Retorika e lumtunimit dhe shpirti i robit

10 qershor 2017 16:50

"Të pafajshëm" - ky asht vendimi për gjinekologët që e lanë Arbenita Spahiun me dekë prej pakujdesisë dhe papërgjegjësisë. Ky asht vendim që ish dashtë me na nxjerrë krejve në rrugë. Por nuk na nxjerrë. Nën nji, sepse kemi zgjedhje e në vend se në rrugë kena nxanë vend para televizorit, dhe nën dy, sepse jena mësu me na mjaftu me i ditë fajtorët dhe me tregu me gishtin tonë moral kah ta e me u ndi në të drejtën tonë mirë me vet faktin që po dijna diçka dhe që na jena ma të mirë se ata. Moralisht, kuptohet. 

Gati sikur ata na nevojiten qashtu të këqinj qysh janë, për me mujtë na me u ndi mirë me veten e as mos me mrri në atë pikë ku me konë ma i mirë nuk mjafton; në atë pikë ku na duhet me kapërcy hijen tonë, gja që s'bahet lehtë pa dije pavarësisht sa "i mirë" je; në atë pikë ku njeri ia pranon vetes, ma së pari vetes, që pa mësu s'mundesh me dijtë; në atë pikë ku pa lexu s'mundesh me mësu; në atë pikë ku shkolla TË BAN njeri; në atë pikë ku shkolla nëse nuk të ban njeri, të merr në qafë, ma së pari ty e tani krejt përreth teje; në atë pikë ku krejt përreth teje asht e randësishme për ty si individ.

"Pafajsia e tyne" asht faji jonë sot. Sepse, sot ma shum se kurrë krejt politikanët e korruptuem të vendit po mundohen me i ikë "fajit" të tyne tue i rekrutu në kampet e tyne politike njerëzit e rinj e kishe ma të mençëm e të dijshëm, e të pastër si loti (e kanë virgjinitetin e tyne politik/gazetaresk/akademik dëshmi), për me na mashtru e me na bind që "fillimi i ri"; "rrugëtimi i ri"; a "fronti i ri"; "me zemër" a pa te,  secili sipas takatit të tij kreativ me shpik ose me vjedh hazër, asht krejt çka na duhet me e besue për me u ba ma të lumtun, pavarësisht që krejt këto janë veç sllogane kot. Asht faji jonë, sepse na po shohim breza të rinj në përralla të vjetra e fillime të reja në krime të vjetra e si alternativë po mundohemi me e bind vetën që krejt çka i ka mungue lumtunisë tonë asht nji trohë zemër ma shum, e jo pak ma shum tru.

Dhe nuk asht problem me çfarë mjete ata po mundohen me na mashtrue neve, por qysh na me zemër plot drejt shpresës së fillimeve të reja me brezin e ri në cak të mashtrimit, thellësisht po refuzojna me e pranu që jena na arsye pse ky shtet s'po bahet, jo ata. Jena na pse ky vend nuk zhvillohet, jo ata. Jena na që duhet me ndryshu, jo ata. Por na nuk ndryshojna, dhe këtë ata e dijnë mirë. E njeh mirë padroni skllavin e vet. Përndryshe s’ma merr mendja që kishin harxhu pare për fotografi gjigande që na përplasin fëtyrës, që nuk hezitojnë me i ngjitë edhe në gilindera të varrezave. Për me shku kaq larg (nejse atyne nji gjest i tillë ju vjen natyrshëm e s’quhet “me shku larg”), të jeni të sigurtë që ata kurrgjo mos dijshin, ata e dijnë që gjithë ajo reklamë ia vlen. E dijnë ata që na mashtrohemi. Por, na në dallim prej tyne jena të përmirësueshëm. Nëse dojna.

