Kur humbja e privilegjit përjetohet si padrejtësi

26 shtator 2017 16:45

Përse popujt perëndimorë janë kaq të mllefosur me elitat e tyre politike dhe po votojnë për ekstremistë popullistë?

Shkaqet e këtij fenomeni janë të shumta dhe dallojnë nga shteti në shtet. Por ato e kanë një burim të përbashkët: dobësimin ekonomik dhe politik të klasës punëtore dhe të mesme.

Por para se të dalim te kjo pikë, nevojitet një shpjegim i kontekstit të gjerë ekonomik. Kjo sepse vitet e fundit është bërë trend që për çdo problem social dhe politik të sulmohen “paushall” globalizimi dhe politikat ekonomike liberale, pa u dhënë ndonjë shpjegim i mirëfilltë shkak-pasojë.

Thuhet shpesh se ky proces tashmë rreth tridhjetëvjeçar i hapjes së tregjeve ishte krejtësisht i dëmshëm. Por vërtetësia e këtij konstatimi varet nga ajo se me çfarë parametrash e masim suksesin apo dështimin.

Sipas një parametri shumë të rëndësishëm - atij të nivelit të varfërisë në nivel botëror - globalizimi ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm.

Këtë e ilustron grafiku i mëposhtëm, i cili e tregon ndryshimin ndër vite të përqindjes së popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare, të cilët jetojnë nën pragun e varfërisë.

Grafiku tregon sesi përqindja e varfërisë ka mbetur e pandryshuar përgjatë viteve 80 (rreth nivelit 70%), kur bota akoma ishte “e mbyllur”. Por pas vitit 1991, me rënien e komunizmit dhe me hapjen e tregjeve globale, fillon një rënie drastike e nivelit të varfërisë, duke arritur në rreth 30% në vitin 2013 (përgjysmim). Asnjë periudhë tjetër në histori nuk është shoqëruar me rritje më të madhe të mirëqenies në nivel botëror.

Image

                       Burimi: William Easterly

Parametri i dytë i cili mund të përdoret për matje, dhe i cili shpesh përmendet si mëkati më i madh i globalizimit, është se ai ka çuar drejt rritjes së pabarazisë në të ardhura.

A është kjo e vërtetë? Parimisht po. Por edhe matja e këtij parametri është çështje perspektive dhe përgjigja dallon nëse flasim për pabarazinë në nivel shteti, apo në nivel botëror.  

Është e vërtetë se nëse shikohet në nivel shtetesh individuale, globalizimi ka çuar drejt rritjes së madhe të pabarazisë. Ai u mundësoi pronarëve të kapitalit nga vendet e zhvilluara që ta zhvendosin prodhimin në vende me fuqi punëtore të lirë dhe njëkohësisht të rrisin tregun për shitje.

Njëkohësisht klasa e mesme dhe punëtore e perëndimit humbi vende të punës dhe nuk pa rritje rrogash, meqë tani konkurronte me punëtorët e lirë të vendeve në zhvillim. Ky proces u ndërthur edhe me procesin e zhvillimit të shpejtë të teknologjisë dhe të automatizimit të vendeve të punës, i cili bëri që ata të konkurronin edhe me “robotë”.

Këto dy procese paralele – që sollën fitime marramendëse për elitën dhe stagnim apo humbje për të tjerët – e rritën pabarazinë brenda shteteve perëndimore. Pra elitat perëndimore, bashkë me elitat në vendet në zhvillim, të cilat e kanë kapur pjesën më të mirë të pasurisë së re të krijuar në vendet e tyre, janë fituese nga globalizimi.

Por ka edhe një fitues tjetër të madh nga procesi i globalizimit: klasat e mesme të vendeve në zhvillim.

Nëse pabarazia shikohet në nivel botëror dhe jo në nivel shtetesh, atëherë dhjetëvjeçarët e fundit kemi parë jo vetëm rritje të pabarazisë në mes të elitave dhe të tjërëve, por edhe një përafrim në të ardhura në mes të klasave të mesme të vendeve në zhvillim me ato të vendeve perëndimore.

Këtë e ilustron në mënyrë të mrekullueshme grafiku i prodhuar nga ekonomisti Branko Milanovic, i cili e tregon rritjen kumulative të të ardhurave individuale në nivel botëror gjatë periudhës 1988-2008.

