Feminizmi, transgjinizmi dhe politika e identitetit

Përcjellja e logjikës së revolucionit feminist drejt përqafimit që i bën të drejtave transgjinore ofron qasje në karakterin e tij të paparashikueshëm

13 nëntor 2017 13:12

Feministet e valës së dytë, duke marrë frymëzim nga Simone de Beauvoir, kërkojnë çlirim njerëzor përmes ndarjes së seksit dhe gjinisë. Gratë kishin qenë “seksi i dytë” për një kohë të gjatë, brengosej Beauvoir. Gratë do të jenë të lira vetëm atëherë kur ato të tejkalojnë skriptet kulturore që kanë të bëjnë me amësinë dhe bashkëshortësinë [wifeliness] që i mveshnin identitetet e tyre trupave të tyre. Ajo imagjinonte një botë të çlirimit njerëzor përtej gjinisë.

Karriera e një feminizmi të tillë bashkërendohej me qëllimet dhe metodat e Progresivizmit Amerikan. Projekti progresiv, i artikuluar në mendimin politik të John Deweyt, synonte të siguronte kushtet për liri individuale apo rritje përmes rindërtimit të duhur të ambientit politik dhe shkencor me administrimin shkencor. Reforma ekonomike qe qëllimi i gjeneratës së parë të reformuesve progresivë; reforma kulturore, pjesërisht përgjatë vijave të parapara prej feministeve të valës së dytë, qe synim i gjeneratës së dytë.

Betty Friedan është një figurë kyçe në përkthimin e feminizmit në një pjesë të projektit progresiv. Friedan përqafon rritjen e Deweyt si qëllim të reformës feministe progresive. Roli i saj në thirrjen për një shkencë të re që promovon rritjen, megjithatë, çmohet shumë më pak.

Friedan përdor termin “mistikë femërore” për të përshkruar kompleksin e ligjeve, opinioneve, dhe presioneve që i kthejnë gratë në amvise seksualisht pasive. Një shkencë e vjetër patriarkale që Friedan e identifikon me Sigmund Freudin dhe të tjerët, në fakt, kishte përforcuar “mistikën femërore” për një kohë të gjatë, duke i këshilluar gratë që të gjenin përmbushje në detyrat e tyre dalluese bashkëshortore dhe amnore. Në ditët e Friedanit – ajo shkruante në fillim të viteve 1960 – ajo shkencë patriarkale do të kishte parashikuar se gratë do të ishin të kënaqura, duke përmbushur fatet e tyre si bashkëshorte dhe nëna gjatë kohës së natalitetit të madh.

Në vend të kënaqjes, Friedan gjeti se gratë e viteve 1950 dhe fillimviteve 1960 vuanin nga mërzia, ndiheshin të ngujuara, dhe ndjenin se s’kishin gjë të rëndësishme për të bërë. Friedan gjurmoi këtë pakënaqësi te mospërputhja mes pritjeve të shoqërisë dhe ëndërrave të grave. Aderimi ndaj mistikës femërore do të thoshte se identiteti i gruas i konformohej roleve gjinore pasive, amnore, e bashkëshortore mbizotëruese në një kulturë, e megjithatë kjo pakënaqësi tregon se gratë nuk ishin të lumtura me këtë fat. Këtë vuajtje ajo e quan “problem që nuk ka emër.” Një grua që e lë shoqërinë t’ia përkufizojë jetën për të ka një “vete të konfiskuar” pa “ndonjë qëllim, pikësynim, ambicie që ravijëzon ditët e saj drejt së ardhmes, duke e bërë që të zgjatet e rritet përtej numrit të vogël të vjetëve ku trupi i saj të ketë mundësi të plotësojë funksionin e vet biologjik.”

