Quf quf uff! - Pjesa II

04 mars 2017 23:10

Pjesa e parë

Treni i arsimit

Kur jemi tek çka na duhet e çka s’na duhet, nashta para krejtve na duhet nji popull që nuk i beson ma përrallat e tyne. As të këtyne, as të atyne. E për mos me i besu përrallat të vyen nji mendim kritik që nuk t’lejon me u ba pre e rrenave e budallakinave. Të vyen guximi me dyshue.  Diçka që mësohet, për aq sa vlen.

Përgjigjjet për këtë duhet me i lypë te arsimi. E për arsimin s’mujna me folë pa folë për Arsimin. E di, ka kalu kogja kohë. Janë bo ma shum se dy mujë prej shokut të madh që përjetuem me rezultatet e PISA. Qaq i madh ishte shoku, saqë dy muej ma vonë, hala s’mujna me e përmendë këtë tragjedi kombëtare pa na u mbushë sytë me lot. Dhe shih ti, pret e pret e pret që ka me u bo naj ndryshim; pret e pret e pret që ka me u shkarku naj ministër; pret e pret e pret që ka me i ardhë marre naj eksperti të madh nga OJQ-ja x,y që i ka grah me vite biznesit, pardon projekteve, në shërbim të arsimit nga fondet e BE-së, ambasadave, shtetit, fondacioneve të ndryshme, donatorëve tjerë dhe pret kot, sepse kurrgjo s’ka me ndodhë dhe krejt ka me u ba ma mirë me do fotografi solidarizimi më fëmijët e fshtatit SOS që kanë me u shkepë nëpër internet kur ministri i arsimit, Arsimi vetë, shkon si babadimër me ua çue do dhurata. 

Në fakt, kurrkush nuk po pret kurrgjo dhe asgjë. Prandaj dhe marrim kurrgjo dhe asgjë. Me randësi asht që na me pasë kohë mas kohë naj festë, ku mujna me u krenue që jena shqiptarë. Shyqyr që po vjen vera: pak deti; aty këtu naj dasme; naj porshe panamera që na dridh asfaltin rrugëve tona të varfuna dhe pse jo, pak futboll. Qaq. Na ngihet barku neve.

Tashti unë jam e sigurt që dhuratave didaktike fëmijët e SOS fshatit që ua solli babadimni Arsimi, i gëzohen. Nji ditë, dy nashta. Për cilësinë e të cilave, tashti ma, dyshoj patologjikisht.  Por gëzimi i tyne nuk asht tema këtu. Tema këtu asht mashtrimi që na bahet, kinse që Arsimi në Kosovë ia dika vlerën edukimit dhe integrimit, ani pse fëmijët rom në shkolla tona trajtohen veç si magnet për fonde të BE-së, qaq. Në emën të integrimit, kuptohet. 

Ministri Arsimi tha nji ditë nga foltorja e kuvendit: “Shtylla e parë e nji sistemi të sukseshëm arsimor fillon pikërisht dhe objektiva numër nji e jona është gjithëpërfshirja në arsimin parafillor dhe parashkollor… edhe me votën e juaj deputetë të nderuar ne sivjet do të ndërtojmë 15 kopshte publike…”. Qisaj ju kam tutë shum: që kanë me ndërtue për me pretendue që po “ndërtojnë”.

Ministri vazhdoi me e torturue mikrofonin e foltores së kuvendit dhe tha: “Tri gjëra kemi bërë sa i përket standardizimit të mësimdhënies dhe po e bëjmë, sepse procesi është në vazhdim. E para ne kemi nevojë në nivel kombëtar ta standardizojmë mësimdhënien, sepse jemi të sigurtë se mësimdhënia nuk është e njëjtë në të gjitha komunat e republikës sKosovës,… përmes programeve të reja, përmes teksteve të reja po vendosë standard unik të mësimdhënies….ne ndoshta edhe do ta licencojmë mësimdhënien digjitale ku, po e marr nji shembull, nji orë që do të zgjat dyzet e pesë minuta në tërë republikën e Kosovës, 15 minutat e parë çdo mësimdhënës i republikës sKosovës do ta spjegoj, ë, nji njësi mësimore në mënyrë unike në tërë republikën e Kosovës përmes mësimit digjital. Onllajn. “

Nuk ma patët borxh këtë torturë, kërkoj ndjesë. Katër herë “republikës”, dy herë “unike”, nji herë “onllajn”. Fjalim se jo mahi. Dhe ky nuk ishte krejt fjalimi.

Pusi në të cilin gjindet cilësia e arsimit në Kosovë asht shum ma i thellë e ma i rrezikshëm sesa që na ka kallxue dhe vetë PISA. Sepse, me edukimin e fëmijëve tanë nuk bahet fjalë vetëm për arritjet e tyne akademike, por për frymën me të cilën ata bahen njerëz. Njerëz të lirë, për aq sa vlen. Por, njerëz të lirë ata nuk bahen me projekte të lodhta, edhe nëse projekti e ka nji titull ku fjalët “kreativitet e mendim kritik” (sidomos qikjo e fundit ka hi ne modë tashti) shkruhen me të mëdhaja për me e formue nji akronim që të komplekson tue e lexue. Edukimi i tyne asht çelësi për përparimin e këtij vendi dhe kur ky edukim asht inferior, përparim s’do të ketë. E ky edukim do të mbetet inferior, përderisa mësimi që u japim, qysh në qasjen tonë, në radhë të parë dëshmon mungesë dashnie. Për të tjera as mos të flasim.

