Teatrot kombëtare, ansamblet, kapitalizmi, shteti!

25 tetor 2017 13:38

Keto ditë në opinion publik është ngritur çështja e aktorëve rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilët e kanë paralajmëruar një grevë për shkak të të ardhurave të vogla financiare. Duke qenë se nuk është diskutuar për këtë çështje me vite e dekada, një pjesë e caktuar e shoqërisë mund të mos e ketë të qartë se si doli ky problem në sipërfaqe kaq papritur. Unë do të përpiqem që përmes këtij shkrimi të kontribuoj sadopak në sqarimin e kërkesave të aktorëve.

Është e rëndësishme që ky debat të hapet sepse këta aktorë janë pjesë e një institucioni publik. Rrjedhimisht, një qytetar i thjeshtë i Kosovës që paguan taksa më të cilat financohet Teatri Kombëtar i Kosovës, ka të drejtë që të jetë i informuar për këtë çështje. Shto këtu edhe faktin që tek ne puntorët e shtetit nuk është që shikohen me sy edhe aq pozitiv, sidomos kur ata kërkojnë rritje page apo përfitime shtesë.

Janë tre shtresa shoqërore qe e kanë krijuar këtë averzion karshi puntorëve të institucioneve publike. Të parët janë qytetarët e Kosovës që janë të papunë tash e sa vite. Kjo pjesë konsideron se ata janë lënë anash sistemit padrejtësisht. Shpeshherë kanë të drejtë marrë parasyssh nepotizmin dhe përzgjedjen jo meritore të punëtorëve që viteve të fundit ka qenë praktikë në institucione publike.

Të dytë janë pjesa e sektorit privat të cilët vazhdimisht ankohen se nuk u respektohën të drejtat. Ata konsiderojnë që punëtorët publikë gëzojnë privilegje të pamerituara në krahasim me ta, anipse ndihen më superiorë dhe më të kualifikuar karshi puntorëve publik.

Pjesa e tretë, grupi që i nënvlerëson deri në tallje punëtorët e institucioneve publike, janë megalomanët kapitalistë të pasluftës. Janë shefat e këtyre te dytëve. Një pjesë e madhe e tyre u focuan dhe u rritën në forma të dyshimta dhe me ndihmën poashtu të dyshimtë të këtij shteti. Shtet ky që ironikisht është poashtu një ndër kontribuesit kryesorë për këtë përceptim që ekziston ndaj punëtori të sektorit publik.

Duhet rikujtuar që këto vite lidershipi ynë politik na ka mbajtur ligjërata të vazhdueshme për vlerat e tregut liberal e kapitalist, për t’i hapur rrugë kështu një ambienti të përshatshëm për zbatimin e privatizimit. Paradoksalisht, ata e ndërtuan dhe transmetuan këtë refren robotik aq pa shije, dhe aq vrazhdë, sa që në të njëjtën kohë, dhe pa vetëdijen e tyre, e mbollën në shoqëri një mendësi të mbrapshtë tek secili prej nesh karshi asaj që quhët punë apo institucion publik.

Filluam që ta shfaqim njëfarë perçmimi ndaj çdo gjëje që është publike. Diskutimi u mbyll dhe debat më nuk kishte. Në shoqëri u instalua një mendësi pothuajse kolektive ku çkado që bëhet në kuadër të publikës është vetëm njëfarë obligmi ditor që ka mbetur aksidentalisht nga e kaluara, e jo që mund te ndodhë ndonjë e arrirrë aty. U krjiua ideja që kushdo që paguhet nga publikja për punën që e bën është vetëm përfitues i një privilegji të pamerituar, e jo dikush me arritje meritore apo profesionale.

Këto janë disa nga arsyjet që  i shtynë shumë puntorë  të ndershëm dhe profesionalë që të ndihen të stigmatizuar. Ata ose e ulën kokën, ose filluan dalëngadalë të ikin nga këto institucione për t’ua lënë vendin atyre që nuk e kanë vendin aty!  

Kjo po ndodhë edhe me ansamblin e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilët tashmë duan të futen në grevë 

Ansambli që prej vitit 1999 e këndej është nënvlersuar dhe është konsideruar i panevojshëm, si një mbeturinë e ish-sistemit. Gjenerata e vjetër e aktorëve, e cila vinte nga sistemi i kaluar, ishte e hutuar krejtësisht në amullinë e pasluftës e deri më sot. Disa prej tyre, të shtyrë në moshë e duke mos gjetur forcë të përballen me anti-kulturorët, u dorëzuan plotësisht.

