Lindja

17 korrik 2017 15:11

***

Njëra ndër ëndrrat e mia të kahershme e cila ka qenë gjithmonë ëndërr dështake, ishte bindja ime idiote se kisha kapacitete shpirtërore për të qenë yll i madh roku. Kurrë nuk ia kam dalur. Mbaj mend se isha lider i dy bendeve natyrisht dështake. Por ne nuk mund të bëhemi mizor ndaj vetes e as ju nuk besoj se do të arrini të shkoni deri në atë pikë, ku tallja me budallallepjet e djemve të rinj do të ju bënte të shkriheni nga kënaqësia. E gjithë jeta njerëzore po ta shohim hollë e hollë, dridhet si mishi në prush, mbi tiganin e pamundësisë për t’ja dalur mbanë. Një pjesë e mirë e asaj se kush jemi dhe çfarë dreqin përfaqësojmë, përcaktohet nga masa e dështimit tonë. Kjo gjë madje është pohuar nga mençurakët. Besimi i madh është tipar i gomerëve. Kështu të paktën urtësia popullore është munduar ta argumentojë. Pra isha njëri prej ëndërrimtarëve qesharak hipur mbi majën e një eskavatori të prishur, me një shkop të gjatë në vend të kitarës elektrike, tek shihja veten në hije dhe dalloja flokët e mia të hallakatura. Mbyllja sytë dhe derisa perëndonte dielli, imagjinoja veten Zot dhe një turmë të madhe njerëzish poshtë këmbëve të mia teksa duan të ma thithin. Pra e kaluara është masa e njohjes, turpit dhe haresë së madhe ndaj vetes. Koha është një peshqir i madh që na pastron fytyrën në mënyrë të pandërprerë. Ngase e kemi të nevojshme. Pa e kuptuar as vetë. Fatkeqësisht.

***

Në bodrumin e madh të Danit derisa i binte si i marrë tupanave, kam ndjerë për të fundit herë ethet e mëdha, se mund të bëhem edhe njëherë këngëtar i madh roku. Kam besuar dhe e kam kundërshtuar me forcë Artonin, kitaristin e grupit kur mendonte se gjithçka ishte kot dhe ne ishim sall disa figura tragjike që ëndërrojnë. Më vjen keq që e kam kundërshtuar. Ai kishte të drejtë. Kush dreqin isha unë, që e kisha atë mikrofon në duar pa asnjë dije mbi notat. Por tregohuni të mëshirshëm me mjeranët e këtij lloji. Sidoqoftë të tretë e kishim një gjë të përbashkët, në mes tërë asaj shkapërderdhje interesash mbi gjëra. Ishim adhurues të mëdhenjë të Lindjes. Dhe vdisnim të ishim si ta. Madje kishim bërë cover njërën prej këngëve të tyre. Ata ishin frymëzimi ynë i madh derisa në mesnatë ecnim nëpër rrugë duke ndjerë fjollat e borës, mbi fytyrat tona të paprishura. Them me vete. Më mirë më ëndrra të kalbura se sa pa asnjërën prej tyre. Dhe as që dua ta di nëse kam të drejtë. Pa çka se jeta e ka bërë të vetën. Dhe ne të tre e kemi bërë të tonën. Jemi dorëzuar para kasaphanës së kohës. Dhe natyrisht gjithçka rrjedhë. Qetë.

***

Dhe ja ku gjendem i mbytur nga mosdurueshmëria, duke bërtitur me aq zë që kam në mes turmës së heshtur, duke dashur të mos e shqetësoj krijesën tonë që rritet në barkun e vashës sime. Një prishtinas i natyralizuar në amfiteatrin e Gërmisë, mes gocash e djemsh që mundohen të bëhen sa më interesant që është e mundur, një mjekërosh i hutuar që çohet peshë pak para daljes në skenë të njërit prej bendeve kult të viteve 80-ta. Ende mbaj mend gishtërinjtë e dridhur të Artonit, kur bënte coverin e versionit të këngës “O moj ti me sytë e zi” nga Lindja, që pas katërmbëdhjetë vitesh ngjiten në skenë duke ulëritur në mikrofonët e gjysmë ulur, derisa zemra ime bëhet mal. Dhe sapo nis Tatita, trupi ringjallet, sytë më mbyllen dhe harroj gjithçka. Më në fund pakënaqësia zhduket dhe zhgënjimi i trashur tretet. Dhe unë përsëri e gjej veten aty ku e kam dashur gjithmonë. Duke fjetur i lumtur me Qingjin e Vogël mes një Bashqeje me Lule. Më në fund tingujt e cilësuar në kohën e tyre si post new wave, pushtojnë hapësirën dhe më japin ndjenjën se jam i përjetshëm, ardhur në këtë botë sall për të qenë i lumtur nëse eventualisht kemi arritur në këtë pikë të ndritshme. Lindja është njëri ndër rock grupet më origjinale në këtë vend të katandisur muzikalisht. I krijuar më 1983, tre vite para lindjes sime, Lindja më intereson sepse e adhuroj tingullin dhe këngët e tyre e transformojnë kohën në hapësirë dhe pohojnë vetminë njerëzore pa çka se ne mund ta lëshojmë veten shfrenuar rrugëve të Italisë metafizike të Nazit. Në fund fare Ezra Pound mendonte se poetëve qe nuk u intereson muzika, bëhen poetë të dobët. Kurrë nuk kam dashur të jem poet i dobët në pamundësi për t’u bërë një këngëtar i madh. Ose thënë më mirë në pamundësi për t’u bërë një këngëtar i madh, u bëra një fan i zjarrtë i Lindjes. Që jam ashtu si dua përmes tyre.

17 korrik 2017
15:11

Shpëtim Selmani