Me anëtarësimet e fundit nëpër parti, mashtrimi i radhës prej klaneve partiake insistoi me na bind që problemi i politikës kosovare ka qenë te mungesa e “intelektualëve” nëpër parti dhe tash që kjo u kuptue dhe “korrigjue” me tre katër trupa taze gjithçka ka me u ba ma mirë me hapjen e partive për "intelektualët" e rinj. Të cilët natyrisht, për qefin e madh të bossave partiak, sjellin me vete nji kamp të gjanë fanatikësh që i adhurojnë edhe pa e dijtë pse. Pa e dyshue asnjiherë që intelektuali nuk definohet me numër të llajkave që merr e as me hapësinën që e nxen në mediume të ndryshme sa herë që t’i vjen atij me thanë diçka. Fanatiku nuk dyshon. Problemi i tij ma i madh asht kompleksi i mosdijes që nuk e len me i ra pishman nji pëlqimi që dikur e ka dhanë. Nji herë pëlqim, çdo herë pëlqim. Kjo asht gjama jonë e madhe si shoqni. Ndjekja pa dyshue. Përbetimi deri në dekë.

Individi jonë asht inferior, i paarsimum, untë, jo-kritik dhe moralisht i etun jo për me dijtë por për me e pasë mirë. Kështu, ky individ vetë i paditun, prej kompleksit, krijon bishat që e udhëheqin. Në rrethana të tilla, asht e kutpueshme që kurrkush s'po do me u marrë me kufomat që i kena në podrum.

Përderisa nuk e konsideroj të pamundshëm "ndryshimin prej brenda" të nji partie, në parim e konsideroj si mashtrim të madh momentin qysh e kur kjo po ndodh dhe motivin që po e shtynë këtë fasadim optik të radhës në skenën politike në Kosovë, aq ma shum kur po i ni sa konformista po tregohen qysh tash këta "të ndryshimit".

Këqyrne Abdixhikun, pardon Dr. Abdixhikun, a s’po ju duket sikur ka qenë gjithmonë ma së pari politikan? T’më kish thanë dikush najherë që ka me ardhë dita me e pa në poster fushate fotografinë e Abidixhikut ku emnit të tij i paraprinë titulli i doktorit, kurrë s’e kisha besue. Jo, nji kompleks të tillë e kisha rezervu për njeriun e paditun. Dhe ja ku jemi, muret e qytetit tonë plot fotografi të Abdixhikut me durë të kryqëzume tu kriju distancë kolosale plot arrogancë mes vetes e të tjerëve, dhe titullin e doktorit para emnit. Dhe sado tragjike që asht fakti që ata nuk dijnë ma mirë, tragjedia e vërtetë qëndron në faktin që për me na mashtrue neve atyne nuk iu vynë me dijtë ma mirë.

Po Matoshi? A nuk po ju duket sikur krejt çka ka thanë najherë ka qenë veç politikë e njeriut që ma shum se me thanë diçka vunë për me u pa? Nji njeri që jo vetëm se anëtarësohet në nji parti, po na shet përralla për besimin e tij në te dhe mundohet me na bind që krejt këtë e ban për dashninë ndaj Kosovës. Na flet për besim pa u skuq hiç që njeriu të cilit ai po i shkon pas sot nuk heziton me bo koalicion edhe me dreqin veç për me u ul njiherë në karrigen e mbretit. Na flet për besim ndaj njeriut që dikur tingllonte si Grabovci, e Veseli: “Cilësimi që i kam bërë sot Murat Mehës në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, s'ka të bëjë me fjalor diskriminues ndaj asnjë kategorie njerëzore, e as ndaj komunitetit LGBT. Ajo që kam thënë ka të bëjë vetëm me karakterin e kryetarit të Komisionit për Demarkacion, por nëse dikush është ndier i fyer me këtë fjalë, u kërkoj falje publike” Kjo ishte kërkimfalja e Ramush Haradinajt që e kishte quejt Mehën “peder”. Nji kërkimfalje, sikur ajo e Veselit që ua ofroi grave, ose ajo e Grabovcit qe ua ofroi romëve, kërkimfalje që ofendon edhe treqind herë ma shum. Por kush me e kuptue se?

