Pushteti si çmendinë

02 shtator 2017 12:50

Nuk ka asnjë jetë që ngjason në petalet e luleve përderisa flatrojnë. Të gjithë ne jemi të deyruar, t’ia përsërisim këtë gjë vetes sonë. Në një formë bizare mësimet elementare shkruhen në sytë e ushtarëve, që nuk na hiqen nga pragu i secilës shtëpi. Ata ushtarë. Disa prej tyre të buzëqeshur. Disa të heshtur, disa të lumtur e disa tjerë të mjerë. Poeti nigerian, Chinua Achebe, e paska thënë troç; Ati im, mua më kanë vrarë. Pra kjo është shenja e pjekurisë, e vetëdijës së lartë, e zhytjes së domosdoshme në botën reale dhe futja e këmbëve në pellgun e gjakut të përditshëm. Pra kjo është deklarata e vetme dhe baza e njeriut të kohës. Të paktën për mua. Armiqtë tanë janë të shumtë. Ata vinë të marrë pas erës që lëshojmë. Çdo sistem prodhon pakënaqësi. Dhe rrjedhimisht prodhon viktima. Çdo realitet është i përshtatshëm për të mos e përfillur. E gjithë kjo garë e kombeve, krijon spektaktorë të habitur. Sa më moderne të jetë bota, pema e primitivizmit do të rritet brenda nesh. Asnjë qytetërim nuk ka trimfuar mbi budallallëkun njerëzor. Që ushqehet nga ideologji të ndryshme. Çdo virtyt njerëzor është krijuar për ta njohur shtrëmbërimin dhe deluzionin. Anarkia është në shtratin e secilës teori. Filozofia i shëndrron dijet në diçka të neveritshme. Politika e kultivon inatin, fërkon këmbët e vrasësit dhe shpërfytyron njeriun normal. Dhe të gjitha besimet janë pamflete të djegura. Ka vetëm një sundues që është kudo. Koha që kapërcen çdo ide dhe çdo shpresë. Ndërsa të nënshtruarit e kanë lexuar postulatin e shkrimtarit problematik, Jurij Hudolin, e vërteta adhuron paratë dhe dorën e hekurt.

***

Meqë e përmendëm Hudolinin, shkrimtarin i cili përçmonte paranë e pinte netëve të ngrohta nëpër Prishtinë dhe mendonte se të gjitha këngëtaret tona të bukura janë dashnoret e përbetuara të politikanëve tanë heroik, ka një libër të trentë mbi dhunën. Libri quhet Thjeshtri. Libri në mënyrë të ashpër tërheq vëmendjen mbi natyrën e ashpër brutale të pushtetit. Çdo pushtet që ka njeriu çfarëdoqoftë ai është një mjet për ta përforcuar të ligën, të keqen dhe shëmtinë. Pushteti është fara e vetme e tronditjes. E traumës dhe e mizorisë. Pushteti ashpërson fjalët që dalin nga goja e njeriut. Të githë e dimë se ka lloje të ndryshme pushtetesh përshembull ky tek libri i Hudolinit të pafat, është njëfarë pushteti i bukës. Njëfarë pushteti i njeriut që vjen nga forca fizike e nga rrahja. Loris Çivitiko, pronar kafenesh e hotelesh në një fshat të vogël Panula, saktësisht në bregdetin e Istrias së Kroacisë, merr Ingridin e cila nga martesa e mëparshme me burrin e dhënë pas alkoolit dhe jetës së shfrenuar, ka Benjaminin.

Në këtë mënyrë pronari hyjnor Loris Çivitiko, mbi ta ushtron njëfarë terrori të pashoq duke i shtrënguar të jenë pengje të pushtetit të tij makabër. Dhe i jetës së tij që ka esencën në hedhjen e qyrrave të thara, në drejtim të tjetrit. Jeta e Lorisit, njerkut të Benjaminit, është një gisht kthyer nga trashëgimtari i tij, të cilin më në fund ja sjellë Ingridi mjerane. Dhe në këtë mënyrë Lorisi, pronari i fjalëve, tërbohet nga pushteti dhe shpërndan farën e sherrit kudo rreth tij. Pa asnjë element njerëzor. Për mua esenciale mbetet kjo gjë. Karakteristika e njeriut për të ndryshuar formë dhe natyrë për shkak të pushtetit. Për t’u bërë i pamëshirshëm, lakmitar dhe një dorë që shtyn hipokrizinë drejt rregullit. Natyrisht Benjamini pas një periudhe të vështirë ja del të largohet, duke e lënë Lorisin e zbythur pas banakut, shkaku i trashëgimtarit të tij me të njëjtat tipare. Pushteti është gjë që trashëgohet dhe pikërisht këtu do të na nevojitet një pasardhës i ri, i cili nuk është vetëm në shërbim të egoizmit të tij por edhe në shërbim të komunitetit në të cilin është katandisur. Sidoqoftë libri i Hudolinit është një provë e mirë e komunikimit të natyrshëm me lexuesin. Ja unë. Njëri prej tyre. Do të doja të grushtoja disa fytyra personazhesh, që Hudolinit ja kishin ngrënë shpirtin. Kjo sa për ta bërë më të pranueshme të drejtën.

