Shtizat retorike të bullshitizmit

09 qershor 2017 11:12

Filozofi Harry G. Frankfurt e definon bullshitizmin si nji fjalim që ka për qëllim me i bind njerëzit për nji kandvështrim tue përdorë si mjet retorikën, pa naj konsideratë për të vërtetën. Në dallim prej rrencit, i cili ka konsideratë për të vërtetën prandaj mundohet me e mshef, bullshituesit nuk ia ninë se ajo çka po thotë a asht e vërtetë a jo. Qëllimi i tij i vetëm asht me të bind me i besue, tue ta manipulu perceptimin e në proces tu kriju edhe të vërteta edhe rrena të reja. Ai don që bindja jote me iu nënshtrue egos së tij për pushtet. Si mbret që e sheh ai veten, don që ti mos me e pa që mbreti asht cullak.  

Shpesh herë shoh ide që dhezin, marrin turr e harrohen tani pas nji kohe të shkurtë sepse, flaka e tyne asht nji shkëndijë kreativiteti që shymet kur të fiket ekrani për ku asht kriju. Arsyeja për këtë mendoj që asht te sinqeriteti. E kreativiteti pa sinqeritet asht nji bullshit i madh. 

Me qenë i sinqertë nënkupton ma së pari me dashtë me dijtë të vërtetën. Jo dosmosdoshmërisht me e dijtë, por me dashtë me e dijtë. Me dashtë me iu afrue asaj e mos me iu tutë konfrontimit.

Shum herët në shkollë na imponohet “mosdijen” me e përjetu si turp e jo si shansë me dashtë me dijtë. Ec e guxo tani pranoje që s’je tue dijtë. Për me i ikë nji torture të tillë, je i gatshëm me besue çfarëdo rrene, e bile edhe me mësue përmendesh dhe nuk ke guxim me lypë të vërtetën, sepse e vërteta mundet me qenë çliruese por çlirimi kahnjiherë vjen edhe i pakandshëm.

Rrjedhimisht rritemi me u ba njerëz që ma përpara pranojmë mos me e dijtë të vërtetën, sesa me i shkund themelet e të vërtetave tona që i krijojmë për rahatinë e vetes. Kushtimisht në rastin ma të mirë, përshkak të kësaj mungese të sinqeritetit, prodhojmë “kreativitet” inferior plot bullshitizma, dhe nuk kursejmë energji me e paketu bukur me fjalë natyrisht, energji që na e ushqen botën e rreme që e krijojmë vet, për njani tjetrin. Veç e veç si individë krijojmë nji të vërtetë për vete që imiton mashtrimin kolektiv që e kemi prodhu gjeneratë mas gjenerate dhe vazhdojmë me e prodhu. Mashtrimin që shoqnia ekziston.

Tutemi me u ballafaqu me diçka që na shkund bindjet brenda të cilëve ndërkohë ndihemi rahat. Edhe kur vujmë. Qofshin këto bindje politike, kombëtare, religjioze ose personale mbi vlerën e vetës si njeri apo si gjini. Përshkak që refuzojmë me dijtë të vërtetën, pa e pa hiç, bahemi ekspert të gjithçkafit.

Në mungesë të vërtetave që nuk dojna me i dijtë, të pavërtetat që i dijna kur na cenohen jemi të gatshëm pa fije dyshimi me u gjujtë në zjarr për to. Me zhurmë natyrisht, që me e besu krejt. Në fund i hajna përditë mashtrimet e dikur mësohemi aq shum me to sa s’mujna pa nji dozë të përditshme. Kolektivisht. Legjitimitetet e mashtrimeve zakonisht brenda sistemeve kolektive krijohen. Tue fillu prej edukimit në shkolla, ku si fabrikë gatuhemi për gojën e njëjtë e deri në fejsbuk ku parimet mbrohen me retorikë dhe korrin llajka që numrohen me kujdes.

A ia nisim prej fillimit?

Kjo asht nji fjali që njeriu mundet me e ni prej nji fëmije kur zhvillimi i lojës nuk asht tue shkue në favor të tij. Kur për me i ikë humbjes propozon “nji fillim të ri”. Përndryshe kjo asht edhe motoja e re e Pëdëkësë. Qëllimi këtu natyrisht asht me i ikë ndëshkimit prej bamave të kalumes, e me u ba kishe kurrgjo s’ka ndodh. Qëllimi synohet me u mrri me Arbana Xharrat, që në botëkuptimin e Pëdëkësë i bjen: me “intelektualizue” partinë. Dhe pikërisht këtu naiviteti i Arbana Xharrës, me hy e me e ndryshu partinë prej brenda asht bullshiti ma i madh që mundet me e ni njeriu. Në fakt unë personalisht nuk mendoj që asht aq naive Arbana Xharra për me e besue nji diçka të tillë. Anëtarësimi i saj në këtë parti asht padyshim kalkulim i menduem mirë prej saj.

