Perspektivizmi si fundi i Modernës

Ekskurs rreth mendimit të F. Nietzsche-s në rimendimin e racionalizmit dhe të modernës në përgjithësi

20 tetor 2017 14:38

I gjithë diskursi i filozofisë së Nietzsche-s e paraqet nevojën për një rimendim dhe një rivlerësim të periudhës moderne. Me shpalljen se idhujt tanimë kishin perënduar, perëndon edhe epoka e një diskursi sistemik dominant që moderna si ide dhe projekt kishte instaluar. Ç’është e vërteta, filozofia moderne pëson çarje të thellë që me Schopenhauer-in, i cili kundërshton ashpër teoritë që si bazë qendrore të kuptimit të botës kishin arsyen, e që kjo çarje me Nietzsche-n merr përfundimisht kah tjetër. Përkundër filozofisë idealiste, e cila pohonte se njohuritë na vijnë nga aparati i shkallëve të njohjes, A. Schopenhauer-i pohonte se “Bota është përfaqësimi im”, dhe pikërisht këtu fillon edhe një formë e interpretimit tërësisht ndryshe, e kundërt me filozofinë pararendëse.  

Në kohën kur Cogito-ja karteziane që njihet edhe si subjekti i vetizoluar hermetikisht, tani po pësonte transformime rrënjësore. Ajo (cogito) që dikur kishte fuqinë që të vetëkonstituohet nga kapacitetet e saj optimale racionale, pa kurrfarë tensioni të diktuar nga interaksioni dialektik me Tjetrin si të tillë, tani janë pikërisht interferimet eksternale, por edhe shpërthimi i impulseve të brendshme që cogito-n e paraqesin para ‘gjyqit’ të interpretimit hermeneutik. Për këtë “(...) qeniet njerëzore janë përnjëherë transcendente dhe faktike. Transcendenca referohet te mundësia jonë për të menduar përtej kësaj që ndodh tani dhe për t’u vetëprojektuar; fakticiteti i referohet asaj që ndodh tani, tek ekzistenca e dhënë që s’mund ta ndryshojmë. Ne qëndrojmë në ‘fat të keq’ duke mbajtur të ndara fakticitetin dhe transcendencën, duke u vetëmenduar të ndarë krejt nga trupi ynë” (Nigel Warburton, Philosophy: the Classics 3rd edition). Mirëpo, Nietzsche nuk mendon se ne duhet që trupin ta terciarizojmë në fushën e njohjes, sepse ky do të ishte një mohim qenësor i jetës dhe natyrës si të tillë. Ai mendon se virtyti është diçka që duhet ta kemi, por jo që të varemi prej tij, sepse mendonte se është e vështirë që njeriu “(...) të jetë edhe betejë edhe fushëbetejë e virtyteve” (F. Nietzsche, Kështu fliste Zarathustra) të tij. Në fakt, ai mendon po ashtu se: “Njeriu është diçka që duhet të zotërohet: edhe për këtë arsye duhet t’i duash virtytet tua - sepse për shkak të tyre do të shkatërrohesh” (Kështu fliste Zarathustra, f. 47). Ky mbase është një vetëshkatrrim i pandalshëm që duhet të ndodhë që ne ta kemi të qartë se përpjekja për të mbajtur nën frenim, t’i represojmë impulset e brendshme, paraqet një rëndësi të veçantë në rrafshin artistik që i hapë rrugë jetës.  

Me kritikën e Nietzsche-s instalohet dimensioni plural, ku tanimë çdo gjë dhe gjithçka është e interpretueshme pa pasur nevojë që t’i nënshtrohet një sistemi normativ të paracaktuar, por edhe ku shumësia e të vërteta është mënyra e konkluzive për femomene të caktuara. Ajo që dikur Hegel-i e potenconte si një nga format më të larta të filozofisë moderne, si filozofi absolute, që “Fryma botërore është frymë e botës siç e shpreh ajo veten në ndërgjegjen njerëzore” (Erich Vogelin, Shkenca, politika dhe gnosticizmi), me kritikën që Nietzsche do ta zhvillojë, do të pësojë jo vetëm transformime, por do të konsiderohet si diçka dekadente, ku nevoja nuk është më që të ecim mbi sisteme filozofike, por nëpërmes një rishqyrtimi të përhershëm dhe një singulariteti, të krijojmë një interpretim për botën me predispozita artistike. Prandaj, jo siç mendonte Hegel-i se: “(...) njerëzit janë në marrëdhënie me këtë frymë si pjesë individuale ndaj së tërës që është substanca e tyre. Dhe kjo frymë botërore i shkon mbas shtati frymës hyjnore, që është fryma absolute..., për aq sa Perëndia është e gjithëpranishme, ai është në çdo njeri, ai shfaqet në ndërgjegjen e secilit; dhe kjo është fryma botërore” (Shkenca, politika dhe gnosticizmi, f. 83). Pikërisht në këtë pikë filozofia e Nietzsche-s është shumë e ashpër, sepse kjo kritikë nuk ka për qëllim që ta interpretojë dhe transformojë botën apo njeriun në një frymë deterministe, por ajo është që njeriun si individum të mund ta çlirojë nga një mind-set i tillë, dhe ta bëjë që lirshëm t’i shprehë ndjenjat e tij të brendshme, e që ai pastaj i vetëm të krijojë një kornizë mbi botën, kornizë që si postulat të saj të ketë dimensionin artistik.