Problemi pa emër është një problem të cilin shkenca nuk e ka identifikuar ende: as mjekët, këshilluesit, psikiatrët e as shtypi popullor nuk e emërojnë problemin. Një shkencë e re çliruese po merrte jetë, dhe ajo tregonte se stereotipat e vjetër i gjymtonin gratë. Ajo premtonte të aktualizonte rëndësinë e çlirimit njerëzor në një identitet të shëndetshëm. “Thelbi i problemit për gratë sot është, argumenton Friedan, një problem identiteti – pengim e shmangie e rritjes që riprodhohet nga mistika femërore.” Friedan shkruan:

“Unë mendoj se ekspertët në shumë prej fushave kanë pasur pjesë të kësaj të vërtetë në mikroskopët e tyre për një kohë të gjatë pa e kuptuar. Unë gjeta pjesë të saj në disa hulumtime të caktuara dhe zhvillime teorike në shkencën e psikologjisë, sociologjisë dhe biologjisë, implikimet e së cilës për gratë duket se nuk janë shqyrtuar asnjëherë. U vetëdijësova për një numër të madh faktesh, shumë prej të cilave nuk janë raportuar publikisht sepse kjo nuk i përshtatet formave të kohës të të menduarit për gratë – fakte të cilat qesin në pikëpyetje standardet e normalitetit femëror, përshtatjes femërore, përmbushjes femërore, dhe pjekurisë femërore.”

Shkenca patriarkale po i bashkërendonte normat kulturore me mistikën femërore. Këto hulumtime të reja do të tregonin sesi normat kulturore kishin shkaktuar një “krizë identitare” në secilën grua dhe ato tregojnë rrugën përpara drejt rritjes dhe çlirimit.

Përderisa Friedan mendonte se mistika femërore ishte produkt i Amerikës pas Luftës së Dytë, ndjekëset e saj feministe ishin më radikale. Ato panë se gratë kishin vuajtur për mijëra vjetë nga shtypja kulturore nën ndikimin e patriarkatit. Duke përdorur veglat e shkencat të cilat Friedan i kishte parë tek po çonin krye, këto feministe më radikale do të aspironin që të identifikonin të gjitha burimet e patriarkatit në çdo sferë të jetës.

Kate Millet (Politika Seksuale [1970]) zgjeron edhe më tej mendimet e Friedanit. Siç shkruan Millet, “Të nënkuptuara përbrenda gjithë zhvillimit të identitetit gjinor që ndodh përgjatë fëminisë, është shuma e përgjithshme e nocioneve të prindërve, bashkëmoshatarëve, dhe kulturës të asaj se çfarë është e përshtatshme për secilën gjini për sa i përket temperamentit, karakterit, interesave, statusit, vlerës, gjesteve, dhe shprehjes.” Shumëçka, për të mos thënë gjithçka, prej identitetit njerëzor gjurmohet te mbivendosja që shoqëria i bën “zhvillimit të identitetit gjinor.”

Millet vë theksin te nevoja e rindërtimit të disiplinave akademike, posaçërisht të shkencave sociale dhe njerëzore, në mënyrë që ato të zbulojnë strukturat e shtypjes gjinore të cilat i kanë nënshtruar gratë. Universitetet janë dyfish qendore për shndërrimin shoqëror: ato identifikojnë burimet e indoktrinimit dhe të shtypjes sociale prej së cilave gratë (dhe të tjerët) duhet të çlirohen; dhe ato do të rekomandonin sesi të ndërtohet një botë pa gjini. “Teoria e Politikës Seksuale” e Milletit përfshin një agjendë hulumtimi për shkencën e re të çlirimit, ku biologjia, sociologjia, ekonomia, antropologjia, psikologjia, historia dhe disiplinat e tjera janë të drejtuara kah demonstrimi sesi gjinia është konstruktuar nga shoqëria në të kaluarën. Implikimi i qartë nga kjo është se konstruksionet e së kaluarës mund të dekonstruktohen dhe kështu të ndërtohet gjithashtu një shoqëri e re me ndihmën e këtyre disiplinave të tjera.

Kjo shkencë çliruese identifikon dhe dënon burimet e shtypjes, por mund të bëjë pak më shumë sesa vetëm t’i bëjë me sy një bote të ardhme përtej gjinisë. Kjo poashtu do të ishte një vepër e imagjinatës që do të mund të mbështetej përmes të gjitha institucioneve publike: universitetet dhe kultura popullore përgjithësisht do të luanin një rol jo të vogël në ndërmarrjen e ushtrimeve të tilla të imagjinatës duke prodhuar një revolucion në idetë për seksin dhe gjininë.

