Gjilan: A jeni për...truaktiv?

truAktiv vjen në Gjilan! Aktivizoni trurin me një injeksion katërditor të ligjëratave dhe diskutimeve që synojnë të zbërthejnë thelbin e sfidave dhe problemeve të përditshmërisë. Dëgjo dhe debato për qasjen dhe parimet drejt zgjidhjeve të tyre. Mëso si të formësosh mendim për një çështje të caktuar, si të mendosh në formë kritike dhe si ta plasosh atë mendim në publik. Të gjitha këto, në një vend, në truAktiv

12 mars 2017 17:35

Për çka po bëhet fjalë?

Sbunker dhe Kosovo 2.0 ftojnë të gjithë të rinjtë e moshave 17-20 vjet nga qyteti i Gjilanit që të bëhen pjesë e edicionit të katërt me radhë të programit truAktiv.

truAktiv është program katërditor i ndarë në dy pjesë. Përmes shtyllës së parë, ligjeratave dhe diskutimeve tematike, programi synon që të nxisë mendimin kritik rreth temave politike dhe sociale. Përmes shtyllës së dytë, punëtorisë për shkrim dhe blogging, programi synon që t'i forcojë shkathtësitë për shkrim efektiv dhe aspektet teknike të krijimit dhe menxhimit të një bllogu.

Kur dhe ku?

Programi i katërt mbahet në Gjilan në datat 28-31 mars. Ligjeratat dhe diskutimet tematike mbahen gjatë ditëve të javës (marte – enjte) prej orës 13:00 deri në ora 18:00. Punëtoria për shkrim dhe bllog mbahet të premtën, nga ora 09:00 deri në 16:00.

Pas edicioneve të para në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, dhe tani në Gjilan, truAktiv do të vazhdojë në qendrat e tjera të Kosovës.

Cili është programi?Image

Shtylla 1: Ligjeratat tematike  (28-30 mars)

Visar Arifaj, kryetari legjendar i Partisë së Fortë, do të bashkëbisedojë me pjesëmarrësit për aktivizmin e tij dhe të Partisë, si dhe për fuqinë e kritikës sociale përmes satirës.

Petrit Zogaj, drejtori i Lëvizjes Fol, do të bashkëbisedojë me pjesëmarrësit për rolin e shoqërisë civile në kërkim të llogarisë dhe demokratizimin e shoqërisë.

Donikë Qerimi, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës dhe doktorante në Universitetin e Gentit.

Hajrulla Çeku, nga organizata Ec Ma Ndryshe nga qyteti i Prizrenit, do të flasë për përvojat e aktivizmit në nivel lokal

Shqipe Gjocaj, aktiviste feministe dhe autore shkrimesh në sbunker, do të flasë për sfidat e pabarazisë dhe diskriminimit gjinor në Kosovë.   

Dafina Halili, gazetare e Kosovo 2.0, do të flasë për mënyrën se si mediat krijojnë sterotipe për komunitetet e ndryshme.

Majlinda Hoxha, fotografe dhe artiste, do të flasë për rolin e artit dhe artistëve në jetën sociale dhe politike.

Shtylla 2: Punëtoria e shkrimit dhe bllogut (31 mars)

Agon Maliqi, redaktor bashkëthemelues i bllogut sbunker dhe autor kolumnesh, do të mbajë punëtori për teknikat efektive të shkrimit.

Bardha Ahmeti, nga organizata Lens dhe krijuese e bllogut për ushqim, do të mbajë puntori për aspektet teknike të krijimit dhe menaxhimit të një blogu specifik.

Çka përfitoni?  

Mundësinë për të mësuar diçka të re. Për t’u njohur me të rinj të tjerë kurreshtar sikurse ju. Për të shkruar dhe për të botuar në sbunker dhe Kosovo 2.0. Për të bërë punë praktike dy-mujore në sbunker apo Kosovo 2.0. Për të marrë një certifikatë si të rinj truAktiv.  

Si të aplikoni?  

Aplikimi është i hapur për të gjithë të rinjtë e moshës 17-20 vjeç nga komuna e Gjilanit. Për ligjeratat tematike do të pranohen deri në 40 pjesëmarrës, ndërsa për punëtorinë e shkrimit dhe bllogut mund të pranohen deri në 15 persona.

Apliko tani

Për të aplikuar në program, ndiqni vegëzën dhe përgjigjuni në pyetjet e parashtruara. Afati i aplikimit për serinë në Gjilan është deri në mesnatën e 22 marsit.

12 mars 2017
17:35

Redaksia