotë me bateria”, që këtë lloj angazhimi e gjykojnë si tradhëti dhe si mungesë patriotizmi.

Dilema e “të burgosurve të historisë” ndaj opinionit publik nacionalist është kjo: t’ia shtrijmë dorën palës tjetër në frymë humaniste, duke e ditur fare mirë se historia na ka mësuar që të mos i besojmë? Apo të strukemi në komoditetin e kampeve tona kombëtare, duke e ruajtur “kredibilitetin patriotik”, por duke e mbajtur konfliktin të ngrirë, e për rrjedhojë të gjallë?

Nëse rrezikojmë dhe guxojmë që t’i besojmë njëri-tjetrit, ndoshta do të mund të dalim nga ky “burg i historisë”. Nëse luajmë sigurt dhe mbesim të ngujuar në kampet tona kombëtare, do të jetojmë të patrazuar në komunitetet tona. Por kjo është një rehati e përkohshme, sepse rrezikojmë që ta bëjmë këtë rajon vështirë të jetueshëm edhe për brezin e fëmijëve tanë.

Është krejt e arsyeshme pse sot ne shqiptarët dhe serbët kemi mosbesim për t’ia shtrirë dorën njëri-tjetrit dhe pse ngujohemi në kampet tona. 

Edhe unë, si shumica e shqiptarëve të Kosovës, nuk i besoj, madje i shoh si kërcënuese, synimet shtetërore të Serbisë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me sabotimin sistematik që ajo ia bën shtetësisë sonë.

Një shqiptar nuk mund t’i besojë në thelb kësaj Serbie që nuk e pati guximin të përballet me të kaluarën e vet kriminale dhe të kërkojë falje. Kësaj Serbie që refuzon të bëjë katarsis dhe shkëputje civilizuese nga fashizmi shtetëror i Millosheviqit. Që e vrau njeriun i cili u përpoq të bënte diçka të tillë, Gjingjiqin, dhe e vret sërish duke e hedhur në harresë. Që përpiqet ta relativizojë fajin dhe përgjegjësinë primare për shkaktimin e katër luftërave.

Përkundrazi, nën ndikimin e Rusisë dhe në vijë me frymën e rritjes së nacionalizmit në botë, situata në Serbi po përkeqësohet. Forcat e errëta tani po e nxjerrrin kokën sërish në publik me vetëbesim të madh. “Është koha që të mos kemi më turp për të kaluarën, por të krenohemi”, tha para ca ditësh ministri i mbrojtjes Vulin.

Asnjë gjest nuk e simbolizon më mirë arsyen e mosbesimit dhe hezitimit të shqiptarëve për një shtrirje dore, sesa lejimi i kriminelëve të dënuar të luftës si Lazareviç për të ligjëruar në Akademinë Ushtarake, dhe heshtja e opinionit publik serb për këtë punë.

Për çfarë të ardhme po përgatiten këta ushtarakë, të cilëve sot u prezantohet si hero një kriminel lufte i dënuar?

Duke e pasur parasysh këtë trend në Serbi; duke i parë tensionet në nivel botëror; duke e ditur se Rusia nuk do të hezitojë që të prodhojë konflikt në Ballkan për interesat e saja hegjemonike – edhe unë, si shqiptar i Kosovës, si anti-nacionalist dhe në thelb pacifist, e ndjej si nevojë instiktive, mbrojtëse, madje edhe urgjente, ndërtimin dhe forcimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

E kuptoj argumentin se tashmë e kemi NATO-n në Kosovë për këtë punë; se ushtrisë sonë do t’i duhet kohë për t’u bërë forcë efektive; se kjo punë prandaj nuk ka urgjencë.

Por gjërave në marrëdhëniet ndërkombëtare kurrë nuk ju dihet. Polisat e sigurimit blihen me idenë se diçka e keqe mund të ndodhë. Kosovës nuk mund t’i mohohet e drejta që pas disa vitesh t’i ketë forcat e veta, në gjendje për të shërbyer si garant i sigurisë bashkë me aleatët e NATO-s, kur dihet se në fqinjësi ka ushtarakë që e kanë si model Lazareviçin.