Ata arritën në përfundimin e ciklit të jetës dhe karrierës së tyre krejtësisht të brishtë. Me të ardhura poshtëruese deri në pension, e disa deri në vdekje. Ndërsa aktorët me vlerë të cilët erdhën pas gjeneratës së vjetër, ikën nga aty sepse e nuhatën se aty nuk ka vullnet për një ansambël serioz, e as prespektivë për ta. Kështu, gjysëm-ansambli i aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës pothuajse u shua. Ai mbeti nje oazë e ndryshkur drejt shuarjës, duke u ngushëlluar me një interpretim naiv, se gjoja gjithandej nëpër rajon dhe në Evropë kanë vdekur ansamblet e aktorëve dhe teatrot nacionale. 

Realiteti në rajon dhe Evropë është krejt i ndryshëm. Nuk kishte dhe nuk ka vend në Ballkan apo në Evropë që ka Teatër Kombëtar pa ansambël të aktorëve. Edhe pas ndryshimit të sistemeve ekonomike globale, të gjitha vendet treguan kujdes ndaj fushave kryesore të kulturës. Me fanatizëm vazhduan t’i ruajnë dhe mbështesin teatrot, galeritë, operat, baletet, deri në një masë të madhe edhe filmin. Në fundin e shekullit që shkoi dhe në fillim të këtij që erdhi, shoqëritë europiane nuhatën se kapitalizmi që kishte marrë hov do t’i rrezikonte deri në zhdukje këto institucione, sepse asnjëra prej tyre nuk do të mund të mbijetonte vetëm me një biletë të konsumatorit (publikut).

Kështu, edhe shtetet më liberale e kapitaliste të Evropës nuk rrezikuan të eksperimentojnë me stilin "shite ose bleje". Ato i analizuan rrethanat dhe kuptuan se institucionet dhe prodhimet kulturore nuk do të mund të mbijetojnë pa dorën e shtetit, pavarësisht se kjo do të mund të tingëllonte si simptomë socializmi apo komunizmi. Ato nuk u kompleksuan nga etiketimet që mund t’u bëheshin sepse ishte në pyetje mbijetesa e disa fushave të rëndësishme kulturore. Nuk e tradhëtuan rëndësinë që e kishte teatri që nga antikiteti e deri më sot në aspektin emancipues, kulturor, politik e intelektual, prandaj nuk lejuan që teatri të trajtohej vetëm si relikt historik.

Këto vende e pranuan trendin e ri global me shumë kujdes, sidomos në raport me kulturën. Përmes sistemit të shtetit krijuan fonde të veçanta. Përmes organizatave jo-qeveritare dhe grupeve të ndryshme komerciale apo filantropive e mundësuan zhvillimin e skenës së pavarur e bashkëkohore, duke ju përshtatur këtij tregu që tashmë ishte pothuajse i pashmangshëm. Në të njëjtën kohë, i fuqizuan teatrot kombëtare së bashku me ansamblet rezidente të aktorëve. Teatrot kombëtare sot vazhdojnë të funksionojnë me shumë sukses dhe në çdo vend të Evropës. Ato dinë të jenë konkurente të mëdha në raport me skenat e pavarura. Varësisht prej vendit në vend  janë edhe superiore sa u përket vlerave artistike që prodhojnë (Unë personalisht nuk parapëlqej që t’i simpatizoj apo vlerësoj teatrot në bazë të emërtimit apo statusit që kanë, por në bazë të veprave dhe vlerave që prodhojnë).

Në Kosovë, sikur ta kishim të zhvilluar skenën e pavarur dhe bashkëkohore të teatrit, ndoshta edhe nuk do të isha kaq shumë i shqetësuar për gjendjen e Teatrit Kombëtar. Por fatkeqësisht, skena e pavarur thuajse nuk ekziston, përjashto këtu ndonjë grup shumë të vogël apo ndonjë individ ambicioz. Kjo i bie që sistemi ynë politik lere që nuk arriti ta krijojë ndonjë vizion kulturor apo mundësi zhvillimi për skenën e pavarur, por nuk është në gjendje që as teatrin e saj kombëtar, me ansamblin e tij prej 25 aktorësh, ta bëjë të funksionojë si duhet.

