Prekjet a mosprekjet e hijeve

09 qershor 2017 11:14

A ke pa njerëz që qiellin e kanë nën kambë? A ke pa njerëz që hija u gjuhet në qiell?
Hije njekin punë që i kanë ose nuk i kanë tue kriju në mes të sheshit nji hapësinë rreth e për rreth fateve të atyne që nuk kanë as hije me ndjek. Por masi janë aty, duhet me e pasë nji trohë shpresë edhe ata.

Kështu e paraqet përmes kornizës së nji drite që afron perspektivën e lëvizjeve të përditshme të njerëzve Gazmend Bajri realitetin rreth zgjedhjeve të sivjetshme parlamentare, ku në video klipin që titullohet si dita e dytë e fushatës zgjedhore, ai na e sjell të zbehun varfninë që na përkulet shesheve, dhe jo rastësisht korniza ku zhvillohet ky realitet përditshëm edhe kur fokuson njeriun e gjunjëzuem nuk arrin me e ba njeri me identiteti.

Njeriu mbetet hije, ndërsa syni që e sheh, kureshtje artistike që nuk i intereson politikës. Por mesazhi kryesor fshihet në perspektivën e fshehtë dhe diskrete prej të cilës vëzhgohet gjallnimi i hijeve që ndoshta pse përshkojnë rrugët e njëjta të të padukshmënisë edhe kur kryqëzojnë hijet nuk preken. Kalojnë pranë njani tjetrit por nuk preken, e nashta me pa asht çashtje e qëllimit dhe jo e prekjes. Por gjithsesi, varfnia nuk ka identitet.  

 

09 qershor 2017
11:14

Ardiana Shala Prishtina