Do të ketë njerëz që binden dhe nënshtrohen, qoftë edhe kur bindja asht veç dorëzim përballë rrezikut me humbë nji vend pune. Dorën në zemër, evladi do bukë, dhe evladat na kena me i bo. Dhe ani që i bojna, por kur (kishe) për hatër të tyne e mshelim gojën para kësaj padrejtësie, e asaj padrejtësie, këtij muti, e atij idioti, nji ditë s’do të ketë lidhje sa fort i dashtëm evladat, kur ajo çka do t’u trashëgojmë asht në rastin ma të mirë nji marre e madhe, në rastin ma të keq nji mut e nji idiot tjetër. Ose diçka në mes: amanetin me ikë prej këtu e me gjetë lumtuni diku tjetër.

Qeverive kriminale u konvenon nji popull që gajlen ma të madhe e ka bukën. Dhe me këtë po du me thonë, që edhe në shkofshin këta, e vijnë të tjerë, na edhe prej tyne bisha kena me bo, çdo herë, përderisa na si popull gajlen ma të madhe e kena bukën. Shkurt: për me ndryshue ata, duhet me ndryshue na ma së pari.

Treni i vetes

Na po u bahemi bashkëpunëtorë në krim, qoftë edhe nëse “qëllimet i kena të mira” në vend se me ua përplasë për fëtyre dhuratat me të cilat vijnë me na mashtrue, na po keshim bashkë me ta para kamerave e po e çfryjmë mllefin në lugë të makiatos. Kena me mbetë pa dhambë.

Si popull, më duket që jemi rob të idesë që po patëm ma shum pare krejt ka me u ba ma mirë. Dhe rrjedhimisht, përballë premtimit dhe shpresës për nji financim aty a këtu, jena të gatshëm me e ulë veten aq poshtë dhe me dalë në fotografi me nji ministër të poshtër, e me turlifarë eksperti, vendor por edhe asishne “t’jashtit” i cili jeton për me na shitë neve ekpsertizën e tij shumvjeçare të kurrgjofit. Ai natyrisht paguhet mirë për kontributin e tij paqësor, neve na mbetet morali i tij i mutit mbi randësinë e pajtimit, integrimit, edukimit, demokracisë për me u ngi, anipse ekspertiza i tij numron ma shum vjet se mosha e tij në total. Pra kur të folim për arsimin, Arsimi fajtor po, ama natyrisht që kanë faj edhe OJQ-ët. Dhe sa ma të mëdhaja që  po janë, qaq ma shum faj po kanë.  

E kështu vlen për krejt fushat tjera. Kështu vlen për pajtimin mes popujve dhe ndërtimin e paqes, të cilës na si shoqni duhet me i thanë njizani PO, por edhe njizani JO kur kjo bahet sa për politikë, sa për efekt dramatik të nji politike ndërkombëtare që na ka në dorë, sepse na njerëzit e thjeshtë të këtij vendi të vogël, na kena me e jetue rezultatin e këtij “pajtimi e të vërtete” kena me e jetue seriozisht. 

Treni i fundit 

Nëse ju pëlqejnë premtimet, qe nji premtim po ua jap unë: cilësia e arsimit në Kosovë nuk ka me u përmirësue përderisa njerëzit që e shkatruen ate udhëheqin “planet për ndryshime”. Shkurt: me Arsimin, s’ka arsim. Veç budallakina. Me Hashimin s’ka pajtim, veç mashtrim.

Pajtimi dhe e vërteta nuk kanë me u arritë, nëse komisionet thirren prej njerëzve që na kanë rrejtë e na kanë damtue kah janë sillë, njerëz që kanë përça kend kanë mujtë, njerëz që… nuk kryhet kurrë kjo fjali.

Por, për hatër të nji fundit çka unë konsideroj ma të mençëm, po due me e citue nji grue që i ka kuptue mirë nënshtrimet e popujve e anësimet e njerëzve ndaj dhe përskej liderëve kriminelë. Ajo pat thanë nji herë në lidhje me përvojën e saj në Gjermaninë naciste se “problemi personal nuk ishte ajo se çfarë anmiqtë na banin ne, por qëndronte në ate se çfarë miqtë tanë banin.” (Hannah Arendt).

Tashti në logjikën e njëjtë, unë kisha me thanë që problemi jonë nuk asht se çfarë na ban neve Thaçi, Mustafa, Hamami, por çfarë i bajmë na vetes, na njerëzit e vegjël, sepse mik ma të ngushtë momentalisht se veten nuk kemi.  Po s’u mësuem me besue që mujna, kurrë s’kena me mujtë. E kam fjalë me mujtë me i rrëxue bishat mbi krye dhe me lirue ma së pari mendjen tonë prej tyne. 

 

04 mars 2017
23:10

Ardiana Shala Prishtina