Të kalosh nëpërmes Listës

30 mars 2017 12:00

Filmi Schindler's List, i regjisorit Steven Spielberg, është realizuar më 1993, në formatin bardh e zi, sepse sipas tij pamjet bardh e zi i paraqisnin në mënyrë më reale ato pamje të tmerrit nazist.  Në këtë film paraqiten vrasjet masive të hebrenjve për të vetmin fakt se kishin identitet të ndryshëm nga gjermanët. Sipas ligjërimit nazist hebrenjtë ishin të rrezikshëm, dhe kështu ata mund ta njollosnin racën e pastërt gjermane. Ky është edhe një nga momentet kulminante që filmi insiston të na sensibilizojë për faktin se sa e lehtë është që njeriu të mbërrijë deri në Holokaust, vetëm e vetëm se përfaqëson një identitet tjetër.

Regjisori Spielberg në këtë film na rrëfen veprimtarinë e biznesmenit gjerman Oskar Schindler (luajtur nga Liam Neeson) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Schindler-i e kishte kuptuar se lufta do të jetë shansi i tij që ta kapitalizonte për t’u pasuruar. Ai është shumë i zoti në intriga, mashtrime, rryshfet. Këtu Spielberg, Schindler-in na e paraqet si një njeri grykës, i cili ishte shhpërfytyruar nga dëshira për t’u pasuruar. Mirëpo, krejt këto zhdërvjellësi që i posedonte Schindler-i nuk i mjaftojnë për të udhëhequr një fabrikë. Sa ironizues, po aq edhe cinik është fakti që regjisori i ‘gjen’ Itzhak Stern (luajtur nga Ben Kingsley), një hebre, për ta udhëhequr fabrikën e biznesmenit gjerman. Kështu, hebreu Stern do të bëhet menaxheri kryesor i fabrikës. Schindler-i zhvendoset në Poloninë e pushtuar nga nazistët, ku do ta  hapë fabrikën e tij dhe do të punësojë hebrenj të cilët do t’i paguajë shumë lirë. Itzhak Stern po ashtu do të lëvizë nëpër rrugët e Krakows për të punësuar hebrenj për Schindler-in.

Pra, qëllimi i Schindler-it ishte të bëhet milioner. Ai nuk qante kokën se matanë mureve të fabrikës së tij shfaroseshin njerëzit e pafajshëm. Preokupimi i nazizmit ishte që të vriste sa më shumë hebrenj, kurse preokupimi i vetëm i Schindler-it ishte të bënte sa më shumë para. Njerëzit i shihte vetëm si një mundësi më e mirë të pasurohej edhe më në kurriz të tyre dhe këtë mundësi lufta ia kishte bërë si ‘ofertë falas’. Një karakter lakmitar, Schindler-i ishte i interesuar që ai të jetonte jetën sa më luksoze në tërë atë katrahurë.

Luftërat çdoherë krijojnë paradokse të tilla, sepse në të njëjtën kohë dhe hapësirë dikush lufton për ta shpëtuar kokën, e dikush për ta rritur biznesin e tij. Gjermania naziste ishte bërë një makineri shfarosëse për popullin hebre. Vula e identitetit nazist u bë Holokausti, kurse, vula e identitetit të Schindler-it në mes të kësaj llahtarie ishte bërë paraja. Sa më shumë luftë, sa më shumë vrasje aq më shumë para për Schindler-in. Ai ishte i dehur nga paraja, sikur nazizmi që ishte dehur nga vrasjet. Një katandisje e tillë të linte për të besuar se njerëzorja nuk banonte më në Tokë. Gjithçka ishte kthyer në gjak dhe para dhe po ashtu para me gjak (vlen të përmendet këtu se regjisori Spielberg nuk ka pranuar të paguhet për punën e tij në këtë film, sepse gjykonte se një pagesë e tillë do të ishte në kurriz të gjithë të vrarëve nga nazizmi).