Nejse, Matoshi e kupton edhe kur na flet për besim ndërkohë që bahet gati me u ulë në tryezë të kriminelëve, ai e kupton. Nuk e di çka asht ma tragjike këtu, që Matoshi na shfaqet si nji oportunist e karrierist tipik apo që nuk e kena kuptue që i tillë ka qenë çdo herë? Edhepse ka pasë njerëz që e kanë kuptue moti, por ne nuk dijtëm me mësue prej tyne, e përderisa skenat e vëmendjes nëpër sheshet tona mbushen prej hipokritëve e snobëve, intelektualët e vërtetë të këtij populli sikur që ishte Mark Krasniqi po harrohen në hije. “…Në një nga këto debate kam hasur edhe tipa të tillë të cilët, siç thonë, as hahen, as pihen; tipa bastard, siç ishte njifarë Halil Matoshi dhe Nexhmedin Spahiu në një debat, me përfaqësues edhe ndërkombëtarë, ku ishte i pranishëm edhe ish ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni. Në debat shtrohej çështja mbi përkatësinë e popullatës në Kosovë, ndërkaq Halil Matoshi dhe Nexhmedin Spahiu përfaqësonin tezen se në Kosovë janë kosovarët e jo shqiptarët. Një tezë çoroditëse, e shtjelluar nga hipokritët. … Zotëri Matoshi, - i thashë, - ti ke ambicie karrieriste që të dalësh në shesh si intelektual, politikan, dijetar e shkencëtar i madh. Mendoj se kjo, në përgjithësi nuk ka asgjë të keqe. Por në rastin konkret, kur ti përpiqesh ta mbërrish këtë qëllim në dëmin e popullit shqiptar, pjesëtar i të cilit ndoshta je edhe ti, kjo është tepër e pandershme." (nga I.Kadriu, Buzëqeshje miqsh, libri i dytë, f.74-75, Prishtinë, 2013)

Mark Krasniqi e ka kuptue shumë herët jo veç natyrën e matoshave, por në thelb edhe natyrën e nji populli të tanë që asht shpirti i robit. Në lidhje me këtë u referohet natyrisht veçanërisht njerëzve që për pak vëmendje në këshillat e ndërkombëtarëve shohin shansën me u ngjitë shkallëve të karrierës. Dikush do vëmendje, dikush do karrierë e dikush edhe thjeshtë nji rrogë. Shpirti i robit ka çmim, e si gjithçka që ka çmim, le të jetë ai sa të do, blerësi do të gjindet. Mark Krasniqi u shpreh kështu:

“Domethënë se ne jemi shpirt i robit; jemi inferior dhe përulemi para çdo propozimi që arrin nga ndërkombëtarët. E sheh, propozimi për t’u quajtur kosovarë ka ardhur si propozim nga ndërkombëtarët, kurse tipat e “filozofëve” si Matoshi, e matoshat e tjerë menjëherë bien në gjunjë dhe propagojnë në mënyrë të paskrupull.”  (nga: shih ma nalt.)

Po Arbana Xharra? A nuk ju duket sikur nji njeri si ajo nuk asht rastësi që anëtarësohet mu aty ku çka thu e çka ban kurrë s’janë e njëjta, aty ku nji trohë fëtyrë njeriu nuk ka vlerë hiç? Tragjedia ma e madhe këtu asht që po befasohemi prej lojërave të tilla të njerëzve që nëpër statusa fejsbukiane na shiten si filozofë e me e këqyr hollë e hollë zor që i kanë lexu dy libra në jetë. “Urtësia” e tyne filozofike vjen prej udhëzimeve të ndërkombëtarëve ose/dhe vendore nën hijen e të cilëve shohin interes.

Behanet si çdo herë po i mlojmë me operacione kirurgjike plastike. Fundi i fundit a nuk kishte me qenë behanja jonë ma e madhe jo palumtunija e paknaqësia por shpalimi i palumtunisë? Përderisa ma shum vujna për me u dokë të lumtun, bile me u dokë të lumtun dhe kur nuk jena, kjo në vetvete na lumtunon, pse jo, pse mos me e pranu maskimin e behaneve me eufori fëminore? Fundi i fundit ma lehtë asht me ngajtë mas nji lumtunije që të servohet si e tillë, koftë edhe rrenë, se sa me vujtë tue e krijue nji që lind prej gabimeve që ti nuk do me i ba. Ani pse e para nuk trashëgohet, e e dyta po.