Në boshtin horizontal grafiku e paraqet shpërndarjen e popullsisë botërore sipas nivelit të të ardhurave, ku në pikën ekstreme 1 janë më të varfërit dhe në pikën ekstreme 100 më të pasurit. Çdo njeri në botë ndodhet në një pikë të këtij boshti varësisht nga niveli i tij/saj i të ardhurave. Ndërsa në boshtin vertikal grafiku tregon se për sa përqind janë rritur gjatë kësaj periudhe të ardhurat për individët në secilën pikë të shpërndarjes botërore.

Grafiku tregon se rritjen dukshëm më të madhe të të ardhurave e kanë pasur ata që ndodhen në nivelin e mesëm të ardhurave botërore – nga pika 30 e deri në pikën 70. Këta janë banorët e vendeve në zhvillim që kanë shënuar rritje të madhe ekonomike (p. sh. në Kinë dhe Indi). Rritje mbi mesataren e të ardhurave kanë pasur edhe elitat (pika 100) por edhe më të varfërit e botës (ata që ndodhen nga pika 0 deri në 30).

Por ajo që bie në sy është se rritje dukshëm më të vogël të të ardhurave, nën mesataren botërore, kanë pësuar banorët e botës që ndodhen nga pika 75 deri në pikën 90 për nga niveli i të ardhurave. Këtu ndodhen klasa punëtore dhe e mesme perëndimore!  

Image

Burimi: Branko Milanovic

Milanovic e quan këtë proces “riorganizimi më i madh i të ardhurave individuale në histori”. Banorët e vendeve në zhvillim kanë parë rritje të konsiderueshme të të ardhurave, por e kanë arritur këtë deri-diku në kurriz të klasës punëtore dhe të mesme perëndimore, si dhe në “bashkëpunim” me elitën perëndimore zotëruese të kapitalit.

Klasa punëtore dhe ajo e mesme perëndimore akoma mbetet shumë herë më e pasur se ajo e vendeve të tjera. Por ajo ka shënuar rënie të dukshme relative – qoftë në raport me vendet e tjera në botë, qoftë në raport me elitën e vendit të vet.  

Rënia relative e statusit ekonomik dhe social të një grupi gjithmonë shoqërohet me tensione politike. Kjo sepse njeriu e vlerëson pozitën e tij në krahasim me të tjerët dhe në dimension kohor. Ajo i hap rrugë ndjenjës së viktimizimit dhe nostalgjisë për “kohë të arta”, që janë ushqim për ideologjitë ekstreme.

Ndërkohë që ekonomia është bërë botërore, institucionet politike kanë mbetur kombëtare. Në këtë nivel kombëtar në perëndim po shfryhet dufi ndaj elitave që shihen si “globaliste” dhe si tradhëtare të interesave të klasës së mesme dhe punëtore kombëtare.

Përgjigja politike ndaj kësaj krize në perëndim ka marrë më shumë tipare fashiste se të majta, për katër arsye kryesore.

Së pari, sepse gjatë këtij procesi të “balancimit global”, klasa punëtore dhe ajo e mesme perëndimore është përballur edhe me fluks emigrantësh nga vendet në zhvillim. Një pjesë e emigrantëve vijnë nga kultura krejtësisht të ndryshme. Nga ky “tjetri” e djathta ekstreme historikisht ka krijuar panik dhe objekt kurbani. Emigrantët përveçse shihen si kërcënim ekonomik, përjetohen edhe si kërcënim kulturor. Ekonomisti Dani Rodrik në fakt argumenton se prezenca ose jo e emigrantëve në një shtet është faktor përcaktues nëse përgjigja populiste kundër elitave ka qenë më shumë e majtë apo e djathtë.

Së dyti, rol të rëndësishëm në karakterin fashist të reaksionit luan elementi gjeografik dhe hapësinor. Te libri “Identitetet Kryengritëse”, sociologu Roger Gould argumentonte se identiteti i lëvizjeve protestuese është produkt rastësor dhe rrethanor. Ai varet nga mënyra sesi njerëzit socializohen me njëri-tjetrin dhe si i artikulojnë shqetësimet e tyre (si klasë, si komb apo si pjesëtarë të një feje).