Na jena mësu me rrena e me mashtrime. Çka më tutë edhepse nuk më habit ma, e nashta pikërisht pse nuk më habit ma, asht fakti që rrenat nuk na vijnë ma as të zbukurume e na i përtypim tanë ditën. Na vijnë prej politikanëve, por edhe prej gazetarëve e analistave të OJQ-ve që bajnë emën tue kritiku e tani ulen në prehën po të atyne që i kritikunë. As nuk po du me e dijtë qysh s‘ju vjen marre. Kur e bajnë mutin, marren s’ma kanë borxh mue.

Definitivisht bishat e veta çdo popull i rritë vet, por si duket disa popuj bishat e tyne mësohen me i dashtë aq shum sa shpirtin me ua hangër ato, ata s’janë në gjendje me i rrëxue. Sepse, për me i rrëxue duhet me kalu kah e vërteta, duhet me e lyp të vërtetën. Duhet mos me e pranu asnji alternativë tjetër. E e vërteta dhem, sidomos nji populli që ka rritë shum bisha. Nashta kena kriju naj lloj sindromi të Stokholmit ku „viktima krijon ndjenja simpatie për pengmarrësin“, në njifarë mënyre si mekanizëm mbrojtës për mos me iu nënshtrue komplet dhunuesit e me e bind vetën që çka po ndodh me ne asht në kontrollë tonin gjithashtu. Me pranu vuejtën për me u ndi njeri në kontrollë të fatit.

Që Arbana Xharra anëtarësohet në Pëdëkë asht natyrisht e drejtë e saj, e kritika dhe reagimi çfarëdo qoftë nuk ka të drejtë me ia kontestue të drejtën. Fundi i fundit të drejtën me konë budallë e kemi krejt. Kritika ndaj këtij anëtarësimi duhet me u fokusu tek fakti që Arbana Xharra injoron randësinë dhe ndikimin e këtij veprimi të saj për shoqninë dhe së fundmi edhe për pozitën e grues në këtë shoqni, tu fillu me veten. Mendja ma merr që ajo së paku ka mendu për veten dhe për ballafaqimin me kritikat që kanë me iu ba. Mesiguri dikush e ka këshillue mençëm: “injoroi mos reago. Asht kaluese. Kështu funksionon në politikë. Sa ma pak emocione. Ti përzgjedh momentin kur do me thanë dicka, dhe thuje atë çka do me e thanë edhe atëherë bile kur p.sh. pytja që të bahet i referohet nji teme krejt tjetër. Kurrë mos lëviz prej asaj çka ti vendosë me thanë.” Ose qeshtu diçka. Prandaj ajo heshti, edhe kur “bossi” e lavdoi. Heshti edhe ndaj kritikave të opinionit. Qyshdokoftë, Arbana Xharra e ka ditë çka po ban, dhe kur ka vendosë me iu bashkangjitë Pëdëkësë gjithashtu e ka ditë edhe çka ka thanë në të kalumen për te, shpesh herë me shum të drejtë. Prandaj, këtu nuk asht fjala për ndryshim të bindjeve partiake ideologjike, sepse ajo nuk asht se ka qenë pjesë e naj partie tjetër dhe se e ka ndrrue partinë të cilën e ka kundërshtue. Fjala këtu asht te ndryshimi i parimeve ose shkelja e parimeve për të cilat Arbana Xharra, dikur zanin e çojke shum naltë. Fjala asht për hipokrizinë që Arbana Xharra tregon me veprimin e saj, për të cilin të tjerët (tashti partizanë me te) i ka kritiku randë pa i kursye në të kalumen, dhe pastaj ka edhe guxim me ironizue me arrogancë në status fejsbukian me reagimin e opinioninit rreth anëtarësimit të saj kur thotë: “çka ka najsen të re, se s’kesh knej.” Seriozisht?!

Në profil fotografia e saj e zbukuron krejt këtë arrogancë me durtë e kryqëzume në gjoks. Që në gjuhën e komunikimit nonverbal njihet si “mbrojte dhe/ose pasiguri në bashkëbisedim ose dhe mosinteresim me folë me tjetrin”. Për nji njeri që komunikimin publik e ka vegël pune, kaq shum distancë mes vetes e tjetrit thotë diçka, e ma së shumti nashta thotë “ju nuk jeni në nivelin tem, s’kam çka foli me ju.” Nashta asht veç çashtje e komoditetit.