Është interesant momenti kur regjisori e nxjerr në skenë një vajzë tre vjeçe, e cila ka të veshur një pallto të kuqe. Ky personazh i përcjell dy simbolika brenda në film; e para; është ajo sesi nëpërmes shfaqjes së fëmijës (luajtur nga Oliwia Dabrowska) në njëfarë forme rishfaqet njerëzorja në mes kufomave, kurse e dyta; palltoja e kuqe në mes asaj zymtësie ferri, simbolizon gjakun e derdhur të njerëzve të pafajshëm. Prandaj, qe pikërisht ky fëmijë i vrarë që zgjon edhe Schindler-in nga dehja e parasë. Kështu regjisori Spielberg tani na e paraqet një Schindler të transformuar, emocional dhe përgjërues, të cilit nuk i interesojnë më paratë për t’u pasuruar, por për të korruptuar sa më shumë zyrtarë nazistë që të shpëtojë sa më shumë hebrenj. Atij më nuk i intereson madje as që është gjerman, mbase i vjen edhe keq pse është i tillë. Pra, identiteti i tij kishte pësuar një transformim të thellë. Krejt çka atë e preokupon tani ishte shpëtimi nga vdekja i sa më shumë hebrejve. Dikur rrezikonte gjithçka që të pasurohej, s’kursente as katandisjen e njerëzve, sepse qëllimi i tij ishte jeta luksoze, kurse tani rrezikon çdo gjë që ka arritur vetëm e vetëm që të shpëtojë edhe një njeri më shumë. Ai futet nëpër kampe naziste të përqendrimit, duke mashtruar e korruptuar ushtarë nazistë, për të nxjerrë hebrenj që andej për t’i shpëtuar.

Prandaj, ikja nga të bërit para dhe ngarendja për të shpëtuar sa më shumë njërëz, në fakt është tendenca e kapërcimit të identitetit të tij, dhe kërkimi i një identiteti që tanimë nuk ishte as identitet i humbur gjerman, as ai i biznesmenit, por ishte diçka që kishte të bënte me njerëzoren. Ky humanitet i Schindler-it nuk erdhi si diçka i parapërgatitur, por ishte spontan, sepse regjisori mëton që vetë spontanitetin të na paraqesë si njerëzor. Mbase, ky spontanitet tregon se megjithatë, pavarësisht zvetënimeve që mund të përjetojnë shoqëritë, njerëzit, individët, prapëseprapë duhet të synojmë drejt asaj që është më njerëzore, e që kjo në fakt duhet të jetë edhe vula fundamentale e identitetit të njeriut.

Schindler's List nuk është vetëm një film që njeriu mund të kalojë mbi dy orë duke e shikuar. Ky film është më shumë se kaq. Ai është ndër historitë më të trishtuara të njeriut bashkëkohor. Është ankthi ynë, është tmerri ynë. Ky film, kjo histori, jemi ne, historia jonë, historia e palavdishme njerëzore. Regjisori Spielberg kërkon të çlirohemi nga kjo frikë, nga ky ankth i amshueshëm, por njëkohësisht kërkon që njeriu duhet ta bëjë kapërcimin, ta tejaklojë vetveten.

Spielberg thërret ndërgjegjjen njerëzore, shpirtin human, edhe atëherë kur intensiteti i egos sonë është i shfrenuar dhe i etur për shkatërrim. Siç thoshte edhe Primo Levi: “Është njeri ai që vret, është njeri ai që bën ose pëson padrejtësi: s’është njeri ai që, pasi ka humbur maturinë, ndanë shtratin me një kufomë. Ai që ka pritur që fqinji i tij të vdesë për t’i marrë një çerek bukë...”. Sikurse Levi që e ka bartur në lëkurën e tij atë llahtari, edhe filmi përkujton lehtësinë e çekuilibrimit të natyrës njerëzore. Historia e Schindler's List nuk është vetëm një histori njerëzore që ka perënduar, por alarm i përhershëm kundër përsëritjes së diçkaje të tillë.

30 mars 2017
12:00

Dritan Dragusha