Si të interpretohet ambivalenca e Kushtetutës për mandatin

20 qershor 2017 13:39

Pas daljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme, ku asnjë nga partitë/koalicionet nuk morri shumicën absolute, pyetje të shumta u ngritën lidhur me partinë politike apo koalicionin që do të marrë mandatin nga Presidenti për të formuar qeverinë sipas procedurës së përcaktuar me ligj. Kjo pyetje më shumë drejtohet nga paqartësia që lidhet me disponimin e partive politike që të mos bashkëpunojnë me koalicionin që ka fituar shumicën e vendeve në Kuvend, por nuk ka shumicën për të formuar qeverinë. Kësisoj, duke interpretuar legjislacionin përkatës, praktikën dhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, arrijmë në përfundimin që mandati i dytë për të tentuar formimin e qeverisë i takon sipas ligjit partisë së dytë me më së shumti vende në kuvend, dhe vetëm në rrethana shumë specifike, mandati i dytë do t’i takonte edhe një herë partisë së parë.

Pyetja lidhet direkt me mandatarin e dytë, dhe se cila/i parti/koalicion është titullar/e të propozojë kandidatin e dytë për kryeministër, në rast se partia/koalicioni me më shumë vende në Kuvend, nuk fiton besimin e kuvendit, pra mbi 50% e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të asaj që kam pikasur, mbizotëron bindja që Presidenti sipas diskrecionit të tij, ka të drejtë t’i japë mandatin partisë/koalicionit me më shumë vende në kuvend edhe pas dështimit të parë për të fituar besimin e Kuvendit, siç shprehet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ‘vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14) [Kompetencat e Presidentit] me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës se Republikës së Kosovës’.

Leximi i neneve përkatëse të kushtetutës dhe interpretimi i gjykatës nuk është eksplicit sa i përket pyetjes se kujt i takon mandati për të formuar qeverinë në herën e dytë, sidoqoftë gjuha e vendimit të kushtetueses sugjeron që mandatori i dytë duhet të jetë partia e dytë me më shumë vende në kuvend. Presidenti i Kosovës, edhe pse me ndikim të caktuar në politikën e vendit, duhet të jetë i paanshëm sa i përket dhënies së mandatit kandidatit të partisë së dytë me më shumë vende në Kuvend, pasi partia/koalicioni që ka fituar shumicën relative ka dështuar të marrë besimin e Kuvendit. Roli i tij është më shumë simbolik, dhe injorimi i paarsyeshëm i partisë së dytë me më shumë vende në Kuvend do të tejkalonte kompetencën e tij dhe të rrezikonte procesin e rregullt dhe ndarjen e balancën e pushteteve siç rregullohet me kushtetutë.

Neni 95.4 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës parasheh që në rastin kur ‘përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.’

Komentari i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e trajton Nenin 95.4 si mjet që nuk ‘[lejon] që kandidati për kryeministër që caktohet nga ana e presidentit të vijë nga një proces konsultues me një parti/koalicion që nuk e ka shumicën e ulëseve në Kuvend. Kjo, prandaj, e bën ndalimin që kandidati për kryeministër të zgjidhet nga një parti/koalicion që nuk e ka shumicën në Kuvend.’

Të lexuarit e shpjegimit të komentarit na bën të kuptojmë që interpretimi i z. Hasani i referohet tekstualisht paragrafit përkatës, dhe në mungesë të praktikës në të kaluarën, dhe krahasimit me sistemet e ngjashme parlamentare, ai nuk i kontribuon qëllimit tonë për t’iu përgjigjur pyetjes së shtruar në këtë artikull.

Madje ai tashmë është jo-aktual pasi që në zgjedhjet e kaluara u emërua për kryeministër pikërisht një kandidat që erdhi nga një proces konsultues dhe i takonte një partie që nuk kishte shumicën e ulëseve në kuvend. Dhe meqë sipas paragrafit 4, rregullat procedurale për emërimin e kandidatit në herën e dytë janë identike me procedurat e ndjekura sipas paragrafit 1 të nenit 95, atëherë emërimi i një kandidati që nuk i takon partisë apo koalicionit me shumicë relative nuk përbën problem, dhe për më shumë interpretimi i komentarit tashmë nuk përkon me praktikën e deritanishme në Kosovë.

Meqë tani kemi zgjidhur dilemën në raport me interpretimin e komentarit, dhe kemi konstatuar që objekti dhe qëllimi i paragrafit nuk ka të bëjë me lejimin apo moslejimin që kandidati që emërohet herën e dytë të vijë nga një proces konsultativ dhe nga një parti që nuk përbën shumicën relative, na mbetet që të merret për objekt vetë vendimi i kushtetueses në lidhje me këtë çështje.

Gjykata kushtetuese në vendimin e saj të vitit 2014 në lidhje me ‘vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14) [Kompetencat e Presidentit] me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverise] të Kushtetutës se Republikës së Kosovës’, duke interpretuar paragrafin 4 të nenit 95, thekson se është në ‘diskrecionin e Presidentit që, pas konsultimeve me partitë dhe me koalicionet, të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për Kryeministër’ (para 90). Më tutje vendimi shprehet se Presidenti do të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një kandidat i caktuar të arrijë mirëbesimin e kuvendit (para 93).

