Përfaqësimi Kundër Demokracisë: Jacques Ranciere mbi Zgjedhjet Presidenciale Franceze[1]

11 prill 2017 13:15

Për filozofin francez, Jacques Ranciere[2], fushata dramatike e zgjedhjeve presidenciale në Francë nuk paraqet befasi. Ai mendon se një sistem politik që i beson të gjithë pushtetin politikanëve të karrierës mekanikisht prodhon kandidatë që thonë se përfaqësojnë një “ndarje të pastërt.” Në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, por dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me to, Ranciere ka biseduar me Éric Aeschimann, gazetar i L’Obs (9-15 Mars, 2017). Intervista është përkthyer në anglisht nga David Broder (Verso, 20 Mars 2017), kurse përkthimin në shqip dhe pajisjen me shënime shpjeguese e ka bërë Armend Mazreku.

Aeschimann: Prej vendimit të presidentit Hollande për të mos kandiduar për një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2017, e deri te akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj François Fillon[3], fushata e tanishme presidenciale është shoqëruar me një varg zhvillimesh dramatike. Ju jeni vëzhgues unik e këtij spektakli. Po ashtu, për vite të tëra nuk keni rreshtur së denoncuari demokracinë përfaqësuese, të cilën ju e shihni si të paaftë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë. Si e analizoni këtë që tani po ndodh me zgjedhjet presidenciale në Francë?

Ranciere: “Demokracia përfaqësuese” është më shumë se sa thjesht një term i paqartë. Ajo përçon idenë e rreme të një populli të para-kushtetutuar që shpreh vetveten duke zgjedhur përfaqësuesit e vet legjitim. Megjithatë, populli nuk është një kategori e paradhënë sociologjike që mund të thuhet se ekziston si i kushtetutuar përpara procesit politik. Përkundrazi, është rezultat i vetë këtij procesi[4]. Veç kësaj, sistemi përfaqësues është themeluar mbi idenë se ekziston një klasë e caktuar në shoqëri që përfaqëson interesin e përgjithshëm. Në mendjet e etërve themelonjës amerikanë, kjo klasë ishte menduar të ishte ajo e pronarëve të shkolluar. Pra, një sistem ku populli identifikon përfaqësuesit e vet legjitim që vijnë brenda kësaj klase, dhe të cilët më pas rikonfirmohen periodikisht në kutitë e votimit. Mirëpo, kjo e mënyrë e konceptimit të demokracisë ka bërë që sistemi përfaqësues të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një çështje për profesionistët, të cilët më pas e riprodhojnë vetveten në kutitë e votimit. Dhe, paralelisht me ketë, ka krijuar të kundërtën e tij: idenë mitike të një populli që nuk përfaqësohet dot nga politikanët profesionistë të sistemit, dhe që aspiron të përfaqësohet nga kandidatë që pretendojnë se janë mishërim i tij. S’do mend, e gjitha kjo është pjesë e teatrit – madje të një cilësie vazhdimisht në rënie – që tani çdo zgjedhje riprodhon.

Aeschimann: Analiza e juaj duket mjaft e errët. Vërtet ky sistem i shërben vetëm një klase të caktuar?

Ranciere: Pa dyshim. Parimi i këtij sistemi nuk është demokratik, por oligarkik. Siç dihet, në Francë oligarkia e humbi legjitimitetin kur u bë e qartë se pronarët e shkolluar përfaqësonin vetëm interesat e tyre. Kjo u pa sheshazi me rastin e kuvendeve “republikane” të viteve 1848 dhe 1871, të cilat qenë mbushur me rojalistë të përçartur kundër interesave të punëtorëve dhe revolucionarëve. Më pas, oligarkia pak nga pak u shndërrua në një klasë politikanësh profesionistë që s’përfaqësojnë asgjë tjetër pos interesave të këtij sistemi. Mendoj se sistemi mazhoritar dhe ai presidencial i Republikës së Pestë vetëm sa e ka përshpejtuar këtë proces të profesionalizimit të politikës: i pari, sepse ka bërë që të kemi dy forca të mëdha politike që me radhë qeverisin dhe mbajnë pushtetin; kurse i dyti, ai presidencial, sepse ka krijuar këtë idenë mitike, sipas të cilës sall figura e presidentit e mishëron popullin që politikanët profesionistë të sistemit e kanë tradhëtuar prej kohësh.

