Shoqëria e hapur dhe ‘armiqtë’ e Popper-it

13 nëntor 2017 10:52

Historicizmi si doktrinë, sipas shpjegimit të Popper-it, paraqitet si një filozofi apo konceptim doktrinar i historisë që pretendon të ketë zbuluar kuptimin dhe ligjet e historisë, dhe kështu të mund të parashikojë tendencat e ardhshme të saj. Popper-i mendon se kjo doktrinë si e tillë bëhet edhe e rrezikshme nëse lidhet me ndonjë lëvizje politike që synon të përshpejtojë rrjedhën e historisë, sepse do të përfundojë në totalitarizëm. Zakonisht siç edhe ka ndodhur në të kaluarën, këto lloj teorish në pamundësi për transformimin e gjendjes shoqërore dhe ekonomike, si dhe arritjes së progresit, kanë bërë që ta transformojnë vetë njeriun dhe me këtë të tentojnë ta krijojnë njeriun e së ardhmes, apo njeriun e ri. Në emër të progresit, në emër të parajsës në tokë që kanë proklamuar këto teori, Popper-i mendon se ato kanë sjellë vetëm krime. Madje ai i akuzon këto teori si nxitëse qoftë direkte qoftë indirekte të formave të ndryshme të totalitarizmit, deri tek nazizmi dhe fashizmi. Po ashtu, përveç se të gjitha teoritë historiciste proklamojnë se historia na dërgon kah e vërteta, dhe se e vërteta gjendet në histori, madje është besuar se e vërteta absolute nuk mund të jetë jashtë historisë si e tillë. Me këtë ata insistojnë që historinë ta vendosin në rangun e një shkence, ku saktësia e konkluzioneve të saj është përherë evidente. Mirëpo, mohohet fakti që shpeshherë ka rezultuar se shkenca është treguar sterile në vërtetimin e dukurive apo në gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e shtruara.  

Diskursin historik si të tillë Popper-i e kundërshtoi ashpër nëpërmes veprave të tij Mjerimi i historicizmit dhe Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj, ku i kundërshton të gjitha përpjekjet e atyre filozofëve që historinë e konsideronin si qëllim, në të cilën njeriu nuk është asgjë tjetër veçse mjeti për përmbushjen e tellosit të saj. Mirëpo, pikëpamjet dhe konceptet filozofike të Popper-it nuk marrin kurrsesi pamjen e kategorive që synojnë të kenë relevancë të përhershme, e aq më pak absolute. Këto pikëpamje Popper-i pohon se duhet kuptuar në marrëdhëniet e njeriut me historinë, do të thotë që edhe në shoqërinë njerëzore nuk ka vend për të ndërtuar vizione filozofike mbi të ardhmen e shoqërisë, që të kenë vlera të përhershme.

Por, ç’është historia? Cili është qëllimi i saj? Ngarkesa shkencore që iu bashkëngjit e ktheu atë në një lëndë krejt të thatë dhe pa nerv. Popper-i e hedh tutje shikimin e tij në historinë e hershme të filozofisë. Ai mendonte se e keqja që doktrina historike kishte sjellë, e kishte origjinën në antikitet, pikërisht në filozofinë e Platonit. Kritika e Popper-it qëdron pikërisht në mënyrën profetizuese. Sipas tij, Platoni është ai i cili me elaborimin e shtetit që njëmendëson idealet e shoqërisë së mbyllur, si dhe me insistimin e tij për të paracaktuar se ‘kush duhet të sundojë’ dhe cili vullnet duhet të jetë më i larti në shoqëri, ka bërë që njerëzimi në pamundësi, për shkaqe të ndryshme, të arritjes së këtyre idealeve platonike të përfundojë në përplasje shoqërore. Kjo ndodh për faktin se kur teorizohet për shoqëri të përsosur, domosdoshmërisht edhe do të kërkohen sundimtarë, të cilët do ta garantojnë këtë përsosmëri. Kjo doktrinë e ‘njerëzve të zgjedhur’ për Popper-in është mjaft e rrezikshme, sepse ajo na dërgon; “...në tendencën për ta bërë historinë të kuptueshme nën interpretime teiste [fetare], do me thënë duke njohur Zotin si autorin e dramës që luhet në Skenën Historike” (Popper, Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj – Vëllimi 1: Magjia e Platonit). Gjithçka ishe një projeksion që duhej realizuar në histori, sepse objektiviteti platonik i përket botës intelegjibile. Madje Popper-i shprehet kështu për shtetin ideal të Platonit: “Leksioni të cilin ne duhet ta mësojmë nga Platoni është saktësisht e kundërta e asaj çfarë ai përpiqet të na mësojë. Është një leksion i cili nuk duhet të harrohet. Po aq e shkëlqyer sa ç’është diagnoza e tij sociologjike, zhvillimi i vetë atij provon se terapia që ai rekomandon është më e keqe se e keqja që ai përpiqej të luftonte. Ndalimi i ndryshimit politik nuk është ilaç, ai nuk mund të sjellë lumturi. Ne nuk mund të kthehemi kurrë në pafajësinë dhe bukurinë e hamendësuar të shoqërisë së mbyllur. Ëndrrat janë qiellore: nuk mund të realizohen në tokë. Kur të fillojmë të mbështetemi mbi arsyen tonë dhe të përdorim fuqitë tona të kriticizmit, kur të ndjejmë thirrjen e përgjegjësive tona personale, dhe së bashku me të, të ndjejmë përgjegjësinë e mbështetjes së njohjeve të avancuara, nuk mund të kthehemi në një shtet që i nënshtrohet pa mëdyshje tribalizmit magjik” (Popper, Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj – Vëllimi 1: Magjia e Platonit). Pra, Popper-i është i bindur se filozofia e Platonit për ndërtimin e shtetit dhe të një shoqërie, ku secili e ka pozicionin e paracaktuar, është alibia e totalitarizmave bashkëkohore.