Karshi skenës së pavarur, politika vepron sipas disponimit dhe qejfit të ministrave të caktuar, apo duke e hequr përgjegjësinë prej tij. Ndersa ndaj Teatrit Kombëtar politika vepron sikur të ishte një patate e nxehtë. Nuk dinë çfarë të bëjnë me të! Kuptohet se në gjithë këtë histori, një pjesë të madhe të fajit e ka edhe komuniteti artistik. Sot pas dy dekadash po i shohim edhe pasojat e oportunizmit dhe heshtjes së artistëve.

Sot ne, si një brez i ri aktorësh, kemi vendosur që të thyejmë heshtjen, dhe të veprojmë me këmbëngulje për kërkesat tona. I konsiderojmë thellësisht të drejta! Ne aktorët e Teatrit Kombëtar nuk kemi turp që të kërkojmë atë që na takon, sepse këtë hapesirë e kemi fituar me kualifikim, përkushtim, angazhim dhe përgjegjësi. Ne nuk duam të qëndrojmë kokëulur duke kërkuar lëmoshë. Ne nuk duam që me krenari të tepruar e mendjëmadhësi të zgjidhim problemin tonë duke ikur nga ai teatër për të gjetur mundësi tjera. Ne jemi aty sepse ai teatër është i joni dhe ne i takojmë atij.

Ne, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nuk konsiderojmë se jemi më të veçantë se qytetarët tjerë, e as nuk jetojmë në iluzione nostalgjike të sistemeve të kaluara, ku privilegjet e pamerituara kanë ditur të jenë të theksuara. Teatri nuk është vend social e as hapësirë ku duhet të zbutet papunësia. Ne kemi hyrë aty të bëjmë teatër, të bëjmë art, të krijojmë konkurrencë, e jo të ngushëllohemi në byfenë e teatrit! Këtë e kemi dëshmuar që disa vite, sidomos prej kur ka rifilluar punën ansambli rezident.

E mira është se puna jonë është ndër punët më transparente që ekzistojnë. Puna jonë nuk mund të fshihet e as te kamuflohet. Puna jonë mund të matet, të shihet dhe të vlerësohët nga të gjithë. Teatri Kombëtar prej se e ka ri-aktivizuar ansamblin edhe me aktorët e rinj, e ka rritur volumin e shfaqjeve dhe reprizave si asnjëherë më parë. Këtë gjë teatri nuk do të mund ta bënte pa ansamblin, sepse kostoja e honorareve që do të duhej t'ua paguante aktorëve me kontrata mbi vepër do ta trefishonte nevojën për buxhet.

Shumëçka ka ndryshuar në Teatrin Kombëtar prej se është ri-funksionalizuar ansambli. Por ajo që nuk ka ndrushuar është pagesa e aktorëve. Përkundrazi, ajo është përkeqësuar, sepse shfaqjet janë shtuar, dhe e gjithë kjo barrë shtesë ka rënë mbi aktorët dhe punëtorët e skenës. Aktori duhë të mbajë prova gjatë gjithë ditës për shfaqjen e re në të cilën punon, ndërsa në mbrëmje i duhet të bëhet gati për të luajtur ndonjërën prej shfaqjeve të tjera që janë në program. Orari i aktorit në pjesën më të madhe të muajit i fillon ne ora 10 të mëngjesit dhe përfundon në ora 23:00 të natës.

Krejt në fund, nëse dikush mendon se brenda Teatrit Kombëtar ka të tillë që nuk e meritojnë atë që ne po e kërkojmë, atëherë me të le të merren menaxhmenti, bordi, dhe ministria, etj, në përputhje me rregulloret, e jo të sakrifikohën dhe të pësojnë edhe të tjerët për shkak të ndonjë idioti aksidental. Ne aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës jemi të vendosur që kauzës sonë t’i shkojmë deri në fund! Neve na mbetet vetëm që t’i diskutojmë dhe analizojmë modalitetet, format më të përshtatshme të funksionimit dhe financimit të ansamblit të aktorëve rezident.

_________

Ky shkrim është reflektim personal i autorit dhe nuk përfaqëson medoemos ndonjë grup apo sindikatë.

25 tetor 2017
13:38

Armend Smajli