Çka shkoi ters në sistemin arsimor?

23 qershor 2017 13:23

Ilustrimi: Big Eye
 

Rëndësia e arsimit është theksuar shpesh dhe ekziston konsensus i përgjithshëm sa i përket rëndësisë së këtij sektori për avancim shoqëror dhe ekonomik.  Gjatë dekadës së kaluar vëmendja jonë ishte përqendruar në përmirësimin e përfshirjes në të gjitha nivelet arsimore, në ndërtim të infrastrukturës dhe në rritje të mirëqenies së mësimdhënësve.  Mirëpo në gjithë këtë debat shoqëror është anashkaluar rëndësia e nxënësit dhe studentit.

Kosova ka nivelin më të ulët të arritshmërisë së nxënësve 15 vjeçarë në testin ndërkombëtar PISA në Evropë dhe gjetiu. Në bazë të rezultateve të fundit të arritshmërisë botërore në arsim të OECD, nxënësit kosovarë kanë arritur të tejkalojnë vetëm kolegët e tyre nga Algjeria dhe Republika Dominikane. Mirëpo, ata kanë mbetur prapa bashkëmoshatarëve të tyre në Ameriken Latine, Azi, Lindje të Mesme, Evropë dhe Amerikë Veriore. Duke qenë që çdo 40 pikë në PISA nënkuptojnë afërsisht 1 vit shkollim, mund të argumentohet që një nxënës kosovar ngec për rreth 1 vit në raport me një bashkëmoshatar nga Shqipëria, 2 vite në raport me një bashkëmoshtator nga Serbia dhe rreth 3 vite mbrapa bashkëmoshatarëve estonez (me arritshmërinë më të lartë në Evropë).  

Image

Gabimet e dekadës së kaluar

Në aspektin e politikbërjes, sistemet arsimore dallohen dhe analizohen për nga tri dimenzione themelore: qasja, ciësia dhe relevanca e arsimit për tregun e punës.  Vëmendja e qarqeve politikbërëse dhe e mediave ishte shpesh e dominuar nga arsimi i lartë. Kjo është e gabuar për shkak se vëmendja e të githa vendeve të avancuara në proces është kryesisht e dominuar në arsimin parauniversitar. Së dyti, shteti ka oblligim kushtetues për të siguruar arsim gjthpërfshirës dhe cilësor në arsimin parauniversitar, por jo edhe në arsimin e lartë. Së treti, intervenimet për të siguruar ciësi janë të efektshme vetëm në arsimin e hershëm, e jo në arsimin e vonshëm.

Kosova shpenzon pak dhe keq në arsim - Në realitet investimet publike në arsim përfaqësojnë rreth 20 % të shpenzimeve publike. Në vlera nominale investimi në sektorin e arsimit është rritur ndjeshëm në vitet e fundit nga 150 milion Euro sa ishte në viitin 2010 në 266 milion në vitin 2016.  Rreth 90% e shpenzimeve të përgjithshme arsimore janë të drejtuara kah pagesat e rrogave të arsimtareve.

Rritja e rrogave te mësimdhënësve për motive politike nuk ka pasë ndikim në arritshmëri të nxënësve. Ngritja e mirëqenies dhe rritja e rrogave të mësimdhënësve është bërë në mënyrë linerare përmes negocimit sindikal gjatë fushatave parazgjedhore. Megjithëse shkalla e kontributit të tyre në avancimin e arsimit ka qenë minimale viteve të fundit, atyre iu premtua rritje e pagave edhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore 2017. Rrogat e mësimdhënësve u dyfishuan mbrenda një periudhe të shkurtër kohore (2010-2014) nga 240 Euro pagesë mujore në 430 Euro në vitin 2016.  Edhe pse shpenzimet u përmirësuan ndjeshëm, kjo nuk është manifestuar në ndonjë përmirësim të kapshëm në arritshmërinë e nxënësve tanë në testet e jashtme. 

Image

Kualifikimet e mësimdhënësve dhe përgatitja e tyre nuk janë adekuate për arsimim bashëkohor – Kosova ka mungesë të theksuar të mësimdhënësve të diciplinave STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). Kompetencat e mësimdhënsve në këto diciplina janë mesatarisht të përafërta me nxënësit. Mungesa e kuadrove adekuate ka ardhur si pasojë e disa faktorëve: lojaliteti partiak dhe provincial përtej kompetencës akademike, programet e përgatitjes së tyre para shërbimit janë nën nivel dhe nuk ka ekzistuar ndonjë politikë e vlerësimit dhe promovimit të përformancës. Rreth gjysma e mësimdhënësve (12,000) nuk plotësojnë parakushtet minimale qoftë për arsye të nivelit jo adekuat të shkollimit apo profileve arsimore. 

Image

Ka ngecur zbatimi i kurrikulës së re – Kosova ka filluar përpjekjet për të zbatuar kurrikulën e re që nga viti 2004 (Administrata e UNMIK). Forcat rezistente të reformës të përfaqësuara në shumë raste edhe nga SBASHK kanë arritur që efektivisht të ngadalësojnë ritmin e reformave. Që nga viti 2009 kur është afirmuar edhe njëherë nevoja e një kurrikule të standardizuar sipas kritereve të UNESCO-s, vetëm rreth 10% e shkollave operojnë me kurrikulë bashkëkohore. Pjesa dërrmuese e shkollave ende ofron një përmbajtje dhe qasje pedagogjike jo të ndryshme nga arsimi i para dy dekadave.