Gjithashtu Popper-i kritikë të ashpër i bën edhe filozofisë së Hegel-it. Madje ai Hegel-in e konsideron si nxitësi, apo “...burimi i të gjithë historicizmit bashkëkohor”, dhe si “tribalizmi i ri”.   Sepse edhe Hegel-i mendonte se Historia është qëllim i cili duhet synuar. Popper-i pohonte se ndikim i Hegelit në politikë është ende mjaft i fuqishëm; “Në politikë ndikimi ekstrem prej faktit se krahu ekstrem i majtë marksist, konservativët e qendrës dhe fashistët ekstremë të djathtë, të gjithë e bazojnë filozofinë e tyre politike mbi Hegelin. Krahu i majtë zëvendësoi luftën e kombeve e cila duket në skenën historiciste të Hegelit me luftën e klasave, ekstremi i djathtë e zëvendësoi me luftën e racave, por të dy e ndjekin atë pak a shumë në mënyrë të ndërgjegjshme” (Popper, Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj – Vëllimi II:Hegeli dhe Marx-i). Popper-in e habit fakti se si është e mundur që një teori e tillë të cilën e përdor Hegeli të ketë kaq ndikim. Ai mendonte se në filozofinë e Hegelit ka njëfarë supersticioni popullor që  hamendëson në jetë. Ai mendon se kjo lloj filozofie për çdo pyetje ka një përgjigje të gatshme.

Po ashtu, edhe Marx-i është nga ata teoret historicist që vihet nën thumbin e kritikës së Popper-it. Për të, Marx-i me teoritë e tij bëri që totalitarizmat bashkëkohore të shpërfaqeshin me tërë ashpërsinë dhe vrazhdësinë e tyre. Popper-i pohon se: “Marksizmi është një teori e kulluar historike, një teori e cila synon në parathënien e kursit të ardhshëm të zhvillimeve ekonomike dhe pushtetet-politike dhe veçanërisht të revolucioneve” (Popper, Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj – Vëllimi II: Hegeli dhe Marx-i). Sipas tij, Marx-i është një nga ata ideologë, i cili me shpjegimet që i bëri klasave, si një antagonizëm i përhershëm, ndihmoi në (pa)mundësinë, shkatërrimin e një shoqërie të hapur dhe demokratike dhe që proklamoi një shoqëri, siç edhe e quan Popper-i “shoqëri e mbyllur”. Popper-i thoshte se thirrja në një histori të njerëzimit është një ‘blasfemi’, sepse: “Nuk ka histori të njerëzimit, ka vetëm një numër të pafundëm të historive të çdo lloj aspekti të jetës njerëzore. Dhe një nga këto histori është hostoria e pushtetit politik” (Popper, Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj – Vëllimi II: Hegeli dhe Marx-i). Andaj, Popper-i kritikon tri momentet e marksizmit, të cilat kishin bërë për vete shumë mendimtarë: 1) Se ajo ishte një shkencë; 2) Se është progresive dhe 3) Se ka përpunuar metodën e parashikimit që praktikojnë edhe shkencat natyrore. Në bazë të kësaj Popper-i kritikën e tij e vendos pikërisht në pikën e tretë, duke kritikuar tendencën e marksizmit si shkencë dhe për të cilën ai mendon se “...kjo është e pajustifikueshme, sepse ai mendon se marksizmi më shumë ngjan me profecitë, sesa me të vërtetat e fizikës moderne”. Pra, Popper-i vëren edhe tri fakte themelore nëpërmes të cilave marksizmi tenton të zhvillojë projektin e tij politik. a) është një fakt që ne mund ta profetizojmë eklipsin e diellit me një shkallë të lartë saktësie. Atëherë a nuk jemi ne të aftë t’i parashikojmë revolucionet? Ideja themelore se do të ishte e mundur të parashikonim revolucionet ashtu siç mund të parashikohen eklipset e diellit ngre këto çështje para shkencave sociale, b) detyra e shkencave sociale është e njëjtë me atë të shkencave natyrore – të bëjë parashikime dhe veçanërisht parashikime historike, domethënë parashikime rreth zhvillimit social dhe politik të njerëzimit dhe c) sapo të zbulohen këto parashikime, detyra e politikës mund të përcaktohet me përpikëri. Duhen lehtësuar “dhimbjet e lindjes” (si i quan Marx-i) të lidhura me zhvillimin politik, të cilat e pengojnë këtë parashikim. Këto ide të thjeshta që i quan doktrina historike e politike. Të dyja janë pjesë e historicizmit - pikëpamjes se historia e njerëzimit fsheh një komplot dhe në qoftë se ne e zgjidhim këtë komplot, do të zotërojmë çelësin e së ardhmes.