***

Po çka me pushtetin politik? Këtu. Në këtë gropë të madhe të hiçit dhe asgjësimit të çfarëdo vlere njerëzore. Bash asgjë. I hidhur. Dhe i ndëshkuar të punoj vetëm për njerëzit e saj që japin jetën dhe çdo gjë tjetër në shërbim të gojëve të shumta. Pushteti politik në këtë vend është përgjegjës për të gjitha zemrat e thyera qytetare. Pushteti politik në këtë vend është përgjegjës për të gjitha shpresat e vdekura dhe besimet e shkreta për të nesërmen. Nuk ka asnjë shenjë qytetarie ashtu siç nuk ka pasur kurrë. Gjithçka është e dukshme. E qartë dhe e kuptueshme. Mund t’i shihni se si politikanët përpëliten në kërkim të pazareve. Në kërkim të shpëtimtarit të tyre dhe kushtimisht përfituesit të radhës. Nuk mund ta kuptoj se si nuk kanë turp nga vetja. Nga lëvizja e tyre në terrenin e ashpër të nderit. Nuk mund ta kuptoj se deri në cilën pikë shkon mashtrimi dhe dyfytyrësia njerëzore. Thua ne të rëndomtit, ne, këta qyqe të humbura, nuk kemi asnjë hall tjetër, nuk kemi asnjë punë tjetër pos të merremi me teket e tyre fëmijërore, të gërditshme dhe aspak të dobishme. Thuajse vetëm ata janë mbi këtë faqe të dheut. Thuajse janë baballarët tanë. Thuajse ne rrojmë në saje të ekzistencës së tyre. Thuajse i gjithë ky vend është livadhi i tyre i madh. Pra përfundimisht nuk ka asgjë më bizare se koha e tashme. Nuk ka asgjë më neveritëse se e gjithë loja e ndyrë politike në kurrizin e popullit të mënjanuar gjithmonë, në përjashtim të zgjedhjeve. Natyrisht ne do t’ja bëjmë disi. Nuk e kemi ndërmend të vetëvritemi. Nuk e kemi ndërmend të shporremi. Sepse askush nuk mund të ketë autoritet mbi qenien tone dhe dëshirat tona dhe vullnetin si esencë. Sado që hamendem se ky vend është i ndërtuar për dy arsye. Për krijimin e vazhdueshëm të armiqësive dhe për pronësimin e çdo gjëje. Ja, dy postulatet madhështore të dijes vrasëse.

Dhe e gjitha kjo ka të bëjë me rrethin veprues ku na ka rënë hise të jemi. Jashtë saj ndryshojmë si kafshë debile, në kërkim të shtigjeve të reja të qytetarisë. Por jo. E gjithë situata jonë është ajo se çfarë jemi ne. Pra situata politike është e ndyrë sepse politikanët janë të tillë dhe situata tjetër, ajo e popullit është e errët sepse ne jemi shndërruar në diçka të tillë. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një rrugë për tek drita përderisa terri është brenda nesh. Të gjithë lirisë sonë i është shkërdhyer nëna ashtu sikurse Benjaminit të mjerë, që shpresonte se në jetë dashurinë nuk do t’ia jepnin vetëm librat. Pra, ati im, duket se neve na kanë vrarë. Përderisa qyrrat e thara të pushtetit, hidhen në drejtimin e fytyrës sonë. Çdo herë që ata rregullojnë karriget e tyre në kafene, si metaforë e shtetit.

02 shtator 2017
12:50

Shpëtim Selmani