Tekstet mësimore janë jo-adekuate për arritshmëri - Megjithë progresin e arritur në përmirësimin e cilësisë ekzistojnë shqetësime në lidhje me cilësinë pedagogjike të teksteve mësimore. Përzgjedhja e autorëve për përpilim të teksteve mësimore duhet të rishikohet për të evituar tendencat monopolistike në proces (UNDP, 2015). Në anën tjetër, ekzistojnë ende shqetësime mbi përmbajtjen e teksteve mësimore dhe nëse ato janë neutrale ndaj paragjykimeve shoqërore (ESI, 2015).

Qasja në arsim parashkollor është tejet e ulët – Arsimi parashkollor nuk ka qenë prioritet i politikbërjes arsimore dhe kjo manifestohet me qasje shumë të ulët – vetëm 2 nga 10 nxënës të moshës 3-5 vjeç shkojnë në çerdhe. Regjistrimi i ulët në nivelin parashkollor është tejet i ulët krahasuar me vendet rajonale dhe ato të OECD dhe mund të jetë një nga arsyet themelore pse arritishmëria e nxënësve është e ulët në nivelet pasuese. 

Numri i studentëve në arsimin e lartë është rritur ndjeshëm dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre përqendrohet në sfera me prioritet të ulët për ekonominë - Rreth 6 nga 10 nxënës të moshave 17-24 vjec regjistrohen në arsimin e lartë. Studentet janë kryesisht të orientuar kryesisht në shkenca shoqërore dhe humanistikë. Reth 7 nga 10 studentë që regjistrohen në arsimin e lartë studiojnë juridik, ekonmik apo shkenca të ngjashme shoqërore. Vetëm rreth 3 nga këta 10 studentë arrijnë të diplomojnë mbrenda afatit të paraparë kohor. 

Këto evidenca shqetësuese sjellin në pah mungesën e orientimit strategjik në arsimin e lartë dhe anashkalimin e rëndësisë së relevancës së arsimit të lartë për tregun e punës. Mentaliteti arsimor në Kosovë është kryesisht i orientuar kah studimi si fund në vetvete e jo si mjet për të përmirësuar shanset për punësim apo për të rritur shkallën e produktivitetit të fuqisë punëtore. Një mentalitet i tillë i ka rrënjët tek përdorimi i arsimit të lartë për qëllim të shtet-formimit dhe kriijimit të narrativës kombëtare. Sidoqoftë, një mentalitet i tillë duhet të ndryshojë në ekonomi të tregut të lirë. Aktualisht kemi një situatë të nderë në tregun e punës – të diplomuar të papunë dhe treg të punës në kërkim të shkathtësive të munguara. 

Orientimi i reformave arsimore

Viti 2017 do të jetë esencial për të inicuar reforma në sektorin e arsimit. Niveli i ulët i arritshmërisë në PISA duhet të krijoj një momentum për reforma në arsim. Hapat politik duhet të fokusohen në ndërtimin e një konsensusi kombëtar për depolitizimin e arsimit parauniversitar dhe arsimin e lartë. Prioritetet arsimore duhet të fokusohen në rritje të pjesëmarrjes së fëmijëve në arsimin parashkollor – është një nga masat themelore për të përmirësuar cilësisnë.

Së dyti, cilësia arsimore nuk mund të tejkalojë cilësinë e mësimdhënsve tanë – intervenimet në vazhdim duhet orientuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënësve kryesisht në fusha esenciale për kurrikulën e arsimit parauniversitar siç janë lëndët shkencore, teknologjia, matematika dhe inxhineria (STEM). Në 4 vitet e ardhshme do të pensionohen rreth 2000 mësimdhënës dhe këto vende të zëvendësohen me kuadro të përgatitura nga profile shkencore. Së treti, shteti duhet të ndalojë së subvencionuari programet publike në arsim të lartë në juridik, ekonomiks dhe shkenca shoqërore dhe të orientojë paratë e taksapaguesve në studim të fushave që sigurojnë vlerë të shtuar në ekonomi si zhvillimi bujqësore, prodhimi, mjekësia dhe teknologjia. 

Qeveria e ardhshme duhet të ndërrmarrë disa masa për të kthyer në binarë progresin në arsim. Sa i përket qasjes në arsim, Qeveria duhet të përqëndroj rritjen e qasjes në arsim parashkollor. Kapaciteti aktual prej 5000 fëmijëve duhet të dyfishohet gjatë mandatit të ardhshëm. Çdo vit i kaluar në çerdhe asociohet me një përmirësim mesatar prej 20 pikë në PISA (OECD, 2014). Sa i përket cilësisë, ekzekutivi duhet të përqëndrohet në disa dimensione: të ndryshohen tekstet mësimore sipas modelit të Shqipërisë, të rekrutohen rreth 2000 mësimdhënës të rinj nga fushat STEM, të zbatohet në tërësi kurrikula e re, të përmirësohet qasja e nxënësve në pajisje arsimore dhe të ndërlidhen kurrikulat me nevojat emergjente të tregut të punës. Në arsimin e lartë, shteti duhet të ndalojë së subvencionuari studimin në shkenca shoqërore dhe të promovojë përmes masave afirmative studimin e kimisë, fizikës, teknologjisë, inxhinierisë dhe mjekësisë.

Së fundmi, sistemi arsimor në të gjitha nivelet duhet të zhvillojë sistemin e vlerësimit të jashtëm dhe llogaridhëniës. Kosova duhet të ndërtoj kapacitet për të bërë vlerësim të jashtëm të mësimdhënësit, nxënësit, shkollës dhe komunës. Të gjitha këto masa kërkojnë një konsensus politik për të depolitizuar arsimin, për të hequr mësimdhënësit nga kalkulimet parazgjedhore dhe për të rritur shpenzimet dhe investimet kapitale në arsim nga 266 në 500 milionë euro deri në vitin 2020.  

23 qershor 2017
13:23

Armend Muja