Aeschimann: Po, përse të gjithë kandidatët atëhere po thonë se janë “kundër sistemit?”

Ranciere: Po, siç dhe deklarova më parë, ashtu siç e riprodhon vetveten, ky sistem mekanikisht prodhon një ndarje të brendshme, e cila nuk është një ndarje e bazuar në pozicione ideo-politike por diabolike. Ta zëmë, partia që sot qeverisë me vendin përfaqëson vetëm një të pestën e popullit francez, çka do të thotë se shumica e popullit është e papërfaqësuar. Ngjashmërisht qëndron puna edhe me partitë e tjera kur vijnë në pushtet, të cilat përherë e më shumë i ngjasojnë njëra tjetrës. Prandaj dhe kemi këtë temën e vazhdueshme të një populli të pështyrë e të tradhëtuar nga politikanë të sistemit.

Nga ana tjetër, si një institucion që supozohet se direkt përfaqëson vullnetin e popullit, posti i presidentit vetëm sa e rritë tensionin e brendshëm të këtij sistemi, duke bërë që kandidatëve anti-sistem t’u krijohet hapësira për të deklaruar: "Unë jam kandidati i popullit të papërfaqësuar"! Ndaj dhe ka vend për “besnikun” e majtë që denoncon tradhtitë e partisë së majtë, e cila tani iu ngjan atyre të djathta. Po ashtu, ka vend për kandidatin e ekstremit të djathtë, Le Pen, e cila thotë se vetëm ajo përfaqëson popullin hekakeq. Për Macron[5], i cili thotë se do ta bashkojë popullin e përçarë nga polarizimi e tejskajshëm ku e kanë futur partitë politike. Dhe për kandidatin tjetër, Mélenchon[6], i cili e luan edhe “besnikun” e të majtës, edhe atë të popullit të përvuajtur. Në një epokë tjetër, dhe në kundërti të hapur me këtë që po shohim sot, partitë e punëtorëve përfaqësonin vetëm forcat e organizuara kolektive që ushtronin presion mbi sistemin nga jashtë. Sot, për fat të keq, “populli i vërtetë” është një figurë e falsifikuar nga vetë sistemit. Prandaj dhe kemi ardhur në një pikë ku nuk e dimë se kush çfarë përfaqëson më. Një miliarder, ta zëmë, mund të thotë tani se përfaqëson popullin e pështyrë nga vetë soji i tij, dhe kjo nuk shihet aspak si problem.    

Aeschimann: Dëgjojmë shpesh nga të majtët dhe të djathtët se politika duhet inkarnuar në udhëheqës që janë fytyra të vullnetit kolektiv. Cili është mendimi i juaj në lidhje me këtë?

Ranciere: Duhet thënë se inkarnimi nuk është një nocion politik, por religjioz. Ndërkaq përdorimi i tij i sotëm në politikë lidhet me këtë idenë mitike të “shpëtimit të popullit” që ju fola më parë. Kjo është saktësisht ajo që e djathta ekstreme e dëshiron. Pra, të shihet si shpëtimtare e popullit. Nga ana tjetër, “populizmi-majtist” proklamon idenë se ai është në gjendje për ta përvetësuar “popullin” nga e djathta esktreme, falë një modeli alternativ: atë të një udhëheqësi që inkarnon popullin dhe e kushtetuton atë në stilin e Hugo Chavez-it. Megjithatë, inkarnimi është një parim antidemokratik, dhe si i tillë, mendoj unë, duhet refuzuar.

Aeschimann: Por a janë të gjithë politikanët njëlloj? A nuk ishin politikanë të mëdhenj Juares, De Gaulle dhe Roosevelt?

Ranciere: Figurat e jashtëzakonshme vijnë në shprehje atëhere kur rregullat normale të lojës janë thyer dhe është e domosdoshme të shpiket diçka e re. Pikërisht në momente të përthyerjeve të mëdha individë të tillë ngrihen mbi rrethanat objektive – të cilat edhe ashtu janë të jashtëzakonshme – duke shkuar përtej asaj që pritet nga ta. E vërtetë: De Gaulle mori një vendim të paprecedent në vitin 1940 duke tejkaluar rolin e tij si gjeneral brigadier. Mirëpo, si shef i RPF (partisë së qendrës së djathtë të pasluftës), ai ishte një politikan manipulues si çdo politikan tjetër. Veç kësaj, ishte pikërisht De Gaulle që themeloi Kushtetutën e Republikës së Pestë, e cila, siç thashë më parë, ka çuar në tkurrjen dhe përkeqësimin e jetës publike. Prandaj dhe më vjen të qesh kur shoh se si e majta e vlerëson atë sot.