Shumica e humbësve të globalizimit sot jetojnë në mjedise periferike dhe të deindustrializuara (qytete të vogla dhe qyteza) larg foleve të elitave (kryesisht kryeqytetet). Këto “zona të harruara” janë etnikisht dhe kulturalisht më homogjene, prandaj dhe reagimi ndaj kryeqendrave, që shihen si fole e elitave dhe e emigrantëve, ka marrë më shumë karakter etnik sesa klasor. Thellimi i ndarjes hapësinore mes fituesve dhe humbësve të globalizimit është edhe arsyeja përse një gjeograf si Christophe Guilluy, i cili ka vërejtur trendet e ndarjes gjatë punës së tij, papritmas është bërë një ndër inelektualët publikë më të njohur në Francë.

Së treti, reaksioni po vjen nga e djathta ekstreme sepse elitat politike perëndimore, përfshi ato të majta, gjatë dekadave të fundit i dhanë më shumë rëndësi dimensionit identitar të pabarazisë në vendet e tyre se dimensionit klasor. Shumë votues nga klasa tradicionale punëtore dhe e mesme, që janë në shumicë të bardhë, u larguan nga partitë e majta kur panë se atyre më shumë po u intereson përparimi dhe integrimi në shoqëri i grupeve të margjinalizuara (grave, pakicave etnike, imigrantëve, komunitetit LGBTI, etj.) sesa rënia e tyre ekonomike.

Kjo te një pjesë e të bardhëve konservatorë, sidomos nga “zonat e harruara”, ka shkaktuar një “zili identitare”, impulse nativiste dhe e ka rritur urrejtjen ndaj pakicave. I ka bërë edhe të bardhët që të identifikohen me racën e tyre, duke e nxjerrë në pah ndjenjën se “ata”, si banorët origjinalë, duhej të ishin më të privilegjuar.

Dobësimi i statusit të privilegjuar madje përjetohet si padrejtësi. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe rezultati i një ankete në SHBA në të cilën 30% e të anketuarve u pajtuan me konstatimin se “të bardhët në SHBA përjetojnë shumë diskriminim” – bindje kjo që nuk përkon me asnjë statistikë objektive!

Në një diskutim të ditëve të fundit në Stanford, Francis Fukuyama e tha mjaft saktë: “Klasa më e rrezikshme shpesh nuk janë të varfërit, por njerëzit e klasës së mesme që po humbin status!” Dhe klasa e mesme perëndimore, kryesisht e bardhë, dikur zilia e botës në zhvillim me fuqinë e vet konsumuese, po zbret nga froni i të privilegjuarit ekonomik të botës, ndërkohë që politikisht i duhet të pranojë barazinë me pakicat etnike.  

Njerëzit që humbasin status ekonomik dhe politik jetojnë në ankth dhe rrëshqasin lehtë në ideologji përjashtuese ndaj atyre që i shohin si kërcënim.

Ne në Kosovë e njohim shumë mirë këtë fenomen. E kemi parë në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’70, kur rritja e të drejtave politike, ngritja e klasës së mesme shqiptare u përjetuan si shok nga serbët që deri atëherë kishin monopol ekonomik dhe politik, sidomos në profesionet “më të larta”. Rënia e tyre relative dhe humbja e statusit të privilegjuar e prodhoi histerinë nacionaliste serbe të viteve 80.  

Gjithashtu, a nuk po e shohim sot gjuhën përjashtuese dhe mendësinë fashiste më së shumti prezente pikërisht në mesin e ish-klasës së mesme dhe asaj punëtore që ishte më e privilegjuar në ish-Jugosllavi? Përjashtuese jo vetëm ndaj serbëve, ndaj të cilëve legjitimohet edhe gjuha e urrejtjes, por edhe ndaj prurjeve të reja në klasën e mesme shqiptare, fshatarëve të cilët gjatë ish-Jugosllavisë ishin shtresat shoqërore më të diskriminuara.

Në këtë aspekt, në një kohë kur të gjithë gishtat janë drejtuar tek globalizimi dhe liberalizmi, vlen të kujtohemi se fashizmi di të jetë po aq produkt i rritjes së pabarazisë ekonomike mes klasave sa edhe i balancimit të fuqisë mes etnive dhe shteteve.  

Humbja e privilegjit dhemb. Dhe dhimbja synon të shkaktojë dhimbje.

26 shtator 2017
16:45

Agon Maliqi