Por hej, ata që vijnë pas neve le ta thejnë qafën, le t'ia nisin prej fillimit, "fillimet"; "rrugëtimet"; "frontet" e reja "me zemër" ose pa te, kanë me qenë hazër për ta. E kur ata ngajnë mas këtyne mashtrimeve, që veç nji sen e kërkojnë prej teje e kjo asht ti mos me mendu, kanë me qenë kufomat tona tue u kalbë në podrumet e tyne. Por kësaj radhe, faji për "pafajësinë" e vrasësve tanë s'ka me qenë i tyne por i joni prap. Sepse, na ma shum se ndryshimin, kam përshtypjen që e dojna ngushllimin. E po ngushllime Kosovë.

Pak a shum qysh thot Lubonja në thelb, nuk mujna me ecë përpara pa u indinju e pa kalu nëpër fazat ku demokracia marohet me njersën tonë prej indinjimit e zemrimit. Kur ndryshimi demokratik vjen prej identifikimit tonë me te, e jo si kopje e keqe e nji bote që kishim pasë qef me konë dhe kishim pasë qef me konë ma së shumti për t'mirat materiale që premton. 

Kjo ecje që jemi tue e ba tash sa vite, asht kërcim, s'asht ecje. Kërce andej, kërce këndej. Në terren të provum, anipse të dështum qindra herë para neve. Hapa gjigant në shkallët e retorikës të lumtunimit, ku lumtunija ngihet me bukë. Sa kushton nji fjalë? Për besë, sen hiç. Po fëtyra? S’kushton sen as ajo. Pse mos me u ngjit shkallëve prej ku njeriu duket veç si pikë, në këtë treg kaq të lirë, në këtë liri ku numri i veteranëve u dyfishu e numri i grave të prëdhunume i pa shkrumë najkun dita ditës po zvoglohet në heshtje tue iu dorëzu kohës? Herët a vonë urat që s'i kena ndërtue kurrë, kanë me na lonë në lloç.

Edhe nëse bahet liberalizimi i vizave.

Edhe nëse bajet liberalizimi i vizave.

Edhe nëse bahet liberalizimi i vizave.

Edhe nëse bahet liberalizimi i vizave. ...

E lanë në lloç Arbenita Spahiun. A bon me përmend që ajo ishte grue? Sikur që ishte grue edhe Zejnepe... Mos të hina në detaje tash. Fundit i fundit kur heroinat tona janë anonime, pse me u dhonë emën e fëtyrë viktimave? “Dhuna ndodh”! A po bre presidente? A po bre zoti ambasador?

A e keni pa sa banale janë shtyllat për barazi gjinore të partive burrnore? Lëdëkëja i premtoj katër shtylla, Pëdëkëja në vend të shtyllave e ka fëtyrën e Xharrës në katalog, e Lëvëvëja natyrisht e di që i duhet masa për me e ba numrin, prandaj e injoron trunin që e kupton, i folë burrave (dorën në zemër) tue shpresu që gratë ndahen të lumtuna që i ka përmend, si dora e nanës që përkund djepin. 

Vendimi i gjykatës mbi vrasjen e Arbenita Spahiut, më falni por unë ndryshe s'mujë me e quejtë dekën e saj, asht "pafajësia" që vjen në shprehje si mungesë e përgjegjësisë tonë për vendin tonë, që po na mban këtu ku jemi. Na ish dashtë me e refuzu këtë vendim njiherë e përgjithmonë. Ndryshe kësaj i thojnë me kërku llogari për veprimet e bamat e atyne që na udhëheqin, na kanë udhëheq, na mbajnë peng në nji mënyrë a tjetër, aq gjatë saqë kur s'kanë ma çka me të marrë edhe shpirtin ta lypin haraç. Por kjo asht temë që nuk ka vend në fushatë zgjedhore. Në fushatë zgjedhore, qashtu qysh kemi qef na, muhabeti duhet me u sillë rreth pareve, buxheteve, rritjes ekonomime. Asfaltit. Bukës. Fundi i fundit ma shum se paren nuk dojna sen. A asht e mundshme që çmimi i lirisë tonë asht nji pitalkë në sofër?