Përfundimisht kushtetuesja vendos që Presidenti në ‘diskrecionin e tij/saj... emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, pas konsultimit me partitë apo koalicionet’, duke vazhduar më tutje që nuk përjashtohet mundësia që Presidenti të vendosë t’i japë partisë apo koalicionit të parë, mundësinë që të propozojë kandidatin tjetër për Kryeministër.

Vendimi i kushtetueses e shpreh qartë që: në herën e dytë Presidenti emëron kandidatin për Kryeministër në konsultim me partitë apo koalicionet tjera, duke mos e përjashtuar mundësinë ta emërojë kandidatin nga partia e parë që ka dështuar të marrë besimin e kuvendit, por pa e specifikuar se në çfarë rrethanash Presidenti ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë.

Së pari duhet të theksojmë se Presidenti nuk ka të drejtë që në mënyrë arbitrare t’i japë mandatin e dytë edhe një herë partisë/koalicionit më të madh. Ai, siç shprehet edhe vendimi i kushtetueses, duhet së pari të konsultohet me partitë dhe koalicionet. Gjykata termat ‘parti’ dhe ‘koalicion’ i përdor në shumës, që do të thotë se partia që ka dështuar të marrë besimin e kuvendit përjashtohet nga ky proces, dhe subjekte të konsultimit janë partitë ose koalicionet e tjera, respektivisht partia apo koalicioni i dytë me më shumtë vende në kuvend.

Termi konsultohet, nuk nënkupton negocimin e Presidentit me partinë apo koalicionin përkatës, madje as për kompozicionin e qeverisë së mundshme, pasi një gjë e tillë do të tejkalonte kompetencat e tij, dhe do të pengonte efektin e zgjedhjeve në formimin e qeverisë. Një gjë e tillë nuk do të ishte në funksion të ushtrimit të vullnetit popullor përmes votës, dhe do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe ndarjes së pushteteve. Presidenti në këtë rast konsultohet vetëm në lidhje me kandidatin për kryeministër, emrin e të cilit nuk ka të drejtë ta refuzojë.

Konsultimi me partitë e tjera është detyrim kushtetues i Presidentit, dhe sipas vendimit të kushtetueses është në funksion të identifikimit nëse mandatari i dytë ka gjasë reale që të marrë miratimin e kuvendit. (shih para. 86)

Shumica e nevojshme në kuvend për të formuar qeverinë nuk është parakusht për t’u emëruar kandidati i partisë së dytë më të madhe, pasi që Presidenti nuk e miraton qeverinë, dhe ai nuk ka gjasë reale ta dijë se a do të votohet qeveria e propozuar në kuvend apo jo. Për më tepër, sigurimi i shumicës së nevojshme në kuvend, nuk është parakusht për emërimin e kandidatit për Kryeministër as herën e parë pikërisht për arsyen e lartë përmendur siç shprehet edhe vendimi i gjykatës. Paragrafi 4 i Nenit 95 shprehet qartë që emërimi i kandidatit për Kryeministër në herën e dytë duhet të bëhet përmes të njëjtës procedurë sikur herën e parë, rrjedhimisht ky parakusht nuk mund të imponohet as herën e dytë, dhe do të përbënte një non sens legal në rast të kundërt.

Presidenti nuk mundet ta dijë nëse i emëruari i tij do të jetë në gjendje ta formojë qeverinë, pasi në lidhje me këtë gjë është kuvendi autoriteti i vetëm dhe final. Një gjë e tillë do të mund të ndodhte në vende të tjera, si shembulli në Holandë ku mbreti cakton një informateur që e informon lidhur me negociatat mes partive dhe gjasave për t’u miratuar qeveria, marrëveshjes rreth programit qeverisës etj., por sisteme të tilla kanë tërësisht kompozicion tjetër nga ai i Kosovës.

Sa i përket pikës problematike ku Presidenti ka mundësinë ta emërojë kandidatin nga partia e parë që ka dështuar të marrë besimin e kuvendit, kjo nënkuptohet vetëm nëse partia e dytë me më shumë vende në kuvend dështon ta propozojë kandidatin e saj për Kryeministër pranë Presidentit, apo në rrethana të caktuara refuzon të konsultohet siç ka ndodhur edhe në Greqi në zgjedhjet e vitit 2012. Kjo në asnjë rrethanë nuk nënkupton që Presidenti duke anashkaluar partitë tjera t’ia japë sërish mandatorin partisë së parë, por vetëm në rrethana shumë specifike ku Presidenti i jep mundësinë edhe një herë partisë më të madhe, pasi partitë e tjera kanë dështuar të paraqesin kandidatin e tyre për kryeministër, në mënyrë që të evitohet përsëritja e zgjedhjeve.

Në rrethanat aktuale, kjo do të thotë që në rast se koalicioni PAN, si shumicë relative nuk arrin të fitojë besimin e legjislativit, atëherë titullar i të drejtës për të marrë mandatin është partia e dytë me më shumë vende në kuvend, në rastin tonë Lëvizja Vetëvendosje. Asgjë në kushtetutë apo në interpretimin e gjykatës nuk sugjeron ndryshe.

Në rast se Presidenti nuk i shterron mundësitë e lartpërmendura, ai tejkalon kompetencat e tij të përcaktuara me ligj duke tentuar të bëhet Pushteti i Katërt, që do të përbënte shkelje flagrante të kushtetutës, rolit të Presidentit dhe paanshmërisë së tij.

20 qershor 2017
13:39

Arbër Ahmeti