Shtrohet pyjta, ku mundet me gjet komoditet “mendor” Arbana Xharra me u rrasë në Pëdëkë? Sepse, durtë e kryqëzume në gjoks, të cilat po get nuk po ia prejshin në Pëdëkë, nuk mujnë me konë mjaftueshëm. Jemi tue folë për “partinë e krimit”, bossat e të cilës Arbana Xharra i ka kritiku (edhe me fakte) për tana të zezat e tashti po ata po i pranon me iu ba shefa asaj. Bossat prej të cilëve Arbana Xharrës i vike me vjellë dhe tashti u afrohet aq afër saqë të ban me dyshue a ka thonë najherë najsen origjinale kjo grue, në lidhje me çkado? Apo ka qenë edhe kritika e saj si gazetare, tu fillu prej përzgjedhjes së temave, veç mashtrim medial?

Dhe së fundmi jemi tue folë për faktin që Pëdëkëja po “mundohet” me e reformu vetën pa ba ndryshime thelbësore hiç. Bossat e saj mbesin të njëjtit, rrjetëzimet e krijume tashti që sa vjet veç janë forcue mirë e mirë. Ndërsa gazetaria, nji prej shtyllave ma të randësishme në ndërtimin e nji shteti demokratik humb nji za kritik mu në gojë të tyne, publikisht. Por bashkë me këtë za, në nji teren integriteti ashtu kështu të lëkundshëm shum, gazetaria si shtyllë humb nji trohë kredibilitet shtesë. Asht çashtje etike krejt kjo. Dhe për rolin e grues në politikë, dhe randësinë që ky anëtarësim idiotik ka për gratë në shoqni e në politikë, nuk po du me folë kësaj radhe hiç. Por po them kaq: njëjtë sikur dikur Atifete Jahjaga edhe Arbana Xharra ka dalë prej nji lloj zarfi për me kriju imazh sipërfaqësor të përfaqësimit të denjë të grave në politikë. Nuk na duhen mashtrime të tilla. E edhe ma hiç gra në politikë që nuk e paskan kuptue randësinë e pozitës që kishin. Kur ato, si gra e ma së pari si gra, nuk e kanë kuptu sa shum na u kanë dashtë, si gra e sidomos si gra, aty ku ishin, e ngajnë shkallëve të karierës edhe në dam temin, pse me i respektu sot unë ato si grue? Për çka, për nji fotografi ku ato më tregojnë mu që “dhuna ndodh”? Për nji imazh, që mundohet me më mashtru që Veseli asht progesiv dhe demokrat? Jo, faleminderit.

Kur sot Arbana Xharra tregon zero integritet dhe then krejt parimet për të cilat ka ligjërue që qëndron, kur sot asaj nuk ia ninë për fëtyrën e saj, qysh me u besu që nesër ka integritet e dije mos me u mashtrue për najsen tjetër a me e mbrojtë fëtyrën e Kosovës si shtet? Me iu bashkue Pëdëkësë pavarësisht qëllimeve e motivimit e marrëveshjes me ta, asht humbje e fëtyrës dhe s’duhet me u konsiderue naj interpretim i mesëm. Pse asht kështu, Arbana Xharra dikur e arguementojke shum fortë vet, unë s’muj as me iu afrue. Nji grue si Arbana Xharra në politikë, pse jo? Por në prehën të Pëdëkës? Nuk jena tue folë ma për politikë, por për krim, apo jo? 

Parimisht shtrohet pytja a e fitoi Pëdëkja me Arbana Xharrën nji njeri ma të hajrit, apo me anëtarësimin në Pëdëkë doli thjeshtë që Pëdëkëja u shtue për nji ma shum të sojit të saj? Por definitivisht duhet me u thanë që në fund të fundit Arbana Xharra nuk asht kushedi çfarë humbje për gazetarinë kosovare në radhë të parë por edhe jo najfarë shprese për politikën e këtij vendi, tue e pasë parasysh pazarin që asht gati me e ba sot me fëtyrën e vet. Kështu që ndoshta thjeshtë në rastin ma të mirë, në fund humbja mbetet veç e Arbana Xharrës. E njëjta vlen natyrisht për Halil Matoshin. Pa asnji rezervë. Cilado që asht përgjigjja, na bash me dashtë, krejt këtë histori mujna me e konsiderue si nji shansë tjetër me e pa të vërtetën. E e vërtetë e palëkundshme çdoherë ka me qenë, që dita kur Kadri Veseli të lavdon, asht e zezë për ty. Dita kur Kadri Veseli shet përralla për barazi gjinore asht dita kur barabartë nji popull i tanë llogaritet për gja. E njëjta vlen për shtyllat e Lëdëkësë e „llapsusat“ e Lëvëvësë. Sepse budallakinat e Lëvëvësë në fund gjithë korrigjohen si „llapsusa“.  