“Shteti i ka dy duar. Dorën e babait dhe dorën e nënës. Dora e babait është policia, gjyqësia, prokuria e ushtria, ndërsa dora e nënës është shëndetësia, arsimi, kultura e kujdesi social. Ne dëshirojmë ta theksojmë këtë dorën e nënës si kujdes të shtetit ndaj qytetarit të saj."

Kjo asht çka tha Kurti. Kjo asht bërthama e mendësisë patriarkale që po na mban untë. Dhe kur e thotë Kurti duhet me u ngue mirë, sepse Kurti po përfaqëson „alternativën politike“ në nji vend në skej të greminës. Në nji vend të burrave ledhatoja sedrën burrave. Jam e vetëdijshme që kjo i siguron kogja do vota. Bile edhe vota grash që hala votojnë qysh t’iu thotë burri. Kurti e di këtë. Qe pse s'ndryshon Kosova: sepse me të vërtetë nuk ka alternativë politike. A jeni tu kuptu? Kur Kurti forcën e shtetit ia ndanë hise burrave e djepin ia le në dorë grave, e tingllon si Lladrovci kur tha: "Forca ban fuqinë" ose "fuqia ban forcën", mundesh me votu me zemër sa të duesh, fakt ka me mbet që zemrat e këtij vendi kanë me pëlcit para kohe. Fakt ka me mbet gjithashtu që operacionet fallce në zemra të njerëzve nuk kanë me u ndëshku me burg. Fakt asht gjithashtu që veç nji politikan që të llogaritë për budallë prej fillimit, i folë zemrës tande e jo trunit. Sepse ai ose e beson që ti edhe si individ nuk ke tru ose e di që masa nuk ka tru, e për pushtet nuk i vynë truni por masa. E ai e do pushtetin, oh sa shum e do. Ani pse premtimet për ndryshim vijnë pa asnji ide të re, thjeshtë veç si grumbullim i praktikave ideologjike të provume shum herë, shumëkund, e të dështume po aq. 

Kurti asht veç nji burrë tjetër politikan që e do veten ma shum se gjithçka tjetër, që po e manipulon popullin me përralla, tue ia nisë prej partisë që e udhëheq, tani s'e udhëheq, tashti e udhëheq prap por definitivisht e ka në dorë policinë, gjyqësinë, prokurinë e ushtrinë e saj. Ai asht i bindun që nji pushtet i tillë i takon, prandaj nuk e len me marrë frymë partinë e tij, e cila pa te ndoshta edhe kish mujtë me u ba alternativë, ndërsa jam e sigurtë që kujdesin social, shëndetësinë, arsimin e kulturën nëse fiton ka me ua lanë grave me i udhëheq. Jo që ka diçka të keqe këtu, problemi asht që mendësia e tij përmes këtij krahasimi simbolik të shtetit si dora e nanës e dora e babës nxjerrë në pah nji të vërtetë të madhe mbi ndamjen e pushtetit në vijë gjinore, nji të vërtetë të kandshme për burrat saqë burrat s'dojnë me e ndryshue e gratë nuk munden, sepse në dallim prej burrave ato ma së pari janë partia x a y,  tani grue. Vlen kjo edhe për gratë e partisë të tij, të cilat kundër nji „urtësie“ të tillë ish dashtë me qenë të parat që thojnë „kadale shef, kah je nisë?“. Por gratë tona politikane, partizanet e denja, nuk ua prishin shefave. Vlen për krejt partitë kjo. Ato indinjohen për pabarazinë vetëm atëherë kur goja që i fton me ua hangër asht e partisë opozitare, atëherë kur matja e vlerave të moralit të nji grueje në politikë vjen prej opozitës. Atëherë kur shefi ka nevojë me ia mbrojtë, sedrën, setrën, pse jo edhe xhepat ato shujnë edhe kur fyhen. E do prej tyne për aq sa vlen, as nuk e kuptojnë kur i fyejnë. Por kjo asht tani muhabet tjetër. Ideja e tij për shtetin nxjerrë në pah gjithashtu imazhin e shtetit qysh e sheh ai. Nji shtet të fisksumë brenda nji trupi që kontrollohet prej dy duerve.  