Dekonstruktimi dhe rindërtimi – revolucioni rrokullisës – përfshin tri reforma thuajse të papërfundueshme. Pikë së pari, ai shfuqizon “ideologjinë e epërsisë mashkullore dhe socializimit tradicional përmes së cilit ushqehet për sa i përket statusit, rolit, dhe temperamentit” duke çuar drejt “integrimit të subukulturave të veçanta seksuale, një asimilim i të dy anëve të përvojës njerëzore paraprakisht të ndarë.” Çdo përvojë që ushqen dallime mes burrave dhe grave do të binte, përfundimisht, nën këtë rubrikë. Nëse gratë janë në disfavor për shkak të “statusit, rolit, apo temperamentit” të ndryshëm, praktika që e mirëmban këtë dallim duhet të shuhet. Nën këtë rubrikë, me sa duket, duhet të shuhen edhe fenomene të tilla si dashuria romantike, modestia apo turpi femëror, iniciativa mashkullore, agresioni mashkullor, pasiviteti femëror, e dallime të tjera; përderisa këto janë aty, puna mbetet e papërfunduar.

Së dyti, një ndryshim drastik në “familjen tipike patriarkale” është i domosdoshëm që gratë të sigurojnë “pavarësi të plotë ekonomike.” Qartazi, gratë duhet të kërkojnë të sigurojnë punën jashtë shtëpisë, por ato gjithashtu duhet ta mendojnë vetveten si qenie të pavarura nga bashkëshortët e tyre. “Një konkluzion i rëndësishëm” ndaj këtij qëllimi është “dhënia fund i statusit të tashëm të plaçkës dhe mohimi i të drejtës ndaj të miturve,” meqë gratë shpesh ndjejnë nevojën rë rrisin fëmijët e varur deri sa ata të vijnë në moshën e rritur. Varësia kompromenton zgjedhjet dhe rritjet e njerëzve. Ky element i projektit feminist do të mbetej i papërfunduar përderisa gratë apo fëmijët të mbesin të varur përbrenda familjes.

Së treti, feminizmi kërkon revolucion seksual. Me revolucion seksual, Millet kupton “fundin e shtrëngimeve dhe tabuve seksuale tradicionale, veçanërisht atyreve që kërcënojnë më së shumti martesën partriarkale monogame: homoseksualiteti, ‘paligjshmëria’, seksualiteti adoleshent, dhe ai para e jashtëmartesor.” Shtrëngimet mbi aktivitetin seksual e kanë përforcuar praktikën e dashurisë romantike, monogamisë, të qenit prind, dhe atributeve të tjera kulturore që përkufizojnë jetën tradicionale familjare. Emancipimi i seksualitetit nga shtrëngime të tilla do të zhbllokonte martesën e në të njejtën kohë, ndarja e martesës nga seksualiteti dhe të lejonte individët që të shprehnin pa shtrëngime shtysa primordiale njerëzore. Një hapje e tillë me gjasë përfshin rrënjosjen e seksualitetin e fëmijëve dhe një fund të tabusë së incestit, mes të tjerash. Për sa kohë që individët të jenë të shtypur, projekti feminist mbetet i papërfunduar.

Shkenca e re do të identifikonte burimet e socializimit dhe do të premtonte përmbushje atyre që i ikin ngushtimeve të socializimit. Mospërputhja mes kërkesave artificiale të shoqërisë dhe kërkesave të përmbushjes individuale, e identifikuar më herët si problemi pa emër, është qendrore për projektin progresiv dhe feminist.

Revolucioni feminist siç e kupton Millet dhe ndjekëset e saj përfshin (1) gjetjen e vendburimeve të fshehura të shtypjes dhe (2) mbrojtjen e etosit të çlirimit prej çfarëdo që e nënshtron seksin e dytë. Gjurmimi i shtypjeve të fshehura të bën shokë të çuditshëm, por të ndjekësh logjikën e revolucionit feminist drejt përqafimit që i bën të drejtave transgjinore ofron qasje në karakterin e tij të paparashikueshëm.

Figura kyçe në kthimin e feminizmit drejt të drejtava transgjinore është Judith Butler, një ndjekëse e vetëshpallur e poststrukturalistit francez Michel Foucault. Foucaultja i Butlerit kërkon të ekspozojë mënyrën sesi pushteti politik shpërfaq vetveten në idetë tona për të vërtetën, realitetin dhe gjuhën. “E vërteta” dhe “realiteti” përforcojnë vizionin e grupit dominues për pushtetin politik dhe e bën mënyrën e tij të jetesës të nënkuptohet si normale. Shoqëria e ushtron këtë pushtet me hollësi, duke ndërtuar “të vërtetën” dhe “realitetin,” dhe kështu një teori të asaj se në çfarë kategori duhet të përshtatesh për të qenë njeri. Për të përdorur gjuhën me teknikë të Butlerit, Historia e Seksualitetit e Foucault-së ekspozon “mekanizmin e shtrëngimit” pas parapëlqimit modern për seksin heteroseksual me shpresën e çlirimit të një shprehje më polimorfe të dëshirës seksuale dhe të zbulimit të gjinive të reja përtej binares.