Aeschimann: Po si do ta organizonit jetën kolektive pa përfaqësues? Përmes shortit – një masë kjo që ju e propozoni te libri i juaj Urretja e Demokracisë (2005)?

Ranciere: Duhet bërë një dallim midis delegimit dhe përfaqësimit. Në një demokraci, është më se e logjikshme që disa njerëz do të kryejnë disa aktivitete në emër të disa të tjerëve. Por delegati e kryen këtë rol vetëm njëherë, gjë që nuk është rasti me përfaqësuesit. Në të kaluarën, shorti ishte një mënyrë normale e përcaktimit të delegatëve, bazuar në parimin demokratik që secili është i aftë për të qeverisur. Arsyeja që kam propozuar rikthimin e kësaj praktike ka të bëjë pikërisht me trendin e profesionalizimit të politikës që përmenda më parë. Por, gjithsesi, kjo nuk është një recetë e thjeshtë. Mjete të tilla si shorti janë të vlefshme vetëm po që se janë në duart e lëvizjeve të mëdha popullore. Demokracia nuk mund të ekzistojë pa këto presionet që vijnë jashta sistemit, të cilat trondisin institucionet e shtetit – siç kanë bërë “lëvizjet e sheshit” kohëve të fundit. Demokracia presupozon që institucionet autonome nga strukturat dhe agjendat shtetërore janë në gjendje për t’i mbajtur gjallë këto momente egalitare.

Aeschimann: Fushata presidenciale megjithatë ka bërë që të flitet rreth të ardhurave universale. Pavarësisht kritikave që mund të kemi për këto zgjedhje, a nuk është ky një lajm i mirë?

Ranciere: Mund të thuhet se ka një progres krahasuar me kohën e Sarkozy-s, i cili donte që e gjithë Franca të punojë. Megjithatë, diskutimi mbi të ardhurat universale është problematik sepse, me të, është duke u synuar të hiqet qafe puna manuale dhe të bëhet robotizimi i industrisë prodhuese. Pra, të krijohet një klasë punëtore që nuk ka kurrfarë potenciali revolucionar.

Megjithëkëtë, puna manuale nuk është zhdukur – ajo thjesht është transferuar ne vende ku fuqia punëtore është e lirë dhe që mund të shfrytëzohet ekonomikisht. Prandaj të ardhurat universale janë bërë zgjatim i RMI dhe RSA (përfitime për të papunët dhe të keqpaguarit francezë, që përfshin vetëm disa qindra euro në muaj dhe me shumë kushte për t’i marrë ato), të dizajnuar në mënyrë që deindustrializimi të ndodh në vendet tona. Por, kjo nuk është një masë emancipuese siç mund të mendojnë disa. Edhe ashtu sfera e konsiderimit universal të këtyre të ardhurave është mjaft e kufizuar. Imagjinojeni sikur këto të ardhura t’u garantoheshin gjithashtu fëmijëve që punojnë në minierat Kongoleze, ku nxjerren materialet e nevojshme për punën immateriale, apo edhe punëtorëve në fabrikat e Bangladeshit! Ky do të ishte një ndryshim i njëmendtë, në mendimin tim.

Aeschimann: Ju votoni vetëm në raste të jashtëzakonshme. Nëse Marine Le Pen do të vazhdojë të qëndrojë sipas sondazheve në 48% në raundin e dytë, a nuk do të votonit edhe në këtë rast për ta mposhtur atë – nëse kjo nënkupton votimin për Macron ose Fillon?