Lirisht mund të themi se me shpalljen e “Vdekjes së Zotit” nga Nietzsche, shpallet edhe zhbërja e një episteme e cila dikur e determinonte tërë lirinë e të menduarit dhe të vepruarit dhe që për konsekuencë kishte të menduarit determinist. Pra, me “Vdekjen e Zotit”, shkatërrohet edhe i gjithë rendi moral. Me rënien e rendit moral, filozofia futet në një larushi interpretimesh anti-esencialiste dhe me këtë i hapet mundësia e lindjes së një koncepcioni të ri për botën – që Nietzsche do të specifikojë si vullneti për fuqi. Pra, rënia e reminishencave epistemike është edhe riinterpretimi i gjithë diskursit filozofik. Tani supremacinë që e kishte vendosur racionalizmi në mendimin filozofik, ku mendimin e vendos në një cikël determinist, dhe njohja konsiderohej se ishte e mundur vetëm si pjesë e një cikli të tillë, i ishte futur skenerit të shumë-interpretueshmerisë që kishte për qëllim krijimin e shumësisë dispersive ligjërimore. Për këtë ajo se në çfarë insiston Nietzsche, është saktësisht ngritja e njeriut kundër idhujtarive të ndryshme me karakter esencialist, kundër dogmatizmit, sepse ai mendon se besimi në gjëra të tilla vetëm sa e robërojnë njeriun dhe ia pamundëson që të mendojë lirshëm. Një rrymë e tillë që ishte pothuajse më me ndikim ishte Iluminizmi, i cili kishte bërë të mundur që ta gllabëronte partikularitetin e njeriut për të krijuar një dimension ku gjithëpërfshirja ishte kushti.

Pra, racionaliteti ishte pika e vetme e mundshme që e mundësonte njohjen dhe se të gjitha elementet e tjera nuk ishin asgjë tjetër përveçse dokrra doksologjike, “...marrëzia e mendjes ishte e ngjashme me hyjninë, kurse dyshimi ishte mëkat” (Friedrich Nietzsche, Kështu fliste Zarathustra), kështu shprehet Nietzsche, sepse dominimi pothuajse absolut i racionalizmit, këmbëngulja e tij se është e vetmja rrugë drejtë njohjes, kishte vendosur paradigma të pakontestueshme me karakter totalitar. Prandaj, Nietzsche këmbëngul pikërisht në të kundërtën. Ai mendonte se qe racio ajo formë e cila njeriun e ka mbështjellë nën një totalitet dhe që ky i fundit me besimin e tij i është vënë në shërbim këtij totaliteti. Andaj, Nietzsche mendonte se: “...atje ku ka njëmijë besime, njeriu është më i gatshëm të dyshojë mbi të gjitha” (Will Durant, Heronjtë e mendimit – Platoni), se sa atëherë kur është instaluar vetëm një formë e të besuarit apo të menduarit. Kjo qasje në njëfarë forme bart edhe një sugjerim karshi ndërmarrjeve tona eventuale, por njëkohësisht edhe jep indikacione se duhet të dyshojmë kur kemi parasysh filozofitë e tipit esencialist.

Çreferimi i referencave të pakontestueshme, absolute, krijoi mundësi të manifestimeve të ndryshme, të cilat pastaj do të derivojnë dilemat e vetorientimeve në botë dhe mundësive të pafundme vetëpërkufizuese. Shumë interpetueshmëria për fenomene të caktuara do të krijojë edhe forma të reja diskursive, e që do të shtrihen në një horizont të pafundëm pa tendencën e rigjetjes të së vërtetës absolute. Skemat racional-objektive do të dekompozohen. Mbretëria morale do t’i nënshtrohet një skanimi të thellë dekonstruktues, sepse me rënien e metanarracioneve bien edhe formatet morale a priori. Besimi në një rend të përbotshëm moral dhe në një botë ku dominon telosi, tani merr fund, sepse ka vdekur instanca vetërregulluese, e cila i jepte shpirt një botë të tillë. Zoti nuk është më, ai ka vdekur, apo më mirë të themi është vrarë dhe bashkë me të është vrarë edhe vetë ideja, fundamenti i metarrëfimeve. Tani bota oscilon në një realitet ku mbretëron hiçi dhe ku nihilizmi është bazamenti i filozofisë dhe i botës në përgjithësi.  

20 tetor 2017
14:38

Dritan Dragusha