Buxhet i pagave dhe ndërtimeve

23 qershor 2017 13:43

Ilustrimi: Big Eye

Në biseda të përditshme duket se jemi të bindur se arsimi është shtylla kryesore e një shoqërie të shëndoshë. Në paraqitjet e politikanëve në media, arsimi konsiderohet si fushë ku nevoja për investime është e domosdoshme dhe zotimi për ta bërë këtë nuk mungon. Sa përkthehen këto përshtypje e zotime në punë dhe investime konkrete? Pak. Jo mjaftueshëm. Fakti që frytet e investimeve në arsim kërkojnë kohë për t’u parë sikur demoralizon përpjekjen për punë në këtë fushë. Qeveria e Kosovës ndër vite ka investuar më shumë të holla në ndërtimin e autostradave sesa në ndërtimin e shkollave dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend. Sidoqoftë, investimi në arsim nuk mund të shihet vetëm në baza monetare, duke lënë anash kohën dhe energjinë që njerëzit në pushtet dhe populli shpenzojnë për të diskutuar, debatuar dhe adresuar problemet rreth arsimit në vend. Deri më tani nuk mund të themi se komuniteti në masë të madhe është organizuar dhe mbledhur për ta trajtuar këtë problem, qoftë edhe në formë të diskutimit publik.

Rezultatet e fundit të PISA-s e tronditën vendin rreth realitetit të arsimit në Kosovë. Edhepse s’ka qenë fakt i panjohur niveli i ulët i lexueshmërisë, përgatitja e dobët e mësimdhënësve në shkolla apo mungesa e literaturës adekuate për nxënës, ballafaqimi me rezultate numerike përkrah botës ishte i domosdoshëm që ta shohim me qartë gjendjen reale të arsimit në vend. Sot s’kemi se si ta anashkalojmë faktin që 80% e 15 vjeçarëve kosovarë janë analfabetë funksionalë si rezultat i mungesës së investimeve në arsim dhe me raste orientimit të investimeve në aspekte të gabuara. S’do të shkojë gjatë dhe një numër i lartë i këtyre të rinjëve do t’ua mësyjnë studimeve universitare. Bazuar në performancën e tyre në testin PISA nuk mund të themi se sistemi parauniversitar u ka shërbyer kënaqshëm. Por, çfarë i pret ata më tutje?

Momentalisht, në Kosovë veprojnë 39 institucione të akredituara dhe të licencuara të arsimit të lartë, 9 prej të cilave janë institucione publike dhe 30 sosh private. Kosova ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1 milion banorë, që e tejkalon mesataren e Bashkimit Evropian me 7 universitete për 1 milion banorë. Pra, një studente e ardhshme ballafaqohet me zgjedhje dhe mundësi të shumta sa i përket institucionit ku mund të ndjekë studimet. Por, kualiteti është i diskutueshëm. Numri i studentëve është në disproporcion me kapacitetet e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkesën në tregun e punës. Nëse flasim me numra, duke iu referuar statistikave të arsimit në Kosovë, “numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar në vitin akademik 2015/2016 ishte 120,429 studentë, prej tyre në universitetet publike 73,111 studentë, ose shprehur në përqindje ishin 60.7%, ndërsa në kolegjet private ishte 47,318 studentë, ose 39.3%. Raporti profesor-nxënës në Universitetin e Prishtinës është 1 profesor për 52 studentë, që është shumëfish më i lartë se në vendet e rajonit si Shqipëria (1-24), Serbia (1-27), Maqedonia (1-17) apo Kroacia (1-9) [1]. Dhe këtu përfundojnë mundësitë e zgjedhjes. Studenja transformohet në një numër në klasat e stërmbushura ku ballafaqohet me mungesë të infrastrukturës për studim cilësor. Hapësirat për studim dhe punë në grup janë të mangëta. Kontakti me profesorë për feedback dhe mentorim është i mangët dhe me raste pothuajse inekzistent. Në mënyrë që kjo të adresohet, duhet të punësohen shumë më shumë profesorë, duhet që ky punësim të jetë i drejtë dhe duhet të përgjysmohet numri i studentëve. Ky është një hap fillestar i domosdoshëm përmes të cilit institucionet e arsimit të lartë duhet ta adresojnë problemin e kuantitetit mbi kualitetin e studentëve dhe profesionistëve të ardhshëm që diplomojnë.

Një faktor tjetër problematik është mungesa e stafit adekuat. Përkundër këtij fakti, ky problem vazhdon të mbetet i patrajtuar nga organet e arsimit në vend. Ndonëse 61% e profesorëve të rregullt në Universitetin e Prishtinës nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë sipas rregullatës aktuale të Universitetit [4] ata dhe ato vazhdojnë të diplomojnë qindra studentë në baza vjetore. Rezultatet e prodhuara nga struktura si Universiteti i Prishtinës janë mijëra studentë të pajisur me diploma por jo me dije praktike për t’iu qasur tregut të punës. Kjo përkthehet në të diplomuar dhe kuadro të cilët i bëhen barrë shtetit të Kosovës. Vetë strukturat qeverisëse janë shkaktare të kësaj gjendjeje dhe po të njëjtat struktura do të duhet ta trajtojnë këtë kategori të shoqërisë në momentin që qasja në tregun e punës me raste do të jetë e pamundshme.

Përkundër mungesës së infrastrukturës, këto studente do të ballafaqohen me mungesë të literaturës për fushat e tyre përkatëse të studimeve. Literatura në gjuhën shqipe është e mangët. Biblotekat e institucioneve universitare janë të varfëra dhe ofrojnë shumë pak në këtë aspekt. Një studente merr informata të limituara rreth trendeve të fundit në fushën përkatëse të studimeve. Madje, nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë mes universiteteve botërore dhe qasjeve në biblioteka ndërkombëtare dhe të specializuara, vendi ynë qëndron në stadin krejt fillestar. Pos mungesës së vullnetit, mungon edhe puna praktike drejt realizimit të parakushteve për një studim mirëfilli. Sa për ilustrim, gjatë përvojës sime në studimet master jashtë vendit, për shkrimin e një eseje kam pasur qasje në qindra mijëra libra në kopje fizike dhe qasje online në platforma të shumta. Këto burime kanë qenë burim i pashterrshëm i mundësive për rritje të dijes përtej diskutimeve dhe leximeve në klasë. Zhvillimi në baza personale ka qenë premtues.

Kthehemi prapë te pyetja e shtruar në fillim: a shpenzojmë mjaftueshëm në arsim? Jo. Në mënyrë që të kemi bibloteka të pasura me materiale esenciale për studentë duhet buxhet shumë më i madh, i cili orientohet në libra dhe qasje online në literaturë dhe për kurse intenzive të gjuhës që studentët të mund t’i lexojnë ato. Në Kosovë pjesa kryesore e buxhetit për arsimin e lartë është e orientuar në paga për profesorë. Dhe kjo duhet të ndryshojë, por jo duke u zvogëluar buxheti për paga por duke u rritur buxheti për projektet arsimore që i shërbejnë cilësisë.

___________________

[1] Pupovci, D., & Gashi, G. (2015). Reforming the University of Prishtina - Mission Possible?: Top nine challenges and their remedies (p. 17, Publication). Pristina, Kosovo: Democracy for Development (D4D).

23 qershor 2017
13:43

Anemona Zeneli