Komunisti i Giuseppe Tornatore

11 tetor 2017 10:41

Filmi Baarìa, i regjisorit Italian Giuseppe Tornatore, realizuar në vitin 2009, e që paraqitet si një problematikë lokale, tenton të na paraqesë ndërthurjet e fenomeneve të ndryshme të stratifikimit shoqëror në një kohë ku ideologjitë e ndryshme kishin marrë hov. Ky rrëfim është i vendosur në Sicili dhe nuk është fiktiv, por në njëfarë forme ofron imazhin e një Europe që qe i pranishëm dikur. Tema qendrore që trajtohet në këtë film, është zbërthimi i femomenve dhe problematikave që e karakterizojnë shoqërinë nëpërmes historisë së tre brezave të një familjeve të varfër siciliane. Po ashtu, në film paraqiten në mënyrë mjaft interesante kritika dhe ironia që u bëhet ideologjive të ndryshme që ishin bërë trend i asaj kohe. Njëkohësisht aty flitet edhe për dashurinë, martesën, varfërinë, mafian, shfrytëzimin, reformën agrare, ngritjen dhe rënien e fashizmit, konfliktin midis komunizmit dhe katolicizmit, peshën e traditës, ngadalësinë e ndryshimeve dhe të zhvillimit shoqëror. Ky film rrëfen një periudhë nga vitet 1930 deri më 1980, që përfshin jetën e tre brezave të një familje fshatare; nga bariu Cicco, i biri i tij Peppino, i cili mes fashizmit dhe mafias zgjedh të bëhet komunist, dhe nipi i tij Pietro. Nëpërmes këtyre tre brezave regjisori na shpjegon edhe historinë e shoqërisë italiane të asaj kohe. Tornatore përmes personazhit të Peppino-s na sjell jetën e një djaloshi të ri, i përvuajtur, por kryeneq, i cili i zhgënjyer me jetën e rëndë, me zymtësinë e përditshmërisë, në pamundësi për realizimin e ëndrrave angazhohet në politikë.

Në këtë tregim Tornatore insiston të vërë në dukje Peppino-n si një njeri i cili gjithmonë ndjehet se është një dështim, dhe se vendi (Sicilia) kurrë nuk mund të ndryshohet kur ti jeton zakonshëm në të. Kështu që, për një moment Peppino harron gjithçka, hedhë prapa supeve çdo gjë dhe vendos t’i përkushtohet dëshirës së tij për t’u bërë politikan dhe për ta ndryshuar gjendjen shoqërore. Ai lë familjen e tij e cila jeton në varfëri të thellë, dhe angazhohet që të zgjidhë problemet që i preokupojnë sicilianët e varfër. Këtu Tornatore e vë theksin në atë pikë ku shpërfaqet edhe skizofrenia e njeriut, sepse në pamundësi për t’u kujdesur për vete dhe familjen e tij njeriu (në këtë rast Peppino), fillon të merret me zgjidhjen e problemeve të mbarë shoqërisë. Pra, duke mos gjetur rrugë për ta zgjidhur problemin e varfërisë familjare, tani për Peppino-n korrupsioni, mafiozllëku, imoralizimi shoqëror, mosbesimi do të bëhën pika referente dhe mbi të cilat do të ngrihet e tërë kauza e tij jetësore. Pesimizmi i skajshëm do të zëvendësohet më shpresat dhe ambiciet e mëdha për ndryshim. E keqja si një mallkim kolektiv do të përfundojë dhe do të mbetet si një relikt i së kaluarës, sepse Peppino me partinë e tij komuniste besonte se e ardhmja për vendin dhe qytetarët do të jetë më e mirë.