Po i ni plot prej juve tue thanë, e kon dreqi me e votue pra? Sepse realisht s’mbet asnji i hajrit. Më falni, por “lirinë nuk ua solla unë, e gjeta mes jush.” Përgjegjësia për lirinë ose robnimin e juej asht e jueja. Nji njeri mundet me qenë udhëheqës i aftë, por janë ndjekësit ata që e sillin rrotën e historisë. Me fjalë tjera, s’ka lidhje kon e votoni, përderisa nuk mendoni që me qaq e keni kry obligimin e juej demokratik. Kushtimit pë rderisa refuzoni me u ba ndjekë s të  betumë .

Egoja e tyne nuk mundet me ia leju vetes me humb kontrollë, prandaj na bombardojnë me retorikë, natyrisht demokratike se qysh ndryshimi vjen me ta. Nuk e kanë ata urtësinë e Gjergj Kastriotit me thanë që “lirinë nuk ua solla unë.” Prandaj edhe kur folin për neve, e fatin tonë ata krejt vëmendjen e kanë në syretin e tyne: „a me e veshë, a me e deshë setrën“; “a me e vnu a mos me e vnu kravatën”.

Na duhet me ia nisë me kuptue rolin tonë në demokracinë e vendit tonë, i cili si obligim nuk përmbushet me nji votë. Realisht tek fillon qaty. Në nji shoqni që ka individë të përgjegjshëm, aty ku mbaron fushata e partive fillon ajo e shoqnisë. Ndryshimi vjen me shoqninë.  

Por shoqnia s’ka tru, individi po. Qe nji arsye ma shum pse ata i folin masës; qe nji arsye ma shum pse kur folet për mirëqenie Arbenita nuk përmendet; qe nji arsye ma shum pse kur folet për barazi gjinore Zejnepja nuk përmendet; qe nji arsye ma shum pse kur folet për drejtësi gratë e përdhunume gjatë luftës nuk kanë identitet; qe nji arsye ma shum pse kur folet për pajtim të zhdukunit janë të pagjetun; qe nji arsye ma shum pse për gjykatën speciale nuk folet hiç; qe nji ma shum pse 11 qershori në fakt asht datë e veçantë veç për kandidatët për deputetë që kanë me mrri ose jo me e sigurue pë r vete nji rrogë të mirë në kurriz të popullit, ndërsa për ne të tjerët senet kanë me vazhdu aty ku i kemi lonë.

Provoni kur të dilni me votu, me mendu për Arbenitën. Ajo nuk mujti me ia dhanë asnji pikë tamël evladit të saj dhe mendoni për dallgët që kanë me iu përplasë këtij fëmije kur ta kupton nji ditë që u rrit me nji shoqni që shpërblen kriminelët dhe jo për fajin e kriminelëve, por për fajin e individit në këtë shoqni.

"Pafajsia" e kriminelëve asht çdo herë ma së pari faji jonë. Veç atëherë kur “pafajsinë” e tyne fillojmë dhe e marrim personalisht secili, veç atëherë mujna me fillu me besu që kena nisë me u ba shoqni e përgjegjshme për fatin e vet. Nëse vazhdojna me mëndu që “hajt se ka kush proteston; hajt se ka kush reagon; hajt se dikush tjetër i lufton betejat tona; hajt se varfnia e tjetrit s’mi gërryen zorrët mue” faji asht i joni jo i atyne. 

Mos harroni, ma shum se gjithçka ata dojnë me na bind që ata janë faktori i vetëm i ndryshimit prandaj krejt çka na kena obligim asht me i votue e tani me u shkepë. Ata e dijnë në fakt që janë. Historikisht edhe janë. Sepse historia jonë asht plot nënshtrime prej të cilave ata e kanë mësue guximin me na “udhëheq”. Prandaj pak ka randësi, në fakt s’ka randësi hiç ama bash hiç çka premtojnë, na mujna me ua dhanë votën, por jo besimin. Mos ua jepni besimin. Mbane fuqinë e ndryshimit për vete. E nashta me kohë ata vijnë “të tjerë” me të vërtetë. 

10 qershor 2017
16:50

Ardiana Shala Prishtina