Jam i vetëdijshëm se në mesin e serbëve të Kosovës ky mosbesim është reciprok dhe se ndodhemi në një rreth vicioz. Sidomos kur bëhet fjalë për diçka të ndjeshme si ushtria, e kuptoj pse komuniteti serb ka edhe frikë. Sepse për këtë frikë ka edhe arsye legjitime.

Këtë frikë, në një debat të organizuar së fundmi në Prishtinë nga QKSS dhe QKPS – e që u bë shkas i këtij shkrimi – e artikuluan përfaqësues të shoqërisë civile nga veriu i Kosovës, Jovana Radosavljevic dhe Veroljub Petronic.

Faji i jonë si shqiptarë është se nuk e shohim pjesën tonë të përgjegjësisë për frikën e serbëve, por gishtin e drejtojmë vetëm drejt manipulimeve të Beogradit, sado të vërteta të jenë këto manipulime.

Serbët nuk u barrikaduan për një kohë të gjatë nëpër geto pa arsye. Pas luftës pati një fushatë hakmarrjeje edhe ndaj civilëve të pafajshëm. As ne nuk u morëm sinqerisht me vrasjen dhe dëbimin e pakicave pas luftës (as me vrasjet ndërmjet shqiptarëve sa për atë punë). Dhe nuk u morëm me integrimin e pakicave me sinqeritet, por për shkak se këtë na e kërkoi perëndimi.

Si fitimtarë politikë nuk u treguam mjaftueshëm të përgjegjshëm ndaj vlerave të cilat qëndrojnë në themel të NATO-s dhe që na sollën lirinë.

Këtë dështim po e tregojmë edhe sot kur, si adoleshentë të paaftë për t’u marrë me dështimet tona në shtetndërtim, shfryhemi me histeri nacionaliste ndaj asociacionit të komunave serbe. Apo në rastet si ai para disa muajsh, kur një deputet komandant i luftës u dërgoi mesazh kërcënues serbëve.

Për sa kohë që shumica prej nesh sillemi sikur pakica serbe na ka ngecur në derë si njëfarë detyrimi; për sa kohë që i shohim kryesisht si kërcënim dhe jo si njerëz që do të jetojnë këtu mes nesh në shtëpite e tyre; për sa kohë që si kut mates për atë se si ne duhet të sillemi me serbët e marrim mënyren se si Serbia vazhdon të sillet me shqiptarët, dhe jo parimet e të drejtave të njeriut - nuk duhet të habitemi pse serbët e Kosovës thonë se kanë frikë.

FAK-u në fund të fundit do të themelohet, me gjasë së shpejti, me ose pa miratimin e serbëve të Kosovës. Sepse rrugë tjetër nuk ka. Marrë parasysh zhvillimet e fundit në politikën e SHBA-ve mbi rajonin, do të vijë ai momenti i Bush-it “enough is enough” edhe për këtë dhe çështje të tjera që kanë mbetur të pazgjidhura.

Por nëse duam që ky shtet dhe kjo paqe një ditë të mund të jetë e qëndrueshme, dilemës së të burgosurit as ne e as serbët nuk mund të vazhdojmë t’i qasemi me gjysmë zemre.

Ne shqiptarët duhet ta marrim përgjegjësinë tonë për këtë punë dhe përfundimisht të kuptojmë se serbët e Kosovës do të vazhdojnë ta shohin Serbinë si mbrojtëse, dhe do ta kërkojnë ndërhyrjen e saj, për shkak se nuk na besojnë neve.  Krijimi i këtij besimi është detyrë e të gjithëve por mbi të gjitha e jona, sepse në Kosovë jemi shumicë.

Patriotë shqiptarë dhe serbë sot janë ata që shohin drejt të ardhmes dhe luftojnë për ta zbutur mosbesimin dhe frikën reciproke. Guxim intelektual sot është që të luftosh për këtë punë edhe kur ka arsye të forta për të pasur mosbesim. Çdo gjë tjetër është idiotllëk ballkanik dhe popullizëm manipulues, i sojit që na ka sjellë në këtë pikë mjerimi të përbashkët ku jemi sot.

20 nëntor 2017
13:31

Agon Maliqi