Kështu, Peppino si një person i cili pothuajse ia kishte ndjerë aromën e fundit varfërisë, por që kishte ëndrra të mëdha, fillon që të brengoset për padrejtësitë dhe varfërinë që u bëhej të tjerëve. Është interesant një skenë në film e cila e shpërfaq me tërë vrazhdësinë e saj realitetin e hidhur për këtë militant të barazisë shoqërore. Momenti është kur Peppino kthehet në vendlindje pasi kishte emigruar në Paris për një kohë, një grup i njerëzve të cilët e njihnin atë, e shohin me valixhe në dorë dhe e pyesin për ku po largohet. Asnjëri prej tyre nuk e kishte vënë re mungesën e tij, sepse ai ishte i rëndësishëm për të tjerët po aq sa ishte reale barazia shoqërore për të cilën luftonte vetë ai. Regjisori Tornatore me këtë dëshiron të na tregojë sesi shpeshherë kemi përshtypje të gabuara në lidhje me atë se sa të rëndësishëm mund të jemi për të tjerët. Shpesh krijojmë një realitet paralel në mes të asaj që dëshirojmë të jemi dhe asaj çfarë në fakt jemi. Mirëpo, Peppino Torrenuova, nga një i ri i pavërejtshëm që ishte, gradualisht arrin të bëhet një nga figurat e rëndësishme të Partisë Komuniste. Ky moment i ngritjes së Peppinos tregon sesi njeriu shumë lehtë mund të transformohet dhe nga një njeri i cili preokupim i ka hallet që ia sjell jeta, të bëhet një ‘shpëtimtar’ për njerëzimin.

Jeta prej një komunisti të zjarrtë e bën Peppino-n njeri të huaj për të afërmit e tij. Humbja e kujtesës së një të kaluare të afërt, tegon se është edhe një nga fenomenet që krijon pasoja mjaft të thella skizofrenike në shoqëri. Shkëputja nga tradita në mënyrë arbitrare siç bëjnë fashizmi dhe komunizmi, por edhe trysnia që vinte nga grupet mafioze e shpërbën kohezionin social. Këtu regjisori Tornatore dëshiron të na japë një pasqyrë të qartë në lidhje me atë se çfarë zvetnimesh karakteriale shkaktojnë ideologjitë tek njerëzit. Sa të fuqishme janë slloganet e saj saqë njeriu humbë edhe fijen e fundit të pikëtakimit me realitetin. Tornatore në këtë film, na tregon vështirësinë që mund të ketë njeriu në këso situata, që ta rikthejë në kujtesë kohën e humbur. Këto probleme regjisori na i shpërfaq jo vetëm si probleme të izoluara të një province të humbur të Italisë, por edhe si një manifestim i cili ishte karakteristikë për shumë vende të Europës. Prandaj, fantazma e komunizmit ishte bërë makthi i njeriut europian. Çrregullimet që krijojnë këto ideologji në kohezionin social, humbjen e identitetit që ato prodhojnë, si dhe indiferencën dhe apatinë që mbjellin tek individi, është paraqitur mjaft mirë në filmin Baarìa. Nëpërmjet paraqitjes së jetës së Peppinos në këtë film, në fakt jepet një pasqyrim i trishtuar i realitetit që kishte kapluar njeriun e shekullit XX, kurse përmes qytetit Sicilia përshkruhet brishtësia e Europës së asaj kohe.

Mbase, me filmin Baarìa, regjisori Giuseppe Tornatore përveçse paraqet një kohë të shkuar, ai na bën ta rikujtojmë atë edhe për faktin e mundësisë së recidivimit të saj. Fuqia e këtyre ideologjive nuk matet me pafuqinë reale që eventualisht mund të kemi, por me fuqinë e egos për pushtet që mund ta shpërfaqim. Është më se e qartë se njerëzit të cilët përfshihen nga idetë dhe ideologji të tilla, me besimin e pathyeshëm se ata janë të përzgjedhurit e historisë për zgjidhjen e problemeve dhe të çlirimit të shoqërisë, në një moment të caktuar ky besim, ato ideologji bëhen vetë burgu i tyre. Për këtë regjisori mundohet që përveç rezikut që vjen nga format e ligjërimit ideologjik vulgar, paraqitet edhe temperamenti njerëzor që në emër të rregullimit të botës, sillet rreth një antihumanizmi që pastaj krenohet me vetëshkatërrimin. Prandaj, ky film nuk ofron një manual sesi duhet të sillemi në kohën kur stuhi të tilla ideologjike na kërkojnë rekrutim, por thjesht na rikujton një kohë që ishte dikur dhe që nuk do të rikthehet prapë. Pikërisht për këtë, filmi Baarìa nuk duhet parë thjesht vetëm sikur një trillim që mundohet të përshkruajë të shkuarën, por në fakt duhet parë si një e shkuar e trishtueshme, që mund të bëhet reale edhe atëherë kur jemi të bindur se epoka e shprehjeve të tilla ideologjike kolektiviste, ku për agjendë kanë zhdukjen e individumit njerëzor, ka përfunduar.   

11 tetor 2017
10:41

Dritan Dragusha