Për këtë Popper-i mendon se këto nuk janë doktrina marksiste, por ato janë doktrinat më të vjetra në botë. Ai mendonte se parashikimet historike janë astronomike dhe i përkasin astrologjisë, kurse parashikimet shkencore janë të tilla që pikë referente kanë konkretësinë apo faktin empirik. Edhe kur t’bëjmë fjalë për dijet filozofike, ato kërkojnë shumë më tepër. Nisur nga analiza e një numri sado të kufizuar faktesh, dijet filozofike priren të krijojnë të vërteta edhe për realitete që ndodhen në kohë e në hapësirë jashtë sistemit të fakteve të marra në shqyrtim. Prandaj ka një tendencë që kjo doktrinë, dhe të ngjashme që vetëquhen si shkencore dhe të etablohet si e tillë, ka prodhuar defekte të paparashikueshme në historinë e njerëzimit. Mbase, kur t’bëjmë me aspektin shkencor Popper-i është nga ata filozofë që edhe ato të vërteta shkencore që janë të verifikueshme duhet t’u nënshtrohen një procesi permanent verifikueshmërie me anë të metodës së përgënjeshtrimit, sepse sipas tij ato janë të vërteta vetëm deri atëherë kur nuk përgënjeshtrohen.

Krejt në fund mund të themi se Popper-i si një racionalist kritik dhe si një kundërshtues i paepur i dogmatizmit historicist, insiston që problemet e ndryshme filozofike dhe shkencore të jenë sa më të sigurta dhe çdoherë ato t’u nënshtrohen kritikës së arsyes dhe të jenë pjesë e trajtimit të mirëfilltë racional. Ndryshimi me çdo kusht, imponimi, nuk janë zgjidhja sipas Popper-it, sepse ato sipas tij dërgojnë në dogma dhe rrjedhimisht e suprimojnë mundësinë e një demokracie dhe një sistemi ku debati racional do të duhej të ishte bazamenti i marrëdhënieve ndërnjerëzore. Andaj, pikërisht për këtë ai mendonte se: “Një histori konkrete e njerëzimit, nëse ka ndonjë, do të ishte historia e të gjithë njerëzve, do të kishte qenë historia e të gjithë shpresave të njerëzimit, betejave dhe vuajtjeve. Sepse nuk ka asnjë njeri që të jetë më i rëndësishëm se një tjetër. Është e qartë se një histori e tillë nuk mund të shkruhet. Ne duhet të bëjmë abstragime, ne duhet të shpërfillim, ne duhet të përzgjedhim. Por me këtë ne arrijmë në shumë histori; dhe në mesin e tyre, te historia e krimit ndërkombëtar dhe vrasja në masë e cila ka qenë shpallur si histori e njerëzimit” (Popper, Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj – Vëllimi II: Hegeli dhe Marx-i). Prandaj, lirisht mund të themi se Popper-i edhe sot e kësaj dite mbetet një referencë relevante si në mendimin filozofik, ashtu edhe në atë social dhe politik.

13 nëntor 2017
10:52

Dritan Dragusha