E sa i përket reformimit të partive, kot mundohen. Kurrgjo nuk reformon ma mirë se llogaridhanja dhe e vërteta. „Fillimi i ri”  ashtthirrje për shpëtim prej ndëshkimit, thirrje të cilës na duhet me iu përgjegj me JO. Jo nuk po ia nisim prej fillimit. Jo nuk po i bashkohemi fronteve të reja, as me trima as me heronj, jo nuk po i ndjekim rrugëtimet e reja e jo nuk mashtrohemi e brezat e rinj. Sepse, me ia nisë prej fillimit nuk ekziston. Qysh me ia nisë prej fillimit bre? Qysh fshihet historia? Qashtu qysh krejt këto vite e fshijtëm luftën e u banëm kishe kurrë s’ka ekzistue a? Qashtu qysh i harrum të zhdukunit, e qysh i harrum gratë e përdhunume a? Qashtu me ia nisë prej fillimit a?  Qashtu qysh nuk i zbardhëm kurrë vrasjet e shoqi shoqit? Qashtu me ia nisë prej fillimit a? Nji fillim i tillë mue po më kthen në kohën e Millosheviqit. Me kthen edhe ma herët bile, në kohën kur në varreza tona mbijshin kompirat e pushtuesve. Nji fillim i ri më kthen mbrapa. E unë kisha dashtë me ecë përpara.

Realiteti asht që partitë tona, sidomos qeto që kishe u ringjallën me dy tre syreta të reja në katalog, asnjana nuk e kanë ndërmend me u reformue, dhe këtë ma së miri, ironikisht, e dëshmojnë anëtarësimet dhe koalicionet e reja. Kur ke parasysh sa ultë janë në gjendje me vu në pazar integritetin e tyne njerëzit dhe me e ba këtë në llogari edhe të lirisë të tyne për nji karrierë dhe krejt këtë me na e shitë pa turp si sakfrificë që po e bajnë për të mirën e vendit, aq ma shum që deri dje kanë knue ndryshe e sot na filozofojnë përralla partiake thu se kanë lind në prehën të tyne, s’mundesh me e injorue faktin që me ta partitë në fjalë veç çka janë ba ma të këqija se jo se jo me u reformue. Ma të këqija sepse “e reja” brenda tyne mbështillet rreth brumit të vjetër të kalbun dhe i jep “shkëlqim” që në thelb nuk e ka. Ma të këqija, sepse në vend se të fundosen në llomin e vet pleqnor, tashti sëpaku truni i tyne i vjetër ka me mbijetue falë trupave të reja. 

I falet budallakia budallës, por nuk i falet arroganca oportunistëve. E këta kaq janë, oportunistë, të cilët po mendojnë që e kanë nxonë momentin e duhun. Nashta e kane nxonë, nashta s’e kanë nxonë. Unë po mendoj që nuk e kanë nxonë, sepse ajo çka doket si nji moment ndryshimi asht veç mashtrimi i radhës në olimpiadën e fasadimit ku krijimi i përshtypjes injoron krimbat që po vlojnën nën dërrasa të mykta të kornizave të vjetra. Gjama e jonë asht, që prej mosdijes Lëvëvëja nuk e ka kuptue hala randësinë e zhvillimit të saj politikë si alternativë progresive. Asht ka mundohet e nashta kësaj radhe ma shum se herave tjera, por natyrisht që s’ka me mjaftue, ndër të tjerash, sepse edhe këtu tu fillu me liderin e saj, kemi të bajmë me kangë të reja nën flamuj të vjetër ku retorika asht shtiza që i mban.

Kur idetë progresive për zhvillim kanë bosht retorikën e jo idetë të shëndosha të bazume në mësime shekullore, bota që sillet rreth atij boshti ka me u shpërba në mes. Sepse nji bosht pa substancë nuk ka fuqi me mbajtë asgja. Energjia e saj asht veç bullshit. Fjalë të kota kreative të nji të mençuni në mesin e masës që dojnë me na bind që mbreti nuk asht cullak. Njerëz, mbreti asht cullak.  

 

09 qershor 2017
11:12

Ardiana Shala Prishtina