Ranciere: Kjo është një dilemë që mund të zgjidhet brenda pesë minutash nëse vjen një moment i tillë. Sepse është e qartë që, nëse fiton Le Pen, kjo gjë nuk do të ishte aspak e mirë. Megjithatë, ne duhet të nxjerrim përfundime të duhura nga këto zgjedhje. Zgjidhja e vërtetë është të luftojmë kundër sistemit që prodhon politikanë të tillë si Le Pen, e jo thjesht të besojmë se duke votuar krye-hajdutin kemi për ta shpëtuar demokracinë. Më kujtohet akoma slogani i famshëm nga zgjedhjet e vitit 2002: “Votojeni hajdutin, jo fashistin” (që i referohej balotazhit midis Jacques Chirac dhe Jean-Marie Le Pen). Ama të zgjedhësh hajdutin, në vend të fashistes, do të thotë t’i meritosh të dytë. Dhe, gjithashtu, të përgatitesh për t’i pasur të dytë njëkohësisht.

___________________________________________________

[1] Është me rëndësi të thuhet se, në versionin frëngjisht, intervista titullohet “Mais pourquoi se disent-ils tous “anti-système”? Entretien avec Jacques Rancière,” që, në një përkthim të lirë, do të mund të përkthehej si në vijim: “Po përse të gjithë thonë se janë “anti-sistem”? Intervistë me Jacques Rancière.” Megjithatë, titulli në anglisht më duket më i qëlluar për tre arsye. E para, sepse shpreh më mirë përmbajtjen e kësaj interviste. Së dyti, i bën më shumë drejtësi asaj që në përgjithësi Ranciere përpiqet të bëjë në veprat e tij, e që është pikërisht kundërshtimi i vizioneve konsensuale mbi politikën dhe demokracinë – vizione këto që i mohojnë politikës demokratike dimensionin konfliktual dhe disensual që ka ajo. Dhe së treti, në një intervistë tjetër me po të njëjtin gazetar, Ranciere vetë në mënyrë eksplicite thotë se “përfaqësimi është e kundërta e demokracisë (fr. la représentation est le contraire de la démocratie).

[2] Edhe pse gazetari dhe përkthyesi i referohen Ranciere-t si “filozof.” është më rëndësi të sqarohet se Ranciere vetë e refuzon një titull të tillë. Ranciere me të drejtë mendon se ekziston një tension i madh midis politikës demokratike dhe Filozofisë Politike, dhe se qëllimi final i kësaj të fundit është pikërisht eliminimi i të parës dhe zëvëndësimi e saj me sundimin epistemik të filozofëve. Sigurisht, Ranciere nuk është i vetëm në këtë ndërmarrje kritike; këtë distancim e vërejmë gjithashtu te një numër i konsiderueshëm i mendimtarëve të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe njëzet, si Kierkegaard, Nietzsche, Heidegger, Foucault, Derrida, Arendt, e kështu me radhë. Të gjithë këta, në një mënyrë a tjetër, janë kritikë të mëdhenj të Filozofisë.

[3] François Fillon është kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2017 nga radhët e Republikanëve (të njohur në të kaluarën si Unioni për një Lëvizje Popullore). Kur gazetari i referohet problemeve me ligjin, ai këtu ka në mendje akuzat që i janë bërë Fillon për futjen e gruas dhe fëmijëve të tij në listën e pagave për punë të rrejshme parlamentare.

[4] Me termin ‘popull’ Ranciere nuk nënkupton sigurisht popullin në kuptimin e ethnos, pra në kuptimin etnik të fjalës, dhe as në kuptimin e popullsisë, shumicës, trupit politik, apo të klasave të varfëra e punëtore siç e konceptojnë disa mendimtarë të tjerë. Përkundrazi, në pikëpamjen e tij, termi popull (demos) është emër gjenerik i subjektivimit politik, i cili është një komunitet shtesë që nuk ka kurrfarë kualifikimi për të qeverisur. Këtu, Ranciere është duke iu kundërvënë predikamentit ideologjik dhe atij filozofik që sugjeron se demokracia duhet fundamentuar në kualifikime të tilla si pasuria, mosha, ekspertiza, e kështu me radhë. Mirëpo, me shumë rreth përdorimit të termit ‘popull’ në Teorinë Politike, do të shkruaj një herë tjetër.

[5] Emmanuel Macron është kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2017 nga radhët e Lëvizjes En Marche! (Përpara!). En Marche! është e njohur ndryshe edhe si Shoqata për Renovimin e Politikës.

[6] Jean-Luc Mélenchon është njashtu kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2017 nga radhët e lëvizjes politike Franca e Panënshtruar.

11 prill 2017
13:15

L'Obs