E vërteta dhe realiteti si shprehje të reja të shtypjes zbatohen posaçërisht ndaj gjinisë. Butler mirëpret të gjitha fenomenet që vënë në pyetje ato që ajo i sheh si kategori arbitrare të shoqërisë ndaj gjinisë. Telashi gjinor [Gender Trouble] (1990) i saj vë në theks natyrën transgresive të drag-mbretëreshave dhe të të veshurit me rroba tipike për gjininë tjetër, përderisa te Të zhbësh gjininë [Undoing Gender](2004) shton përvojën transgjinore si përformancën më të fundit të re gjinore që përmbys normën. “Kur diçka [që duket] joreale,” siç shkruan Butler te Të zhbësh gjininë, “pretendon realitetin… diçka ndryshe prej asimilimit të thjeshtë në normat mbizotëruese mund të ndodhë dhe ndodh. Vetë normat tundohen, shpërfaqin paqëndrueshmërinë e tyre, dhe hapen drejt rishënjimit.”

Buttler synon jo vetëm drejt shkundjes së besimit në normat shtypëse, por drejt një shoqërie të re që afirmon performancat gjinore të secilit. “Ne nuk po gdhendim një vend për autonomi,” shkruan Butler, “nëse me autonomi kuptojmë një gjendje të individuimit, të marrë si vetëngulmuse para dhe veçmas prej çfarëdo marrëdhënieje të varësisë mbi botën e të tjerëve.” Personat “nuk mund të ngulmojnë pa norma të njohjes” që mbështesin këmbënguljen e tyre dhe ndërtojnë shëndetin e tyre mendor. Identiteti i dikujt nuk është asnjëherë plotësisht real ose plotësisht i veti deri atëherë kur nuk pranohet prej dhe përmes autoriteteve publike dhe të njihet si i tillë nga bashkëqytetarët. “Vetë kuptimi i të qenit person është i lidhur me dëshirën për njohje, dhe kjo dëshirë na plason jashtë vetvetes, në sferën e normave sociale të cilat ne nuk i zgjedhim plotësisht.” Afirmimi dhe mbështetja do të thotë se të gjitha institucionet publike, dhe me gjasë i gjithë opinioni publik, e njohin meritën e performancave gjinore dhe i mbështesin këto përformanca përderisa ato shfaqen.

Është e vështirë të imagjinohet sesi mund të kompletohet vepra e zhbërjes së gjinisë: ajo duket se kërkon shndërrime të vazhdueshme shoqërore jo vetëm në emër të çlirimit nga shtrëngimet e kaluara por gjithashtu si mjete të sigurimit të njohjes për të ardhmen. Butler është në dyshim se a na duhen normat për të jetuar, por të gjithë individëve u nevojitet njohja dhe afirmimi publik për të vazhduar identitetin e tyre.

Lëvizja për të drejtat transgjinore me siguri se kërkon të minojë “ideologjinë e epërsisë mashkullore dhe socializimit tradicional,” e cila kishte supozuar se ka një ndarje binare përbrenda familjes njerëzore. Kështu ajo shqetëson normat, siç kishin shpresuar feministet e valës së dytë. Kjo lëvizje e të drejtave shpesh mund të dëmtojë interesat e grave, por ajo i përparon interesat e revolucionit feminist dhe kjo është qëllimi i saj.

______________

Scott Yenor është Profesor i Shkencave Politike në Universitetin Boise State. Ai është autor i Politika familjare: Ideja e martesës në mendimin politik modern [Family Politics: The Idea of Marriage in Modern Political Thought] dhe Humaniteti i Hume-it: Filozofia e jetesës së përbashkët dhe kufijtë e saj [Hume’s Humanity: The Philosophy of Common Life and Its Limits].

Artikulli origjinal

Përktheu: Bardhi Bakija

13 nëntor 2017
13:12

Scott Yenor